Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush ishin anabaptistët?

Kush ishin anabaptistët?

Kush ishin anabaptistët?

VIZITORËT që vijnë për herë të parë në qendrën e qytetit të Munsterit, në Vestfali të Gjermanisë, pothuajse gjithmonë ndalen dhe i ngulin sytë te tri kafaze të hekurta që qëndrojnë varur në kullën e një kishe. Përveç disa periudhave të shkurtra, kafazet kanë qëndruar aty për pothuajse 500 vjet. Në fillim në to ndodheshin trupat e tre burrave që ishin torturuar dhe ishin ekzekutuar publikisht. Këta burra ishin anabaptistë dhe kafazet na kujtojnë mbretërinë e tyre.

Kush ishin anabaptistët? Si filloi kjo lëvizje? Cilat ishin mësimet kryesore të saj? Pse u ekzekutuan ata burra? Ç’lidhje kanë tri kafazet me një mbretëri?

Të reformohet kisha, por në ç’mënyrë?

Në fund të shekullit të 15-të dhe në fillim të shekullit të 16-të u shtuan kritikat ndaj kishës katolike të Romës dhe ndaj klerit. Kisha ishte zhytur në korrupsion dhe në imoralitet, prandaj shumë veta mendonin se nevojiteshin ndryshime të mëdha. Në vitin 1517 Martin Luteri kërkoi publikisht që të bëhej një reformë dhe ndërsa në këtë debat përfshiheshin edhe të tjerë, shumë shpejt nisi Reforma Protestante.

Por reformatorët nuk kishin një strategji të njëtrajtshme se çfarë duhej bërë ose deri në ç’masë duheshin bërë ndryshimet. Shumë veta pranonin se duhej t’i përmbaheshin Biblës në lidhje me çështjet e adhurimit. Megjithatë, reformatorët nuk mundën të binin dakord madje as edhe për një interpretim të thjeshtë të mësimeve të Biblës. Disa mendonin se Reforma po përparonte shumë ngadalë. Dhe pikërisht mes këtyre reformatorëve zuri rrënjë lëvizja anabaptiste.

«Në kuptimin e ngushtë të fjalës, nuk kishte vetëm një lëvizje baptiste, por ishin disa»,​—shkruan autori Hans-Jyrgen Goerc në librin e tij Pagëzuesit: Historia dhe qëllimi i tyre (gjermanisht). Për shembull, në vitin 1521 katër burra që njiheshin si profetët e Zvikaut, ndezën një debat të madh duke predikuar mësimet anabaptiste në Vitenberg. Gjithashtu, në vitin 1525 u themelua një grup i ndarë anabaptistësh në Zyrih të Zvicrës. Bashkësi me anabaptistë u formuan edhe në Moravi, tani Republika Çeke, dhe në Holandë.

Pagëzimi​—Për fëmijët apo për të rriturit?

Bashkësitë anabaptiste ishin kryesisht të vogla dhe pjesëtarët e tyre në përgjithësi ishin paqësorë. Ata nuk i mbanin sekret bindjet e tyre, por në të vërtetë ua predikonin të tjerëve. Bindjet kryesore të besimit anabaptist u përcaktuan në Deklaratën e Shlajthajmit në vitin 1527. Disa nga bindjet e tyre ishin se nuk pranonin të merrnin armë, qëndronin të ndarë nga bota dhe shkishëronin keqbërësit. Por ajo që e karakterizoi besimin e tyre më shumë se çdo gjë tjetër, duke i dalluar qartë anabaptistët nga fetë e tjera, ishte bindja se pagëzimi ishte për të rriturit dhe jo për fëmijët. *

Pagëzimi i të rriturve nuk ishte vetëm një çështje e dogmës fetare, por ishte çështje pushteti. Nëse pagëzimi shtyhej deri në moshë të rritur, duke i dhënë kështu mundësinë një individi që të merrte një vendim të bazuar në besimin e tij, disa mund të mos pagëzoheshin fare. Si rrjedhojë, individët e papagëzuar, të paktën deri në një farë mase do të qëndronin jashtë kontrollit të kishës. Për disa kisha pagëzimi i të rriturve nënkuptonte humbjen e pushtetit.

