Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ajo është trashëgimia më e çmuar që ekziston

Ajo është trashëgimia më e çmuar që ekziston

Ajo është trashëgimia më e çmuar që ekziston

NË FUND të jetës së tij apostulli i moshuar Gjon shkroi: «Nuk kam shkak më të madh për mirënjohje, sesa të dëgjoj që bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.»​—3 Gjonit 4.

Apostulli besnik e kishte fjalën për fëmijët e tij në kuptimin frymor. Megjithatë, shumë prindër do të thoshin për fëmijët e tyre të njëjtën gjë si apostulli. Ata kanë punuar shumë për t’i rritur fëmijët «në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait» dhe tani gëzohen që i shohin fëmijët e tyre të rritur «të ecin në të vërtetën». (Efesianëve 6:4) Në fakt, t’u mësosh fëmijëve udhën për në jetën e përhershme do të thotë t’u japësh trashëgiminë më të çmuar që ekziston. Kjo sepse devocioni ose përkushtimi hyjnor, i cili përfshin të jetosh ashtu si dëshiron Jehovai që të jetojnë të krishterët, «mban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë».​—1 Timoteut 4:8.

Jehovai, Ati i përsosur i çmon shumë prindërit me frikë Perëndie që përpiqen fort për t’i edukuar frymësisht fëmijët. Kur fëmijët reagojnë mirë ndaj këtij edukimi, ata gjejnë shumë gëzim duke ndjekur adhurimin e vërtetë bashkë me prindërit. Teksa këta fëmijë bëhen persona të pjekur, ata grumbullojnë kujtime të këndshme të këtyre përvojave. Disa kujtojnë me gëzim herën e parë që morën pjesë në Shkollën e Shërbimit Teokratik. * Ose ndoshta mendojnë për herën e parë kur mundën të lexonin një varg biblik në shërbimin nga shtëpia në shtëpi bashkë me njërin nga prindërit. Si mund të harrojnë gjithashtu kur i dëgjonin prindërit teksa u lexonin pjesë nga Libri im i tregimeve biblike ose nga libri Dëgjoni Mësuesin e Madh (anglisht)? * Gabrieli kujton diçka që i pëlqente shumë. Ai thotë: «Kur isha vetëm katër vjeç mamaja këndonte çdo ditë teksa gatuante. Kujtoj ende me shumë ëndje një këngë të Mbretërisë. Më vonë kjo këngë më ndihmoi të kuptoja se sa i rëndësishëm është shërbimi ndaj Jehovait.» Ndoshta edhe ti e kujton atë këngë të bukur për të cilën e ka fjalën Gabrieli. Është kënga me numër 157 në librin Këndojini lavdi Jehovait dhe titullohet «Adhuro Jehovain në rininë tënde!».

Kënga fillon me këto fjalë: «Nga vet’ të vegjlit, Jah mori lavdi;/kur nderim Krishtit i dhan’ si Zot’ri.» Vërtet, disa fëmijë patën privilegjin që të qëndronin në shoqëri me Jezuin dhe ka të ngjarë që ata u kënaqën me sjelljen e tij të çiltër dhe që u sillte freskim. Jezui përdori madje gatishmërinë e fëmijëve për t’u mësuar, si një shembull që ithtarët e tij duhet ta imitonin. (Mateu 18:3, 4) Pra fëmijët kanë vendin e duhur në adhurimin e Jehovait. Në fakt, në fjalët e mëtejshme të këngës thuhet: «Po, dhe të vegjlit Per’ndin’ e lartojn’.»

Nëpërmjet sjelljes së tyre shembullore në shtëpi, në shkollë dhe në vende të tjera, shumë fëmijë kanë nderuar Perëndinë dhe familjen e tyre. Ç’bekim që ka qenë për ta të kenë «prindër që duan drejt’sin’». (Ligji i përtërirë 6:7) Prindërit me frikë Perëndie bëjnë atë që thotë Perëndia, i cili si një Atë i dashur u mëson krijesave të tij udhën që duhet të ndjekin. Dhe ç’bekim që marrin! Kur edhe prindërit i mësojnë fëmijët e tyre, sa të lumtur ndihen që kanë fëmijë që tregojnë «bindje»! (Isaia 48:17, 18) Anhelika, e cila shërben në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë, thotë: «Prindërit e mi përpiqeshin gjithnjë të zbatonin në praktikë parimet biblike. Për këtë arsye fëmijëria ime ishte e këndshme. Isha e lumtur.»

