Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të diplomuarit e Galaadit ecin përpara si punëtorë të zellshëm në korrje

Të diplomuarit e Galaadit ecin përpara si punëtorë të zellshëm në korrje

Të diplomuarit e Galaadit ecin përpara si punëtorë të zellshëm në korrje

«E KORRA është e madhe, por punëtorët janë pak. Prandaj, lutjuni Zotërisë të së korrës të dërgojë punëtorë në të korrën e tij.» (Mateu 9:37, 38) Këto fjalë kishin një domethënie të veçantë për ata që po diplomoheshin, studentët e klasës së 116-të të Shkollës Biblike të Galaadit, ndërkohë që përgatiteshin për t’u nisur në caktimet e tyre misionare.

Të shtunën, më 13 mars 2004, 6.684 veta gjithsej u mblodhën në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, si edhe në vende të tjera të lidhura me të, për të ndjekur programin e diplomimit, gjatë të cilit klasa mori këshillat dhe nxitjet e fundit. Që të gjithë mund të nxjerrim dobi nga këshillat që u dhanë, ndërsa punojmë me zell në korrjen frymore.

Komentet hyrëse të Teodor Xharazit, anëtar i Trupit Udhëheqës dhe i diplomuar i klasës së shtatë të Galaadit, theksuan fjalët e Jezuit: «Shkoni . . . dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve.» (Mateu 28:19, 20) Sa e përshtatshme ishte kjo, kur mendojmë që të diplomuarit u dërguan të shërbenin në 20 vende! Ai u kujtoi studentëve se mësimet e Fjalës së Perëndisë i kanë pajisur plotësisht për të qenë punëtorë të zellshëm në korrjen frymore që është shumë e rëndësishme.​—Mateu 5:16.

Si të jemi punëtorë të frytshëm në korrje?

Oratori i parë në program ishte Robert Uolleni, i cili për shumë vjet ka bashkëpunuar ngushtësisht me Shkollën e Galaadit. Duke folur për temën «Cilësia e bukur e dhembshurisë», ai u tha studentëve: «Dhembshuria është gjuha që mund ta dëgjojnë edhe të shurdhërit e ta shohin edhe të verbrit.» Jezui e shihte qartë sa vuanin të tjerët dhe përpiqej t’ua lehtësonte vuajtjet. (Mateu 9:36) Studentët do të kenë shumë mundësi për të vepruar po kështu: në veprën e predikimit, në kongregacion, në shtëpinë misionare dhe në martesën e tyre. Oratori i nxiti: «Le të duket qartë cilësia e bukur e dhembshurisë në jetën tuaj, kur u shërbeni të tjerëve. Për të jetuar çdo ditë në shtëpinë misionare duhet vërtet sjellja më e mirë prej jush. Prandaj jini të vendosur të visheni me dhembshuri.»​—Kolosianëve 3:12.

Më pas, Gerrit Lëshi, anëtar i Trupit Udhëheqës dhe i diplomuar në klasën e 41-të të Galaadit, zhvilloi temën «Lajmëtarë të shpëtimit». (Isaia 52:7) Që njerëzit të shpëtojnë në kuptimin fizik kur të shkatërrohet ky sistem, duhet të marrin njohuri të saktë nga Fjala e Perëndisë, të shpallin publikisht besimin e tyre dhe të pagëzohen. (Romakëve 10:10; 2 Timoteut 3:15; 1 Pjetrit 3:21) Megjithatë, arsyeja kryesore pse lajmërojmë shpëtimin nuk është për të shpëtuar njerëzit, por për t’i sjellë lavdi Perëndisë. Prandaj, vëlla Lëshi i këshilloi misionarët e ardhshëm: «Çojeni mesazhin e Mbretërisë deri në skajet më të largëta të tokës dhe jini lajmëtarë të zellshëm të shpëtimit, gjithçka për lavdi të Jehovait!»​—Romakëve 10:18.

