Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga birucat e errëta në Alpet zviceriane

Nga birucat e errëta në Alpet zviceriane

Jetëshkrim

Nga birucat e errëta në Alpet zviceriane

TREGUAR NGA LOTAR VALTËRI

Pas tre vitesh të gjata në birucat e errëta të burgjeve komuniste në Gjermaninë Lindore, mezi prisja të gëzoja lirinë e ëmbël dhe të ndieja ngrohtësinë e familjes sime.

POR, nuk isha përgatitur për shikimin e hutuar të djalit tim 6-vjeçar, Johanesit. Kishin kaluar tre vjet, gjysma e jetës së tij, që s’e kishte parë babanë. Për të isha vetëm një i huaj.

Ndryshe nga im bir, unë kisha jetuar gjithnjë bashkë me prindërit e mi të dashur. Në shtëpinë tonë, në Kemnic të Gjermanisë ku kisha lindur në vitin 1928, mbizotëronte një atmosferë e ngrohtë. Babai nuk druhej ta shprehte hapur pakënaqësinë ndaj fesë. Ai na tregonte se gjatë Luftës I Botërore, pikërisht më 25 dhjetor ushtarët «e krishterë» të njërës palë i uronin palës tjetër «Gëzuar Krishtlindjet!», ndërsa ditën tjetër rifillonin prapë duke vrarë njëri-tjetrin. Për të feja ishte forma më e keqe e hipokrizisë.

Zhgënjimi i lë vend besimit

Sa mirë që unë nuk e provova një zhgënjim të tillë! Lufta II Botërore mbaroi kur isha 17 vjeç dhe i shpëtova ushtrisë për një fije peri. Prapëseprapë, nuk më linin të qetë disa pyetje, si për shembull: ‘Pse gjithë këto vrasje? Kujt mund t’i zë besë? Ku mund të gjej siguri të vërtetë?’ Gjermania Lindore, ku jetoja, u vu nën regjimin sovjetik. Idealet komuniste të drejtësisë, barazisë, bashkimit dhe marrëdhënieve paqësore ishin tërheqëse për ata që ishin të sfilitur nga lufta dhe tmerret e saj. Por shumë shpejt, shumë nga këta njerëz të sinqertë do të zhgënjeheshin thellë, dhe këtë herë jo nga feja, por nga politika.

Pikërisht gjatë kohës që kërkoja përgjigje të qarta për pyetjet i mia, një nga tezet, që ishte Dëshmitare e Jehovait, më foli për besimin e saj. Më dha një libër të bazuar në Bibël që më shtyu të lexoja për herë të parë në jetën time të gjithë kapitullin e 24-t të Mateut. U habita nga shpjegimet e arsyeshme dhe bindëse që jepte ky libër duke e quajtur kohën tonë si ‘përfundimin e sistemit’ dhe duke treguar burimin e problemeve të njerëzimit.​—Mateu 24:3; Zbulesa 12:9.

Më pas mora edhe botime të tjera të Dëshmitarëve të Jehovait dhe, pasi i përpiva të gjitha, e kuptova se kisha gjetur të vërtetën që po kërkoja me aq zjarr. Ishte ngazëlluese të mësoja që Jezu Krishti, në vitin 1914 kishte filluar të mbretëronte në qiell dhe që shumë shpejt do të mposhtte çdo gjë të paperëndishme për të bekuar ata që i binden. Për mua një zbulim tjetër po kaq i rëndësishëm ishte kuptueshmëria e saktë për shpërblesën. Kjo më ndihmoi që t’i drejtohesha Perëndisë Jehova në lutje të përzemërta duke i kërkuar falje. Më preku thellë ftesa mirëdashëse që bëhet te Jakovi 4:8: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve».

