Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Vera dhe dimri nuk do të pushojnë kurrë’

‘Vera dhe dimri nuk do të pushojnë kurrë’

Madhështia e krijimit të Jehovait

‘Vera dhe dimri nuk do të pushojnë kurrë’

NË SHKRETËTIRË dielli lëshon një nxehtësi përvëluese. Në vise të tjera të tokës, ai sjell një kohë të ngrohtë pas një dimri të ftohtë. Po, nxehtësia e diellit është nga faktorët kryesorë në ndryshimin e klimës dhe të stinëve.

Siç është një stinë në njërin vend të tokës, mund të mos jetë në një vend tjetër. Por, si ndikojnë ato te ty? A kënaqesh me freskinë gjallëruese të pranverës kur sheh që zgjohen pemët dhe lulet? Si ndihesh gjatë mbrëmjeve të ëmbla të verës? A të pëlqejnë ditët e freskëta të vjeshtës me pamjet mahnitëse të gjetheve që ndryshojnë ngjyrë? A të qetëson pamja e një pylli të mbuluar nga dëbora?

Nga se shkaktohen stinët? E thënë shkurt, nga pjerrësia e tokës. Boshti i saj është 23,5 gradë i pjerrët ndaj planit të orbitës së tokës rreth diellit. Nëse boshti i rrotullimit të tokës nuk do të ishte i pjerrët, stinët nuk do të ekzistonin. Klima do të ishte e njëjtë gjatë gjithë kohës. Kjo do të ndikonte në bimësinë dhe në ciklin e rritjes së drithërave.

Prapa ndërrimit të stinëve shihet dora e Krijuesit. Duke iu drejtuar Perëndisë Jehova, psalmisti në mënyrë të përshtatshme tha: «Ishe ti që ia vure tërë kufijtë tokës; verë e dimër​—ti i bëre.»​Psalmi 74:17, BR. *

Nga këndvështrimi i një vëzhguesi në tokë trupat qiellorë shërbejnë si tregues të pagabueshëm të stinëve. Kur krijoi sistemin tonë diellor, Perëndia shpalli: «Të ketë ndriçues në kupën qiellore . . . dhe të shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, ditët dhe vitet.» (Zanafilla 1:14) Gjatë një viti toka arrin dy pika në orbitën e saj ku, në mesditë, në ekuator dielli ndodhet pingul me tokën. Këto raste quhen ekuinokse dhe në shumë vende shënojnë fillimin e pranverës dhe të vjeshtës. Gjatë ekuinokseve dita dhe nata janë pothuajse të barabarta në të gjithë tokën.

Stinët dhe ndërrimi i tyre nuk lidhen vetëm me lëvizjet e trupave qiellorë. Stinët, klima dhe moti janë të ndërlidhura mes tyre në një sistem të ndërlikuar që bën të mundur jetën. Apostulli Pavël dhe shoku i tij, Barnaba, duke u folur njerëzve që banonin në Azinë e Vogël, shumë prej të cilëve e njihnin mirë bujqësinë, u thanë atyre se Perëndia është ai ‘që na jep shira nga qielli dhe stinë të frytshme, duke i mbushur zemrat tona plot e përplot me ushqim dhe hare’.​—Veprat 14:14-17.

Procesi i mrekullueshëm i fotosintezës mbështet bimësinë e tokës dhe fitoplanktonin e deteve. Për këtë arsye, zinxhiri ushqimor dhe rrjeti i shumëllojshmërisë biologjike reagojnë ndaj motit dhe klimës në mënyra të ndërlikuara. Në mënyrë të përshtatshme Pavli tregoi se pas gjithë kësaj është dora e Jehovait, duke thënë: «Toka që pi shiun, i cili bie shpesh mbi të dhe që më pas u jep bimësi të dobishme atyre për të cilët edhe është kultivuar, merr në shkëmbim një bekim nga Perëndia.»​—Hebrenjve 6:7.

Fjala «bekim» merr një kuptim të ri po të ndalesh e të mendosh se çfarë ndodh në vendet ku pranvera sjell ditë më të ngrohta e më të gjata, më shumë diell dhe shira të dobishme. Lulet çelin dhe insektet dalin nga strehimet e tyre dimërore, gati për të pllenuar bimët. Zogjtë, si grifsha blu që sheh këtu, e mbushin pyllin me ngjyra e këngë dhe peizazhi bëhet më i gjallë. Pulsi i jetës rreh më shpejt dhe organizmat vazhdojnë ciklet e tyre të jetës: lindjen, ripërtëritjen dhe rritjen. (Kantiku i kantikëve 2:12, 13) E gjithë kjo i paraprin kohës së të vjelave në fund të verës ose në vjeshtë.​—Eksodi 23:16.

Veprat e Jehovait shfaqen me madhështi në pozicionin që e ka vendosur tokën, duke bërë të mundur ditën dhe natën, stinët, kohën e mbjelljes dhe të korrjes. Jemi të sigurt se pas dimrit do të ketë edhe verë. Në fakt Perëndia premtoi: «Deri sa të jetë toka, nuk do të pushojnë kurrë së ekzistuari mbjellja dhe korrja, të ftohtit dhe të nxehtit, vera dhe dimri, dita dhe nata.»​—Zanafilla 8:22.

[Shënimi]

^ par. 6 Shih Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2004, korrik-gusht.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

Një satelit shumë i rëndësishëm për jetën

Gjatë shekujve hëna i ka frymëzuar dhe i ka mahnitur njerëzit. Por, a e di edhe se hëna ndikon te stinët? Hëna me praninë e saj ndihmon për të ruajtur pjerrësinë e tokës, domethënë këndin e pjerrësisë së boshtit të saj të rrotullimit. Siç thotë autori i shkrimeve shkencore Endrju Hill, ajo luan «një rol jetësor në krijimin e kushteve që bëjnë të mundur jetën në Tokë». Po të mos ekzistonte një satelit i madh natyror që të ruante pjerrësinë e boshtit të rrotullimit të tokës, temperaturat do të ngriheshin menjëherë dhe ndoshta jeta në tokë do të bëhej e pamundur. Për këtë arsye një ekip astronomësh nxorën përfundimin: «Hëna vepron si një rregullues i dukurive klimatike në Tokë.»​—Psalmi 104:19.

[Burimi]

Hëna: U.S. Fish & Wildlife Service, Washington, D.C./Bart O’Gara

[Figura në faqen 9]

Deve, Afrika e Veriut dhe Gadishulli Arabik