Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Krijimi shpall lavdinë e Perëndisë!

Krijimi shpall lavdinë e Perëndisë!

Krijimi shpall lavdinë e Perëndisë!

«Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.»​—PSALMI 19:1.

1, 2. (a) Pse njerëzit nuk mund ta shohin drejtpërdrejt lavdinë e Perëndisë? (b) Si i japin lavdi Perëndisë 24 pleqtë?

«TI NUK mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë.» (Eksodi [Dalja] 33:20) Kështu e paralajmëroi Jehovai Moisiun. Meqë janë prej mishi, njerëzit nuk mund ta shohin drejtpërdrejt lavdinë e Perëndisë e të jetojnë. Megjithatë, në një vegim apostullit Gjon iu dha një pamje mahnitëse e Jehovait në fronin e Tij të lavdishëm.​—Zbulesa 4:1-3.

2 Ndryshe nga njerëzit, krijesat frymore besnike mund ta shohin fytyrën e Jehovait. Ndër këto krijesa janë ‘njëzet e katër pleqtë’ e vegimit qiellor që pa Gjoni, të cilët përfaqësojnë të 144.000 të mirosurit. (Zbulesa 4:4; 14:1-3) Si reagojnë ata kur shohin lavdinë e Perëndisë? Sipas Zbulesës 4:11, ata shpallin: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.»

Pse janë «të pajustifikueshëm»?

3, 4. (a) Pse besimi te Perëndia nuk është në kundërshtim me shkencën? (b) Cila është në disa raste arsyeja që disa e hedhin poshtë besimin te Perëndia?

3 A ndihesh i nxitur t’i japësh lavdi Perëndisë? Pjesa më e madhe e njerëzve nuk i japin lavdi Perëndisë dhe madje disa e mohojnë ekzistencën e Tij. Për shembull, një astronom shkroi: «Mos vallë ishte Perëndia që ndërhyri dhe e projektoi kozmosin në mënyrë kaq të volitshme për dobinë tonë? . . . Do të ishte një gjë shumë emocionuese. Për fat të keq mendoj se kjo ide është një iluzion. . . . Të thuash se ishte Perëndia nuk është një shpjegim i saktë.»

4 Kërkimet shkencore janë të kufizuara. Ato bëhen vetëm në bazë të asaj që njerëzit mund të vëzhgojnë ose të studiojnë, sepse përndryshe janë vetëm teori ose hamendje. Meqë «Perëndia është Frymë», është e pamundur ta vëzhgojmë ose ta studiojmë me metoda shkencore. (Gjoni 4:24) Prandaj do të ishte mendjemadhësi ta hidhnim poshtë besimin te Perëndia duke thënë se nuk është në përputhje me shkencën. Shkencëtari Vinsent Uigëllzuorth, pranë Universitetit të Kembrixhit, tha se edhe vetë metoda shkencore është «një metodë fetare». Në ç’kuptim? Ai tha: «Ajo mbështetet në besimin e patundur se dukuritë natyrore ndodhin sipas ‘ligjeve të natyrës’.» Atëherë, kur dikush hedh poshtë besimin te Perëndia, a nuk po zëvendëson thjesht një lloj besimi me një tjetër? Në disa raste kur dikush nuk beson te Perëndia duket sikur nuk dëshiron të përballet me të vërtetën. Psalmisti shkroi: «I pabesi, me arrogancën e fytyrës së tij, nuk e kërkon Zotin; tërë mendimet e tij janë: ‘Perëndia nuk ekziston’.»​—Psalmi 10:4.

