Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kushdo që është mendjehollë do të veprojë me njohuri»

«Kushdo që është mendjehollë do të veprojë me njohuri»

«Kushdo që është mendjehollë do të veprojë me njohuri»

UDHËHEQJA që na siguron Fjala e Perëndisë, Bibla, ‘është më e dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ar i kulluar’. (Psalmi 19:7-10) Pse? Sepse «ligji i të mençurit [Jehovait] është burim jete, për ta larguar njeriun prej kurtheve të vdekjes». (Proverbat [Fjalët e urta] 13:14, BR) Kur zbatojmë këshillat nga Shkrimet, jo vetëm përmirësojmë jetën, por edhe ndihmohemi të shmangim kurthet që e vënë në rrezik atë. Sa jetësore është ta kërkojmë vazhdimisht njohurinë nga Shkrimet dhe të veprojmë sipas asaj që mësojmë!

Siç është dokumentuar te Fjalët e urta 13:15-25, në këto vargje mbreti Solomon i Izraelit të lashtë jep këshilla që na ndihmojnë të veprojmë me kuptueshmëri, në mënyrë që të kemi një jetë më të mirë e më të gjatë. * Duke përdorur proverba të përmbledhura, ai tregon se si mund të na ndihmojë Fjala e Perëndisë që të fitojmë miratimin e të tjerëve, të qëndrojmë besnikë në shërbimin tonë, të kemi një qëndrim të drejtë ndaj disiplinës dhe të zgjedhim me mençuri shoqëritë. Gjithashtu na tregon se do të jemi largpamës, nëse u lëmë një trashëgimi fëmijëve tanë, si edhe na thotë se si t’i disiplinojmë ata me dashuri.

Gjykimi i thellë bën që të kemi miratimin e të tjerëve

«Gjykimi i thellë jep hir»,​—thotë Solomoni,​—por udha e atyre që veprojnë pabesisht është e vështirë.» (Proverbat 13:15, BR) Një vepër referimi thotë se shprehja në gjuhën origjinale për ‘gjykim i thellë’ ose kuptueshmëri e thellë «përshkruan aftësinë për të pasur maturi, gjykim të shëndoshë dhe mendime të mençura». Një njeri që ka këto cilësi nuk e ka të vështirë të fitojë hirin ose miratimin e të tjerëve.

Mendoni për gjykimin e thellë që shfaqi apostulli Pavël ndaj Filemonit, një të bashkëkrishteri, kur po i dërgonte skllavin që i ishte arratisur, Onesimin, i cili ishte bërë i krishterë. Pavli i bëri thirrje Filemonit që ta priste me dashamirësi Onesimin, si të kishte mirëpritur vetë Pavlin. Në fakt Pavli i propozoi t’i paguante ndonjë detyrim që mund t’i kishte Onesimi Filemonit. Patjetër Pavli mund të kishte përdorur autoritetin e tij e ta kishte urdhëruar Filemonin që të vepronte siç duhej. Por apostulli vendosi ta zgjidhte këtë çështje me takt dhe dashuri. Pavli ishte i sigurt se duke vepruar kështu do ta nxiste Filemonin që të bashkëpunonte e të bënte edhe më shumë se ajo që i kërkoi. A nuk duhet të sillemi edhe ne në këtë mënyrë me bashkëbesimtarët?​—Filemonit 8-21.

Nga ana tjetër, udha e të pabesëve është e vështirë ose «e ashpër». (Dom Simon Filipaj) Në ç’kuptim? Sipas një studiuesi, termi i përdorur këtu do të thotë «e ngurtë ose e patundur, duke e pasur fjalën për pandjeshmërinë e të ligjve. . . . Njeriu që është i vendosur në udhët e tij të këqija, që është i pandjeshëm ose indiferent ndaj këshillave të mençura të të tjerëve, po shkon drejt shkatërrimit».