«Si e pasqyroni dritën frymore?»​—ishte pyetja që bëri Lorenc Boueni, instruktor i Galaadit. Ai iu referua fjalëve të Jezuit që i gjejmë te Mateu 6:22 dhe i nxiti studentët që po diplomoheshin ta mbajnë syrin ‘të thjeshtë’ që «të pasqyrojnë ndriçimin frymor që i jep lavdi Jehovait dhe u sjell dobi njerëzve». Që nga fillimi i shërbimit të tij, Jezui la një shembull të përsosur në këtë drejtim, duke vazhduar i përqendruar në kryerjen e vullnetit të Perëndisë. Meditimi për gjërat e mrekullueshme që i kishte mësuar Ati në qiell e ndihmoi Jezuin të duronte sprovat e Satanait në shkretëtirë. (Mateu 3:16; 4:1-11) Jezui tregoi se mbështetej plotësisht te Jehovai ndërsa kryente detyrën që ai i kishte caktuar. Po kështu, që të kapërcejnë vështirësitë që i presin, misionarët duhet të vazhdojnë zakonet e mira të studimit të Biblës dhe të mbështeten plotësisht te Jehovai.

Mark Numari, instruktor i Galaadit dhe i diplomuar i klasës së 77-të, e përfundoi këtë seri fjalimesh me fjalimin që kishte temën «Jemi në dorën tënde». (Jozueu [Josiu] 9:25) Ai i nxiti studentët të imitojnë qëndrimin e gibeonitëve të lashtë. Ndonëse Gibeoni ishte ‘një qytet i madh dhe tërë banorët e tij ishin trima’, gibeonitët nuk kërkuan t’u njihej kjo aftësi ose nuk kërkuan që gjërat të bëheshin sipas kërkesave të tyre. (Jozueu 10:2) Me gatishmëri ata shërbyen si «druvarë dhe bartës të ujit» nën mbikëqyrjen e levitëve për të mbështetur adhurimin e Jehovait. (Jozueu 9:27) Në fakt, pjesëtarët e klasës që po diplomohej i kanë thënë Josiut të Madh, Jezu Krishtit: «Jemi në dorën tënde.» Kështu që ndërsa shkojnë në caktimet në vende të huaja, duhet të pranojnë çfarëdo pune t’u japë Josiu i Madh.

Përvoja dhe intervista

«T’i hapim plotësisht Shkrimet» ishte tema e diskutimit që mbajti me një grup studentësh Uollas Livërënsi, i diplomuar i klasës së 61-të të Galaadit dhe një nga instruktorët. Studentët treguan dhe vunë në skenë përvoja që kishin pasur në shërbim gjatë kohës së shkollës. Ishte e qartë se studimi intensiv i Shkrimeve gjatë pesë muajve të stërvitjes u kishte prekur zemrën dhe i kishte motivuar t’ua thoshin edhe të tjerëve ato që kishin mësuar. (Luka 24:32) Gjatë kursit pesëmujor, një student pati mundësi të bisedonte me vëllanë e tij nga gjaku për ato që po mësonte. Kjo e nxiti vëllanë të kërkonte kongregacionin në atë zonë dhe të fillonte të studionte Biblën. Tani është kualifikuar si lajmëtar i papagëzuar.

Pas këtyre përvojave, Riçard Ashi dhe Xhon Gibardi drejtuan intervista me disa shërbëtorë të Jehovait prej shumë kohësh, ku përfshiheshin disa mbikëqyrës udhëtues që po merrnin stërvitje të veçantë në Qendrën e Arsimimit Watchtower. Këta ishin të diplomuar të klasave të mëparshme të shkollës së Galaadit. Njëri prej tyre kujtonte fjalët që i kishte thënë vëlla Nori klasës së tij: «Në Galaad do të studioni shumë. Por nëse do të dilni prej këtej si koka të mëdha, nuk do ta kemi arritur qëllimin. Ne duam të dilni prej këtej me një zemër të madhe.» Vëllezërit që shërbenin si mbikëqyrës udhëtues e këshilluan klasën që të interesohen për njerëzit, t’i trajtojnë të tjerët siç i trajtonte Krishti njerëzit dhe të pranojnë me përulësi çfarëdo caktimi t’u jepet. Pa dyshim zbatimi i këtyre këshillave do t’i ndihmojë misionarët e rinj që të jenë të frytshëm në caktimet e tyre.

