Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Levitikut

Pika kryesore nga libri i Levitikut

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Levitikut

NUK ka kaluar ende një vit që kur izraelitët u çliruan nga robëria egjiptiane. Të organizuar si një komb i ri, tani ata janë në udhë për në vendin e Kanaanit. Qëllimi i Jehovait është që atje të banojë një komb i shenjtë. Por mënyra e jetesës dhe praktikat fetare të kananitëve janë shumë të korruptuara. Prandaj Perëndia i vërtetë i jep kongregacionit të Izraelit disa rregulla që do ta mbajnë të veçuar për të kryer shërbimin e Tij. Këto rregulla janë të dokumentuara në librin biblik të Levitikut. Libri, i cili u shkrua nga profeti Moisi në shkretëtirën e Sinait, me sa duket në vitin 1512 p.e.s., trajton jo më shumë se një muaj hënor të historisë së Izraelit. (Eksodi 40:17; Numrat 1:1-3) Jehovai në mënyrë të përsëritur i nxit adhuruesit e tij që të jenë të shenjtë.​—Levitiku 11:44; 19:2; 20:7, 26.

Dëshmitarët e Jehovait sot, nuk janë nën Ligjin që dha Perëndia nëpërmjet Moisiut. Vdekja e Jezu Krishtit e shfuqizoi atë Ligj. (Romakëve 6:14; Efesianëve 2:11-16) Megjithatë, rregullat që gjenden në librin e Levitikut mund të na sjellin dobi, duke na mësuar shumë gjëra rreth adhurimit të Perëndisë sonë, Jehovait.

BLATIMET E SHENJTA​—VULLNETARE DHE TË DETYRUESHME

(Levitiku 1:1–7:38)

Disa prej blatimeve dhe flijimeve të Ligjit ishin vullnetare, kurse të tjera ishin të detyrueshme. Për shembull, blatimi i djegur bëhej në mënyrë vullnetare. Ai i paraqitej i tëri Perëndisë, ashtu si Jezu Krishti e dha jetën e tij si flijim shpërblyes vullnetarisht dhe tërësisht. Flijimi i përbashkët i cili bëhej në mënyrë vullnetare ndahej në pjesë. Njëra pjesë i paraqitej Perëndisë mbi altar, një pjesë e hante prifti dhe po ashtu një pjesë tjetër e hante ai që e ofronte. Në mënyrë të ngjashme, për të krishterët e mirosur Përkujtimi i vdekjes së Krishtit është një darkë e përbashkët.​—1 Korintasve 10:16-22.

Blatimet për mëkatet dhe blatimet për fajin ishin të detyrueshme. Të parat shlyenin mëkatet e kryera gabimisht ose pa dashje. Të dytat i paraqiteshin Perëndisë në rastin kur një individ kishte shkelur një të drejtë ose kur i riktheheshin disa të drejta një keqbërësi të penduar ose edhe në të dyja rastet njëkohësisht. Gjithashtu, ishin edhe blatimet në drithë si shenjë mirënjohjeje ndaj bujarisë së Jehovait. Të gjitha këto na interesojnë, sepse flijimet që urdhëroheshin nga besëlidhja e Ligjit drejtonin vëmendjen te Jezu Krishti dhe te flijimi i tij ose te dobitë që do të rridhnin nga ky flijim.​—Hebrenjve 8:3-6; 9:9-14; 10:5-10.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

2:11, 12, BR​—Pse mjalti, «si një blatim i bërë me zjarr», ishte i papranueshëm për Jehovain? Mjalti për të cilin flitet këtu nuk mund të ishte mjalti i bletëve. Ndonëse nuk lejohej «si një blatim i bërë me zjarr», ai përfshihej midis ‘prodhimeve të para të arave’. (2 Kronikave 31:5) Ky mjaltë me sa duket ishte lëngu i frutave. Meqë mund të fermentohej, ishte i papranueshëm si një blatim mbi altar.

