Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vetëm të mos bëjmë keq apo të bëjmë edhe mirë?

Vetëm të mos bëjmë keq apo të bëjmë edhe mirë?

Vetëm të mos bëjmë keq apo të bëjmë edhe mirë?

«A TË që nuk doni t’jua bëjnë juve, mos ua bëni të tjerëve». Ky është një parim moral i thënë nga mësuesi dhe filozofi i njohur kinez Konfuci. Sot, rreth 2.500 vjet më vonë, shumë njerëz besojnë akoma se njeri i mirë është ai që nuk i bën keq të tjerëve.

Pa dyshim, që ky parim i Konfucit ka të mirat e tij. Por, në krahun tjetër, Bibla zbulon një anë tjetër të sjelljes dhe marrëdhënieve njerëzore. Përveç mëkatit kur u bën keq të tjerëve, Bibla konsideron mëkat edhe rastin kur nuk bën atë që është e drejtë. Dishepulli i krishterë Jakov shkroi: «Nëse dikush di ta bëjë atë që është e drejtë, por nuk e bën, për të ky është një mëkat.» (Jakovi 4:17) Në vend që thjesht t’i udhëzonte të krishterët të mos bënin keq, Jezu Krishti u dha këtë këshillë: «Gjithçka . . . që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, po ashtu duhet t’u bëni edhe ju atyre.»​—Mateu 7:12.

Qëllimi fillestar i Perëndisë ishte që të gjithë njerëzit ta trajtonin njëri-tjetrin ashtu si do të donin të trajtoheshin. Ai la shembullin më të mrekullueshëm me mënyrën se si e krijoi njeriun duke treguar kështu kujdes për mirëqenien e të tjerëve: «Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës se vet, sipas shëmbëlltyrës se Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.» (Zanafilla 1:27) Kjo do të thotë që Perëndia me dashuri i dha njerëzve një ndërgjegje e cila, po të stërvitej si duhej, do t’i mësonte që t’i trajtonin të tjerët ashtu si do të donin t’i trajtoheshin edhe ata vetë.

Sot ka shumë njerëz të pashpresë dhe të pafuqishëm që vuajnë në duart e njerëzve të pamend dhe egoistë. Është e qartë që kërkohet më shumë se thjesht të mos u bëjmë të tjerëve atë që është e keqe dhe e dëmshme, por edhe të bëjmë atë që është e mirë dhe e dobishme. Për këtë arsye, Dëshmitarët e Jehovait vullnetarisht përpiqen fuqimisht për të ndihmuar të tjerët të mësojnë për shpresën e mrekullueshme që gjendet në Fjalën e Perëndisë. Kur u flasin të tjerëve për lajmin e mirë të Biblës, e bëjnë të shtyrë nga dashuria, duke bërë për të tjerët atë që do të donin t’u bëhej edhe atyre vetë.