Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jua diktojnë rrethanat jetën?

A jua diktojnë rrethanat jetën?

A jua diktojnë rrethanat jetën?

RRETHANAT dhe problemet shqetësuese janë të zakonshme në këto «kohë kritike». (2 Timoteut 3:1) Disa shqetësime janë të përkohshme dhe, si të tilla, do të kalojnë. Por disa të tjera vazhdojnë për muaj, madje për vite të tëra. Si rrjedhojë, shumë ndihen ashtu siç u ndie edhe psalmisti David, i cili i thirri Jehovait: «Ankthet e zemrës sime janë shtuar; më çliro nga fatkeqësitë [vështirësitë, BR] e mia.»​—Psalmi 25:17.

A po luftoni me vështirësi tepër të mëdha? Nëse po, Bibla mund t’ju ndihmojë e t’ju japë zemër. Le të shqyrtojmë jetën e dy shërbëtorëve besnikë të Jehovait, Jozefit dhe Davidit, të cilët i kaluan me sukses vështirësitë e tyre. Duke parë se si i përballuan vështirësitë që u ranë, mund të nxjerrim mësime praktike që do të na ndihmojnë t’u bëjmë ballë vështirësive të ngjashme sot.

Hasin sprova të mëdha

Kur ishte 17 vjeç, në familjen e Jozefit kishte një problem serioz. Vëllezërit e tij më të mëdhenj vunë re se Jakobi, i ati, «e donte [Jozefin] më tepër nga të gjithë vëllezërit e tjerë». Si pasojë, «filluan ta urrejnë dhe nuk mund t’i flisnin në mënyrë miqësore». (Zanafilla 37:4) Mund ta marrim me mend ankthin dhe dëshpërimin që ndjeu Jozefi nga kjo situatë. Në fakt, urrejtja e vëllezërve të Jozefit arriti deri aty sa e shitën si skllav.​—Zanafilla 37:26-33.

Kur ishte skllav në Egjipt, Jozefit iu desh të refuzonte propozimet imorale të gruas së pronarit të vet. E zemëruar nga ky kundërshtim, ajo e akuzoi në mënyrë të rreme sikur ai ishte përpjekur ta përdhunonte. E futën «në burg» ku «i shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri». (Zanafilla 39:7-20; Psalmi 105:17, 18) Çfarë sprove duhet të ketë qenë kjo për të! Për rreth 13 vjet, Jozefi ishte ose skllav, ose i burgosur si rrjedhojë e padrejtësive që të tjerët, përfshirë edhe pjesëtarët e familjes, i kishin shkaktuar.​—Zanafilla 37:2; 41:46.

Edhe Davidi në Izraelin e lashtë u përball me sprova kur ishte i ri. Për vite me radhë, u detyrua të jetonte si ikanak, i ndjekur këmba-këmbës nga mbreti Saul. Jeta e Davidit ishte vazhdimisht në rrezik. Një herë, shkoi te prifti Ahimelek, për të kërkuar ushqim. (1 Samuelit 21:1-7) Kur mori vesh që Ahimeleku e kishte ndihmuar Davidin, Sauli urdhëroi të ekzekutohej jo vetëm Ahimeleku, por edhe të gjithë priftërinjtë dhe familjet e tyre. (1 Samuelit 22:12-19) A e imagjinoni dot brengën e Davidit që, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, kishte shkaktuar gjithë këtë tragjedi?

Mendoni pak për vështirësitë dhe keqtrajtimet që duruan Jozefi dhe Davidi për vite të tëra. Duke shqyrtuar se si i përballuan këto rrethana të rënda, mund të nxjerrim mësime të dobishme. Le të shikojmë tri aspekte në të cilat ia vlen t’i imitojmë këta burra.

Mos mbani inat e mëri

E para ishte që këta burra nuk pranuan të bëheshin robër të inatit dhe të mërisë. Kur ishte në burg, Jozefi me lehtësi mund ta kishte mbushur mendjen me mendime negative për kurthin që i ngritën vëllezërit, ndoshta duke planifikuar si të hakmerrej nëse do t’i takonte përsëri. Po si e dimë që Jozefi nuk i pati këto mendime të këqija? Shikoni se si reagoi kur iu dha rasti të hakmerrej me vëllezërit që kishin ardhur në Egjipt për të blerë grurë. Tregimi thotë: «[Jozefi] u largua nga ata dhe qau. . . . Pastaj Jozefi urdhëroi [shërbëtorët] të mbushnin me grurë thasët e [vëllezërve të tij], të vendosnin paratë e secilit në trastën e tij dhe t’u jepnin ushqime për udhëtimin.» Më vonë, kur dërgoi vëllezërit për të marrë babanë e për ta sjellë në Egjipt, Jozefi i inkurajoi duke u thënë: «Mos u grindni rrugës.» Si me fjalë, edhe me veprime, Jozefi dha prova që nuk e kishte lejuar inatin dhe mërinë t’ia helmonin jetën.​—Zanafilla 42:24, 25; 45:24.