Pavarësisht nga entuziazmi i madh që kisha për besimin e sapogjetur, prindërit dhe motra në fillim nuk donin ta pranonin atë që u thosha. Megjithatë, kjo nuk ma shoi dëshirën për të ndjekur mbledhjet e krishtere që mbaheshin afër Kemnicit nga një grup i vogël Dëshmitarësh. Për çudi, prindërit dhe motra erdhën me mua në mbledhjen time të parë. Kjo ndodhi gjatë dimrit të vitit 1945. Më vonë, kur u formua një grup i studimit të Biblës në qytetin Hartau, ku jetonim ne, familja ime filloi të vinte rregullisht në mbledhje.

«Jam një djalosh»

Mësimi i të vërtetave biblike që ishin kaq të rëndësishme dhe shoqërimi rregullisht me popullin e Jehovait më shtynë t’ia kushtoja jetën Jehovait dhe të pagëzohesha më 25 maj të vitit 1946. U gëzova shumë kur familja ime përparoi nga ana frymore dhe më pas, të tre, u bënë Dëshmitarë besnikë. Motra vazhdon të shërbejë në një nga kongregacionet në Kemnic. Mamaja dhe babai shërbyen me besnikëri derisa vdiqën përkatësisht në vitet 1965 dhe 1986.

Gjashtë muaj pas pagëzimit fillova shërbimin si pionier special. Kjo shënoi fillimin e një jete në shërbim «në kohë të favorshme dhe në kohë të vështirë». (2 Timoteut 4:2) Shumë shpejt u hapën territore të reja shërbimi. Në një zonë të largët të Gjermanisë Lindore kishte nevojë për ungjillëzues në kohë të plotë. Bashkë me një vëlla tjetër bëmë kërkesën për këtë caktim, por unë mendoja se nuk kisha as përvojën e as pjekurinë e duhur për një detyrë të tillë me kaq përgjegjësi. Në atë kohë isha vetëm 18 vjeç, prandaj ndihesha njëlloj si Jeremia: «Mjerisht, . . . o Zot, unë nuk di të flas, sepse jam një djalosh.» (Jeremia 1:6) Pavarësisht nga druajtja ime, vëllezërit përgjegjës me dashuri vendosën të na jepnin një mundësi. Kështu u caktuam në Belcig, një qytet i vogël në shtetin e Brandenburgut.

Të predikoje në atë territor ishte shumë e vështirë, por më dha një mundësi të mirë për t’u stërvitur. Më vonë, disa gra me emër në fushën e biznesit e pranuan mesazhin e Mbretërisë dhe u bënë Dëshmitare të Jehovait. Por vendimi i tyre binte ndesh me frikën dhe traditat e rrënjosura të asaj bashkësie të vogël. Si kleri katolik, ashtu edhe ai protestant, na kundërshtonin me kokëfortësi dhe bënin akuza të rreme kundër veprës sonë të predikimit. Megjithatë duke pasur besim në drejtimin dhe mbrojtjen e Jehovait, arritëm të ndihmonim një numër të interesuarish që të merrnin të vërtetën.

Afrohen retë e mostolerancës

Viti 1948 solli edhe bekime, edhe vështirësi të papritura. Si fillim mora caktimin si pionier në Rudolshtad të Turingjisë. Atje u njoha me shumë vëllezër dhe motra besnikë dhe ishte bukur të qëndroje me ta. Një bekim tjetër i madh erdhi në korrik të atij viti. U martova me Erika Ulmanin, një e krishterë e re në moshë, e zellshme dhe besnike, të cilën e kisha njohur që kur kisha filluar të ndiqja mbledhjet në kongregacionin e Kemnicit. Së bashku filluam shërbimin si pionierë në vendlindjen time, në Hartau. Por më vonë, Erika nuk ishte në gjendje të vazhdonte shërbimin e plotkohor për shkak të problemeve shëndetësore dhe për arsye të tjera.

