Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Perëndia interesohet vërtet për ty

Perëndia interesohet vërtet për ty

Perëndia interesohet vërtet për ty

ËSHTË më se e natyrshme t’i kërkojmë ndihmë Perëndisë kur jemi në vështirësi. Në fund të fundit, ai ‘është i madh, fuqia e tij është e pamasë dhe zgjuarsia e tij e pafund’. (Psalmi 147:5) Ka aftësi më shumë se çdokush tjetër që të na ndihmojë për problemet tona. Veç kësaj, Bibla na fton ‘t’ia hapim zemrën’ atij. (Psalmi 62:8) Po atëherë, pse kaq shumë njerëz kanë përshtypjen se Perëndia nuk u përgjigjet lutjeve të tyre? A do të thotë kjo se ai nuk interesohet për ta?

Para se të fajësosh menjëherë Perëndinë, sepse të duket sikur s’bën gjë për të të ndihmuar, sill ndër mend kohën kur ishe fëmijë. A i ke akuzuar ndonjëherë prindërit se nuk të donin, kur nuk t’i plotësonin të gjitha dëshirat? Shumë fëmijë e bëjnë këtë. Por pastaj, kur u rrite, e kuptove se dashuria shprehet në shumë mënyra dhe se t’u plotësosh çdo tekë fëmijëve nuk tregon vërtet dashuri.

Po kështu, në qoftë se Jehovai nuk u përgjigjet gjithnjë lutjeve tona siç do të donim, kjo s’do të thotë se nuk do t’ia dijë për ne. E vërteta është se Perëndia e tregon në shumë mënyra interesimin e tij për të gjithë ne.

«Prej tij ne kemi jetë»

Pikësëpari, «ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë» vetëm falë Perëndisë. (Veprat 17:28) Na ka dhënë jetën dhe kjo patjetër tregon se interesohet për ne dhe se na do.

Për më tepër, Jehovai na siguron gjërat që na nevojiten për të jetuar. Lexojmë se «ai bën të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij». (Psalmi 104:14) Madje Krijuesi ynë nuk mjaftohet vetëm duke na siguruar gjërat më elementare të jetës, por me bujari jep «shira nga qielli dhe stinë të frytshme, duke i mbushur zemrat [tona] plot e përplot me ushqim dhe hare».​—Veprat 14:17.

Pavarësisht nga kjo, disa njerëz pyesin: ‘Në qoftë se Perëndia na do kaq shumë, pse na lë të vuajmë?’ A e di përgjigjen e kësaj pyetjeje?

A duhet fajësuar Perëndia?

Shumë nga vuajtjet i shkaktojnë vetë njerëzit. Për shembull, disa gjërave të dëmshme ne ua dimë mirë rreziqet. Prapëseprapë, njerëzit vazhdojnë të kryejnë imoralitet seksual, të abuzojnë me alkoolin e me drogën, të pinë duhan, të merren me sporte të rrezikshme, t’i japin makinës me shpejtësi shumë të madhe, e kështu me radhë. Kush e ka fajin, në qoftë se kjo sjellje e rrezikshme sjell si pasojë vuajtje? Perëndia apo ai njeri që ka vepruar pa mençuri? Në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë thuhet: «Mos u mashtroni: Perëndia nuk vihet në lojë. Sepse çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»​—Galatasve 6:7.

Po ashtu, shpesh njerëzit dëmtojnë njëri-tjetrin. Kur një komb i shpall luftë një tjetri, patjetër që s’e ka fajin Perëndia për vuajtjet që vijnë si pasojë. Kur një kriminel sulmon dikë, a duhet fajësuar Perëndia në qoftë se ky njeri plagoset ose edhe vdes? Sigurisht që jo! Kur një diktator shtyp, torturon e vret ata që ka nën pushtet, a duhet t’ia hedhim fajin Perëndisë? Do të ishte e paarsyeshme.​—Predikuesi 8:9.

Por, ç’të themi për ata miliona njerëz që jetojnë në varfëri të plotë ose që po vdesin urie? A duhet fajësuar Perëndia? Jo. Toka prodhon ushqim me bollëk për të gjithë. (Psalmi 10:2, 3; 145:16) Uria dhe varfëria e madhe shkaktohet ngaqë nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë ky bollëk që ka dhënë Perëndia. Është egoizmi i njerëzve që e pengon zgjidhjen e këtij problemi.

