Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Lundruan për në Qipro»

«Lundruan për në Qipro»

«Lundruan për në Qipro»

KËSHTU e fillon libri i Veprave tregimin e përvojave që kaluan misionarët e krishterë Pavli, Barnaba dhe Gjon Marku kur vizituan Qipron në vitin 47 të e.s. (Veprat 13:4) Në ato kohë, ashtu si edhe sot, Qiproja gjendej në një pozicion strategjik në pjesën lindore të Mesdheut.

Romakët e lakmonin këtë ishull dhe e pushtuan në vitin 58 p.e.s. Para se të pushtohej, Qiproja kishte një histori plot ngjarje interesante. Ishte pushtuar nga fenikasit, grekët, asirianët, persët dhe egjiptianët. Në periudhën e mesjetës u pushtuan nga kryqëzatësit, frankët dhe venedikasit e më pas nga osmanët. Në vitin 1914 ishulli u aneksua nga Britania. Më vonë në vitin 1960 fitoi pavarësinë prej saj.

Në kohën tonë burimi kryesor i të ardhurave është turizmi, por, në ditët e Pavlit, Qiproja ishte e pasur me burime natyrore që u shfrytëzuan nga romakët për të mbushur thesarin e Romës. Bakri u zbulua në fillimet e historisë së ishullit dhe është llogaritur që në përfundim të epokës romake ishin nxjerrë gjithsej 250.000 tonë bakër. Vetëm se për përpunimin e bakrit u pre një pjesë e mirë e pyjeve të dendura. Në kohën kur shkoi Pavli, shumë nga pyjet e ishullit ishin zhdukur.

Qiproja nën pushtimin romak

Sipas Encyclopædia Britannica, ishte Jul Cezari, e më pas Mark Antoni, ata që ia dhanë Qipron Egjiptit. Por kur ishte Augusti perandor, Qipro iu kthye Romës dhe, siç dokumenton saktë edhe shkruesi i Veprave, Luka, qeverisej nga një prokonsull që ishte i lidhur direkt me Romën. Kur Pavli predikoi atje, prokonsull ishte Sergj Pali.​—Veprat 13:7.

Pax Romana, paqja ndërkombëtare e vendosur nga Roma, bëri të mundur përhapjen e minierave dhe të industrisë së Qipros, duke sjellë një lulëzim të menjëhershëm të tregtisë. Të ardhura të tjera vinin edhe nga qëndrimi i legjioneve romake dhe nga pelegrinët në grupe të mëdha të cilët shkonin për të nderuar Afërditën, perëndeshën mbrojtëse të ishullit. Si rrjedhojë u ndërtuan rrugë të reja, limane dhe ndërtesa luksoze publike. Gjuha zyrtare mbeti greqishtja dhe, përveç perandorit romak, adhurohej gjerësisht edhe Afërdita, Apoloni e Zeusi. Njerëzit gëzonin mirëqenie dhe një jetë të pasur me aktivitete sociale e kulturore.

Këto ishin rrethanat kur Pavli kaloi në Qipro dhe kur u mësoi njerëzve atje për Krishtin. Por, nuk ishte Pavli që foli për herë të parë në Qipro për krishterimin. Tregimi i librit të Veprave na thotë se pas vdekjes së Stefanit, martirit të parë të krishterë, disa nga të krishterët e hershëm u strehuan në Qipro. (Veprat 11:19) Barnaba, shoku i Pavlit, ishte nga Qiproja dhe, meqë e njihte mirë ishullin, nuk ka dyshim që ishte një shoqërues i mirë për Pavlin gjatë veprës së predikimit që kreu atje.​—Veprat 4:36; 13:2.

Duke ndjekur gjurmët e Pavlit

Nuk është e lehtë t’i bësh një përshkrim të hollësishëm udhëtimit të Pavlit në Qipro. Megjithatë arkeologët kanë një ide mjaft të qartë për sa i përket sistemit të shkëlqyer të rrugëve gjatë periudhës romake. Për shkak të gjeografisë së ishullit, edhe rrugët e sotme moderne, në përgjithësi, ndjekin të njëjtin drejtim me rrugët që ka shumë të ngjarë t’i kenë përshkuar edhe këta misionarë të hershëm.