Përpara si punëtorë të zellshëm në korrje!

Të pranishmit patën mundësi të dëgjonin edhe Stiven Letin, një anëtar tjetër i Trupit Udhëheqës. Ai mbajti fjalimin kryesor të programit, me titull: «Përpara si punëtorë të zellshëm në korrje!» (Mateu 9:38) Kur bëhet fjalë për korrjen e mirëfilltë, koha e lënë për të korrur është e kufizuar. Duhet që korrësit të punojnë shumë. Aq më shumë është e rëndësishme kjo gjatë përfundimit të këtij sistemi! Në korrjen e madhe frymore, ajo që është në rrezik është jeta e njerëzve. (Mateu 13:39) Vëlla Leti i nxiti të diplomuarit që ‘të mos jenë të përtuar në punët e tyre’ por të jenë ‘të zjarrtë në frymë’ e ‘t’i shërbejnë Jehovait si skllevër’ në këtë korrje që s’do të përsëritet kurrë më. (Romakëve 12:11) Oratori citoi fjalët e Jezuit: «Ngrini sytë dhe shikoni fushat që janë të bardha për korrje.» (Gjoni 4:35) Pastaj i nxiti të diplomuarit të tregojnë zell për veprën e korrjes duke bërë vërtet përpjekje për të shkuar te njerëzit në vendet dhe në oraret kur mund t’i gjejnë, si edhe duke përfituar nga çdo mundësi për të dhënë dëshmi joformale. Shkathtësia për të krijuar mundësi do ta bëjë më të lehtë të japim dëshmi të efektshme. Jehovai është një Perëndi i zellshëm dhe pret nga të gjithë ne që ta imitojmë dhe të punojmë pa u lodhur në korrjen frymore.​—2 Mbretërve 19:31; Gjoni 5:17.

Në përfundim të programit, vëlla Xharazi dha përshëndetje nga shumë zyra dege dhe u shpërndau diplomat studentëve. Njëri nga të diplomuarit lexoi një letër nga klasa, ku shprehej çmueshmëria e thellë për stërvitjen që kishin marrë. Me siguri programi i diplomimit të klasës së 116-të i bëri të gjithë të pranishmit më të vendosur të ecin përpara si punëtorë të zellshëm në korrje.

[Kutia në faqen 25]

STATISTIKAT E KLASËS

Numri i vendeve të përfaqësuara: 6

Numri i vendeve ku u caktuan: 20

Numri i studentëve: 46

Mosha mesatare: 34,2

Mesatarja e viteve në të vërtetën: 17,2

Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 13,9

[Figura në faqen 26]

Diplomimi i klasës së 116-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.

(1) Ceansu, R.; Sparks, T.; Piña, C.; Turner, P.; Cheney, L. (2) Suardy, M.; Sjöqvist, Å.; Amadori, L.; Smith, N.; Jordan, A.; Boissonneault, L. (3) Matlock, J.; Ruiz, C.; Dular, L.; Vigneron, M.; Henry, K. (4) Sjöqvist, H.; Laux, J.; Ruzzo, J.; Gustafsson, K.; Boissonneault, R.; Jordan, M. (5) Henry, D.; Turner, D.; Kirwin, S.; Florit, K.; Ceansu, S. (6) Amadori, S.; Cheney, J.; Ross, R.; Nelson, J.; Ruiz, J.; Vigneron, M. (7) Florit, J.; Matlock, D.; Ross, B.; Laux, C.; Ruzzo, T.; Dular, D.; Kirwin, N. (8) Gustafsson, A.; Nelson, D.; Suardy, W.; Piña, M.; Smith, C.; Sparks, T.