Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Kaloni këtej dhe na ndihmoni’

‘Kaloni këtej dhe na ndihmoni’

Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë

‘Kaloni këtej dhe na ndihmoni’

NË KORRIK të vitit 2000, Dëshmitarëve që flisnin gjermanisht në Zvicër, Austri dhe Gjermani iu bë një ftesë të shkonin në Bolivi. Pse? Sepse menonitët që flisnin gjermanisht, në kolonitë e izoluara bujqësore, po tregonin interes të vërtetë për Biblën. Këto koloni shtrihen gati 300 kilometra përreth Santa-Kruzit të Bolivisë.

Gati 140 Dëshmitarë iu përgjigjën kësaj ftese. Disa shkuan për pak javë, të tjerë për një vit a më shumë. Duke vepruar kështu, ata shfaqën të njëjtën frymë si misionarët e shekullit të parë që e pranuan ftesën: «Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo.»​—Veprat 16:9, 10.

Ç’do të thotë të predikosh në atë territor? Një plak në një kongregacion vendës shpjegon: «Për të shkuar në një nga 43 kolonitë menonite, duhen gati 8 orë udhëtimi në rrugë të pashtruara me një makinë të përshtatshme për ato rrugë. Për të arritur në vendet më të largëta, shpesh na duhen katër ditë dhe ka netë që flemë jashtë nëpër tenda. Por sigurisht që ia vlen, sepse këta njerëz nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për lajmin e mirë.»

Në fillim, shumë nga menonitët nuk i mirëpritnin vizitat. Por përpjekjet e vazhdueshme i kanë ndihmuar që ta vlerësojnë atë që Dëshmitarët kanë për t’u ofruar. Për shembull, një bujk tha që kishte një vit që e lexonte revistën Zgjohuni! Pastaj shtoi: «E di që shumë nga njerëzit këtu nuk janë dakord me atë që thoni ju, por unë besoj se kjo është e vërteta.» Një burrë në një koloni tjetër tha: «Disa nga komshinjtë e mi thonë që ju jeni profetë të rremë, ndërsa të tjerë thonë që ju keni të vërtetën. Po unë dua ta zbuloj vetë.»

Tani, në Bolivi, ka një kongregacion gjermanishtfolës me 35 lajmëtarë duke përfshirë këtu edhe 14 ungjillëzues plotkohorë. Deri tani, 14 ish-menonitë janë bërë lajmëtarë të Mbretërisë dhe 9 të tjerë ndjekin rregullisht mbledhjet. Një burrë i moshuar që u pagëzua kohët e fundit tha: «E shohim qartë drejtimin e Jehovait. Ai ka dërguar vëllezër dhe motra me përvojë që flasin gjermanisht për të na ndihmuar. Jemi vërtet mirënjohës.» Vajza e tij 17-vjeçare, edhe ajo e pagëzuar, shtoi: «Entuziazmi i motrave dhe i vëllezërve në moshë të re është ngjitës. Shumica prej tyre janë pionierë duke harxhuar kohën dhe paratë e tyre për të ndihmuar të tjerët. Kjo më nxit që të bëj të njëjtën gjë edhe unë.»

Në të vërtetë, ata që bënë çmos dhe ‘kaluan andej’ për të dhënë ndihmën e tyre po korrin shumë gëzim dhe kënaqësi.