Solomoni vazhdon: «Kushdo që është mendjehollë do të veprojë me njohuri, por kush është budalla do të përhapë kudo marrëzi.» (Proverbat 13:16, BR) Këtu mendjehollësia lidhet me njohurinë dhe me një njeri të matur i cili, përpara se të veprojë, i shqyrton gjërat me kujdes. Kur e kritikojnë padrejtësisht ose madje e fyejnë, njeriu mendjehollë i frenon buzët. Ai i lutet Perëndisë që të shfaqë frytin e frymës së shenjtë me qëllim që të mos acarohet tej mase. (Galatasve 5:22, 23) Njeriu i matur nuk lejon që të ndikohet nga personi tjetër ose nga situata në të cilën ndodhet. Përkundrazi e kontrollon veten dhe shmang konfliktet në të cilat përfshihet shpesh një individ që merr zjarr shpejt kur e fyejnë.

Gjithashtu njeriu mendjehollë vepron me njohuri kur merr vendime. E di se veprimet e mençura rrallë bëhen duke u nisur nga hamendjet, nga emocionet ose thjesht duke ndjekur turmën. Prandaj lë kohë për ta shqyrtuar mirë situatën ku ndodhet. Grumbullon të gjitha faktet dhe përcakton se çfarë mundësish ka. Pastaj kërkon në Shkrime dhe vendos se cilat ligje ose parime biblike lidhen me situatën e tij. Shtegu i një njeriu të tillë mbetet i drejtë.​—Fjalët e urta 3:5, 6.

«Lajmëtari besnik sjell shërim»

Si Dëshmitarë të Jehovait na është besuar shpallja e mesazhit të dhënë nga Perëndia. Fjalët e proverbit vijues na ndihmojnë të qëndrojmë besnikë në përmbushjen e detyrës që na është ngarkuar. Proverbi thotë: «Lajmëtari i keq bie në telashe, por lajmëtari besnik sjell shërim.»​Fjalët e urta 13:17.

Këtu theksi bie te cilësitë e lajmëtarit. Po sikur lajmëtari ta shtrembërojë ose ta ndryshojë me ligësi mesazhin? A nuk do të merrte një gjykim të keq? Mendoni për Gehazin, shërbëtorin e profetit Elise, i cili nga lakmia i dha një mesazh të rremë kreut të ushtrisë siriane, Naamanit. Lebra nga e cila ishte shëruar Naamani, zuri Gehazin. (2 Mbretërve 5:20-27) Po sikur lajmëtari të mos tregohet besnik e të mos e shpallë fare mesazhin? Bibla thotë: «[Nëse] ti nuk flet për të paralajmëruar të pabesin që të largohet nga rruga e tij, ai i pabesë do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij [unë Jehovai] do t’i kërkoj llogari dorës sate.»​—Ezekieli 33:8.

Nga ana tjetër, lajmëtari besnik i sjell shërim vetes dhe atyre që e dëgjojnë. Pavli e nxiti Timoteun: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Ngulmo në këto gjëra, sepse duke e bërë këtë, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.» (1 Timoteut 4:16) Mendoni se ç’shërim sjell shpallja me besnikëri e lajmit të mirë të Mbretërisë. Ajo i zgjon njerëzit që kanë një qëndrim të drejtë në zemër dhe i udhëheq drejt së vërtetës e cila i çliron. (Gjoni 8:32) Edhe sikur njerëzit të mos i vënë veshin mesazhit, lajmëtari besnik ‘do ta shpëtojë shpirtin e tij’. (Ezekieli 33:9) Le të mos e lëmë kurrë pas dore detyrën që na është ngarkuar për të predikuar lajmin e mirë. (1 Korintasve 9:16) Le të tregojmë gjithnjë kujdes që ‘të predikojmë fjalën’, duke mos e ndryshuar kurrë mesazhin e Biblës për ta zbutur ose për ta bërë më tërheqës për njerëzit.​—2 Timoteut 4:2.

«Ai që dëgjon qortimin do të nderohet»

A duhet të lëndohet një njeri i matur nëse i jepet një këshillë e dobishme? Te Fjalët e urta 13:18 thuhet: «Mjerimi dhe turpi do të vijnë mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet.» Jemi të mençur nëse mirëpresim edhe qortimin ose këshillat që nuk kemi kërkuar të na jepen. Një këshillë e shëndoshë mund të jetë shumë më e dobishme kur nuk e kuptojmë se kemi nevojë për të. Duke ia vënë veshin një këshille të tillë, shmangim pikëllimet dhe tragjeditë. Po të mos e pranojmë qortimin, mbi ne do të bjerë turpi.

