Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet t’i përkasësh një feje?

A duhet t’i përkasësh një feje?

A duhet t’i përkasësh një feje?

‘NUK kam pse t’i përkas ndonjë feje ose të shkoj rregullisht në ndonjë institucion fetar, për t’i pëlqyer Perëndisë.’ Kështu mendojnë shumë njerëz. Në të vërtetë disa thonë se ndihen më afër Perëndisë kur ndodhen në natyrë dhe e shijojnë atë, sesa kur ndjekin një shërbesë fetare. Sot mendimi i zakonshëm që kanë njerëzit është se të shoqërohesh me një grup fetar ose me një organizate fetare nuk është një kërkesë për të besuar te Perëndia.

Megjithatë, të tjerë mendojnë ndryshe. Ata pohojnë që nëse dikush do që të ketë miratimin e Perëndisë është e nevojshme, madje jetësore, që t’i përkasë një feje dhe të shkojë në institucionet e saj. Për këto arsye, pyetja nëse është vërtet e nevojshme t’i përkasësh një feje, nuk është vetëm një çështje interesante për ata që e studiojnë fenë për të ditur statistika dhe fakte rreth saj. Sidoqoftë, meqë përfshihet marrëdhënia jonë me Perëndinë, a nuk do të ishte e logjikshme të dinim se çfarë mendon Perëndia për këtë çështje? Çfarë mund të mësojmë pra nga Fjala e tij Bibla në lidhje me këtë temë?

Si komunikonte Perëndia me njerëzit në të kaluarën?

Pothuajse 4.400 vjet më parë në të gjithë tokën ndodhi një përmbytje katastrofike. Kjo ngjarje nuk mundi të harrohej lehtë dhe popuj anembanë botës kanë tregime të hershme që flasin për të. Megjithëse këto tregime ndryshojnë për sa i përket hollësive, ato kanë shumë gjëra të përbashkëta ku ndër të tjera përfshihet edhe fakti se mbijetuan vetëm pak njerëz dhe disa kafshë.

Mos vallë të mbijetuarit nga Përmbytja ishin thjesht individë me fat që rastësisht shpëtuan nga shkatërrimi? Bibla tregon se nuk qe kështu. Është domethënës fakti se Perëndia nuk njoftoi çdo individ për ardhjen e Përmbytjes. Përkundrazi, ai i tha Noesë, i cili i paralajmëroi më pas të gjithë bashkëkohësit e tij për Përmbytjen që po afrohej.​—Zanafilla 6:13-16; 2 Pjetrit 2:5.

Mbijetesa varej nëse njerëzit do t’i përkitnin këtij grupi individësh të lidhur ngushtë mes tyre dhe do të pranonin me gatishmëri urdhrin që i dha Perëndia Noesë. Madje edhe kafshët në arkë që mbijetuan nga Përmbytja, shpëtuan sepse u përfshinë në këtë grup. Noesë iu dhanë udhëzime të sakta që të merrte masa për të mbrojtur kafshët.​—Zanafilla 6:17-7:8.

Shekuj më vonë, pasardhësit e Noesë nga biri i tij, Semi, u gjendën në robëri në Egjipt. Por qëllimi i Perëndisë ishte që t’i çlironte dhe t’i çonte në vendin që i kishte premtuar paraardhësit të tyre, Abrahamit. Përsëri, ky qëllim nuk iu zbulua çdo individi, por së pari iu zbulua atyre që Perëndia zgjodhi si udhëheqës, pra Moisiut dhe vëllait të tij, Aaronit. (Eksodi 3:7-10; 4:27-31) Pasi ish-skllevërit u çliruan si grup nga Egjipti, atyre iu dha Ligji i Perëndisë në malin Sinai dhe ata formuan kombin e Izraelit.​—Eksodi 19:1-6.

Izraelitët u çliruan vetëm sepse u shoqëruan me një grup që e kishte themeluar Perëndia dhe ndoqën drejtimin e udhëheqësve të emëruar të këtij grupi. Edhe individë egjiptianë u lejuan të shoqëroheshin me këtë grup që pa dyshim kishte miratimin e Perëndisë. Kur izraelitët u larguan nga Egjipti, këta individë u larguan bashkë me ta, duke pasur kështu mundësinë për të marrë bekimet e Perëndisë.​—Eksodi 12:37, 38.

Kohë më pas, në shekullin e parë Jezui filloi veprën e predikimit, duke mbledhur dishepuj. Ai komunikonte me ta si grup, ndonëse me dashuri u kushtonte vëmendje individëve sipas nevojave të tyre. Jezui u tha 11 apostujve besnikë: «Ju jeni ata që keni qëndruar bashkë me mua në sprovat e mia; dhe unë bëj me ju një besëlidhje, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua, për një mbretëri.» (Luka 22:28, 29) Më vonë, fryma e shenjtë e Perëndisë u derdh mbi dishepujt kur ishin të mbledhur si grup.​—Veprat 2:1-4.

Këta shembuj tregojnë qartë se në të kaluarën Perëndia gjithnjë ka komunikuar me popullin e tij si një grup i organizuar. Ata pak individë me të cilët Perëndia kishte marrëdhënie personale, si Noeja, Moisiu, Jezui e të tjerë, në të vërtetë u përdorën prej Tij që të komunikonte me një grup individësh të lidhur ngushtë mes tyre. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se Perëndia vepron ndryshe me shërbëtorët e tij sot. Natyrisht, kjo bën që të ngrihet një pyetje tjetër: A mjafton që t’i përkasim çfarëdo feje? Këtë pyetje jetësore do ta shqyrtojmë në artikullin vijues.

[Figura në faqen 4]

Prej kohësh Perëndia ka komunikuar me popullin e tij si një grup i organizuar