2:13—Pse «të gjitha ofertat» duheshin paraqitur me kripë? Kjo nuk bëhej për t’i bërë më të shijshme flijimet. Anembanë botës kripa përdoret si ruajtës i produkteve. Ka të ngjarë që blatimet paraqiteshin me kripë, sepse kripa përfaqëson lirinë nga korruptimi dhe prishja.

Mësime për ne:

3:17. Meqë dhjami shihej si pjesa më e mirë, ndalimi për ta ngrënë atë me sa duket u nguliste në mendje izraelitëve se pjesa më e mirë i takonte Jehovait. (Zanafilla 45:18) Kjo na kujton se duhet t’i japim më të mirën Jehovait.​—Fjalët e urta 3:9, 10; Kolosianëve 3:23, 24.

7:26, 27. Izraelitët nuk duhej të hanin gjak. Sipas pikëpamjes së Perëndisë gjaku përfaqëson jetën. «Jeta e mishit është në gjak»,​—thuhet te Levitiku 17:11. Urdhri për t’u përmbajtur nga gjaku mbetet ende një kërkesë për adhuruesit e vërtetë sot.​—Veprat 15:28, 29.

VENDOSET PRIFTËRIA E SHENJTË

(Levitiku 8:1–10:20)

Cilëve iu dha përgjegjësia për t’u kujdesur për detyrat që kishin të bënin me flijimet dhe blatimet? Iu besua priftërinjve. Ashtu siç e udhëzoi Perëndia, Moisiu drejtoi ceremoninë e emërimit të Aaronit, kryepriftit, dhe të katër djemve të tij që do të shërbenin si nënpriftërinj. Ceremonia me sa duket zgjati shtatë ditë dhe priftëria filloi të funksiononte ditën vijuese.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

9:9—Çfarë kuptimi ka derdhja e gjakut në bazë të altarit dhe vënia e tij mbi brirët e altarit? Kjo tregonte se Jehovai pranonte gjakun për të bërë shlyerjen. I tërë rregulli i shlyerjes bazohej te gjaku. Apostulli Pavël shkroi: «Sipas Ligjit, pothuajse të gjitha gjërat janë të pastruara me gjak dhe pa u derdhur gjak nuk bëhet asnjë falje.»​—Hebrenjve 9:22.

10:1, 2—Për cilën arsye mund të kenë mëkatuar bijtë e Aaronit, Nadabi dhe Abihu? Jo shumë kohë pasi Nadabi dhe Abihu u sollën në mënyrë të papërshtatshme kur po kryenin detyrat priftërore, Jehovai u ndaloi priftërinjve të përdornin verë ose pije dehëse kur shërbenin në tabernakull. (Levitiku 10:9) Kjo lë të kuptohet se dy djemtë e Aaronit mund të kenë qenë nën ndikimin e alkoolit në rastin që po shqyrtojmë. Megjithatë, arsyeja e vërtetë përse vdiqën ishte se ofruan «një zjarr të palejueshëm, që [Jehovai] nuk ua kishte urdhëruar».

Mësime për ne:

10:1, 2. Shërbëtorët e Jehovait sot që kanë pozita me përgjegjësi duhet të përputhen me kërkesat e Perëndisë. Për më tepër nuk duhet të veprojnë me kryeneçësi kur kujdesen për përgjegjësitë e tyre.

10:9. Nuk duhet t’i kryejmë përgjegjësitë që na ka dhënë Perëndia kur jemi nën ndikimin e pijeve alkoolike.

ADHURIMI I PERËNDISË KËRKON PASTËRTI

(Levitiku 11:1–15:33)

Rregullat ushqimore në lidhje me kafshët e pastra dhe të papastra u sillnin dobi izraelitëve në dy mënyra. Këto rregulla i mbronin që të mos infektoheshin nga mikroorganizmat e dëmshëm dhe e bënin më të qartë kufirin që ekzistonte mes tyre dhe njerëzve të kombeve që i rrethonin. Rregullat e tjera kishin të bënin me papastërtinë e shkaktuar nga trupat e të vdekurve, pastrimin e grave pas lindjes, procedurat në lidhje me lebrën dhe papastërtinë që vinte nga rrjedhjet seksuale të mashkullit ose të femrës. Priftërinjtë duhej të kujdeseshin për çështjet në lidhje me individët që ishin bërë të papastër.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

