Jetuam falë forcës së Jehovait
Jetëshkrim
Jetuam falë forcës së Jehovait
TREGUAR NGA ERZHABET HAFNERI
«Nuk do t’i lë të të dëbojnë»,—tha Tibor Hafneri kur mori vesh se më kishin dhënë urdhër të largohesha nga Çekosllovakia. Pastaj shtoi: «Nëse pranon, do të martohemi bashkë, kështu do të rrish me mua përgjithmonë.»
NË VITIN 1938, më 29 janar, vetëm disa javë pas këtij propozimi që më erdhi papritur, u martova me Tiborin, vëllanë e krishterë që i dha dëshmi për herë të parë familjes sime. Ky s’ishte një vendim i lehtë. Sapo kisha mbushur 18 vjeçe dhe, si shërbëtore në kohë të plotë, doja t’ia kushtoja shërbimit të Perëndisë gjithë vitet e rinisë sime. Qava. U luta. Vetëm pasi u qetësova, e kuptova se ajo që po më propozonte Tibori ishte më tepër sesa vetëm një gjest i njerëzishëm, dhe e ndjeva se doja të jetoja me këtë njeri që më donte vërtet.
Por, pse kishte rrezik që të më dëbonin? Fundja, jetoja në një vend që krenohej për sistemin e vet demokratik dhe për lirinë fetare. Mendoj se tani duhet t’ju tregoj më shumë për prejardhjen time.
Kam lindur më 26 dhjetor 1919. Prindërit i përkitnin kishës katolike greke dhe jetonin në fshatin Shajosentpeter, Hungari, rreth 160 kilometra në lindje të Budapestit. Mjerisht babanë nuk e njoha fare, sepse vdiq para se të lindja. S’kaloi shumë dhe mamaja u martua prapë, me një të ve që kishte katër fëmijë. Kështu shkuam në qytetin e Luçenjecit, një qytet i bukur në Çekosllovakinë e atëhershme. Në ato vite s’ishte e lehtë të jetoje në familje me njerk. Meqë isha më e vogla nga fëmijët, më dukej gjithnjë vetja e tepërt. Gjendja ekonomike ishte e vështirë dhe jo vetëm që më mungonin gjërat materiale, por edhe
vëmendja e dashuria normale prindërore.A e di njeri përgjigjen?
Në moshën 16-vjeçare më trazonin pyetje serioze. E lexoja me interes të madh historinë e Luftës I Botërore dhe më bënin përshtypje gjithë ato vrasje midis kombeve që pohonin se ishin të krishtere. Veç kësaj, rreth e rrotull meje shihja se po shtohej fryma luftarake. Asgjë nga këto nuk ishte në harmoni me atë që mësoja në kishë për dashurinë për të tjerët.
Atëherë shkova te një prift i kishës katolike të Romës dhe e pyeta: «Cili urdhër duhet të jetë i detyrueshëm për ne si të krishterë: të shkojmë në luftë e të vrasim fqinjët tanë apo t’i duam?» I bezdisur nga pyetja ime, m’u përgjigj se mësonte çfarë i thoshin autoritetet më të larta. Po e njëjta gjë ndodhi kur shkova te një shërbëtor kalvinist e pastaj te një rabin hebre. Nuk mora asnjë përgjigje, vetëm sa u habitën me pyetjen e pazakontë që kisha. Së fundi shkova te një shërbëtor luteran. Edhe ai u zemërua, por para se të ikja, më tha: «Në qoftë se dëshiron vërtet përgjigjen, pyet Dëshmitarët e Jehovait.»
