Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të pranojmë drejtimin e Perëndisë së gjallë

Të pranojmë drejtimin e Perëndisë së gjallë

Të pranojmë drejtimin e Perëndisë së gjallë

‘Kthehuni te Perëndia i gjallë, që bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është në ta.’​—VEPRAT 14:15.

1, 2. Pse është me vend të pranojmë se Jehovai është «Perëndia i gjallë»?

PASI apostulli Pavël dhe Barnaba shëruan një burrë, Pavli i siguroi vëzhguesit e kësaj ngjarjeje në Listër: «Edhe ne jemi njerëz që kemi të njëjtat të meta si ju dhe po ju shpallim lajmin e mirë që të ktheheni nga këto kotësira te Perëndia i gjallë, që bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është në ta.»​—Veprat 14:15.

2 Sa e vërtetë është që Jehovai nuk është një idhull i pajetë, por «Perëndia i gjallë»! (Jeremia 10:10; 1 Selanikasve 1:9, 10) Përveçse është i gjallë, Jehovai është Burimi i jetës sonë. «Ai vetë u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka.» (Veprat 17:25) Ai është i interesuar që ne ta gëzojmë jetën tani dhe në të ardhmen. Pavli shtoi se Perëndia «nuk e la veten pa dëshmi, meqë bëri mirë, duke ju dhënë shira nga qielli dhe stinë të frytshme, duke i mbushur zemrat tuaja plot e përplot me ushqim dhe hare».​—Veprat 14:17.

3. Pse mund t’i besojmë drejtimit që na siguron Perëndia?

3 Interesimi që shfaq Perëndia për jetën tonë na jep arsye për t’i besuar drejtimit të tij. (Psalmi 147:8; Mateu 5:45) Disa mund të mos e pranojnë këtë drejtim nëse gjejnë në Bibël një urdhër që nuk e kuptojnë ose që duket kufizues. Prapëseprapë, të besojmë te drejtimi i Perëndisë edhe në këto raste, ka dalë se është një gjë e mençur. Ta ilustrojmë: Edhe pse një izraelit nuk e kuptonte ligjin që ndalonte të prekej një trup i pajetë, ai nxirrte dobi duke iu bindur këtij ligji. Së pari, kjo bindje e afronte më shumë me Perëndinë e gjallë. Së dyti, e ndihmonte që t’u shmangej sëmundjeve.​—Levitiku 5:2; 11:24.

4, 5. (a) Çfarë drejtimi në lidhje me gjakun dha Jehovai përpara epokës së krishterë? (b) Si e dimë se drejtimi i Perëndisë për gjakun përfshin edhe të krishterët?

4 Është e njëjta gjë edhe me drejtimin që na siguron Perëndia për gjakun. Ai i tha Noesë se njerëzit nuk duhet të hanë ose të pinë gjak. Më pas në Ligj Perëndia zbuloi se i vetmi përdorim i miratuar i gjakut ishte mbi altar, pra për faljen e mëkateve. Nëpërmjet këtyre urdhërimeve Perëndia po hidhte bazën për përdorimin më të shkëlqyer të gjakut, pra shpëtimin e jetës së njerëzve me anë të shpërblesës së Jezuit. (Hebrenjve 9:14) Po, kur Perëndia siguroi këtë drejtim, ishte i interesuar për jetën dhe mirëqenien tonë. Duke folur për Zanafillën 9:4, studiuesi biblik i shekullit të 19-të, Adam Klark, shkroi: «Këtij urdhri [dhënë Noesë] i binden ende me rreptësi të krishterët e kishave lindore . . . Sipas Ligjit nuk lejohej aspak ngrënia e gjakut, sepse ai e drejtonte vëmendjen te gjaku që do të derdhej për mëkatet e botës; dhe sipas Ungjillit gjaku nuk duhej ngrënë, sepse duhej konsideruar gjithnjë si diçka që përfaqëson gjakun që është derdhur për faljen e mëkateve.»