12:2, 5—Pse një grua bëhej «e papastër» kur lindte fëmijë? Organet riprodhuese u krijuan për të transmetuar jetë të përsosur njerëzore. Por, për shkak të pasojave të trashëguara të mëkatit, pasardhësve iu kalua jetë e papërsosur dhe mëkatare. Periudhat e përkohshme me ‘papastërti’ që lidheshin me lindjen e një fëmije, si edhe me gjëra të tjera, si të përmuajshmet dhe lëshimet e farës, sillnin në mendje mëkatin e trashëguar. (Levitiku 15:16-24; Psalmi 51:5; Romakëve 5:12) Rregullat e kërkuara të pastrimit do t’i ndihmonin izraelitët që të kuptonin se kishin nevojë për një flijim shpërblyes për të mbuluar mëkatet e njerëzimit dhe për të rivendosur përsosmërinë njerëzore. Kështu Ligji u bë ‘tutori i tyre që çonte te Krishti’.​—Galatasve 3:24.

15:16-18—Ç’është ‘lëshimi i farës’ që përmendet në këto vargje? Kjo me sa duket ka të bëjë me lëshimin e farës gjatë natës, si edhe me marrëdhëniet seksuale bashkëshortore.

Mësime për ne:

11:45. Perëndia Jehova është i shenjtë dhe kërkon që edhe ata që i shërbejnë, të jenë të shenjtë. Ata duhet të synojnë shenjtërinë dhe të jenë të pastër fizikisht dhe frymësisht.​—2 Korintasve 7:1; 1 Pjetrit 1:15, 16.

12:8. Jehovai i lejoi të varfrit që si blatim flijues të ofronin zogj në vend të një deleje e cila kushtonte shumë më tepër. Ai u kushton vëmendje të varfërve.

SHENJTËRIA DUHET RUAJTUR

(Levitiku 16:1–27:34)

Flijimet më të rëndësishme për mëkatet ofroheshin çdo vit në Ditën e Shlyerjes. Atë ditë ofrohej një dem për priftërinjtë dhe për fisin e Levit. Për fiset jopriftërore të Izraelit flijohej një cjap. Kurse një cjap tjetër dërgohej i gjallë në shkretëtirë pasi mbi të ishin thënë mëkatet e popullit. Dy cjeptë shiheshin si një blatim i vetëm mëkati. E gjithë kjo e drejtonte vëmendjen te fakti se Jezu Krishti do të flijohej dhe gjithashtu do të mbartte mëkatet.

Rregullat për ngrënien e mishit dhe për çështje të tjera theksojnë nevojën për shenjtëri kur adhurojmë Jehovain. Me të drejtë priftërinjtë duhej të ishin të shenjtë. Tri festat e përvitshme ishin raste për t’u gëzuar shumë dhe për t’i dhënë falenderime Krijuesit. Po ashtu Jehovai i dha popullit të tij rregulla në lidhje me keqpërdorimin e emrit të Tij të shenjtë, në lidhje me Sabatin dhe Jubileun, se si të silleshin me të varfrit dhe si t’i trajtonin skllevërit. Bekimet që do të vinin duke iu bindur Perëndisë krahasohen me mallkimet që do të përjetonin nga mosbindja. Gjithashtu, jepen rregulla për blatimet që kanë të bëjnë me betimet dhe vlerësimet, me të parëlindurit e kafshëve dhe me dhënien e të dhjetës së çdo gjëje si «diçka e shenjtë për Jehovain» (BR).

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

16:29, BR​—Në ç’mënyrë duhej ‘të mundonin shpirtrat’ izraelitët? Kjo praktikë pas Ditës së Shlyerjes lidhej me kërkesën për faljen e mëkateve. Agjërimi në atë periudhë me sa duket lidhej me pranimin e gjendjes mëkatare. Prandaj, ka shumë të ngjarë që shprehja ‘mundoj shpirtin’ nënkuptonte agjërimin.