U përpoqa t’i gjeja Dëshmitarët, por nuk ia dola. Disa ditë më vonë, kur po kthehesha nga puna, pashë derën e shtëpisë gjysmë të hapur. Një djalë i ri i pashëm po i lexonte mamasë sime një shkrim nga Bibla. Një shkëndijë më kaloi nëpër mend: ‘Me siguri ky duhet të jetë Dëshmitar i Jehovait!’ E ftuam brenda këtë djalë, Tibor Hafnerin, dhe unë i bëra të njëjtën pyetje. Në vend që të më përgjigjej me fjalët e tij, ai më tregoi çfarë thotë Bibla për shenjën dalluese të të krishterëve të vërtetë, si edhe për kohët në të cilat po jetonim.—Gjoni 13:34, 35; 2 Timoteut 3:1-5.
U pagëzova brenda disa muajve, para se të mbushja 17 vjeçe. Mendoja se të gjithë duhej t’i dëgjonin këto të vërteta të çmuara që unë vetë i kisha gjetur me kaq vështirësi, prandaj fillova të predikoja në kohë të plotë, gjë që ishte mjaft e vështirë në Çekosllovaki në fund të viteve 30 të shekullit të kaluar. Megjithëse vepra jonë ishte e regjistruar zyrtarisht, hasëm kundërshtim të fortë, të nxitur nga kleri.
Provoj për herë të parë përndjekjen
Një ditë, nga fundi i vitit 1937, po predikoja me një motër tjetër në një fshat pranë Luçenjecit. Jo shumë kohë më pas na arrestuan dhe na çuan në burg. «Këtu do të vdisni»,—tha roja, duke përplasur fort derën e qelisë.
Deri në mbrëmje në qeli futën edhe katër gra të tjera. Filluam t’i ngushëllonim dhe t’u jepnim dëshmi. Pas pak u qetësuan e kështu e kaluam gjithë natën duke u folur për të vërtetat biblike.
Në orën gjashtë të mëngjesit, roja më thirri të dilja nga qelia. I thashë shoqes sime: «Do të takohemi përsëri në Mbretërinë e Perëndisë.» I kërkova t’i thoshte familjes sime çfarë më kishte ndodhur, nëse ajo do të dilte gjallë. Bëra një lutje në heshtje dhe shkova pas rojës. Më çoi në shtëpinë e tij, që ndodhej në zonën e burgut. «Kam disa pyetje për ty, vajzë,—më tha.—Natën e kaluar the se emri i Perëndisë është Jehova. A mund të ma tregosh në Bibël këtë?» Sa u habita, por edhe u lehtësova njëkohësisht! Më solli Biblën e tij dhe i tregova atij dhe së shoqes emrin Jehova. Roja kishte edhe shumë pyetje të tjera për temat që kishim diskutuar gjatë natës me gratë e burgosura. I kënaqur nga përgjigjet, i tha së shoqes të përgatiste mëngjesin për mua dhe për shoqen time.
Pas disa ditësh na liruan, por një gjykatës vendosi që unë të largohesha nga Çekosllovakia,
sepse isha shtetase hungareze. Pikërisht ky ishte çasti kur Tibor Hafneri më kërkoi të bëhesha gruaja e tij. U martuam dhe u vendosëm në shtëpinë e prindërve të tij.Përndjekja bëhet më e ashpër
Vazhduam të predikonim bashkë si çift, ndonëse Tibori kishte edhe punë organizative për të bërë. Djali ynë, Tibor i Riu, lindi vetëm disa ditë para se ushtarët hungarezë të marshonin në qytetin tonë në nëntor të vitit 1938. Në Evropë po mblidheshin retë e Luftës II Botërore. Një pjesë e madhe e Çekosllovakisë u pushtua nga Hungaria, dhe kjo solli më shumë përndjekje për Dëshmitarët e Jehovait që jetonin në zonat e pushtuara.
Më 10 tetor 1942, Tibori u nis për në Debrecen, ku do të takonte disa vëllezër. Por kësaj here nuk u kthye. Më vonë më tha çfarë u kishte ndodhur. Tek ura ku do të bëhej mbledhja nuk po i pritnin vëllezërit, por disa policë të veshur me rroba pune. Po pritnin tim shoq dhe Pal Nagypalin, të cilët ishin të fundit që duhej të vinin. Policët i çuan në rajonin e policisë dhe i rrahën me shkopinj në këmbët e zbathura, derisa u ra të fikët nga dhembjet.