5 Ky studiues e kishte fjalën për ungjillin ose lajmin e mirë që përqendrohet te Jezui. Në këtë lajm përfshihet fakti që Perëndia dërgoi Birin e tij që të vdiste për ne, të derdhte gjakun e tij që të mund të kishim jetën e përhershme. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16; Romakëve 5:8, 9) Studiuesi e kishte fjalën edhe për urdhrin e mëvonshëm që ithtarët e Krishtit të përmbaheshin nga gjaku.

6. Çfarë udhëzimesh për gjakun iu dhanë të krishterëve? Pse?

6 Ju e dini se Perëndia u dha izraelitëve qindra ligje. Pasi Jezui vdiq, dishepujt e tij nuk ishin më të detyruar që t’i zbatonin të gjitha këto ligje. (Romakëve 7:4, 6; Kolosianëve 2:13, 14, 17; Hebrenjve 8:6, 13) Por, me kalimin e kohës u ngrit një çështje në lidhje me një kërkesë kryesore: rrethprerjen e meshkujve. A duhej të rrethpriteshin jojudenjtë që donin të nxirrnin dobi nga gjaku i Krishtit, duke treguar në këtë mënyrë se ishin ende në Ligj? Në vitin 49 të e.s., trupi udhëheqës i krishterë mori në shqyrtim këtë çështje. (Veprat, kapitulli 15) Të ndihmuar nga fryma e Perëndisë apostujt dhe pleqtë nxorën përfundimin se detyrimi i rrethprerjes kishte marrë fund bashkë me Ligjin. Megjithatë, mbeteshin disa kërkesa hyjnore për të krishterët. Në një letër drejtuar kongregacioneve trupi udhëheqës shkroi: «Frymës së shenjtë dhe neve vetë na u duk mirë të mos ju shtojmë asnjë barrë tjetër, përveç këtyre gjërave të nevojshme: të vazhdoni të përmbaheni nga gjërat e sakrifikuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria. Nëse ruheni me kujdes nga këto gjëra, do t’ju vejë mbarë.»​—Veprat 15:28, 29.

7. Sa i rëndësishëm është për të krishterët urdhri që ‘të përmbahen nga gjaku’?

7 Është e qartë pra, se trupi udhëheqës e konsideroi urdhrin ‘për t’u përmbajtur nga gjaku’ po aq jetësor sa edhe urdhrin për t’u përmbajtur nga imoraliteti ose nga adhurimi i idhujve. Kjo tregon se ndalimi që ka të bëjë me gjakun është diçka serioze. Të krishterët që në mënyrë të papenduar kryejnë idhujtari ose imoralitet seksual, nuk mund ‘të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë’. «Pjesa e tyre do të jetë . . . vdekja e dytë.» (1 Korintasve 6:9, 10; Zbulesa 21:8; 22:15) Vini re kontrastin: Shpërfillja e drejtimit të Perëndisë për shenjtërinë e gjakut mund të çojë në vdekje njëherë e përgjithmonë. Shfaqja e respektit për flijimin e Jezuit mund të çojë në jetë të përhershme.

8. Cila gjë e tregon se të krishterët e hershëm e merrnin seriozisht drejtimin e Perëndisë për gjakun?

8 Si e kuptuan dhe si e ndoqën të krishterët e hershëm drejtimin e Perëndisë për gjakun? Kujtoni komentin e Klarkut: «Sipas Ungjillit gjaku nuk duhet ngrënë, sepse duhet konsideruar gjithnjë si diçka që përfaqëson gjakun që është derdhur për faljen e mëkateve.» Historia e vërteton se të krishterët e hershëm e merrnin seriozisht këtë çështje. Tertuliani shkroi: «Mendoni për ata që gjatë një shfaqjeje në arenë, pinë si të babëzitur gjakun e ngrohtë të kriminelëve . . . si kurë për të shëruar epilepsinë.» Ndryshe nga paganët që pinin gjak, Tertuliani tha se të krishterët «as gjakun e kafshëve nuk e përdornin si ushqim . . . Për t’i sprovuar të krishterët u ofroni sallam me gjak, sepse e dini që për ta është një ushqim i ndaluar». Po, edhe nëse i kërcënonin me vdekje, të krishterët nuk hanin gjak. Për ta drejtimi i Perëndisë ishte shumë i rëndësishëm.