Për këtë arsye, si katolikët, ashtu edhe luteranët donin që të pengonin pagëzimin e të rriturve. Pas vitit 1529, të paktën në disa zona, ata që kryenin pagëzimin e të rriturve ose që pagëzoheshin kur ishin të rritur mund të merrnin dënimin me vdekje. Gazetari Tomas Sajfert shpjegon se anabaptistët «u përndoqën egërsisht anembanë Perandorisë së Shenjtë Romake të kombit gjerman». Përndjekja arriti kulmin në Munster.

Munsteri mesjetar kërkon ndryshime

Në Mesjetë në Munster kishte rreth 10.000 banorë dhe ky qytet ishte i rrethuar nga një sistem fortifikatash pothuajse i papushtueshëm, me një gjerësi rreth 90 metra dhe me një perimetër pothuajse 5 kilometra. Por gjendja brenda qytetit nuk ishte po kaq e qëndrueshme sa edhe fortifikatat. Botimi Mbretëria e anabaptistëve (anglisht), botuar nga Muzeu i qytetit të Munsterit, përmend «debatet e brendshme politike ndërmjet trupit ligjvënës të qytetit dhe esnafëve». Përveç kësaj, banorët ishin të indinjuar me sjelljen e klerit. Munsteri përkrahu Reformën dhe në vitin 1533 nga një qytet katolik që ishte, u bë një qytet luteran.

Një nga predikuesit reformatorë kryesorë në Munster ishte Bernhard Rotmani, një individ mjaft i rrëmbyer. Autori Fridrik Oninger shpjegon se «pikëpamjet e Rotmanit u bënë plotësisht anabaptiste; ai dhe kolegë të tjerë nuk pranonin të pagëzonin foshnjat». Rotmani fitoi mbështetjen e shumë njerëzve në Munster, ndonëse pikëpamjet e tij të pazakonshme ishin tepër ekstreme për disa. Oningeri thotë më tej: «Gjithnjë e më shumë nga ata që donin rendin e mëparshëm u larguan nga qyteti të frikësuar dhe me një parandjenjë të keqe. Shumë anabaptistë vërshuan në Munster nga të gjitha anët, duke shpresuar të realizonin idealet e tyre.» Ky përqendrim anabaptistësh në Munster çoi në një ngjarje të tmerrshme.

Jerusalemi i Ri në rrethim

Në Munster kishin emigruar dy holandezë, Jan Matisi, një bukëpjekës nga Harlemi, dhe Jan Bekelsoni, i njohur si Gjoni i Lajdënit. Ata do të luanin një rol vendimtar në zhvillimet e atjeshme. Matisi pohonte se ishte profet dhe shpalli prillin e vitit 1534 si kohën e ardhjes së dytë të Krishtit. Qyteti u shpall se ishte Jerusalemi i Ri që përmendet në Bibël dhe njerëzit mendonin se po vinte fundi i botës. Rotmani vendosi që të gjitha pronat duheshin zotëruar në mënyrë të përbashkët. Banorët në moshë madhore duhej të merrnin një vendim: të pagëzoheshin ose të largoheshin nga qyteti. Në turmat që pagëzoheshin përfshiheshin disa që e bënin këtë vetëm që të mos detyroheshin të braktisnin shtëpitë dhe gjërat që u përkitnin.

Bashkësitë e tjera shihnin të tmerruar ndërsa Munsteri bëhej qyteti i parë ku anabaptistët ishin forca më e fuqishme fetare dhe politike. Sipas librit Pagëzuesit në Munster (gjermanisht), kjo gjë solli si pasojë që «Munsteri u bë armiku i tërë Perandorisë së Shenjtë Romake të kombit gjerman». Një figurë e njohur vendëse, peshkopi-princ, konti Franc fon Valdek, mblodhi një ushtri për të rrethuar Munsterin. Ajo përbëhej edhe nga luteranë, edhe nga katolikë. Këto dy fe, që më parë kishin qëndrime të kundërta për sa i përket Reformës dhe që shumë shpejt do të kacafyteshin në Luftën Tridhjetëvjeçare, i bashkuan forcat kundër anabaptistëve.