Në mënyrë të ngjashme, edhe Davidi nuk ushqeu mëri kundrejt mbretit Saul. Në dy raste, Davidi pati mundësinë ta vriste Saulin. Por, kur njerëzit e tij e nxitën ta vriste, Davidi tha: «Të më ruajë Zoti nga kryerja e një veprimi të tillë kundër zotërisë sime, kundër të vajosurit të Zotit, nga shtrirja e dorës sime kundër tij, sepse është i vajosuri i Zotit.» Davidi e la çështjen në dorë të Jehovait duke u thënë njerëzve të tij: «Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, vetëm Zoti do ta godasë; o sepse do t’i vijë dita dhe ka për të vdekur, o sepse do të shkojë te luftojë dhe do të vritet.» Më vonë, Davidi madje kompozoi një këngë vajtimi për vdekjen e Saulit dhe birit të Saulit, Jonatanit. Ashtu si Jozefi, Davidi nuk lejoi që ta brente mëria.​—1 Samuelit 24:3-6; 26:7-13; 2 Samuelit 1:17-27.

A e mbushim zemrën me ndjenja mërie dhe inati kur ndihemi të lënduar nga ndonjë padrejtësi? Kjo është e lehtë për t’u bërë. Nëse lejojmë që ndjenja të tilla të na vënë poshtë, pasojat mund të jenë më të dëmshme se vetë padrejtësia që na është bërë. (Efesianëve 4:26, 27) Edhe pse veprimet e të tjerëve nuk varen shumë nga ne, reagimi ynë po, varet prej nesh. Do ta kemi më të lehtë të mos mbajmë mëri dhe inat, nëse kemi besim se Jehovai do t’i rregullojë gjërat në kohën e duhur.​—Romakëve 12:17-19.

Nxirrni më të mirën nga rrethanat tuaja

Mësimi i dytë që mund të marrim është të mos lejojmë që rrethanat ku ndodhemi të na paralizojnë në jetë. Shqetësimi për atë që s’mund të bëjmë mund të jetë aq i madh, sa të na pengojë të shohim atë që mund të bëjmë. Në fakt, rrethanat në të cilat ndodhemi mund të fillojnë të na diktojnë jetën. Kjo mund t’i kishte ndodhur edhe Jozefit. Në vend të kësaj, ai vendosi të nxirrte më të mirën nga rrethanat e tij. Kur shërbente si skllav, «Jozefi fitoi hir në sytë e [zotërisë së tij] dhe hyri në shërbimin personal të Potifarit, që e emëroi kryeadministrator të shtëpisë së tij». Jozefi mbajti të njëjtin qëndrim kur ishte në burg. Për shkak të bekimeve të Jehovait dhe zellit të Jozefit, «drejtori i burgut i besoi Jozefit tërë të burgosurit që ndodheshin në burg; dhe ai ishte përgjegjës për të gjitha që bëheshin aty brenda».​—Zanafilla 39:4, 21-23.

Gjatë viteve që kaloi si ikanak, edhe Davidi nxori më të mirën nga rrethanat e tij. Kur jetonte në shkretëtirën e Paranit, ai dhe burrat që rrinin me të mbrojtën kopetë e Nabalit nga bandat e kusarëve. Një nga barinjtë e Nabalit tha: «Ata kanë qenë për ne një mur mbrojtjeje natën e ditën.» (1 Samuelit 25:16) Më vonë, gjatë qëndrimit në Ziklag, Davidi plaçkiste qytetet në jug që ishin nën kontrollin e armiqve të Izraelit, duke forcuar kështu kufijtë e Judës.​—1 Samuelit 27:8; 1 Kronikave 12:20-22.

A duhet të bëjmë më shumë përpjekje për të nxjerrë më të mirën nga rrethanat tona? Edhe pse mund të jetë e vështirë, mund t’ia dalim. Duke medituar për jetën e tij, apostulli Pavël shkroi: «Kam mësuar në çdo rrethanë që të ndodhem, të kënaqem me aq sa kam. . . . Në çdo gjë dhe në çdo rrethanë kam mësuar sekretin edhe si të jem i ngopur, edhe si të jem i uritur, edhe si të kem me bollëk, edhe si të jem në nevojë.» Si arriti Pavli ta shihte jetën nga ky këndvështrim? Duke u mbështetur vazhdimisht te Jehovai. Ai pranoi: «Për çdo gjë kam forcë në saje të atij që më jep fuqi.»​—Filipianëve 4:11-13.

