Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kapadokia: Atje ku njerëzit jetonin në banesa të gdhendura nga era dhe uji

Kapadokia: Atje ku njerëzit jetonin në banesa të gdhendura nga era dhe uji

Kapadokia: Atje ku njerëzit jetonin në banesa të gdhendura nga era dhe uji

APOSTULLI Pjetër foli për Kapadokinë, duke ua drejtuar letrën e tij të parë të frymëzuar, mes të tjerëve edhe «banorëve të përkohshëm të shpërndarë nëpër . . . Kapadoki». (1 Pjetrit 1:1) Ç’vend ishte Kapadokia? Pse banorët e saj jetonin në banesa të gdhendura në shkëmb? Si ranë në kontakt me krishterimin?

«Papritur humbëm në një pyll me kone dhe shtylla shkëmbore»,​—tha eksploruesi britanik U. F. Ejnsuorth, i cili vizitoi Kapadokinë në vitet 40 të shekullit të 19-të. Peizazhi i pazakonshëm ende i befason vizitorët e sotëm në këtë rajon të Turqisë. Të grupuara si roja të heshtura midis luginave të Kapadokisë ndodhen «statujat» e çuditshme prej guri. Disa duken si oxhakë viganë që ngrihen 30 metra a më shumë drejt qiellit. Disa të tjera ngjajnë si kaushë viganë akulloresh, si obeliskë ose si kërpudha.

Sa bukur i ngjyros me ngjyra të ndryshme dielli këto statuja gjatë ditës! Në agim ato janë ngjyrë rozë të zbehtë. Në mesditë marrin një ngjyrë të fildishtë të zbardhur dhe në perëndim dielli i bën të marrin një ngjyrë kafe në të verdhë. Si u formua ky «pyll me kone dhe shtylla shkëmbore»? Pse njerëzit e këtij rajoni i bënë shtëpitë në to?

Të gdhendura nga era dhe uji

Kapadokia ndodhet në zemër të gadishullit të Azisë së Vogël, i cili lidh Azinë me Evropën. Ky rajon do të ishte një pllajë, po të mos ishin dy vullkanet e tij. Mijëra vjet më parë, shpërthimet e tyre të fuqishme e mbuluan zonën me dy lloje shkëmbinjsh: prej bazalti të fortë dhe prej shtufi të butë, një gur i bardhë i formuar nga ngurtësimi i hirit vullkanik.

Teksa lumenjtë, shiu dhe era filluan të gërryenin shtufin e butë, u formuan kanionet. Me kalimin e kohës, disa nga shkëmbinjtë që ndodheshin anash kanioneve u çanë në shumë kone shkëmbore, duke i dhuruar vendit skulptura që nuk gjenden në asnjë vend tjetër të tokës. Disa prej koneve shkëmbore morën pamjen e hojeve të bletëve. Banorët vendës e gërryenin shkëmbin e butë duke formuar dhoma dhe, ndërsa familja zgjerohej, shtonin dhoma të tjera. Ata vunë re gjithashtu që këto banesa ishin të freskëta në verë dhe të ngrohta në dimër.

Jetonin në një udhëkryq të qytetërimeve

Banorët e shtëpive në shkëmb në Kapadoki ndoshta do të kishin pasur pak mundësi të lidheshin me njerëzit e tjerë po të mos kishin jetuar në një udhëkryq të rëndësishëm të qytetërimeve të asaj kohe. Mes për mes Kapadokisë kalonte e famshmja Rruga e Mëndafshit, një rrugë tregtare 6.500 kilometra e gjatë që lidhte Perandorinë Romake me Kinën. Përveç tregtarëve, në këtë rrugë kaluan ushtritë perse, greke dhe romake. Këta udhëtarë sollën ide të reja fetare.

Në shekullin e dytë p.e.s., në Kapadoki kishte koloni judaike. Judenj nga ky rajon ishin të pranishëm në Jerusalem në vitin 33 të e.s. Kishin ardhur aty për të kremtuar Festën e Ditës së Pesëdhjetë. Kështu, apostulli Pjetër u predikoi judenjve të Kapadokisë pas derdhjes së frymës së shenjtë. (Veprat 2:1-9) Disa me sa duket iu përgjigjën mesazhit të tij dhe e sollën në vendin e tyre besimin e ri. Për këtë arsye Pjetri iu drejtua të krishterëve të Kapadokisë në letrën e tij të parë.

Por me kalimin e viteve, të krishterët në Kapadoki filluan të ndikoheshin nga filozofitë pagane. Madje në shekullin e katërt tre udhëheqës kryesorë të kishës, të cilët ishin nga Kapadokia, mbrojtën me vendosmëri doktrinën jobiblike të Trinitetit. Ata ishin Gregori i Nazianzusit, Bazili i Madh dhe vëllai i tij, Gregori i Nisës.

Bazili i Madh nxiti madje një mënyrë jetese si ajo e manastirit. Banesat e thjeshta të Kapadokisë, të gdhendura në shkëmb, ishin më se të përshtatshme për mënyrën e rreptë të jetesës që propozonte ai. Ndërsa bashkësia e njerëzve që bënin këtë lloj jete shtohej, brenda disa koneve më të mëdha u ndërtuan kisha. Deri në shekullin e 13-të ishin ndërtuar rreth treqind kisha të gërmuara në shkëmb. Shumë prej këtyre janë ruajtur deri sot.

Megjithëse kishat dhe manastiret nuk përdoren më, mënyra e jetesës së banorëve vendës nuk ka ndryshuar shumë gjatë shekujve. Shumë vende të gërmuara shërbejnë ende si banesa. Janë të shumtë vizitorët e Kapadokisë që mrekullohen nga mënyra se si banorët e saj të zgjuar i kthyen shkëmbinjtë natyrorë në shtëpi praktike për jetën e tyre.

[Harta në faqet 24, 25]

(Për tekstin e formatuar, shih botimin)

KAPADOKI

KINË (Katai)