Shkaku kryesor

Por, atëherë, kujt i duhet vënë faji kur një njeri sëmuret ose vdes nga pleqëria? A do të habiteshe po të merrje vesh se as për këtë nuk e ka fajin Perëndia? Po, sepse Perëndia nuk e krijoi njeriun që të plakej e të vdiste.

Kur e vuri Adamin dhe Evën, çiftin e parë njerëzor, në kopshtin e Edenit Jehovai u dha mundësinë të jetonin përgjithmonë në një parajsë tokësore. Por qartë, ai donte që toka të mbushej me njerëz që do ta vlerësonin këtë trashëgimi që po merrnin. Prandaj vuri një kusht për të ardhmen e tyre. Adami dhe Eva do të jetonin në parajsë për aq kohë sa të mbeteshin të nënshtruar ndaj Krijuesit të tyre të dashur.​—Zanafilla 2:17; 3:2, 3, 17-23.

Mjerisht Adami dhe Eva u rebeluan. Eva vendosi të dëgjonte Satana Djallin, që e gënjeu dhe me pak fjalë i tha se Perëndia po i mbante diçka të mirë. Atëherë ajo zgjodhi një rrugë të pavarur dhe u përpoq ‘të ishte si Perëndia, të njihte të mirën dhe të keqen’. Edhe Adami e ndoqi në këtë rrugë rebele.​—Zanafilla 3:5, 6.

Kur mëkatuan në këtë mënyrë, Adami dhe Eva treguan se nuk ishin të denjë të jetonin përgjithmonë. Morën pasojat shkatërrimtare të mëkatit të tyre. Forca dhe gjallëria iu venit dhe së fundi vdiqën. (Zanafilla 5:5) Megjithatë, ky rebelim i tyre kishte pasoja shumë më të rënda se kaq. Ne sot vuajmë ende pasojat e mëkatit të Adamit dhe të Evës. Apostulli Pavël shkroi: «Nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit] mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Po, për faj të rebelimit të Adamit dhe të Evës, mëkati dhe vdekja u përhapën si një sëmundje e keqe tek e gjithë raca njerëzore.

Prova më e fortë se Perëndia interesohet për ne

A do të thotë kjo se njerëzit që Perëndia kishte krijuar ishin rrënuar përgjithnjë? Jo. Pikërisht këtu shohim provën më të fortë se Perëndia interesohet për ne. Edhe pse i kushtoi shumë, Perëndia siguroi mjetin për ta shpenguar njerëzimin nga mëkati e nga vdekja. Çmimi i shpengimit ishte jeta e përsosur e Jezuit, të cilën ai e dha vullnetarisht për ne. (Romakëve 3:24) Kështu, apostulli Gjon shkroi: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Falë këtij akti të jashtëzakonshëm dashurie, kemi përsëri shpresën për të jetuar përgjithmonë. Pavli u shkroi romakëve: «Nëpërmjet një akti të vetëm shfajësimi, rezultati për njerëzit e çdo lloji është shpallja e tyre të drejtë për jetën.»​—Romakëve 5:18.

Mund të jemi të sigurt se në kohën e duhur të Perëndisë, në planetin Tokë nuk do të ketë më vuajtje e vdekje. Në vend të tyre, do të mbizotërojnë kudo kushtet e parathëna në librin e Zbulesës: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzimin dhe ai do të banojë me ta, ndërsa ata do të jenë popujt e tij. Dhe vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.» (Zbulesa 21:3, 4) Ndoshta thua: ‘Kur të ndodhë kjo, unë s’do të jem gjallë. ‘ Por fakti është që edhe mund të jesh gjallë. Pastaj, edhe po të vdesim, Perëndia mund të na ringjallë. (Gjoni 5:28, 29) Ky është qëllimi i Perëndisë për ne dhe do të realizohet me siguri. S’është fare e vërtetë që Perëndia nuk interesohet për njerëzimin!