Lavdërimi, kur e meritojmë, na përtërin shpirtin dhe është vërtet inkurajues. Por duhet të presim e të pranojmë gjithashtu edhe qortimin. Shqyrtoni dy letrat që apostulli Pavël i shkroi Timoteut. Ndonëse e lavdëron për besnikërinë e tij, letrat janë plot me këshilla për Timoteun. Pavli i jep të riut shumë këshilla se si të mbajë një besim dhe ndërgjegje të pastër, si të sillet me të tjerët në kongregacion, si të zhvillojë përkushtimin hyjnor dhe të kënaqet me gjërat që ka, si t’i mësojë të tjerët, si t’i kundërvihet apostazisë dhe si të kryejë shërbimin. Të rinjtë në kongregacion duhet të kërkojnë e të mirëpresin këshilla nga vëllezërit më me përvojë.

‘Të ecim me të mençurit’

«Dëshira e realizuar është e ëmbël për shpirtin,​—thotë mbreti i mençur,​—por për budallenjtë është një gjë e neveritshme largimi nga e keqja.» (Fjalët e urta 13:19) Në lidhje me kuptimin e këtij proverbi një vepër referimi thotë: «Kur është arritur një synim ose është realizuar një dëshirë, individi mbushet me një ndjenjë kënaqësie . . . Meqë të arrish një synim është një përvojë shumë e këndshme, atëherë për budallenjtë të largohen nga e keqja duhet të jetë një gjë shumë e neveritshme. Ambiciet e tyre mund të arrihen vetëm me metoda të liga dhe, nëse do të largoheshin nga e keqja, nuk do të kishin kënaqësinë t’i realizonin dëshirat e tyre.» Sa e rëndësishme është që të zhvillojmë dëshira të drejta!

Ç’ndikim të fuqishëm që kanë shoqëritë në mendimet tona, në gjërat që na pëlqejnë dhe në gjërat që nuk na pëlqejnë! Solomoni pohon një të vërtetë që vlen në çdo kohë: «Kush shkon me të urtët [të mençurit, BR] bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.» (Fjalët e urta 13:20) Po, shoqëritë tona, madje edhe nëpërmjet zbavitjeve, Internetit dhe gjërave që lexojmë, ndikojnë në njeriun që jemi dhe që do të bëhemi. Sa e rëndësishme është që t’i zgjedhim shoqëritë me mençuri!

‘Të lëmë një trashëgimi’

Mbreti i Izraelit thotë: «E keqja përndjek mëkatarët, por i drejti do të shpërblehet me të mirën.» (Fjalët e urta 13:21) Të ndjekim drejtësinë është një gjë shpërblyese, sepse Jehovai kujdeset për të drejtët. (Psalmi 37:25) Megjithatë duhet ta pranojmë se të gjithëve na ‘rastis të kalojmë kohë të vështira dhe të përjetojmë ngjarje të paparashikuara’. (Eklisiastiu 9:11, BR) A mund të bëjmë diçka që të përgatitemi për ngjarjet e paparashikuara?

«Njeriu i mirë i lë një trashëgim bijve të bijve të tij»,​—thotë Solomoni. (Fjalët e urta 13:22a) Çfarë trashëgimie të çmuar lënë pas prindërit kur i ndihmojnë fëmijët që të marrin njohuri për Jehovain dhe të kultivojnë një marrëdhënie të mirë me të! Por, a nuk do të ishte gjithashtu një veprim largpamës që një prind, kur është e mundur, të marrë masa për mirëqenien materiale të familjes në rast se do të vdiste papritur? Në shumë vende, kryefamiljarët mund të bëjnë një sigurim për jetën, mund të bëjnë një testament ligjor dhe mund të kursejnë disa para.

Ç’të themi për trashëgiminë e të ligjve? «Pasuria e mëkatarit vihet mënjanë për të drejtin»,​—thotë më tej Solomoni. (Fjalët e urta 13:22b) Përveç dobive që mund të kenë sot të drejtët, këto fjalë të proverbit do të dalin të vërteta kur Jehovai të përmbushë premtimin e tij për të krijuar «qiej të rinj e një tokë të re» në të cilët «ka për të banuar drejtësia». (2 Pjetrit 3:13) Atëherë të ligjtë do të jenë shfarosur, kurse «zemërbutët do të zotërojnë tokën».​—Psalmi 37:11.

