Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë feje duhet të zgjedhësh?

Çfarë feje duhet të zgjedhësh?

Çfarë feje duhet të zgjedhësh?

‘FETË janë rrugë të ndryshme për të arritur të njëjtin synim. Në fund të fundit ka vetëm një Perëndi, apo jo?’ Këtë mendim kanë shumë veta. Për ta është e rëndësishme t’i përkasësh një feje pavarësisht se çfarë feje është ajo.

Në pamje të parë ky argument mund të duket i arsyeshëm, meqë është e vërtetë se ka vetëm një Perëndi, Ai i cili është i Plotfuqishmi. (Isaia 44:6; Gjoni 17:3; 1 Korintasve 8:5, 6) Gjithsesi nuk mund të mbyllim sytë përpara ndryshimeve, e madje edhe kontradiktave të dukshme, që ekzistojnë ndërmjet feve të shumta të cilat pohojnë se i shërbejnë Perëndisë së vërtetë. Ato ndryshojnë shumë për sa i përket praktikave fetare, bindjeve, mësimeve dhe kërkesave që kanë. Ndryshimet janë aq të mëdha, saqë ata njerëz që i përkasin një feje ose grupi fetar e kanë të vështirë të kuptojnë ose të pranojnë gjërat që mësojnë ose besojnë të tjerët.

Nga ana tjetër Jezui tha: «Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.» (Gjoni 4:24) Vallë, adhurimi i Perëndisë me të vërtetë, lë vend që të ekzistojnë shumë ide kontradiktore se kush është Perëndia, cilat janë qëllimet e tij dhe si dëshiron të adhurohet ai? A është e logjikshme të mendojmë se për Perëndinë e Plotfuqishëm nuk ka rëndësi se si e adhurojmë?

Të krishterët e vërtetë në të kaluarën dhe sot

Të krishterët e shekullit të parë ndonjëherë kishin mendime të ndryshme. Për shembull, duke folur për ata në Korint, apostulli Pavël tha: «Më është bërë e ditur për ju, o vëllezërit e mi, nga ata të shtëpisë së Kloes, se mes jush ekzistojnë fërkime. Ajo që dua të them është se çdonjëri prej jush thotë: ‘Unë i përkas Pavlit’; ‘kurse unë Apolit’; ‘kurse unë Kefës’; ‘kurse unë Krishtit’.»​—1 Korintasve 1:11, 12.

A i shihte Pavli këto ndryshime si pak të rëndësishme? A po ndiqte çdokush udhën e vet për shpëtim? Sigurisht që jo. Pavli këshilloi: «Tani ju porosit, vëllezër, nëpërmjet emrit të Zotërisë tonë Jezu Krisht, të flitni të gjithë në harmoni e mes jush të mos ketë përçarje, por të jeni të bashkuar siç duhet në të njëjtën mendje dhe në të njëjtën linjë mendimi.»​—1 Korintasve 1:10.

Natyrisht, uniteti i besimit nuk mund të arrihet me detyrim. Ai arrihet vetëm atëherë kur individët i shqyrtojnë me kujdes gjërat, arrijnë në të njëjtat përfundime dhe i pranojnë ato. Prandaj, një studim personal i Fjalës së Perëndisë dhe një dëshirë e sinqertë për të zbatuar atë që mësohet, janë hapa thelbësorë për të gëzuar atë unitet për të cilin foli Pavli. A mund të gjendet sot ky unitet? Siç e kemi parë, prej kohësh Perëndia ka komunikuar me popullin e tij si grup. A është e mundur ta identifikojmë këtë grup sot?

Dobitë që vijnë kur shoqërohemi me grupin e duhur fetar

Psalmisti David pyeti njëherë: «O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?» Kjo patjetër është një pyetje që të vë në mendime. Davidi u përgjigj: «Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër.» (Psalmi 15:1, 2) Një kuptueshmëri e saktë e Biblës do ta ndihmojë një person që të identifikojë fenë që plotëson këto kërkesa hyjnore. Pastaj duke u shoqëruar me atë fe, ai do të gëzojë një shoqëri ndërtuese me njerëz që e adhurojnë Perëndinë në unitet, si edhe «me frymë dhe të vërtetë».

Dëshmitarët e Jehovait kanë treguar se është e mundur të arrihet uniteti në besim dhe në veprime, edhe në botën e sotme të përçarë. Midis tyre ka ish-pjesëtarë të shumë feve dhe grupeve etnike. Dëshmitarë të tjerë ishin më parë agnosticistë ose ateistë. Ndërsa disa të tjerë thjesht nuk e merrnin seriozisht fenë. Nga kjo shumëllojshmëri fesh, kulturash dhe filozofish kanë dalë individë që tani gëzojnë një unitet fetar që nuk mund të shihet diku tjetër në botën e sotme.