9. Çfarë përfshinte për të krishterët të përmbaheshin nga gjaku përveçse të mos hanin gjak të mirëfilltë?

9 Disa mund të mendojnë se trupi udhëheqës vetëm sa donte të thoshte që të krishterët nuk duhej të hanin ose të pinin gjak të mirëfilltë dhe as nuk duhej të hanin mish të cilit nuk i ishte derdhur gjaku ose ushqimet e përziera me gjak. Vërtet që ky ishte kuptimi i parë i urdhrit që Perëndia i dha Noesë. Dhe dekreti që nxorën apostujt u thoshte të krishterëve që ‘të ruheshin nga gjërat e mbytura’, pra nga mishi me gjak. (Zanafilla 9:3, 4; Veprat 21:25) Megjithatë, të krishterët e hershëm e dinin se bëhej fjalë për diçka më tepër. Ndonjëherë gjaku hahej për arsye mjekësore. Tertuliani tha se disa paganë pinin gjak të freskët, që të kuronin epilepsinë. Gjaku mund të jetë përdorur edhe në mënyra të tjera për të kuruar sëmundje ose gjoja për të përmirësuar shëndetin. Prandaj, për të krishterët të shmangeshin nga gjaku përfshinte edhe që të mos e merrnin atë për arsye të ashtuquajtura ‘mjekësore’. Ata e mbajtën këtë qëndrim, pavarësisht nëse rrezikonin jetën.

Gjaku si një mjekim

10. Cilat janë disa mënyra të përdorimit të gjakut për qëllime mjekësore? Çfarë pyetjesh ngrenë ato?

10 Tani është e zakonshme që gjaku të përdoret për qëllime mjekësore. Në fillim transfuzionet bëheshin me gjak komplet. Ai i merrej një dhuruesi, ruhej dhe më pas i jepej një pacienti, ndoshta një të plagosuri në betejë. Me kalimin e kohës studiuesit mësuan ta ndajnë gjakun në përbërësit e tij kryesorë. Duke bërë transfuzione të përbërësve të gjakut mjekët mund t’ua shpërndanin gjakun e dhuruar më shumë pacientëve. Ndoshta një individi të plagosur i jepnin plazmë, kurse një tjetri rruaza të kuqe. Nga kërkimet e mëtejshme u zbulua se një përbërës, siç është plazma, mund të përpunohej dhe nga ajo të nxirreshin shumë fraksione. Këto mund t’u jepeshin edhe më shumë pacientëve. Vazhdojnë të bëhen hapa të tjera në këtë drejtim dhe raportohen mënyra të reja të përdorimit të fraksioneve. Si duhet të reagojë një i krishterë? Ai është plotësisht i vendosur që të mos pranojë kurrë një transfuzion gjaku, por mjeku e nxit të pranojë një përbërës kryesor të gjakut, ndoshta rruaza të kuqe të përqendruara. Ose ndoshta kura ka të bëjë me përdorimin e një fraksioni të vogël që është nxjerrë nga një përbërës. Si mund të vendosë një shërbëtor i Perëndisë në këto raste, duke pasur parasysh se gjaku është i shenjtë dhe se gjaku i Krishtit është jetëshpëtues në kuptimin e plotë të fjalës?

11. Ç’qëndrim të saktë nga ana mjekësore kanë mbajtur prej kohësh Dëshmitarët në lidhje me gjakun?

