Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mrekullitë e Jezuit: A kanë ndodhur vërtet?

Mrekullitë e Jezuit: A kanë ndodhur vërtet?

Mrekullitë e Jezuit: A kanë ndodhur vërtet?

«NJERËZIT i sollën [Jezu Krishtit] shumë të pushtuar nga demonët; dhe ai i dëboi frymërat me një fjalë dhe i shëroi të gjithë sa hiqnin keq.» (Mateu 8:16) «Ai [Jezui] u zgjua, qortoi erën dhe i tha detit: ‘Pusho! Hesht!’ Dhe era ra e u bë një qetësi e madhe.» (Marku 4:39) Çfarë mendon për këto pohime? A beson se përshkruajnë ngjarje historike të vërteta apo mendon se janë alegori ose thjesht legjenda?

Shumë njerëz sot kanë dyshime serioze për vërtetësinë e mrekullive të Jezuit. Në këtë epokë të teleskopëve dhe të mikroskopëve, të eksplorimit të hapësirës dhe të inxhinierisë gjenetike, njerëzit duket se ngurrojnë t’i pranojnë si të vërteta tregimet për mrekulli e për ngjarje të mbinatyrshme.

Disa mendojnë se tregimet rreth mrekullive janë fantazi ose janë alegorike. Sipas shkrimtarit të një libri që pretendon të hetojë Jezuin «e vërtetë», historitë rreth mrekullive të Krishtit nuk janë veçse «reklama» për të përhapur krishterimin.

Të tjerë i shohin mrekullitë e Jezuit si mashtrime kokë e këmbë. Akuza për mashtrim ndonjëherë hidhet edhe ndaj vetë Jezuit. Sipas Justin Martirit të shekullit të dytë të e.s, kritikët e Jezuit «guxuan madje ta quanin atë magjistar dhe mashtrues». Disa pohojnë se Jezui «nuk i kreu mrekullitë e tij si profet jude, por si magjistar, si i mësuar në tempujt paganë».

Të përkufizojmë fjalën «e pamundur»

Ndoshta mendon se pas këtyre dyshimeve ka një arsye themelore pse njerëzit ngurrojnë të besojnë te mrekullitë. Atyre thjesht u duket e vështirë, madje e pamundur, që të pranojnë mendimin se ka fuqi të mbinatyrshme që veprojnë. «Mrekullitë nuk ndodhin: pikë!»​—tha një i ri që vetëquhej agnosticist. Pastaj ai citoi fjalët e filozofit skocez të shekullit të 18-të, Dejvid Hjum, i cili shkroi: «Një mrekulli është shkelje e ligjeve të natyrës.»

Gjithsesi, shumë veta do të mateshin mirë përpara se të pohonin se një farë dukurie është e pamundur. Një enciklopedi (The World Book Encyclopedia) e përkufizon mrekullinë si «një ngjarje që nuk mund të shpjegohet me anë të ligjeve të njohura të natyrës». Sipas këtij përkufizimi, udhëtimet në hapësirë, komunikimi me anë të valëve dhe lundrimet me ndihmën e satelitëve, vetëm një shekull më parë do t’u ishin dukur «mrekulli» shumicës së njerëzve. Sigurisht, pra, nuk është e mençur të themi se mrekullitë janë të pamundura vetëm sepse nuk mund t’i shpjegojmë në bazë të njohurisë që kemi tani.

Çfarë do të zbulojmë po të shqyrtojmë disa dëshmi biblike në lidhje me mrekullitë që thuhet se ka bërë Jezu Krishti? A kanë ndodhur vërtet mrekullitë e Jezuit?