5. Pse mungesa e besimit te Perëndia është e pajustifikueshme?

5 Sidoqoftë, besimi te Perëndia nuk është besim i verbër, sepse për ekzistencën e Perëndisë ka dëshmi të bollshme. (Hebrenjve 11:1) Astronomi Alan Sendixh tha: «Më duket krejt e pamundur që një harmoni e tillë [në univers] të ketë ardhur nga kaosi. Duhet të jetë dikush që e ka organizuar. Për mua Perëndia është një mister, por gjithsesi është i vetmi shpjegim i mrekullisë së ekzistencës, i arsyes përse ekzistojnë gjërat.» Apostulli Pavël u tha të krishterëve në Romë se «cilësitë e padukshme [të Perëndisë] shihen qartë qysh prej krijimit të botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, kështu që ata [jobesimtarët] janë të pajustifikueshëm». (Romakëve 1:20) Që prej «krijimit të botës», e sidomos që prej krijimit të qenieve njerëzore me aftësi për të arsyetuar që mund të dallojnë se Perëndia ekziston, ka qenë e dukshme se ka një Krijues me fuqi të jashtëzakonshme, një Perëndi që e meriton përkushtimin tonë. Prandaj, ata që e mohojnë lavdinë e Perëndisë janë të pajustifikueshëm. Por, çfarë dëshmish na siguron krijimi?

Universi shpall lavdinë e Perëndisë

6, 7. Si e shpallin qiejtë lavdinë e Perëndisë?

6 Psalmi 19:1 na jep përgjigje. Aty thuhet: «Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.» Davidi e kuptoi se yjet dhe planetet që ndriçojnë në ‘kupën qiellore’ jepnin prova të pakundërshtueshme të ekzistencës së një Perëndie të lavdishëm. Ai thotë më tej: «Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.» (Psalmi 19:2) Ditë pas dite dhe natë pas nate qiejtë shfaqin mençurinë dhe fuqinë krijuese të Perëndisë. Është sikur qiejtë të thoshin pa pushim fjalë lavdie për Perëndinë.

7 Megjithatë, kërkohet aftësi dalluese për ta dëgjuar këtë dëshmi. Qiejtë «nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet». Prapëseprapë, dëshmia e heshtur e tyre është e fuqishme. «Harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës.»​—Psalmi 19:3, 4.

8, 9. Cilat janë disa të dhëna të jashtëzakonshme për diellin?

8 Më tej Davidi përshkruan një mrekulli tjetër të krijimit të Jehovait: «Në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin; dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon [burrë i fuqishëm që vrapon nëpër, BR] rrugën e tij. Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij.»​—Psalmi 19:4-6.

9 Po ta krahasojmë me yjet e tjera dielli është me përmasa mesatare. Megjithatë ai është një yll kaq i jashtëzakonshëm, saqë planetët që rrotullohen rreth tij duken fare të vegjël në krahasim me të. Një burim thotë se dielli ka një masë që po ta përshkruanim me shifra, masa në tonë do të ishte 2 me 27 zero pas, domethënë 99,9 për qind e masës së sistemit tonë diellor. Tërheqja gravitacionale e diellit bën që toka të rrotullohet rreth tij në një largësi prej 150 milionë kilometrash, pa u larguar ose pa u tërhequr prej tij. Në planetin tonë mbërrin vetëm një e dymiliardta pjesë e energjisë së diellit, por kjo sasi mjafton për të mbështetur jetën në tokë.

10. (a) Si hyn e del dielli nga ‘çadra’ e tij? (b) Në ç’mënyrë vrapon ai si «një burrë i fuqishëm»?

10 Psalmisti flet për diellin me një gjuhë të figurshme, duke e përshkruar si ‘një burrë të fuqishëm’ që vrapon nga njëra pikë e horizontit në tjetrën gjatë ditës dhe pushon natën në «një çadër». Kur ky yll i fuqishëm ulet nën horizont, nga këndvështrimi i një njeriu në tokë ai duket sikur futet në «një çadër» për të pushuar. Në mëngjes del papritur, duke ndritur «si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës». Duke qenë bari, Davidi kishte përjetuar netë shumë të ftohta. (Zanafilla 31:40) E kujtonte mirë se si rrezet e diellit e ngrohnin menjëherë atë dhe peizazhin përreth tij. Sigurisht, dielli nuk lodhej prej «udhëtimit» të tij nga lindja në perëndim, por ishte si «një burrë i fuqishëm», gati për ta përsëritur udhëtimin.

Yjet dhe galaktikat madhështore

11, 12. (a) Pse është i veçantë krahasimi që u bën Bibla numrit të yjeve me kokrrizat e rërës? (b) Sa i madh mund të jetë universi?