11 Dhjetëvjeçarë më parë Dëshmitarët e Jehovait e bënë të qartë qëndrimin e tyre. Për shembull, ata shkruan një artikull që u botua në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekëve (anglisht, 27 nëntor 1981; rishtypur në broshurën Si mund t’jua shpëtojë gjaku jetën? faqet 27-29). * Artikulli citonte shkrime nga Zanafilla, Levitiku dhe Veprat. Në të thuhej: «Edhe pse këto vargje nuk janë formuluar në terma mjekësorë, për Dëshmitarët ato përjashtojnë transfuzionin e gjakut komplet, të rruazave të kuqe të përqendruara dhe të plazmës, si edhe përdorimin e rruazave të bardha dhe të pllakëzave.» Në një tekst mësimor të vitit 2001 (Emergency Care), në pjesën me titull «Përbërja e gjakut» thuhej: «Gjaku përbëhet nga disa përbërës: plazma, rruazat e kuqe e të bardha dhe pllakëzat.» Prandaj, në përputhje edhe me faktet mjekësore, Dëshmitarët nuk pranojnë transfuzionet e gjakut komplet ose të ndonjë prej katër përbërësve të tij kryesorë.

12. (a) Cili qëndrim është paraqitur në lidhje me fraksionet e nxjerra nga përbërësit kryesorë të gjakut? (b) Ku mund të gjenden informacione shtesë për këtë temë?

12 Në artikullin mjekësor thuhej më tej: «Kuptueshmëria fetare që kanë Dëshmitarët nuk e ndalon kategorikisht përdorimin e [fraksioneve] të tillë, si: albumina, imunoglobulinat dhe preparatet për hemofilinë; çdo Dëshmitar duhet të vendosë personalisht nëse mund t’i pranojë ose jo këta përbërës.» Që prej vitit 1981 është arritur të veçohen për përdorime mjekësore shumë fraksione (pjesë të vogla të ndara që rrjedhin nga një prej përbërësve kryesorë). Për këtë arsye në Kullën e Rojës të 15 qershorit 2000 jepeshin informacione të dobishme për këtë temë në artikullin «Pyetje nga lexuesit». Për dobinë e miliona lexuesve sot, përgjigjja është rishtypur në faqet 29-31 të kësaj reviste. Në të jepen hollësi dhe arsyetime, megjithatë, do të shihni se ajo që thuhet aty përputhet me idetë kryesore të paraqitura në vitin 1981.

Roli i ndërgjegjes suaj

13, 14. (a) Çfarë është ndërgjegjja? Si mund të përfshihet ajo në çështjet që kanë të bëjnë me gjakun? (b) Çfarë drejtimi për ngrënien e mishit i dha Perëndia Izraelit? Çfarë pyetjesh mund të ketë ngritur kjo?

13 Këto informacione nxjerrin në pah rolin e ndërgjegjes. Përse? Të krishterët e pranojnë se duhet të ndjekin drejtimin e Perëndisë, por në disa rrethana duhet të marrin vendime personale. Gjithashtu në këto rrethana përfshihet edhe ndërgjegjja. Ndërgjegjja është aftësia e lindur që kemi për t’i peshuar gjërat dhe për të marrë vendime rreth tyre. Shpesh këto janë gjëra që lidhen me çështjet morale. (Romakëve 2:14, 15) Megjithatë, ju e dini se ndërgjegjja te çdo njeri është e ndryshme. * Bibla thotë se disa kanë ‘një ndërgjegje të dobët’ dhe kështu lë të kuptojë se ndërgjegjja e disa të tjerëve është e fortë. (1 Korintasve 8:12) Të krishterët ndryshojnë nga njëri-tjetri për sa i përket përparimit që kanë bërë në lidhje me gjërat që kanë mësuar për vullnetin e Perëndisë. Ky përparim përfshin edhe faktin se sa të vetëdijshëm janë për mënyrën e tij të të menduarit dhe sa veprojnë në përputhje me këtë mënyrë të të menduari kur marrin vendime. Mund ta ilustrojmë këtë me anë të shembullit të judenjve dhe të çështjes së ngrënies së mishit.