Të krishterë të tillë si ajo janë të një mendimi se ia vlen të kujdesen për trashëgiminë e tyre frymore. Ndoshta ti je një i krishterë që po rritesh në një familje me vlera të vërteta të krishtere. Nëse është kështu, e njëjta këngë të bën nxitjen: «Jini të d’lir’, o të rinj të krishter’!» Do të vijë koha kur do të marrësh vendime për veten, prandaj, siç u drejtohet kënga të rinjve, që tani «lini që Jah t’ju drejtojë përher’,/dhe mos kërkoni popullaritet».

Në qoftë se gabimisht ke si synim të parë në jetë që të kërkosh popullaritet, e gjithë stërvitja që ke marrë mund të shkojë kot dhe mund të shkatërrosh shpresat për të ardhmen. Nga dëshira për popullaritet mund të humbasësh ndjenjën e vigjilencës. Disa janë shoqëruar me ata që, megjithëse në dukje janë të padëmshëm, e madje kanë një sjellje të këndshme, nuk kanë interes për normat e krishtere. Kjo u ilustrua nëpërmjet Tarës, personazhit kryesor të videokasetës Të rinjtë pyesin: Si mund të bëj miq të vërtetë? Ashtu si Tara, çdo i ri i krishterë që shoqërohet me ata që nuk e çmojnë adhurimin e vërtetë do të zbulojë se herët a vonë shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira. Kërkohen përpjekje për vite të tëra për të zhvilluar zakone të mira, por këto zakone mund të prishen shumë shpejt.

Duhet pranuar se jeta me frikë Perëndie nuk është e lehtë. Gjithsesi, kënga jep këtë nxitje: «Në rinin’ tuaj kujtoni Per’ndin’,/bindjuni Jah dhe kërkoni drejt’sin’.» Nëse vepron kështu, do të ndërtosh një themel të fortë për të pasur sukses të vërtetë në jetë. Dhe ndërsa rritesh, siç thotë kënga për të gjithë të krishterët, «një jet’ të lumtur secili do t’ket’». Do të fillosh të kuptosh edhe më mirë se nën kujdesin e dashur të Jehovait asgjë nuk mund të të pengojë të bësh atë që është e drejtë në sytë e tij. Kjo është mënyra për t’u bërë një i rritur i pjekur dhe me frikë Perëndie. Përveç kësaj, duke përfituar nga stërvitja e krishterë që ke marrë që nga fëmijëria ke mundësi të bësh që «të gëzoj’ dhe Jah vet’». Ç’privilegj më të madh mund të ketë një njeri?​—Fjalët e urta 27:11.

Prandaj, të rinj, kujtoni gjithmonë sa e çmuar është stërvitja që merrni nga Jehovai dhe nga prindërit tuaj të krishterë. Le t’ju nxitë dashuria e madhe që kanë ata për ju që të bëni atë që është e këndshme në sytë e Jehovait. Ashtu si Jezu Krishti dhe i riu besnik Timoteu, do të bëni të lumtur Atin tuaj qiellor dhe prindërit tuaj tokësorë. Dhe nëse një ditë do të bëheni vetë prindër, ndoshta do të jeni dakord me Anhelikën që përmendëm më parë, e cila thotë: «Në qoftë se një ditë do të kem një fëmijë, do të përpiqem shumë që në fëmijëri për t’i ngulitur në zemër dashurinë për Jehovain dhe që kjo të jetë gjëja më e rëndësishme e jetës së tij.» Patjetër, udha e drejtë që të çon në jetën e përhershme është trashëgimia më e çmuar që ekziston!

[Shënimet]

^ par. 4 Kjo shkollë, e cila është pjesë e programit të arsimimit biblik që zhvillohet në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait, është në dispozicion për të rinj e për të moshuar.

^ par. 4 Botimet e përmendura janë botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.