Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të të ndihmojë Bibla për t’i edukuar fëmijët?

A mund të të ndihmojë Bibla për t’i edukuar fëmijët?

A mund të të ndihmojë Bibla për t’i edukuar fëmijët?

ORKIDEJA është një lule shumë e bukur, por për ta kultivuar nuk është e lehtë. Për t’ia dalë mbanë, duhet kontrolluar temperatura, ndriçimi dhe madhësia e vazos. Orkideja është e ndjeshme ndaj dheut dhe ndaj lëndës plehëruese, si dhe dëmtohet lehtë nga sëmundjet dhe insektet. Prandaj, është shumë e zakonshme që dikush që dëshiron të kultivojë një orkide nuk arrin ta bëjë këtë që me herën e parë.

Të rritësh fëmijët është shumë më e vështirë dhe më e ndërlikuar, dhe po ashtu kërkon mjaft vëmendje. Për këtë arsye është e zakonshme që prindërit të ndihen të pasigurt kur bëhet fjalë për rritjen e fëmijëve. Shumë prindër mendojnë se kanë nevojë për ndihmë, ashtu si një kultivues orkideje ka nevojë për këshillat e një eksperti. Natyrisht, çdo prind dëshiron këshillat më të mira. Ku mund t’i gjejë ato?

Edhe pse Bibla nuk është një manual për rritjen e fëmijëve, Krijuesi i frymëzoi shkrimtarët e saj që të përfshinin në të shumë këshilla praktike rreth kësaj teme. Bibla e vë theksin te kultivimi i cilësive të dëshirueshme që shumë veta mendojnë se nuk u kushtohet vëmendje. (Efesianëve 4:22-24) Në këtë drejtim këshillat biblike janë një element kyç për edukimin e ekuilibruar të fëmijëve. Këto këshilla tashmë u kanë sjellë dobi mijëra njerëzve që i kanë zbatuar, pavarësisht nga periudha kohore kur jetonin ose nga kultura e tyre. Pra, ndjekja e këshillave biblike mund të të ndihmojë të kesh sukses në edukimin e fëmijëve të tu.

Shembulli i prindërve​—Mënyra më e mirë e edukimit

«Ti, pra, që mëson një tjetër, nuk mëson veten tënde? Ti, që predikon ‘mos vidh’, vjedh për vete? Ti, që thua ‘mos kryej kurorëshkelje’, kryen kurorëshkelje për vete?»​—Romakëve 2:21, 22.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Seul tha: «Shembulli me fjalë dhe me vepra është mënyra më e mirë e edukimit të fëmijëve.» Nëse prindërit nuk lënë një shembull të mirë në të folur dhe me sjelljen e tyre, por i thonë fëmijës se si të sillet konkretisht në këto aspekte, shumë shpejt fëmija do të mendojë se prindërit janë hipokritë. Fjalët e prindërve nuk do të kenë më efekt. Për shembull, në qoftë se prindërit duan ta mësojnë fëmijën që të jetë i ndershëm, ata vetë duhet të jenë të ndershëm. Është shumë e zakonshme që disa prindër, kur nuk duan të flasin me dikë në telefon, i thonë fëmijës: «Thuaj ‘më vjen keq, por babi (ose mami) nuk është këtu’.» Në këtë rast fëmija do të ndihet në siklet dhe i hutuar. Me kalimin e kohës, kur të ndodhet në një rrethanë të vështirë, mund të fillojë të gënjejë, pa u ndier fajtor. Prandaj, në rast se prindërit duan sinqerisht që fëmija i tyre të bëhet një njeri i ndershëm, ata vetë duhet të flasin me ndershmëri dhe të veprojnë në përputhje me fjalët e tyre.

A dëshiron ta edukosh fëmijën tënd që të flasë në mënyrë të sjellshme? Atëherë duhet të lësh një shembull të mirë. Fëmija do të të imitojë shumë shpejt. Sang-siku, baba i katër fëmijëve, thotë: «Unë dhe gruaja vendosëm të mos përdornim fjalë të pahijshme. Tregonim respekt për njëri-tjetrin dhe nuk e ngrinim zërin edhe kur ishim të shqetësuar ose të zemëruar. Një shembull i mirë kishte shumë më tepër efekt sesa vetëm fjalët. Jemi të lumtur që fëmijët tanë janë të respektueshëm e të sjellshëm kur flasin me të tjerët.» Bibla thotë te Galatasve 6:7: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» Prindërit që duan që fëmijët të kenë norma të larta morale, duhet së pari të tregojnë se ata vetë po jetojnë sipas këtyre normave.

Mbaj të hapura linjat e komunikimit

«Do t’ua ngulitësh [urdhërimet e Perëndisë] bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.»​—Ligji i përtërirë 6:7.