Pastaj i urdhëruan të vishnin çizmet dhe të rrinin në këmbë. Ndonëse kishin dhembje të tmerrshme, i detyruan të shkonin te stacioni i hekurudhës. Policët sollën edhe një njeri tjetër që e kishte kokën kaq shumë të fashuar, sa mezi shihte. Ky ishte vëlla Andrash Pilingu, i cili kishte shkuar po ashtu për mbledhjen. Tim shoq e çuan me tren në kampin e Alagut, pranë Budapestit. Njëri nga rojat, kur pa këmbët e Tiborit të bëra copë nga rrahjet, tha me sarkazëm: «Sa mizorë që janë disa njerëz! Mos ki merak, ta rregullojmë ne.» Ndërkaq dy roja të tjera filluan ta rrihnin Tiborin te këmbët, aq sa gjithandej u spërkat me gjak. Pas nja dy minutash, i ra të fikët.
Një muaj më vonë Tiborin dhe më shumë se 60 vëllezër të tjerë e motra të tjera i çuan në gjyq. Vëllezërit Andrash Bartën, Denish Faluvegin dhe Janosh Konradin i dënuan me varje. Vëlla Andrash Pilingun e dënuan me burgim të përjetshëm dhe tim shoq e dënuan me 12 vjet burg. Çfarë krimi kishin bërë? Prokurori i akuzoi për tradhti të lartë, për refuzim të shërbimit ushtarak, për spiunazh e për shpifje ndaj kishës së shenjtë. Më vonë dënimet me vdekje u zëvendësuan me dënime të përjetshme.
Pas tim shoqi, e kam radhën unë
Dy ditë pasi Tibori iku në Debrecen për atë mbledhje, isha ngritur herët në mëngjes, para orës 6, dhe po hekurosja. Papritur u dëgjua një trokitje e fortë në derë. ‘Erdhën’,—mendova. Gjashtë policë hynë brenda dhe më thanë se kishin leje për të kontrolluar shtëpinë. Na arrestuan të gjithë sa ishim në shtëpi dhe na çuan në rajonin e policisë, bashkë me tim bir që ishte tre vjeç. Po atë ditë na çuan në një burg që ndodhej në Petervashara, Hungari.
Pasi shkuam atje, më hipi një temperaturë e lartë dhe më ndanë nga të burgosurat e tjera. Kur u përmenda, në qeli ishin dy ushtarë, që po ziheshin për mua. «Duhet ta vrasim. Do ta vras unë vetë»,—tha njëri. Kurse tjetri donte të dinte gjendjen time shëndetësore para se të bënte gjë. Iu luta që të më linin të jetoja. Së fundi ikën nga qelia dhe unë falënderova Jehovain që më ndihmoi.
Rojat kishin një metodë të veçantë për të marrë në pyetje njerëzit. Më urdhëruan të shtrihesha barkas në dysheme, më vunë çorape në gojë, m’i lidhën duart dhe këmbët dhe
më rrahën me kamxhik derisa filloi të më dilte gjak. Ndaluan vetëm kur njëri nga ushtarët tha se u lodh shumë. Më pyetën kë do të takonte im shoq ditën kur e arrestuan. Nuk u tregova, prandaj më rrahën për tri ditë me radhë. Ditën e katërt më lejuan ta çoja djalin te mamaja ime. Në motin me ngricë e mbajta tim bir në kurrizin që e kisha plagë dhe eca për 13 kilometra deri në stacionin hekurudhor. Prej andej vazhdova rrugën me tren, por duhej të kthehesha në kamp po atë ditë.Më dënuan me gjashtë vjet burg në një nga burgjet e Budapestit. Kur mbërrita mora vesh se edhe Tibori ishte atje. Sa të lumtur ishim kur na u lejua të flitnim me njëri-tjetrin, ndonëse vetëm disa minuta përmes një gardhi me hekura! Që të dy e ndiem dashurinë e Jehovait dhe morëm forcë nga këto çaste të çmuara që kaluam bashkë. Para se të takoheshim përsëri, secili nga ne do të haste sprova të tmerrshme, duke i shpëtuar shumë herë vdekjes për një qime.
