Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Çfarë përfaqëson viti i Jubileut që përmendet në kapitullin e 25-të të Levitikut?

Në Ligjin e Moisiut përcaktohej se ‘viti i shtatë do të ishte një e shtunë [sabat, BR] pushimi për tokën’. Në lidhje me atë vit izraelitët morën urdhrin: «Nuk do të mbjellësh as arën tënde, as do të krasitësh vreshtin tënd. Nuk do të korrësh atë që rritet vetvetiu në prodhimin tënd dhe nuk do të vjelësh rrushin e vreshtit të pakrasitur; do të jetë një vit pushimi për tokën.» (Levitiku 25:4, 5) Pra, çdo vit i shtatë duhej të ishte një vit sabati për tokën. Pastaj, çdo 50 vjet, pasi të ishin bërë shtatë vite sabati, viti i 50-të do të ishte një Jubile. Çfarë duhej bërë atë vit?

Jehovai i tha Izraelit nëpërmjet Moisiut: «Do të shenjtëroni vitin e pesëdhjetë dhe do të shpallni në vend lirinë për të gjithë banorët e tij. Do të jetë për ju një jubile; secili prej jush do të kthehet në pronën e vet dhe secili prej jush do të kthehet në familjen e vet. Viti i pesëdhjetë do të jetë për ju një jubile; nuk do të mbillni dhe nuk do të korrni atë që rritet vetiu dhe nuk do të vilni vreshtat e pakrasitur.» (Levitiku 25:10, 11) Jubileu nënkuptonte për tokën edhe një vit tjetër sabati radhazi. Por banorëve Jubileu u sillte lirinë. Çdo jude që ishte shitur si skllav duhej liruar. Prona e trashëguar që dikush kishte qenë i detyruar ta shiste i duhej kthyer familjes së tij. Jubileu duhej të ishte një vit rivendosjeje dhe çlirimi për Izraelin e lashtë. Çfarë përfaqëson Jubileu për të krishterët?

Për shkak të rebelimit të njeriut të parë, Adamit, njerëzimi ra në skllavërinë e mëkatit. Masa që mori Perëndia për të çliruar njerëzimin nga kjo skllavëri ishte flijimi shpërblyes i Jezu Krishtit. * (Mateu 20:28; Gjoni 3:16; 1 Gjonit 2:1, 2) Kur çlirohen të krishterët nga ligji i mëkatit? Duke iu drejtuar të krishterëve të mirosur, apostulli Pavël tha: «Ligji i asaj fryme që jep jetë në unitet me Krishtin Jezu, të ka liruar nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.» (Romakëve 8:2) Ata që kanë shpresën e jetës në qiell e fitojnë këtë liri kur mirosen me frymën e shenjtë. Ndonëse janë ende me trup prej mishi dhe të papërsosur, Perëndia i shpall ata të drejtë dhe i birëson si bij frymorë. (Romakëve 3:24; 8:16, 17) Për të mirosurit si grup, Jubileu i krishterë filloi në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.

Ç’të themi për ‘delet e tjera’ që kanë shpresën e jetës së përhershme në tokë? (Gjoni 10:16) Për delet e tjera, Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit do të jetë një kohë rivendosjeje dhe çlirimi. Gjatë këtij Jubileu Mijëvjeçar, Jezui do të vërë në zbatim dobitë e flijimit të tij shpërblyes për njerëzit që kanë besim në të dhe do të zhbëjë pasojat e mëkatit. (Zbulesa 21:3, 4) Në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit njerëzimi do të arrijë përsosmërinë njerëzore dhe do të jetë tërësisht i lirë nga mëkati i trashëguar dhe nga vdekja. (Romakëve 8:21) Kur të jetë kryer kjo, do të përfundojë Jubileu i krishterë.

[Shënimi]

^ par. 5 Në fakt Jezui u dërgua që ‘të shpallte çlirimin e atyre që ishin në robëri’. (Isaia 61:1-7; Luka 4:16-21) Ai shpalli çlirimin frymor.

[Figura në faqen 26]

Jubileu Mijëvjeçar​—një kohë rivendosjeje dhe çlirimi për ‘delet e tjera’