14 Bibla thotë qartë se çdokush që i bindet Perëndisë nuk do të hajë kurrë mish të cilit nuk i është hequr gjaku. Ky urdhër ishte kaq i rëndësishëm, saqë edhe në një rast urgjent kur ushtarët izraelitë hëngrën mish të cilit nuk i ishte hequr gjaku, ata u bënë fajtorë për kryerjen e një mëkati të rëndë. (Ligji i përtërirë 12:15, 16; 1 Samuelit 14:31-35) Gjithsesi mund të jenë ngritur disa pyetje. Kur një izraelit vriste një dele për ta ngrënë, sa shpejt duhej t’ia hiqte gjakun? A duhej t’i priste fytin kafshës që të derdhej gjaku? A duhej ta varte delen nga këmbët e pasme? Për sa kohë duhej ta linte varur? Si duhej të vepronte me një lopë? Madje edhe pasi lihet të derdhet gjaku, në mish mund të mbetet paksa gjak. A mund ta hante ai një mish të tillë? Kush do të vendoste?

15. Si reagonin disa judenj ndaj ngrënies së mishit, por çfarë udhëzimesh dha Perëndia?

15 Ta zëmë se një jude i zellshëm kishte këto pyetje. Ai mund të ketë menduar se mënyra më e sigurt ishte që të mos hante mishin që shitej në treg, pikërisht ashtu si një jude tjetër nuk do të hante mish nëse ekzistonte mundësia që ai mish t’i ishte ofruar më parë një idhulli. Judenj të tjerë mund të kenë ngrënë mish vetëm pasi të kenë kryer ritualet për derdhjen e gjakut. * (Mateu 23:23, 24) Çfarë mendoni për këto reagime të ndryshme? Për më tepër, meqë Perëndia nuk i kërkonte gjërat e mësipërme, a do të kishte qenë më mirë për judenjtë që t’i dërgonin shumë pyetje një këshilli rabinësh që të nxirrte një rregull për çdo pyetje? Një zakon i tillë u zhvillua në judaizëm, por jemi të lumtur që Jehovai nuk i urdhëroi adhuruesit e vërtetë që të merrnin vendime për gjakun në këtë mënyrë. Perëndia dha udhëzime bazë për therjen e kafshëve të pastra dhe për derdhjen e gjakut të tyre, por nuk dha hollësi të tjera.​—Gjoni 8:32.

16. Pse të krishterët mund të kenë pikëpamje të ndryshme në lidhje me pranimin e injeksionit të një fraksioni të vogël të një përbërësi të gjakut?

16 Siç u përmend në paragrafin e 11-të dhe të 12-të, Dëshmitarët e Jehovait nuk pranojnë transfuzionet e gjakut komplet ose të katër përbërësve të tij kryesorë: të plazmës, të rruazave të kuqe, të rruazave të bardha dhe të pllakëzave. Por, ç’të themi për fraksionet e vogla që janë nxjerrë nga një përbërës kryesor, të tilla si serumet të cilat përmbajnë antitrupa që sulmojnë një sëmundje ose neutralizojnë helmin e gjarprit? (Shihni faqen 30, paragrafi 4.) Disa kanë arritur në përfundimin që këto fraksione shumë të vogla në të vërtetë nuk janë më gjak dhe prandaj nuk përfshihen në urdhrin ‘për t’u përmbajtur nga gjaku’. (Veprat 15:29; 21:25; faqja 31, paragrafi 1) Ata janë përgjegjës për vendimin e tyre. Të tjerë për shkak të ndërgjegjes së tyre nuk pranojnë asgjë që është nxjerrë nga gjaku (i njerëzve ose i kafshëve), madje as edhe një fraksion shumë të vogël të një prej përbërësve kryesorë. * Po ashtu të tjerë mund të pranojnë injeksione me proteina plazmatike për të luftuar një sëmundje ose për të neutralizuar helmin e gjarprit, por mund të mos pranojnë fraksione të tjera të vogla. Për më tepër, disa produkte që rrjedhin nga një prej katër përbërësve kryesorë mund të kenë një funksion kaq të ngjashëm me funksionin e krejt përbërësit dhe mund të kenë një rol kaq të rëndësishëm në trupin e njeriut, saqë shumica e të krishterëve nuk do t’i pranonin.