Nga një burg në tjetrin
Ishim rreth 80 motra ngucur në një qeli të vetme. Digjeshim nga dëshira për ushqim frymor, por dukej e pamundur të futje ndonjë gjë në burg. A mund të gjenim ndonjë gjë aty brenda? Ja çfarë bëmë. Unë dola vullnetare t’u arnoja çorapet nëpunësve të burgut. Në njërën çorape futa një copë letër në të cilën kërkoja numrin që kishte Bibla në regjistrin e bibliotekës së burgut. Për të shmangur ndonjë dyshim, shtova edhe dy libra të tjerë.
Ditën tjetër më erdhi një grumbull tjetër me çorape të nëpunësve. Në njërën prej tyre ishte përgjigjja. Atëherë i dhashë një roje numrat dhe i kërkova këta libra. Sa u gëzuam kur na i sollën librat, përfshirë edhe Biblën! Pjesën tjetër të librave e ndërronim çdo javë, kurse Biblën e mbajtëm. Kur na pyeste roja për të, i thoshim gjithnjë: «Është libër goxha i madh dhe të gjitha duan ta lexojnë.» Në këtë mënyrë kishim mundësi ta lexonim Biblën.
Një ditë, një oficer më ftoi në zyrën e tij. Dukej tepër i sjellshëm, ndryshe nga herët e tjera.
—Zonja Hafner, kam një lajm të mirë për ju,—më tha.—Mund të ktheheni në shtëpinë tuaj. Ndoshta që nesër. Madje që sot, po të ketë tren.
—Sa mirë do të ishte!—iu përgjigja.
—Sigurisht që do të ishte mirë,—më tha.—Keni një fëmijë dhe mendoj se do të donit ta rritnit vetë. Mjafton të firmosni këtë letër,—shtoi ai.
—Për çfarë flet?—e pyeta.
—Mos u bëj merak,—nguli këmbë.—Ti vetëm firmos dhe do të jesh e lirë. Sa të shkosh në shtëpi, pastaj bëj çfarë të duash,—më tha më pas.—Por tani duhet të firmosësh e të thuash se nuk je më Dëshmitare e Jehovait.
U sprapsa dhe me vendosmëri refuzova.
—Atëherë ke për të vdekur këtu!—më bërtiti me inat dhe më nxori nga zyra.
Në maj të vitit 1943 më çuan në një burg tjetër në Budapest e pastaj në fshatin Marianostra, ku jetuam në një manastir bashkë me 70 murgesha. Me gjithë urinë dhe vështirësitë e tjera, dëshironim shumë t’u flitnim për shpresën tonë. Njëra nga murgeshat tregoi vërtet interes për mesazhin tonë dhe tha: «Këto janë gjëra të bukura. Kurrë më parë s’kisha dëgjuar gjëra të tilla. Ju lutem, më thoni diçka më shumë.» I folëm për botën e re dhe për jetën e mrekullueshme që do të kemi atje. Ndërsa po flitnim erdhi kryemurgesha. Murgeshën që
ishte e interesuar e morën menjëherë, i hoqën rrobat dhe e rrahën egërsisht me kamxhik. Kur e takuam prapë, na tha: «Ju lutem, lutjuni Jehovait që të më shpëtojë dhe të më nxjerrë që këtu. Dua të jem një prej jush.»Vendi tjetër ku shkuam ishte një burg i vjetër në Komarom, një qytet mbi lumin Danub, rreth 80 kilometra në perëndim të Budapestit. Kushtet ishin të tmerrshme. Ashtu si edhe disa motra të tjera, më zuri tifoja dhe u sëmura rëndë, villja gjak dhe u dobësova shumë. S’kishim asnjë ilaç dhe mendova se kaq e pata. Por, ndërkohë, oficerët po kërkonin dikë për punë zyre. Motrat u dhanë emrin tim. Kështu më dhanë ca ilaçe dhe e mora veten.