11 Me sy të lirë Davidi mund të shihte vetëm disa mijëra yje. Megjithatë, sipas një studimi të kohëve të fundit, numri i yjeve në univers, të cilat mund të shihen me teleskopët e sotëm, është 7 me 22 zero pas. Jehovai tregoi se bëhej fjalë për numra të mëdhenj, kur e krahasoi numrin e yjeve me ‘rërën që ndodhet në brigjet e detit’.​—Zanafilla 22:17.

12 Prej vitesh astronomët vëzhgonin disa zona që përshkruheshin si «zona të vogla të ndritshme me pamje të mjegullt e të paqartë». Shkencëtarët mendonin se këto «mjegullnaja spirale» ishin objekte që bënin pjesë në galaktikën tonë, Udhën e Qumështit. Në vitin 1924 u zbulua se njëra nga këto mjegullnaja, ajo më e afërta, Andromeda, ishte në vetvete një galaktikë që ndodhej rreth dy milionë vite-dritë larg. Tani shkencëtarët llogaritin se ka miliarda galaktika dhe çdonjëra prej tyre përmban mijëra ose disa herë miliarda yje. E megjithatë, Jehovai «llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre».​—Psalmi 147:4.

13. (a) Çfarë kanë të jashtëzakonshme yjësitë? (b) Nga duket që shkencëtarët nuk i dinë «ligjet e qiellit»?

13 Jehovai e pyeti Jobin: «A mund t’i bashkosh ti lidhjet e [yjësisë së, BR] Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit?» (Jobi 38:31) Yjësia është një grup yjesh që duken sikur formojnë një figurë. Ndonëse këto yje mund të jenë në largësi të stërmëdha nga njëri-tjetri, nga këndvështrimi i një vrojtuesi në tokë, pozicionet e tyre nga njëri-tjetri mbeten të pandryshuara. Meqenëse këto pozicione janë kaq të përcaktuara, yjet janë «udhërrëfyes të dobishëm në lundrim, për orientimin e anijeve kozmike nga astronautët dhe për identifikimin e yjeve të tjera». (The Encyclopedia Americana) Megjithatë, askush nuk i kupton plotësisht «lidhjet» që i mbajnë bashkë yjësitë. Po, shkencëtarët ende nuk mund t’i përgjigjen pyetjes që bëhet te Jobi 38:33 ku thuhet: «A i njeh ti ligjet e qiellit?»

14. Në ç’kuptim përhapja e dritës është një mister?

14 Shkencëtarët nuk mund t’i përgjigjen as pyetjes tjetër që iu bë Jobit: «Nëpër çfarë rruge përhapet drita?» (Jobi 38:24) Një shkrimtar e quajti këtë pyetje rreth dritës «një pyetje shkencore shumë të kohës». Krejt ndryshe nga kjo, disa filozofë grekë mendonin se drita dilte nga syri i njeriut. Në kohët më moderne shkencëtarët kanë menduar se drita përbëhet nga grimca shumë të vogla. Të tjerë kanë menduar se ajo lëviz në trajtë valësh. Sot shkencëtarët mendojnë se drita vepron edhe si valë, edhe si grimcë. Gjithsesi, se çfarë është drita dhe si «përhapet» ajo, ende nuk është kuptuar plotësisht.

15. Ashtu si edhe Davidi, si duhet të ndihemi kur meditojmë për qiejt?

15 Duke medituar për të gjithë këtë, një njeri me siguri do të ndihet si psalmisti David i cili tha: «Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur, çfarë është njeriu, që ta mbash mend dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?»​—Psalmi 8:3, 4.

Toka dhe krijesat e saj i japin lavdi Jehovait

16, 17. Si i japin lavdi Jehovait krijesat e ‘oqeaneve’?