Ato kohë ishin të vështira për popullin e Jehovait. Seksioni i punës në Kemnic më anuloi kuponin e racionit të ushqimit në përpjekje për të më detyruar të hiqja dorë nga predikimi dhe të filloja një punë 8-orëshe në botë. Vëllezërit përgjegjës e përdorën rastin tim për të kërkuar që të njiheshim ligjërisht nga shteti. Por kërkesa u refuzua dhe më 23 korrik të vitit 1950 më dënuan të paguaja gjobë ose të bëja 30 ditë burg. E apeluam vendimin, por Gjykata e Lartë e hodhi poshtë kërkesën time dhe më futën në burg.

Kjo ishte vetëm një shenjë e stuhisë së kundërshtimit dhe e vështirësive që po afronin. Më pak se një muaj më vonë, në shtator të vitit 1950, pas fillimit të një fushate shpifjesh në shtyp, vepra jonë u ndalua nga regjimi komunist. Për shkak të rritjes sonë të shpejtë dhe të qëndrimit asnjanës, na klasifikuan si një agjenci e rrezikshme spiunësh e organizuar nga vendet jokomuniste të Perëndimit, që kryenin «veprimtari të dyshimta» nën maskën e fesë. Pikërisht ditën që u vendos ndalimi i veprës, ndërsa unë isha në burg, gruaja lindi në shtëpi Johanesin, djalin tonë. Me gjithë protestat e mamisë, policët e sigurimit të shtetit hynë me forcë në apartamentin tonë dhe kërkuan prova për të mbrojtur akuzat e tyre. Sigurisht që nuk gjetën gjë. Por më vonë arritën të futnin një nga informuesit e tyre në kongregacionin tonë. Kjo bëri që në tetor të vitit 1953 të arrestoheshin të gjithë vëllezërit me përgjegjësi, ku bëja pjesë edhe unë.

Në birucat e errëta

Pasi morëm dënimin, që shkonte nga tre deri në gjashtë vjet, na çuan ku ishin disa vëllezër në birucat e neveritshme të Kështjellës Ostershtajn në Zvikau. Pavarësisht nga kushtet e tmerrshme, ishte një gëzim i vërtetë të qëndroje në shoqërinë e vëllezërve të pjekur. Fakti që nuk ishim të lirë nuk do të thoshte që ishim pa ushqim frymor. Megjithëse të përbuzur dhe të ndaluar nga regjimi, Kulla e Rojës fshehurazi e gjeti rrugën për të hyrë në burg e drejt e në qelitë tona. Po si?

Disa nga vëllezërit ishin caktuar të punonin në minierat e qymyrgurit. Aty takonin Dëshmitarët që nuk ishin të burgosur të cilët u jepnin revistat. Pastaj fshehurazi, vëllezërit i sillnin revistat në burg dhe me zgjuarsi të madhe arrinin të na e kalonin ne të tjerëve ushqimin frymor për të cilin kishim aq shumë nevojë. Isha kaq i lumtur dhe i inkurajuar që Jehovai na e shfaqte kujdesin dhe drejtimin e tij në këtë mënyrë.

Aty nga fundi i vitit 1954, na transferuan në burgun famëkeq të Torgaut. Dëshmitarët që ishin atje u gëzuan kur shkuam. Deri në atë kohë ata kishin qëndruar të fortë frymësisht duke përsëritur çfarë mbanin mend nga numrat e vjetër të Kullës së Rojës. Sa të etur ishin për ushqim të freskët frymor! Tani na takonte neve që t’ua tregonim edhe atyre ato pika biblike që kishim studiuar në Zvikau. Por si mund ta bënim ndërkohë që e kishim rreptësisht të ndaluar të flitnim me njëri-tjetrin gjatë shëtitjeve të përditshme? Për këtë vëllezërit na kishin dhënë këshilla të çmuara se si të vepronim dhe dora e fuqishme e Jehovait na mbronte e na drejtonte. Kjo përvojë na mësoi se është e rëndësishme të studiosh me zell Biblën e të meditosh kur e ke lirinë dhe mundësinë për ta bërë këtë.