Bashkohem prapë me familjen
Ndërkohë që ushtria sovjetike afrohej nga lindja, na detyronin të lëviznim drejt perëndimit. Po t’i tregoja të gjitha tmerret që hoqëm, do të dilte një histori tepër e gjatë. Disa herë u gjenda përballë vdekjes, por shpëtova falë dorës mbrojtëse të Jehovait. Kur mbaroi lufta, ishim në qytetin çek të Taborit, rreth 80 kilometra larg Pragës. Mua dhe kunatës, Magdalenës, na u deshën tri javë për t’u kthyer në shtëpi, në Luçenjec, ku mbërritëm më 30 maj 1945.
Që nga larg pashë në oborr vjehrrën dhe tim bir, Tiborin. M’u mbushën sytë me lot dhe e thirra: «Tibike!» Me të dëgjuar zërin, ai vrapoi e m’u hodh në qafë. «Mami, nuk do ikësh prapë, apo jo?» Këto ishin fjalët e para që më tha dhe nuk do t’i harroj kurrë.
Jehovai u tregua i mëshirshëm edhe me tim shoq, Tiborin. Që nga burgu në Budapest, e dërguan në kampin e punës në Bor, bashkë me afro 160 vëllezër të tjerë. Shumë herë edhe ata u gjendën përballë vdekjes, por si grup mbetën gjallë. Tibori u kthye në shtëpi më 8 prill 1945, gati një muaj para meje.
Pas luftës, ende kishim nevojë për forcën e Jehovait që të mbijetonim nga gjithë sprovat gjatë 40 vjetëve nën regjimin komunist në Çekosllovaki. Tiborin e dënuan prapë me një burgim të gjatë, kështu që m’u desh të kujdesesha për djalin tonë pa ndihmën e tij. Pasi e liruan, Tibori shërbeu si mbikëqyrës udhëtues. Gjatë 40 viteve të komunizmit përdorëm çdo mundësi për t’u folur të tjerëve për besimin tonë. Ndihmuam shumë veta që të mësonin të vërtetën dhe këta na u bënë fëmijët tanë frymorë.
Çfarë gëzimi ishte kur fituam lirinë e fesë në vitin 1989! Një vit më pas ndoqëm kongresin e parë në vendin tonë pas kaq shumë kohësh. Kur pamë mijëra vëllezër e motra që për dhjetëvjeçarë të tërë kishin qëndruar besnikë, e kuptuam se Jehovai kishte qenë një burim madhështor force për të gjithë ata.
Burri im i dashur, Tibori, vdiq besnik ndaj Perëndisë më 14 tetor 1993. Tani jetoj pranë tim biri në Zhilinë, Sllovaki. Fizikisht nuk kam më shumë forcë, por frymësisht jam e fortë falë fuqisë së Jehovait. S’kam asnjë dyshim se me forcën që na jep ai mund të durojmë çfarëdo sprove në këtë sistem të vjetër. Gjithashtu, mezi pres kohën kur, me anë të dashamirësisë së pamerituar të Jehovait, do të mund të jetoj përgjithmonë.
[Figura në faqen 20]
Im bir, Tibor i Riu, (në moshën 4-vjeçare), të cilin m’u desh ta lija vetëm
[Figura në faqen 21]
Tibori, im shoq, me vëllezër të tjerë në Bor
[Figura në faqen 22]
Me Tiborin dhe Magdalenën, kunatën, në vitin 1947, në Bërno
[Figurat në faqen 23]
U gjenda shumë herë përballë vdekjes, por shpëtova falë dorës mbrojtëse të Jehovait