Shkatërrimi i mbretërisë anabaptiste

Ushtria e fuqishme që i rrethoi, nuk i frikësoi ata që ishin të mbrojtur brenda mureve të qytetit. Në prill të vitit 1534, kur mendohej se do të ndodhte ardhja e dytë e Krishtit, Matisi doli jashtë qytetit hipur mbi një kalë të bardhë, duke pritur mbrojtjen hyjnore. Përfytyroni tmerrin e përkrahësve të Matisit teksa nga muret e qytetit panë forcat rrethuese që e bënë copë-copë atë dhe ia vunë kokën mbi një hu.

Gjoni i Lajdënit u bë pasuesi i Matisit dhe u quajt mbreti Jan i anabaptistëve të Munsterit. Meqë në qytet kishte shumë më tepër gra sesa burra, ai u përpoq ta ndreqte këtë ndryshim duke i nxitur burrat që të merrnin aq gra sa të donin. Si për të treguar ekstremet që ekzistonin brenda mbretërisë anabaptiste në Munster, kurorëshkelja dhe kurvëria ndëshkoheshin me vdekje, kurse poligamia lejohej, madje nxitej. Vetë mbreti Jan mori 16 gra. Kur njëra prej tyre, Elizabeta Vandsherer, i kërkoi atij leje që të largohej nga qyteti, asaj ia prenë kokën publikisht.

Rrethimi zgjati 14 muaj, deri në qershor të vitit 1535 kur së fundi qyteti ra. Munsteri pësoi një shkatërrim të tillë që u pa përsëri vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rotmani u arratis, por mbretin Jan dhe dy udhëheqës të tjerë anabaptistë i kapën, i torturuan dhe i ekzekutuan. Trupat e tyre i vendosën në kafaze që i varën në kullën e kishës së Shën-Lambertit. Siç shpjegon gazetari Sajfert, kjo «do të shërbente si një paralajmërim tmerrues për të gjithë ata që donin të shkaktonin telashe». Po, përzierja në politikë solli pasoja të rënda.

Çfarë ndodhi me bashkësitë e tjera anabaptiste? Përndjekja vazhdoi për disa vjet anembanë Evropës. Shumica e anabaptistëve iu përmbajtën parimeve të tyre paqësore, ndonëse kishte një pakicë që ishin luftarakë. Me kalimin e kohës, në krye të anabaptistëve u vu ish-prifti Meno Simons dhe pjesëtarët e grupit së fundi u bënë të njohur si menonitët ose me emra të tjera.

Tri kafazet

Anabaptistët ishin kryesisht njerëz fetarë që u përpoqën t’u përmbaheshin parimeve të Biblës. Por ekstremistët në Munster i shtynë anabaptistët që t’i braktisnin këto parime dhe të përfshiheshin në politikë. Si pasojë lëvizja u shndërrua në një forcë revolucionare. Kjo çoi në shkatërrimin e lëvizjes anabaptiste dhe në katastrofën e qytetit mesjetar të Munsterit.

Vizitorëve në qendrën e qytetit u vijnë ende në mendje këto ngjarje të tmerrshme të pothuajse 500 vjetëve më parë. Si? Nëpërmjet tri kafazeve të hekurt që varen nga kulla e kishës.

[Shënimi]

^ par. 9 Artikulli nuk merr në shqyrtim argumentet pro ose kundër pagëzimit të fëmijëve. Për hollësi të mëtejshme rreth kësaj teme shih artikullin «A duhen pagëzuar foshnjat?» në Kullën e Rojës 15 mars 1986, anglisht.

[Figurat në faqen 13]

Mbretin Jan e torturuan, e ekzekutuan dhe e varën në kullën e kishës së Shën-Lambertit