Një letër drejtuar Noesë
Një letër drejtuar Noesë
«I DASHUR Noe, në Bibël kam lexuar disa herë për ty dhe si ndërtove një arkë me anë të së cilës ti dhe familja jote shpëtuat nga Përmbytja.»
Kështu fillonte letra e një 15-vjeçareje me emrin Minamaria kur mori pjesë në një konkurs me shkrim për nxënës të moshave 14 deri 21 vjeç. Konkursi u organizua nga Shërbimi Postar Finlandez, Federata e Mësuesve të Gjuhës Amëtare Finlandeze dhe nga Shoqëria e Letërsisë Finlandeze. Konkurruesit duhej të shkruanin një letër duke u bazuar në një libër. Letra mund t’i drejtohej autorit të librit ose një personazhi. Mësuesit zgjodhën më shumë se 1.400 nga letrat e nxënësve të tyre dhe ia dërguan komisionit të konkursit. Komisioni vlerësoi një ese me çmimin e parë, dhjetë me çmimin e dytë dhe dhjetë të tjera me çmimin e tretë. Minamaria u gëzua pasi letra e saj mori çmimin e tretë.
Pse Minamaria, një adoleshente, ia shkroi letrën e saj Noesë, një njeriu që jetoi rreth 5.000 vjet më parë? Ajo thotë: «Që në fillim më shkoi mendja te Bibla. I njoh mirë personazhet e Biblës. Kam lexuar aq shumë për ta, saqë më duken sikur janë gjallë. Zgjodha Noenë sepse bëri një jetë shumë interesante dhe të ndryshme nga e imja.»
Letra e saj drejtuar Noesë përfundon me fjalët: «Ti je akoma një shembull besimi dhe bindjeje. Jeta jote u jep zemër të gjithë atyre që lexojnë Biblën që të veprojnë sipas besimit të tyre.»
Kjo letër e shkruar nga një lexuese e Biblës me moshë të re tregon shumë qartë se Bibla vërtet «është e gjallë dhe ushtron fuqi» mbi të gjithë njerëzit, të rinj a të moshuar qofshin.—Hebrenjtë 4:12.