17. (a) Si mund të na vijë në ndihmë ndërgjegjja kur duhet të vendosim për çështjet që lidhen me fraksionet e gjakut? (b) Pse është kaq serioze marrja e vendimeve të tilla?

17 Kur marrim vendime të tilla mund të na vijë në ndihmë të dimë se çfarë thotë Bibla për ndërgjegjen. Hapi i parë është që të mësoni se çfarë thotë Fjala e Perëndisë dhe të përpiqeni ta modeloni ndërgjegjen sipas saj. Kjo do t’ju pajisë në mënyrë që të vendosni në përputhje me drejtimin e Perëndisë, në vend që t’i kërkoni dikujt tjetër që të vendosë për ju. (Psalmi 25:4, 5) Në lidhje me çështjen nëse duhet të pranojnë apo jo fraksione të gjakut, disa kanë menduar: ‘Kjo është një çështje ndërgjegjeje, prandaj nuk ka rëndësi.’ Por ky arsyetim është i gabuar. Fakti që një gjë është çështje ndërgjegjeje nuk do të thotë se është e parëndësishme. Përkundrazi, mund të jetë shumë serioze. Një arsye është se ajo mund të ndikojë tek individët, ndërgjegjja e të cilëve është e ndryshme nga e jona. E kuptojmë këtë nga këshilla që dha Pavli për mishin që mund t’i ishte paraqitur një idhulli dhe më pas ishte shitur në treg. Një i krishterë duhet të shqetësohet se mos ‘plagos ndërgjegjen e dobët’ të disave. Në rast se ai i bën të pengohen të tjerët, ‘mund të shkatërrojë vëllanë e tij për hir të të cilit Krishti vdiq’ dhe mund të jetë duke mëkatuar kundër Krishtit. Prandaj, edhe pse për çështjet që kanë të bëjnë me fraksionet shumë të vogla të gjakut duhet marrë një vendim personal, këto vendime duhen marrë shumë seriozisht.​—1 Korintasve 8:8, 11-13; 10:25-31.

18. Si mund të shmangë një i krishterë që ndërgjegjja e tij të mos bëhet e pandjeshme kur duhet të marrë vendime që lidhen me gjakun?

18 Një aspekt tjetër thekson seriozitetin e vendimeve që lidhen me gjakun. Ky aspekt është ndikimi që mund të kenë këto vendime te ju personalisht. Në qoftë se do të merrnit një fraksion të vogël të gjakut dhe për këtë gjë do t’ju trazohej ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës, ju nuk duhet ta shpërfillni atë. Po ashtu nuk duhet të shpërfillni atë që ju thotë ndërgjegjja vetëm sepse dikush ju thotë: «Nuk është e gabuar ta marrësh këtë fraksion të gjakut, shumë veta e kanë marrë.» Kujtoni që miliona njerëz sot e shpërfillin ndërgjegjen dhe ajo bëhet e pandjeshme. Si pasojë ata gënjejnë ose bëjnë gjëra të tjera të gabuara pa i brejtur ndërgjegjja. Të krishterët duan ta shmangin plotësisht një qëndrim të tillë.​—2 Samuelit 24:10; 1 Timoteut 4:1, 2.

19. Çfarë duhet të mbajmë në mendje në radhë të parë, kur duhet të vendosim për çështje mjekësore që lidhen me gjakun?