16 Psalmi 148 rendit disa mënyra të tjera se si krijimi shpall lavdinë e Perëndisë. Në Ps 148 vargun e 7-të lexojmë: «Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane.» Po ‘oqeanet’ janë plot mrekulli që nxjerrin në pah mençurinë dhe fuqinë e Perëndisë. Balena e kaltër peshon mesatarisht 120 tonë, pra sa 30 elefantë. Vetëm zemra i peshon më tepër se 450 kilogramë dhe është në gjendje të pompojë rreth 6.400 kilogramë gjak në gjithë trupin e saj. A janë të ngadaltë dhe të ngathët në ujë këta përbindësh gjigantë të detit? Aspak. Ata «lëvizin nëpër oqeane» me një shpejtësi mahnitëse, siç thotë një raport (nga European Cetacean Bycatch Campaign). Gjurmimet me anë të satelitit treguan se «një balenë e kaltër përshkoi një largësi prej më shumë se 16.000 kilometrash për 10 muaj».

17 Delfini hundëshishe zakonisht zhytet deri në thellësinë 45 metra, por thellësia më e madhe e regjistruar në të cilën është zhytur një delfin është 547 metra. Si mbijeton ky gjitar në një thellësi të tillë? Rrahjet e zemrës ngadalësohen gjatë zhytjes dhe gjaku shkon në zemër, në mushkëri dhe në tru. Gjithashtu, muskujt e tij përmbajnë një lëndë kimike që depoziton oksigjen. Fokat-elefant dhe balenat kokëmëdha mund të zhyten në thellësi edhe më të mëdha. «Në vend që t’i rezistojnë trysnisë,​—thotë revista Discover,​—ajo ua shtyp plotësisht mushkëritë.» Këto kafshë e rezervojnë te muskujt pjesën më të madhe të oksigjenit që u nevojitet. Është e qartë se këto krijesa janë një dëshmi e gjallë e mençurisë së një Perëndie të plotfuqishëm.

18. Si e pasqyron uji i oqeaneve mençurinë e Jehovait?

18 Madje edhe uji i oqeaneve pasqyron mençurinë e Jehovait. Një revistë (Scientific American) thotë: «Çdo pikë uji që ndodhet në oqean deri në thellësinë 100 metra, përmban mijëra bimë mikroskopike që lëvizin, të quajtura fitoplanktone.» Ky «pyll i padukshëm» pastron ajrin duke thithur miliarda tonë dyoksid karboni. Fitoplanktonet prodhojnë më shumë se gjysmën e oksigjenit që thithim ne.

19. Në ç’mënyrë zjarri dhe bora zbatojnë vullnetin e Jehovait?

19 Psalmin 148:8 thuhet: «[Ju] zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhrat e tij.» Po, Jehovai përdor edhe forcat e pajeta të natyrës për të zbatuar vullnetin e tij. Të shqyrtojmë zjarrin. Në dhjetëvjeçarët e kaluar zjarret që binin në pyje shiheshin vetëm si shkatërrimtare. Tani studiuesit mendojnë se zjarri luan një rol të rëndësishëm ekologjik, duke eliminuar pemët e vjetra ose që po vdesin, duke ndihmuar mbirjen e shumë farërave, duke ricikluar lëndët ushqyese dhe duke pakësuar rrezikun e zjarreve shkatërrimtare. Edhe bora është shumë e rëndësishme. Ajo ujit dhe plehëron tokën, rimbush lumenjtë me ujë dhe i mbron bimët dhe kafshët nga temperaturat tepër të ulëta.

20. Si i sjellin dobi njerëzimit malet dhe pemët?

20 «[Ju] mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra»,​—thuhet te Psalmi 148:9. Malet madhështore janë dëshmi e fuqisë së madhe të Jehovait. (Psalmi 65:6) Por shërbejnë edhe për një qëllim tjetër të dobishëm. Një raport i Institutit të Gjeografisë në Bernë të Zvicrës thotë: «Të gjithë lumenjtë kryesorë të botës e kanë burimin nga malet. Më tepër se gjysma e njerëzimit varet nga uji i ëmbël që grumbullohet në male . . . Këto ‘depo uji’ janë jetësore për mirëqenien e njerëzimit.» Edhe një pemë e zakonshme i jep lavdi Krijuesit të saj. Një raport i Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin thotë se pemët «janë të rëndësishme për mirëqenien e njerëzve në të gjitha vendet . . . Shumë lloje pemësh kanë rëndësi të madhe ekonomike, sepse janë burimi i produkteve të tilla si, druri, frutat e freskëta, frutat e thata si arrat e bajamet, rrëshira dhe kauçuku. Anembanë botës, 2 miliardë njerëz përdorin drurin për të gatuar dhe si lëndë djegëse».