Një njeri i matur vepron me njohuri edhe kur zotëron shumë pak gjëra. «Ara e të vobektëve jep shumë ushqim,​—thuhet te Proverbat 13:23, BR,​—por ka nga ata që shkatërrohen për shkak të mungesës së gjykimit.» Falë punës së palodhur dhe bekimeve të Perëndisë, ata që janë të vobektë japin shumë prodhim. Por, kur mungon drejtësia, gjykimi i padrejtë mund të shkatërrojë pasuritë.

«I rri mbi kokë duke e disiplinuar»

Njerëzit e papërsosur kanë nevojë për disiplinë dhe kanë nevojë për të që nga fëmijëria. Mbreti i Izraelit thotë: «Kush e kursen shkopin e urren birin e tij, por kush e do, i rri mbi kokë duke e disiplinuar.»​Proverbat 13:24, BR.

Shkopi është simbol autoriteti. Te Fjalët e urta 13:24 shkopi bën fjalë për autoritetin prindëror. Në këtë kontekst, të përdorësh shkopin e disiplinës nuk do të thotë gjithnjë t’i japësh shuplaka në të ndenjura fëmijës. Përkundrazi, ai përfaqëson mënyrën e korrigjimit, i çfarëdo forme qoftë. Në një rast një qortim i dhënë me dashamirësi mund të mjaftojë për të ndrequr sjelljen e papërshtatshme të fëmijës. Një fëmijë tjetër mund të ketë nevojë për një qortim më të ashpër. «Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend sesa njëqind goditje te budallai»,​—thuhet te Fjalët e urta 17:10.

Disiplina që japin prindërit duhet të udhëhiqet gjithnjë nga dashuria dhe mençuria, për dobinë e fëmijëve. Një prind i dashur nuk i mbyll sytë përpara të metave të fëmijës. Përkundrazi, i kërkon ato, në mënyrë që t’i heqë përpara se të zënë rrënjë të thella. Natyrisht, një prind i dashur merr për zemër këshillën e Pavlit: «Etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.»​—Efesianëve 6:4.

Po sikur një prind të jetë tepër tolerant dhe të mos i japë fëmijës korrigjimin e duhur? A do t’i tregohet mirënjohje më vonë këtij prindi që u tregua kaq tolerant? Aspak! (Fjalët e urta 29:21) Bibla thotë: «Fëmija për të cilën nuk kujdeset kurrkush e turpëron nënën e vet.» (Fjalët e urta 29:15) Të mos ushtrosh autoritetin prindëror tregon indiferencë dhe mungesë dashurie. Por, të ushtrosh autoritetin me dashamirësi e me vendosmëri pasqyron një merak të dashur.

Njeriu i matur dhe i drejtë që vepron me njohuri të vërtetë do të bekohet. Solomoni na siguron: «I drejti ha sa të ngopet, por barku i të pabesëve vuan nga uria.» (Fjalët e urta 13:25) Jehovai e di se ç’është e mirë për ne në çdo fushë të jetës: në çështjet familjare, në marrëdhëniet me të tjerët, në lidhje me shërbimin ose kur disiplinohemi. Duke zbatuar me mençuri këshillat që gjenden në Fjalën e tij, pa dyshim do të kemi një jetë shumë të lumtur.

[Shënimi]

^ par. 3 Për një trajtim të Fjalëve të urta 13:1-14 shih Kullën e Rojës, 15 shtator 2003, faqet 21-25.

[Figura në faqen 28]

Kur e kritikojnë padrejtësisht, njeriu mendjehollë i frenon buzët

[Figura në faqen 29]

Një lajmëtar besnik i Mbretërisë bën shumë të mira

[Figura në faqen 30]

Ndonëse lavdërimi është inkurajues, duhet të mirëpresim edhe ndreqjen

[Figura në faqen 31]

Një prind i dashur nuk i mbyll sytë përpara të metave të fëmijës