Koha për vendime të rëndësishme

Me ndihmën e Jehovait qëndruam të patundur. Për habinë tonë, disa nga ne përfituan nga amnistia në fund të vitit 1956. E kam të vështirë të përshkruaj lumturinë që provuam kur u hapën dyert e burgut. Në atë kohë, im bir ishte gjashtë vjeç dhe ishte një gëzim jashtëzakonisht i madh të bashkohesha përsëri me gruan dhe ta rritnim bashkë djalin. Për ca kohë Johanesi më trajtonte si të isha i huaj, por shumë shpejt midis nesh u krijua një marrëdhënie e ngrohtë.

Dëshmitarët e Jehovait në Gjermaninë Lindore po kalonin një periudhë shumë të vështirë. Armiqësia gjithnjë e në rritje kundrejt shërbimit tonë të krishterë dhe qëndrimit tonë asnjanës nënkuptonte se duhej të jetonim nën kërcënim të vazhdueshëm, të bënim një jetë të pllakosur nga rreziku, ankthi dhe sfilitja. Kështu që, unë dhe Erika duhej ta shqyrtonim situatën tonë me kujdes dhe duke u lutur vazhdimisht. Menduam se ishte e nevojshme të largoheshim prej aty që të jetonim në kushte më të mira e në mënyrë që shqetësimi të mos na mposhtte. Donim që të ishim të lirë për t’i shërbyer Jehovait dhe të përmbushnim synimet tona frymore.

Në pranverën e vitit 1957, na u dha mundësia të transferoheshim në Shtutgart, në Gjermaninë Perëndimore. Vepra ungjillëzuese nuk ishte e ndaluar atje dhe mund të shoqëroheshim pa problem me vëllezërit. Mbështetja e tyre e dashur na gëzoi jashtë mase. Kaluam shtatë vjet me kongregacionin në Hedelfingen. Gjatë atyre viteve djali ynë filloi shkollën dhe bëri përparim frymor. Në shtator të vitit 1962, mu dha privilegji të ndiqja Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë në Visbaden. Aty u nxita të shkoja bashkë me familjen time atje ku kishte nevojë për mësues biblikë që flisnin gjermanisht. Këtu futeshin disa zona të Gjermanisë dhe të Zvicrës.

Drejt Alpeve të Zvicrës

Kështu në vitin 1963 u transferuam në Zvicër. Morëm udhëzime për të punuar me një kongregacion të vogël në Brunen, afër liqenit të bukur të Luzernit, në pjesën qendrore të Alpeve zviceriane. Për ne ishte si në parajsë. Na u desh të mësoheshim me dialektin e gjermanishtes që flitej atje, me mënyrën e jetesës të atij vendi dhe me mentalitetin e njerëzve. Pavarësisht nga këto, na pëlqente të punonim dhe t’u predikonim njerëzve paqësorë. Qëndruam 14 vjet në Brunen. Atje u rrit edhe djali.

Në vitin 1977, kur isha gati 50 vjeç, morëm një ftesë për të shërbyer në Bethelin e Zvicrës, në Tun. Për ne ishte një privilegj i papritur dhe e pranuam me mirënjohje të madhe. Gruaja dhe unë shërbyem nëntë vjet në Bethel. Ne e kujtojmë si një periudhë me rëndësi të veçantë për jetën tonë si të krishterë dhe për rritjen tonë frymore. Na pëlqente shumë edhe të predikonim me lajmëtarët në Tun e në zonat përreth, gjithmonë duke soditur «mrekullitë» e Jehovait, Alpet e madhërishme të Bernës me majat e mbuluara me dëborë.​—Psalmi 9:1.