Shumë njerëz janë të prirur gjithnjë e më shumë të punojnë jashtë orarit. Kur edhe burri, edhe gruaja punojnë, kjo ndikon shumë te fëmijët. Koha që shumë prindër po kalojnë me fëmijët po pakësohet. Kur janë në shtëpi prindërit duhet të bëjnë disa punë shtëpie ose punë të tjera, si pasojë mund të ndihen të lodhur ose të rraskapitur. Si mund të mbash një komunikim të mirë me fëmijët në këto rrethana? Mund të krijohen mundësi për biseduar nëse ti dhe fëmijët i bëni bashkë punët e shtëpisë. Një kryefamiljar madje hoqi televizorin kryesisht që të kishte më shumë kohë për të biseduar me fëmijët. Ai tha: «Në fillim fëmijët u mërzitën, por kur unë luaja me ta dhe diskutoja rreth disa librave interesantë, ata u mësuan pa televizor.»

Është e rëndësishme që fëmijët që në moshë të njomë të mësohen të komunikojnë me prindërit. Përndryshe, kur të arrijnë moshën e adoleshencës dhe ndoshta të hasin probleme, nuk do t’i shohin prindërit si miq me të cilët të flasin. Si mund t’i ndihmosh që të të hapin zemrën? Shkrimi te Fjalët e urta 20:5 thotë: «Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë.» Duke u kërkuar mendimin e tyre me anë të pyetjeve të tilla si «Çfarë mendon?», prindërit mund t’i nxitin fëmijët të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre.

Çfarë do të bësh në qoftë se fëmija bën një gabim të rëndë? Ky është çasti kur fëmija ka nevojë për kujdes të dashur. Kontrolloji ndjenjat e tua, ndërsa e dëgjon fëmijën. Një baba thotë se si vepron në këtë situatë: «Kur fëmijët bëjnë gabime, përpiqem që të mos reagoj në mënyrë të tepruar. Ulem dhe i dëgjoj se çfarë kanë për të thënë. Përpiqem të kuptoj situatën. Kur e kam të vështirë të kontrolloj zemërimin, pres pak derisa të qetësohem.» Nëse i kontrollon ndjenjat dhe dëgjon, ndreqja që do të japësh do të pranohet më me gatishmëri.

Disiplina që bazohet në dashurinë është thelbësore

«Ju, etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.»​—Efesianëve 6:4.

Që të arrish rezultate të mira, është e rëndësishme mënyra se si i disiplinon fëmijët. Si mund ‘t’i acarojnë prindërit fëmijët’? Në rast se disiplina nuk jepet sipas gabimit që është bërë ose prindërit janë tepër kritikë, atëherë fëmijët do ta kundërshtojnë. Në çdo rast disiplina duhet dhënë me dashuri. (Fjalët e urta 13:24) Po të arsyetosh me fëmijët, ata do të kuptojnë që ti po i disiplinon sepse i do.​—Fjalët e urta 22:15; 29:19.

Nga ana tjetër, është mirë që fëmijët t’i përjetojnë pasojat e sjelljes së gabuar. Për shembull, në qoftë se fëmija bën diçka të gabuar ndaj një personi, ti mund të ngulmosh që t’i kërkojë falje. Kur shkel rregullat e familjes mund t’i vësh kufizime në lidhje me disa veprimtari që i pëlqejnë, me qëllim që të theksosh se sa e rëndësishme është që të zbatojë rregullat.

Është mirë që ta japësh disiplinën në kohën e duhur. Predikuesi 8:11 thotë se ngaqë «vendimi kundër një veprimi të keq nuk zbatohet menjëherë, zemra e bijve të njerëzve është e mbushur nga dëshira për të bërë të keqen». Në mënyrë të ngjashme, shumë fëmijë do të përpiqen të provojnë nëse mund t’i shpëtojnë ndëshkimit kur nuk janë sjellë mirë. Prandaj, kur e ke paralajmëruar që do ta ndëshkosh nëse bën diçka të gabuar, mbaje fjalën.

Zbavitja e shëndetshme është e vlefshme

«Ka . . . një kohë për të qeshur . . . dhe një kohë për të hedhur valle.»​—Predikuesi 3:1, 4.