Pavli, Barnaba dhe Gjon Marku lundruan nga Seleukia për në portin e Salaminës. Po pse për në Salaminë e jo në Pafo që ishte kryeqyteti dhe porti kryesor i ishullit? Një arsye ishte që Salamina gjendej në bregun lindor, vetëm 200 kilometra nga Seleukia që ndodhej në kontinent. Edhe pse gjatë pushtimit romak, në vend të Salaminës kryeqytet u bë Pafoja, prapëseprapë ajo mbeti qendra kulturore, arsimore dhe tregtare e ishullit. Një pjesë e madhe e popullsisë së Salaminës ishin judenj kështu që misionarët nisën «të shpallnin fjalën e Perëndisë në sinagogat e judenjve».​—Veprat 13:5.

Sot, në Salaminë kanë mbetur vetëm rrënojat. Por zbulimet arkeologjike dëshmojnë për lavdinë dhe pasurinë e mëparshme të qytetit. Sheshi i pazarit, qendra e aktiviteteve politike dhe fetare, ka bërë emër si sheshi ndoshta më i madh romak që është zbuluar në zonën e Mesdheut. Nën rrënojat e tij, që datojnë që nga koha e Cezar Augustit, janë zbuluar dysheme me mozaikë të ndërlikuar, palestra, një sistem banjash që të habit, një stadium dhe një amfiteatër, varre shumë të bukura dhe një teatër të madh me 15.000 vende. Aty pranë gjenden edhe rrënojat e një tempulli madhështor kushtuar Zeusit.

Por, Zeusi nuk mundi ta mbronte ishullin nga shkatërrimi i tërmeteve. Një tërmet i madh që ra në vitin 15 p.e.s. rrafshoi pjesën më të madhe të Salaminës. Më vonë u rindërtua nga Augusti. Pas një tërmeti tjetër në vitin 77 të e.s., u rindërtua edhe njëherë. Në shekullin e katërt, Salamina u shkatërrua fare nga një sërë tërmetesh dhe lavdia e mëparshme nuk iu kthye më kurrë. Gjatë mesjetës, porti i tij u mbush me llum dhe u braktis.

Se si reaguan banorët e Salaminës ndaj predikimit të Pavlit, nuk na thuhet. Por Pavli duhej të predikonte edhe në vende të tjera. Duke u nisur nga Salamina, misionarët duhej të zgjidhnin një nga tri rrugët: atë që kalonte nga vargmali i Kirenesë dhe të çonte në bregun verior, atë nga perëndimi që kalonte përmes rrafshnaltës së Mesaorjës, pjesës kryesore të ishullit, ose atë që kalonte përgjatë bregut jugor.

Sipas të dhënave, Pavli zgjodhi të tretën. Kjo rrugë kalon përmes disa vendeve pjellore që shquheshin për tokën e kuqe. Rreth 50 kilometra në jugperëndim, rruga kalon afër qytetit të Larnakës, pastaj shkon drejt veriut për në brendësi të vendit.

«Nëpër gjithë ishullin»

Kjo rrugë të çonte shpejt në qytetin e lashtë të Ledrës. Në këtë vend tani është ndërtuar Nikozia, kryeqyteti i ditëve të sotme. Çdo gjurmë e qytetit të lashtë është zhdukur. Por, brenda mureve veneciane të shekullit të 16-të që rrethojnë zemrën e Nikozisë, gjendet një rrugë e ngushtë dhe e zhurmshme që mban emrin Rruga e Ledrës. Nuk dihet nëse Pavli udhëtoi për në Ledra apo jo. Bibla thjesht na thotë që ata shkuan «nëpër gjithë ishullin». (Veprat 13:6) Libri Gjeografia historike e vendeve biblike i Uajklifit thotë se «ndoshta ky togfjalësh nënkupton një udhëtim pothuajse të plotë nëpër bashkësitë judaike në Qipro».

Patjetër që Pavlit i interesonte që të fliste me sa më shumë njerëz në Qipro. Kështu që mund të ketë marrë rrugën për në jug, nga Ledra për në Amat dhe Kurion, dy qytete kozmopolitane të begata.