Një transferim tjetër

Transferimi tjetër ndodhi në fillim të vitit 1986. Na kërkuan të shërbenim si pionierë specialë në një territor shumë të madh që i ishte caktuar kongregacionit të Buksit, në pjesën lindore të Zvicrës. Edhe njëherë duhej të mësoheshim me një mënyrë tjetër të jetuari. Por, të shtyrë nga dëshira për t’i shërbyer Jehovait atje ku mund të jepnim më shumë, e pranuam caktimin e ri dhe patëm bekime. Disa herë kam zëvendësuar mbikëqyrësit udhëtues duke vizituar dhe duke forcuar kongregacionet. Kanë kaluar 18 vjet dhe kemi pasur shumë përvoja të këndshme gjatë predikimit në këtë zonë. Kongregacioni në Buks është rritur dhe mblidhemi me gëzim në një Sallë të bukur Mbretërie, kushtimi i së cilës u bë pesë vjet më parë.

Jehovai është kujdesur për ne me shumë bujari. Pjesën më të madhe të jetës e kemi kaluar në shërbimin e plotkohor, por prapëseprapë kurrë nuk na ka munguar gjë. Gëzohemi dhe ndiejmë kënaqësi kur shohim djalin me gruan dhe nipërit me familjet e tyre që ecin me besnikëri në rrugën e Jehovait.

Kur mendoj për të kaluarën, them se i kemi shërbyer vërtet Jehovait «në kohë të favorshme dhe në kohë të vështirë». Ndjekja e synimeve në shërbimin e krishterë më çoi nga birucat e errëta të burgjeve komuniste në malet madhështore të Alpeve të Zvicrës. As unë dhe as familja nuk kemi ndier aspak keqardhje sikur edhe për një çast.

[Kutia në faqen 28]

«Viktimat e dyfishta» qëndrojnë të palëkundur përballë përndjekjes

Në Republikën Demokratike të Gjermanisë (RDGJ), që njihet ndryshe edhe Gjermania Lindore, Dëshmitarët e Jehovait ishin vënë në shënjestër për t’u shtypur në mënyrë mizore. Dokumentimet tregojnë që më shumë se 5.000 Dëshmitarë u dërguan në kampet e punës dhe në burgje për shkak të shërbimit të krishterë dhe të asnjanësisë.​—Isaia 2:4.

Disa nga këta Dëshmitarë janë quajtur «viktima të dyfishta». Rreth 325 prej tyre kishin qenë të burgosur në kampet e përqendrimit dhe në burgjet naziste. Pastaj edhe në vitet 50, u përndoqën dhe u burgosën nga Stasi, Shërbimi i Sigurimit të Shtetit të RDGJ-së. Madje edhe disa nga burgjet u përdorën për dy qëllime, në fillim si burgje naziste dhe më vonë si burgjet e Stasit.

Gjatë dhjetëvjeçarit të parë të përndjekjeve të mëdha, nga viti 1950 deri në vitin 1961, gjithsej 60 burra e gra Dëshmitarë vdiqën në burgje për shkak të keqtrajtimit, të ushqyerit të keq, të sëmundjeve dhe të pleqërisë. Dymbëdhjetë Dëshmitarë u dënuan me burgim të përjetshëm që më vonë u ul deri në 15 vjet burg.

Sot, në ish-qendrat e Stasit, në Berlin, ndodhet një ekspozitë e përhershme që pasqyron përndjekjen që shteti i Gjermanisë Lindore u ka bërë Dëshmitarëve të Jehovait për 40 vjet rresht. Fotografitë dhe përvojat që ekspozohen atje, dëshmojnë pa fjalë për guximin dhe forcën e besimit të këtyre Dëshmitarëve, të cilët qëndruan besnikë, edhe pse kishin përndjekje.

[Harta në faqet 24, 25]

(Për tekstin e formatuar, shih botimin)

GJERMANIA LINDORE

Rudolshtad

Belcig

Torgau

Kemnic

Zvikau

[Figura në faqen 25]

Kështjella Ostershtajn në Zvikau

[Burimi]

Fotosammlung des Stadtarchiv Zwickau, Deutschland

[Figura në faqen 26]

Me gruan time, Erikën