Koha e lirë e zbavitja e shëndetshme dhe e ekuilibruar janë të nevojshme për zhvillimin e mendjes dhe të trupit të një fëmije. Kur prindërit zbaviten bashkë me fëmijët, forcohen lidhjet familjare dhe fëmijët fitojnë një ndjenjë sigurie. Në ç’lloj zbavitjesh mund të marrin pjesë bashkë pjesëtarët e një familjeje? Nëse mendon pak, mund të gjesh shumë gjëra të këndshme për të bërë. Për shembull, mund të merreni me aktivitete sportive në natyrë, si të shëtitni me biçikletë, të luani tenis ose volejboll. Përfytyro çastet e gëzuara që mund të kalohen kur pjesëtarët e familjes u bien së bashku veglave muzikore. Gjithashtu mund të keni kujtime të këndshme duke shkuar në vendet që janë afër, për të shijuar natyrën.

Në këto raste prindërit mund të ngulitin te fëmijët një pikëpamje të ekuilibruar për zbavitjen. Një i krishterë që ka tre djem tha: «Kur kam mundësi përfshihem në zbavitjet e fëmijëve. Për shembull, kur luajnë me lojëra në kompjuter i pyes se si luhen lojërat. Kur ata me entuziazëm më shpjegojnë, shfrytëzoj rastin për të folur për rrezikun e zbavitjeve jo të shëndetshme. Kam vënë re se nuk pranojnë të merren me zbavitje të papërshtatshme.» Po, fëmijët që kënaqen me zbavitjet ku merr pjesë e gjithë familja, janë më pak të prirur t’u drejtohen programeve televizive, videokasetave, filmave dhe lojërave në Internet, të cilat paraqesin dhunën, sjelljen imorale dhe abuzimin me drogën.

Ndihmoji fëmijët që të kenë shokë të mirë

«Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.»​—Fjalët e urta 13:20.

Një baba i krishterë, që rriti me sukses katër fëmijë, tha: «Zgjedhja e shoqërive është jashtëzakonisht e rëndësishme. Një shok i keq mund të prishë të gjithë punën që ke bërë për të edukuar fëmijën.» Për t’i ndihmuar fëmijët që të kishin shokë të mirë, me mençuri ai u bënte pyetje të tilla: Kush është shoku yt më i mirë? Pse të pëlqen? Cilën gjë tek ai dëshiron të imitosh? Një prind tjetër u thotë fëmijëve që t’i ftojnë në shtëpi shokët e ngushtë. Kështu mund t’i vëzhgojë dhe t’u japë fëmijëve këshilla të përshtatshme.

Gjithashtu është e rëndësishme që t’u mësosh fëmijëve se mund të zënë miqësi jo vetëm me moshatarët e tyre, por edhe me personat që janë më të mëdhenj në moshë. Bam-sani, baba i tre fëmijëve, thotë: «I ndihmoj fëmijët të kuptojnë se miqtë nuk duhet të jenë medoemos në një moshë, ashtu siç thuhet në Bibël për Davidin dhe Jonatanin. Në fakt ftoj të krishterë të moshave të ndryshme që të rrinë në shoqëri me fëmijët. Si rezultat fëmijët shoqërohen me shumë njerëz që nuk janë moshatarë me ta.» Shoqërimi me të rritur shembullorë u jep mundësi fëmijëve që të mësojnë shumë gjëra.

Mund t’ia dalësh mbanë për t’i edukuar fëmijët

Sipas një ankete të organizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumë prindër që përpiqen të ngulitin te fëmijët cilësi të tilla, si vetëkontrolli, vetëdisiplina dhe ndershmëria, nuk kanë shumë sukses. Përse është kaq e vështirë? Një nënë që mori pjesë në anketë tha: ‘Mjerisht e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur fëmijët është që t’i kyçim në dhomë dhe të mos i lëmë kurrë të dalin jashtë.’ Ajo kishte ndër mend faktin se mjedisi ku rriten tani fëmijët është më i keq se kurrë më parë. A është vërtet e mundur t’i edukosh me sukses fëmijët në një situatë të tillë?

Nëse dëshiron të kultivosh një orkide, por shqetësohesh se mos vyshket, ndoshta ndihesh i shkurajuar për ta kultivuar. Sa i lehtësuar ndihesh po të vijë një ekspert i kultivimit të orkideve, të të japë disa ide të mira dhe të thotë me siguri të plotë: «Po të veprosh kështu do t’ia dalësh mbanë!» Jehovai, Eksperti më i Madh i natyrës njerëzore na jep këshilla në lidhje me mënyrën më të mirë për t’i edukuar fëmijët. Ai thotë: «Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.» (Fjalët e urta 22:6) Nëse do t’i edukosh fëmijët sipas këshillave të Biblës, ka shumë mundësi që të shohësh i gëzuar, ndërsa ata bëhen të rritur të përgjegjshëm, që tregojnë kujdes për të tjerët dhe janë të moralshëm. Si rrjedhim njerëzit do t’i duan, por më kryesorja do t’i dojë Jehovai, Ati ynë qiellor.