Kurioni gjendej mbi nivelin e detit, mbi shkëmbinj që bien pothuajse pingul në plazhe. Ky qytet greko-romak i mrekullueshëm u godit nga i njëjti tërmet që shkatërroi edhe Salaminën në vitin 77 të e.s. Aty gjenden rrënojat e një tempulli kushtuar Apolonit që daton që nga viti 100 i e.s. Stadiumi mund të mbante 6.000 spektatorë. Jetesa luksoze e shumë njerëzve në Kurion mund të shihet në mozaikët e bukur që zbukurojnë madje edhe dyshemetë e vilave private.

Rruga për në Pafo

Nga Kurioni rruga piktoreske vazhdon drejt perëndimit, për në rajonin ku prodhohet verë. Kjo rrugë gradualisht fiton lartësi derisa krejt papritur zbret një të tatëpjetë gjarpërore përmes shkëmbinjve që të çon drejt e në plazhet zallore. Sipas mitologjisë greke, ky është pikërisht vendi ku perëndesha Afërdita lindi nga deti.

Afërdita ishte perëndesha më e famshme ndër perënditë greke në Qipro dhe adhurohej me zjarr deri në shekullin e dytë të erës sonë. Qendra e adhurimit të Afërditës ishte në Pafo. Çdo pranverë mbahej një festë e madhe për nder të saj. Pelegrinë nga Azia e Vogël, Egjipti, Greqia dhe madje nga Persia e largët vinin në Pafo për këto festime. Kur Qiproja qeverisej nga Ptolemejtë, sundimtarët egjiptianë, qipriotët filluan të adhuronin faraonët.

Pafoja ishte kryeqyteti romak në Qipro dhe froni i prokonsullit. Ky qytet gëzonte privilegjin për të prodhuar monedha bakri. Edhe ai u rrafshua nga tërmeti që ra në vitin 15 të e.s dhe, ashtu si në rastin e Salaminës, Augusti financoi për rindërtimin e qytetit. Gërmimet kanë zbuluar jetën luksoze që bënin të pasurit në Pafo gjatë shekullit të parë: rrugët e gjera të qytetit, vilat private me zbukurime të kushtueshme, shkollat e muzikës, palestrat dhe një amfiteatër.

Kjo ishte Pafoja që vizituan Pavli, Barnaba dhe Gjon Marku dhe ishte këtu që prokonsulli Sergj Pali, «një burrë i zgjuar», pavarësisht nga kundërshtimi i fortë që i bëri magjistari Elim, «kërkoi me ngulm të dëgjonte fjalën e Perëndisë». Prokonsulli «u mahnit nga mësimi i Jehovait».​—Veprat 13:6-12

Pasi e përmbushën me sukses veprën e tyre të predikimit në Qipro, misionarët e vazhduan këtë vepër në Azinë e Vogël. Ky udhëtim i parë misionar që bëri Pavli hodhi themelin e përhapjes së krishterimit të vërtetë. Libri Udhëtimet e Shën Pavlit në Orientin Grek e quan këtë udhëtim «fillimin e vërtetë të misionit të krishterë dhe të . . . karrierës misionare të Pavlit». Ai shton: «Meqenëse ndodhej në pikëtakimin e rrugëve detare që të çonin në Siri, në Azinë e Vogël dhe në Greqi, Qiproja dukej se ishte në mënyrë të pashmangshme etapa e parë e udhëtimeve misionare.» Por, kjo ishte vetëm etapa e parë. Pas njëzet shekujsh, vepra e krishterë e predikimit vazhdon dhe mund të themi me plot gojën që lajmi i mirë i Mbretërisë së Jehovait ka arritur vërtet «skajin më të largët të tokës».​—Veprat 1:8.

[Hartat në faqen 20]

(Për tekstin e formatuar, shih botimin)

QIPRO

NIKOZI (Ledra)

Salaminë

Pafo

Kurion

Amat

Larnakë

VARGMALI I KIRENES

RRAFSHINA E MESAORJËS

M. OLIMP

[Figura në faqen 21]

Kur ishte në Pafo, Pavli, i mbushur me frymën e shenjtë verboi magjistarin Elim