21. Shpjegoni se si një gjethe e thjeshtë jep dëshmi se është projektuar nga dikush.

21 Dëshmi të një krijuesi të mençur shihen edhe në vetë projektin e një peme. Të shqyrtojmë një gjethe të thjeshtë. Nga jashtë ajo ka një shtresë si dyll, që e mbron gjethen të mos thahet. Nën këtë shtresë, në pjesën e sipërme, ndodhen një sërë qelizash që përmbajnë kloroplaste. Këto përmbajnë klorofil, i cili thith energjinë e dritës. Nëpërmjet një procesi të quajtur fotosintezë, gjethet bëhen «fabrika ushqimore». Uji thithet me anë të rrënjëve të pemës dhe transportohet te gjethet nëpërmjet një «sistemi hidraulik» të ndërlikuar. Mijëra «valvula» të imëta (që quhen gojëza) të cilat ndodhen në pjesën e poshtme të gjethes, hapen dhe mbyllen, duke thithur dyoksidin e karbonit. Drita siguron energjinë që duhet për të bashkuar dyoksidin e karbonit me ujin dhe për të prodhuar karbohidrate. Tani bima mund të ushqehet me ushqimin që ka krijuar vetë. Por, kjo «fabrikë» është e heshtur dhe e bukur. Në vend që të ndotë ajrin, ajo lëshon si nënprodukt oksigjen.

22, 23. (a) Çfarë aftësish të jashtëzakonshme kanë disa zogj dhe kafshë? (b) Cilat pyetje të tjera duhet të shqyrtojmë?

22 «Ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë»,​—thotë Psalmi 148:10. Shumë kafshë dhe krijesa fluturuese shfaqin aftësi mahnitëse. Albatrosi i ishullit Lajsan mund të fluturojë në largësi të stërmëdha (në një rast një zog i tillë bëri 40.000 kilometra vetëm për 90 ditë). Një lloj zogu këngëtar bën udhëtimin nga Amerika Veriore në Amerikën Jugore, duke qëndruar në ajër për më tepër se 80 orë pa ndërprerje. Deveja e depoziton ujin, jo në gungë siç mendohej në përgjithësi, por në aparatin e tretjes. Në këtë mënyrë ka mundësi të ecë për periudha të gjata pa humbur shumë ujë nga trupi. Nuk habitemi, atëherë, që inxhinierët i vëzhgojnë me kujdes kafshët kur projektojnë makineri dhe materiale të reja. Shkrimtarja Gejl Klir thotë: «Nëse doni të ndërtoni diçka që të funksionojë mirë . . . dhe të mos e dëmtojë mjedisin rrethues, ka shumë të ngjarë të gjeni një shembull të mirë në natyrë.»

23 Po, krijimi shpall vërtet lavdinë e Perëndisë. Që nga qiejt me yje e deri te bimët dhe kafshët, të gjithë sipas mënyrës së tyre i sjellin lavdi Krijuesit. Por, ç’të themi për ne njerëzit? Si mund t’i japim lavdi Perëndisë, ashtu siç bën edhe natyra?

A ju kujtohet?

• Pse ata që mohojnë ekzistencën e Perëndisë janë të pajustifikueshëm?

• Si i japin lavdi Perëndisë yjet dhe planetët?

• Si japin dëshmi të një Krijuesi të dashur kafshët e oqeaneve dhe të tokës?

• Si e zbatojnë vullnetin e Jehovait forcat e pajeta të natyrës?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 10]

Shkencëtarët llogaritin se numri i yjeve që mund të vëzhgohen është 7 me 22 zero pas

[Burimi]

Frank Zullo

[Figura në faqen 12]

Delfini hundëshishe

[Figura në faqen 13]

Flok dëbore

[Burimi]

snowcrystals.net

[Figura në faqen 13]

Zog albatrosi i ishullit Lajsan