19:27—Cili është kuptimi i urdhrit ‘për të mos prerë rrumbullak flokët anëve të kokës’ ose ‘për të mos shkurtuar fundin’ e mjekrës? Ky ligj u dha me sa duket që judenjtë të mos e pritnin mjekrën ose flokët sipas një mënyre që do të imitonte disa praktika pagane. (Jeremia 9:25, 26; 25:23; 49:32) Megjithatë, ky urdhër i Perëndisë nuk do të thoshte se judenjtë nuk mund t’i pritnin fare mjekrën ose mustaqet.​—2 Samuelit 19:24.

25:35-37—A ishte gjithnjë e gabuar për izraelitët që të merrnin kamatë për paratë e dhëna hua? Nëse paratë jepeshin për qëllime tregtare, huadhënësi mund të kërkonte kamatë. Gjithsesi, Ligji ndalonte të merrej kamatë për huanë që merrte dikush, sepse ishte i varfër. Të përfitoje nga gjendja e mjerë ekonomike e një fqinji të skamur ishte një gjë e gabuar.​—Eksodi 22:25.

26:19—Si mund ‘të bëhet qielli si hekur dhe toka si bakër’? Për shkak të mungesës së shiut, qielli mbi vendin e Kanaanit do të ngjante si hekur i padepërtueshëm. Pa shi, toka do të kishte një shkëlqim metalik ngjyrë bakri.

26:26—Cili është kuptimi i shprehjes «dhjetë gra do të pjekin bukën tuaj në të njëjtën furrë»? Zakonisht çdo gruaje i nevojitej një furrë më vete për të pjekur gjërat. Por këto fjalë tregojnë një mungesë kaq të madhe ushqimi, saqë vetëm një furrë do të mjaftonte për të pjekur të gjitha gjërat që do të piqnin dhjetë gra. Kjo ishte një nga pasojat e parathëna që do të vinin po të mos vazhdonin të ishin të shenjtë.

Mësime për ne:

20:9. Fryma e urrejtjes dhe e mizorisë ishte po aq e keqe në sytë e Jehovait, sa edhe vrasja. Prandaj për atë që shante prindërit e vet Perëndia caktoi të njëjtin ndëshkim sikur t’i kishte vrarë vërtet ata. A nuk duhet ta nxitë kjo që të shfaqim dashuri për bashkëbesimtarët?​—1 Gjonit 3:14, 15.

22:32; 24:10-16, 23. Nuk duhet sharë emri i Jehovait. Përkundrazi, duhet ta lëvdojmë emrin e tij dhe të lutemi për shenjtërimin e këtij emri.​—Psalmi 7:17; Mateu 6:9.

SI NDIKON NË ADHURIMIN TONË LIBRI I LEVITIKUT?

Sot Dëshmitarët e Jehovait nuk janë më nën Ligj. (Galatasve 3:23-25) Meqë gjithçka që thuhet në librin e Levitikut na jep kuptueshmëri për pikëpamjen e Jehovait ndaj çështjeve të ndryshme, kjo mund të ndikojë në adhurimin tonë.

Kur të bëni leximin javor të Biblës për t’u përgatitur për Shkollën e Shërbimit Teokratik, pa dyshim do t’ju bëjë përshtypje fakti që Perëndia ynë kërkon shenjtëri nga shërbëtorët e tij. Ky libër biblik mund t’ju nxitë gjithashtu që t’i jepni Më të Lartit më të mirën tuaj, duke ruajtur gjithnjë shenjtërinë për t’i dhënë lavdi atij.

[Figura në faqen 21]

Flijimet që ofroheshin nën Ligj e drejtonin vëmendjen te Jezu Krishti dhe te flijimi i tij

[Figura në faqen 22]

Festa e kuleçëve të ndormë ishte një rast për gëzim të madh

[Figura në faqen 23]

Festat e përvitshme, si Festa e Kasolleve, ishin raste për të falënderuar Jehovain