19 Nga fundi i saj, në përgjigjen e rishtypur në faqet 29-31 thuhet: «Fakti që opinionet dhe vendimet e ndërgjegjshme mund të ndryshojnë, a do të thotë se çështja nuk është e rëndësishme? Jo. Është e rëndësishme.» Është kështu sepse përfshihet marrëdhënia juaj me ‘Perëndinë e gjallë’. Kjo është e vetmja marrëdhënie që mund t’ju çojë në jetën e përhershme. Ajo bazohet në fuqinë që ka gjaku i derdhur i Jezuit për t’ju shpëtuar. Kultivoni një respekt të thellë për gjakun, për shkak të asaj që po bën Perëndia nëpërmjet tij, pra shpëtimin e jetëve. Pavli me të drejtë shkroi: «Nuk kishit asnjë shpresë dhe ishit pa Perëndi në botë. Por tani, në unitet me Krishtin Jezu, ju që dikur ishit larg, jeni afruar me anë të gjakut të Krishtit.»​Efesianëve 2:12, 13.

[Shënimet]

^ par. 11 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 13 Njëherë Pavli dhe katër të krishterë shkuan në tempull që të pastroheshin ceremonialisht. Ligji i Moisiut nuk ishte më në fuqi, megjithatë Pavli veproi sipas këshillës së pleqve në Jerusalem. (Veprat 21:23-25) Por disa të krishterë mund të kenë menduar se ata nuk do të shkonin kurrë në tempull ose nuk do të kryenin kurrë një veprim si ai që bëri Pavli. Ndërgjegjja e çdo individi në atë kohë ishte e ndryshme dhe po kështu është edhe sot.

^ par. 15 Në një enciklopedi (Encyclopaedia Judaica) tregohen disa rregulla «të ndërlikuara dhe të hollësishme» që duhen ndjekur për ta konsideruar mishin «të therur sipas riteve judaike». Aty përmendet se sa minuta duhet futur në ujë mishi, si t’i kullojë gjaku duke e lënë mishin mbi një dërrasë, çfarë cilësie duhej të ketë kripa që do të përdoret për të fërkuar mishin dhe pastaj sa herë duhet të lahet me ujë të ftohtë.

^ par. 16 Gjithnjë e më shumë sot, elementi kryesor ose aktiv në disa injeksione është një produkt sintetik që nuk është nxjerrë nga gjaku. Por në disa raste mund të përfshihet një sasi e vogël e një fraksioni të gjakut, siç është albumina.​—Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 1 shkurtit 1995.

A mund të kujtoni?

• Çfarë drejtimi për gjakun u siguroi Perëndia Noesë, izraelitëve dhe të krishterëve?

• Çfarë nuk pranojnë kategorikisht Dëshmitarët e Jehovait në lidhje me gjakun?

• Në cilin kuptim marrja e fraksioneve të vogla të një përbërësi kryesor të gjakut është një çështje ndërgjegjeje? Por çfarë nuk do të thotë kjo?

• Pse duhet të mbajmë në mendje në radhë të parë marrëdhënien tonë me Perëndinë kur duhet të marrim vendime?

[Pyetjet]

[Tabela në faqen 22]

(Për tekstin e formatuar, shih botimin)

QËNDRIMI BAZË PËR GJAKUN

GJAKU KOMPLET

TË PAPRANUESHME

Rruazat e kuqe

Rruazat e bardha

Pllakëzat

Plazma

I KRISHTERI DUHET TË VENDOSË

Fraksionet e rruazave të kuqe

Fraksionet e rruazave të bardha

Fraksionet e pllakëzave

Fraksionet e plazmës

[Figura në faqen 20]

Trupi udhëheqës nxori përfundimin se të krishterët duhej ‘të përmbaheshin nga gjaku’

[Figura në faqen 23]

Mos e shpërfillni ndërgjegjen kur duhet të merrni një vendim në lidhje me një fraksion të gjakut