Prisni Jehovain

Mësimi i tretë është: në vend që të përdorim mënyra jobiblike për të ndryshuar rrethanat, duhet të presim Jehovain që të ndërhyjë. Dishepulli Jakov shkroi: «Qëndrueshmëria le ta kryejë plotësisht punën e saj, që ju të jeni të plotë dhe të përkryer në çdo aspekt, duke mos ju munguar asgjë.» (Jakovi 1:4) Duhet ta lejojmë qëndrueshmërinë që ta kryejë «plotësisht punën e saj», duke e duruar deri në fund sprovën, pa përdorur mënyra jobiblike për t’i dhënë fund menjëherë. Atëherë besimi ynë do të jetë i sprovuar e i rafinuar dhe do të shohim se sa shumë mund të na mbështetë. Jozefi dhe Davidi e kishin këtë lloj qëndrueshmërie. Ata nuk u përpoqën të gjenin një zgjidhje që mund t’i shkaktonte pakënaqësi Jehovait. Në vend të kësaj, u munduan që të nxirrnin më të mirën nga rrethanat në të cilat ndodheshin. Pritën Jehovain, dhe bekimet që morën për këtë nuk ishin të pakta. Jehovai i përdori që të dy për të çliruar e për të drejtuar popullin e tij.​—Zanafilla 41:39-41; 45:5; 2 Samuelit 5:4, 5.

Edhe ne mund të gjendemi në rrethana të cilat mund të tundohemi që t’i zgjidhim në mënyra jobiblike. Për shembull, a jeni të shkurajuar sepse nuk keni gjetur ende një bashkëshort të përshtatshëm? Nëse po, shmangni çdo tundim që ju shtyn të mos i bindeni urdhrit të Jehovait për t’u martuar «vetëm në Zotërinë». (1 Korintasve 7:39) A keni probleme në martesë? Është më mirë të bashkëpunoni të dy për t’i kaluar periudhat e vështira, sesa t’i dorëzoheni frymës së botës që nxit ndarjen dhe divorcin. (Malakia 2:16; Efesianëve 5:21-33) Mos vallë e keni të vështirë të kujdeseni për familjen për shkak të situatës suaj ekonomike? Të presësh Jehovain do të thotë që, në përpjekjet për të siguruar të ardhurat, të shmangësh aktivitetet e diskutueshme dhe të paligjshme. (Psalmi 37:25; Hebrenjve 13:18) Në të vërtetë, të gjithë duhet të përpiqemi shumë që të nxjerrim më të mirën nga rrethanat tona dhe të bëjmë çmos për t’i dhënë shkas Jehovait të na bekojë. Ndërsa përpiqemi në këtë mënyrë, le të jemi të vendosur të presim Jehovain për të gjetur zgjidhjen më të mirë.​—Mikea 7:7.

Jehovai do t’ju mbështetë

Meditimi për mënyrën se si personazhet biblike si Jozefi dhe Davidi i kaluan me sukses zhgënjimet dhe rrethanat e vështira mund të ndikojë pozitivisht te ne. Edhe pse tregimet e tyre përshkruhen vetëm në pak faqe në Bibël, sprovat e tyre zgjatën vite të tëra. Pyeteni njëherë veten: ‘Si arritën këta shërbëtorë të Perëndisë t’i pranonin rrethanat në të cilat ndodheshin? Si e ruajtën gëzimin? Çfarë cilësish u duhej të zhvillonin?’

Është e dobishme që të shqyrtojmë edhe qëndrueshmërinë e shërbëtorëve të sotëm të Jehovait. (1 Pjetrit 5:9) Çdo vit revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! përmbajnë shumë jetëshkrime. A i lexoni dhe meditoni për shembujt e këtyre të krishterëve besnikë? Por edhe në kongregacionet tona ka nga ata që po i durojnë me besnikëri rrethanat e vështira. A shoqëroheni rregullisht me ta në mbledhjet e kongregacionit dhe a mësoni prej tyre?​—Hebrenjve 10:24, 25.

Kur gjendeni në rrethana të vështira, të jini të sigurt se Jehovai do të kujdeset për ju dhe do t’ju mbështetë. (1 Pjetrit 5:6-10) Mos lejoni në asnjë mënyrë që rrethanat t’ju diktojnë jetën. Ndiqni shembullin e Jozefit, të Davidit dhe të të tjerëve duke mos mbajtur mëri, duke nxjerrë më të mirën nga rrethanat dhe duke pritur Jehovain për zgjidhjen më të mirë. Afrojuni atij me anë të lutjes dhe veprimtarive frymore. Në këtë mënyrë, edhe ju do të gjeni gëzim e lumturi edhe në kohë të vështira.​—Psalmi 34:8.

[Figura në faqet 20, 21]

Jozefi përpiqej të nxirrte më të mirën nga rrethanat e tij

[Figura në faqen 23]

Davidi priti Jehovain për zgjidhjen e problemeve të tij