Baza e një uniteti të tillë është Fjala e Perëndisë, Bibla. Sigurisht Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë se nuk mund t’i detyrojnë të tjerët se çfarë të bëjnë. Por ata e çmojnë privilegjin që t’i nxitin të tjerët të mësojnë Biblën, me qëllim që vendimin e tyre në lidhje me adhurimin ta bazojnë mbi një themel të fortë. Në këtë mënyrë edhe shumë njerëz të tjerë mund të përfitojnë nga dobitë që vijnë duke e adhuruar Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë».

Sot është i madh rreziku që të biem viktima të ndikimeve dhe të tundimeve të dëmshme. Është shumë e rëndësishme të zgjedhim shoqërinë e drejtë. Bibla thotë se «kush shkon me të urtët bëhet i urtë» dhe se «shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme». (Fjalët e urta 13:20; 1 Korintasve 15:33) Shoqërimi me adhuruesit e vërtetë të Perëndisë është një mbrojtje. Prandaj Bibla na kujton: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjen tonë së bashku, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, ndërsa e shikoni që dita po afrohet.» (Hebrenjve 10:24, 25) Ç’bekim është kur miqtë e vërtetë, vëllezër dhe motra frymore, me dashuri e ndihmojnë njëri-tjetrin që të përmbushin përgjegjësitë e tyre përpara Perëndisë!

Otmari është i një mendjeje me fjalët e mësipërme. Ai u rrit në një familje katolike në Gjermani, por filloi të mos shkonte më në kishë. Otmari shpjegon: «Sa herë që shkoja në kishë, dilja prej saj duke u ndier më i zbrazët shpirtërisht sesa kur hyja.» Prapëseprapë nuk e humbi besimin te Perëndia. Më pas ai u lidh me Dëshmitarët e Jehovait dhe u bind se ata janë shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë. Pa se kishte nevojë të shoqërohej me ta. Tani ai thotë: «Marr pjesë aktivisht në një organizatë mbarëbotërore dhe kam paqe në mendje e në zemër. Dalëngadalë kam marrë ndihmë për të fituar njohuri më të saktë për Biblën. Kjo është diçka me vlerë shumë të madhe për mua.»

Një ftesë për ata që po kërkojnë të vërtetën

Njerëzit që kanë unitet mendimi dhe punojnë ngushtë me njëri-tjetrin si grup, mund ta kryejnë një detyrë më me efektshmëri se individët që punojnë të pavarur nga njëri-tjetri. Për shembull, përpara se të largohej, Jezui u dha këto udhëzime ithtarëve të tij: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Si mund të përmbushej kjo detyrë në mënyrë të kënaqshme po të mos kishte asnjë drejtim ose organizim? Si mund t’i bindej një individ këtij urdhri biblik po të përpiqej t’i shërbente Perëndisë në mënyrë të pavarur?

Gjatë vitit të kaluar Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën shpërndanë 91.933.280 libra dhe broshura të bazuara në Bibël, si edhe 697.603.247 revista, duke u dhënë kështu mesazhin e Fjalës së Perëndisë qindra milionë njerëzve në 235 vende. Kjo është një provë e jashtëzakonshme se përpjekjet e bashkuara dhe të organizuara, të kryera si grup, kanë më shumë rezultat se përpjekjet individuale.

Përveçse shpërndajnë literaturë biblike, Dëshmitarët e Jehovait drejtojnë kurse biblike falas për t’i ndihmuar njerëzit që të fitojnë një kuptueshmëri të thellë të gjërave që kërkon Perëndia. Vitin e kaluar drejtuan mesatarisht 5.726.509 kurse për studimin e Biblës çdo javë me individë të veçantë ose me grupe individësh. Mësimet e Biblës kanë ndihmuar miliona njerëz që të formojnë një bazë të fortë mbi të cilën të vendosin në lidhje me adhurimin që do të zgjedhin. Të ftojmë të mësosh kërkesat e Perëndisë, siç paraqiten në Bibël. Pastaj ti vetë mund të vendosësh.​—Efesianëve 4:13; Filipianëve 1:9; 1 Timoteut 6:20; 2 Pjetrit 3:18.

Nëse dëshiron t’i pëlqesh Perëndisë, është e rëndësishme t’i përkasësh një feje, por jo thjesht çfarëdolloj feje ose grupi fetar. Vendimin për fenë që do të zgjedhësh duhet ta bazosh në njohurinë e saktë të Biblës, dhe jo në dogma ose në gjërat që t’i ka thënë dikush. (Fjalët e urta 16:25) Mëso se cilat janë kërkesat e fesë së vërtetë, krahasoji me bindjet e tua dhe pastaj vendos.​—Ligji i përtërirë 30:19.

[Figurat në faqen 7]

Dëshmitarët e Jehovait gëzojnë unitet në një botë të përçarë