‘Afroju Perëndisë’

Ngushëllohemi kur mësojmë se Perëndia e ka filluar tashmë punën për të zgjidhur një herë e mirë dhe përgjithmonë problemin e vuajtjeve njerëzore. Po për tani, ç’mund të themi? Çfarë të bëjmë në qoftë se na vdes një njeri i afërt ose fëmija ynë sëmuret? Tani nuk është ende koha që Perëndia të heqë sëmundjet dhe vdekjen. Bibla tregon se duhet të presim edhe pak për këtë. Por Perëndia nuk na ka lënë pa ndihmë. Dishepulli Jakov tha: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» (Jakovi 4:8) Pikërisht, Krijuesi na fton të kemi një marrëdhënie të ngushtë personale me të. Ata që kanë këtë marrëdhënie të ngushtë do ta ndiejnë gjithnjë mbështetjen e tij, edhe në rrethanat më të vështira.

Si t’i afrohemi Perëndisë? Rreth tre mijë vjet më parë edhe mbreti David bëri një pyetje të ngjashme: «O Zot, . . . kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?» (Psalmi 15:1) Pastaj iu përgjigj kësaj pyetjeje me fjalët: «Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër, që nuk shan me gjuhën e tij, nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij.» (Psalmi 15:2, 3) Me fjalë të tjera, Jehovai pranon njerëzit të cilët ndjekin drejtimin që hodhën poshtë Adami dhe Eva. Perëndia u afrohet atyre që bëjnë vullnetin e tij.​—Ligji i përtërirë 6:24, 25; 1 Gjonit 5:3.

Si mund ta bëjmë vullnetin e Perëndisë? Së pari duhet të mësojmë çfarë është «e shkëlqyer dhe e pranueshme në sy të Shpëtimtarit tonë, Perëndisë», e pastaj të vendosim të veprojmë sipas asaj që mësojmë. (1 Timoteut 2:3) Kjo përfshin të marrim njohuri të saktë për Fjalën e Perëndisë, Biblën. (Gjoni 17:3; 2 Timoteut 3:16, 17) Nuk mjafton vetëm të lexojmë ndonjëherë Biblën në mënyrë sipërfaqësore. Duhet të imitojmë judenjtë e Beresë në shekullin e parë që dëgjuan predikimin e Pavlit. Për ta lexojmë: «E pranuan fjalën me etjen më të madhe të mendjes, duke i shqyrtuar me kujdes Shkrimet çdo ditë, për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu.»​—Veprat 17:11.

Edhe sot studimi i kujdesshëm i Biblës na e forcon besimin te Perëndia dhe na ndihmon të krijojmë një marrëdhënie të ngushtë me të. (Hebrenjve 11:6) Na ndihmon edhe të kuptojmë qartë se si vepron Jehovai me njerëzit, jo vetëm që të kenë dobi aty për aty, por sidomos për të mirën e përhershme të atyre që janë të prirur siç duhet.

Ja si shprehen disa të krishterë që kanë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. «E dua shumë Jehovain, më ka dhënë shumë gjëra për të cilat e falënderoj.​—thotë Daniela 16-vjeçare.​—Më ka dhënë prindër të dashur që e duan vërtet atë dhe që më kanë mësuar në përputhje me Fjalën e tij.» Një i krishterë në Uruguai shkruan: «E kam zemrën plot me mirënjohje dhe dua ta falënderoj Jehovain për dashamirësinë e pamerituar dhe për miqësinë e tij.» Perëndia pranon edhe ata që janë shumë të vegjël në moshë. Gabriela 7-vjeçare thotë: «E dua Perëndinë më shumë se çdo gjë në gjithë botën! Kam Biblën time dhe më pëlqen shumë të lexoj për Perëndinë dhe për Birin e tij.»

Sot ka miliona njerëz në mbarë botën që me gjithë zemër pranojnë fjalët e psalmistit: «Sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë.» (Psalmi 73:28) Ai i ka ndihmuar të përballojnë problemet që hasin tani, dhe kanë shpresën e sigurt të jetës së përhershme në parajsën në tokë. (1 Timoteut 4:8) Pse të mos vësh edhe ti si synim ‘t’i afrohesh Perëndisë’? Siguria që kemi është kjo: «Ai nuk është larg nga secili prej nesh.» (Veprat 17:27) Po, Perëndia interesohet vërtet për ty!

[Figurat në faqen 5]

Interesimi i Jehovait për ne duket qartë në shumë drejtime

[Figura në faqen 7]

Edhe fëmijët e vegjël mund t’i afrohen Perëndisë

[Figurat në faqen 7]

Sot Jehovai na ndihmon të qëndrojmë. Në kohën e duhur, do të zhdukë sëmundjet dhe vdekjen