Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbretëria e Perëndisë: Qeveri që është realitet sot

Mbretëria e Perëndisë: Qeveri që është realitet sot

Mbretëria e Perëndisë: Qeveri që është realitet sot

«Si mund të jenë të një mendjeje kaq shumë vende, me kultura kaq të ndryshme e në faza kaq të ndryshme zhvillimi? Është thënë se vetëm një sulm nga një planet tjetër do ta bashkojë racën njerëzore.»​—The Age, gazetë australiane.

NJË sulm nga një planet tjetër? Edhe pse nuk e dimë nëse një sulm i tillë do t’i bashkonte apo jo të gjitha kombet e tokës, profecitë e Biblës flasin për një krizë që po i kanoset botës dhe që do t’i bëjë kombet e saj të mblidhen së bashku. Kjo krizë do të shkaktohet vërtet nga forca jashtëtokësore.

Mbreti David i Izraelit të lashtë foli në mënyrë profetike për këtë situatë botërore. Nën frymëzimin hyjnor ai shkroi: «Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij, duke thënë: ‘Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre.’» (Psalmi 2:2, 3; Veprat 4:25, 26) Vini re se sundimtarët e botës do të mblidheshin bashkë si një i vetëm kundër Jehovait, Krijuesit të universit, dhe kundër të vajosurit, Mbretit të emëruar nga Perëndia, Jezu Krishtit. Si do të ndodhte kjo?

Sipas kronologjisë biblike dhe profecive të përmbushura, në vitin 1914 Mbretëria e Perëndisë u vendos në qiej me Mbret Jezu Krishtin. * Në atë kohë kombet e botës kishin një mendim të përbashkët. Në vend që t’i nënshtroheshin sovranitetit të Mbretërisë së sapolindur të Perëndisë, ato u përfshinë në një betejë për pushtet, në Luftën e Madhe ose në Luftën I Botërore.

Çfarë mendon Perëndia Jehova për këtë reagim të sundimtarëve njerëzorë? «Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta. Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe.» Pastaj Jehovai do t’i thotë Birit të tij, Mbretit të mirosur të Mbretërisë: «Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin. Ti do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile.»​—Psalmi 2:4, 5, 8, 9.

Ky dërrmim përfundimtar i kombeve kundërshtare me një skeptër hekuri do të ndodhë në Harmagedon. Libri i fundit i Biblës, Zbulesa, e përshkruan këtë ngjarje kulmore si ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë të Plotfuqishëm’, në të cilën do të mblidhen së bashku «mbretërit e mbarë tokës së banuar». (Zbulesa 16:14, 16) Nën ndikimin demonik, kombet e tokës do të mblidhen së fundi me një qëllim të vetëm: të luftojnë kundër Perëndisë së Plotfuqishëm.

Koha kur njerëzit do të mblidhen bashkë për të luftuar kundër sovranitetit të Perëndisë po afrohet me të shpejtë. Ky «unitet» mes tyre, si për ironi, nuk do t’u sjellë dobi. Përkundrazi, veprimi i tyre do të jetë ngjarja që do t’i paraprijë paqes aq të shpresuar për gjithë njerëzimin. Si do të ndodhë kjo? Në këtë betejë përfundimtare, Mbretëria e Perëndisë «do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri [të botës] dhe do të ekzistojë përjetë». (Danieli 2:44) Qeveria që do të plotësojë dëshirën e njerëzimit për paqe botërore do të jetë Mbretëria e Perëndisë, e jo ndonjë organizatë njerëzore.

Kryeadministratori i Mbretërisë së Perëndisë

Mbretëria e Perëndisë është ajo për të cilën shumë njerëz të sinqertë janë lutur: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» (Mateu 6:10) Mbretëria e Perëndisë nuk është një gjendje abstrakte e zemrës, por një qeveri e vërtetë, e cila ka bërë vepra të mrekullueshme që kur u vendos në qiell në vitin 1914. Le të shqyrtojmë disa faktorë kyç që tregojnë se Mbretëria e Perëndisë është një qeveri reale që është plotësisht në veprim sot.

Pikësëpari ajo ka organe ekzekutive të fuqishme dhe frytdhënëse, të cilat kryesohen nga Mbreti i vendosur në fron, Jezu Krishti. Në vitin 33 të e.s., Perëndia Jehova e bëri Jezu Krishtin Kreun e kongregacionit të krishterë. (Efesianëve 1:22) Që atëherë Jezui ka ushtruar kryesinë e tij, duke treguar kështu aftësinë e tij administrative. Për shembull, kur në shekullin e parë në Jude ra një zi e madhe buke, kongregacioni i krishterë menjëherë ndërmori veprime për të ndihmuar pjesëtarët e tij. U organizua një vepër për shpërndarjen e ndihmave dhe Barnaba e Sauli u dërguan nga Antiokia me një sasi ndihmash.​—Veprat 11:27-30.

Mund të presim edhe më shumë nga Jezu Krishti tani që qeveria e Mbretërisë është në veprim. Sa herë që ndodhin katastrofa, si tërmete, zi buke, përmbytje, uragane, stuhi ose shpërthime vullkanike, kongregacioni i Dëshmitarëve të Jehovait u përgjigjet menjëherë nevojave të bashkëbesimtarëve dhe të njerëzve të tjerë në zonën e katastrofës. Për shembull, kur në janar e në shkurt të vitit 2001 në Salvador ranë tërmete shkatërrimtare, në të gjitha anët e vendit u organizuan ndihma, dhe grupe Dëshmitarësh të Jehovait nga Kanadaja, Guatemala dhe Shtetet e Bashkuara dhanë ndihmën e tyre. Në një periudhë të shkurtër kohe u rindërtuan tri vende të tyre të adhurimit, si edhe 500 shtëpi.

Nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë

Që kur u vendos në vitin 1914, Mbretëria qiellore e Perëndisë ka mbledhur dhe organizuar nënshtetas të saj nga e gjithë bota. Kjo ka ndodhur në përmbushje të një profecie të jashtëzakonshme të dokumentuar nga Isaia: «Në ditët e fundit do të vijë që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit [adhurimi i tij i vërtetë i lartësuar] do të vendoset në majën e maleve . . . dhe këtu do të vërshojnë tërë kombet.» Profecia tregon se «shumë popuj» do të ngjiten në këtë mal e do të pranojnë udhëzimet dhe ligjet e Jehovait.​—Isaia 2:2, 3.

Kjo veprimtari ka sjellë si rrjedhim lëvizjen më domethënëse të kohëve të sotme, pra një vëllazëri ndërkombëtare me më tepër se 6.000.000 të krishterë në më shumë se 230 vende të tokës. Në kongreset ndërkombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait vëzhguesit shpesh habiten kur shohin dashurinë, paqen dhe unitetin që ekziston mes turmave të mëdha të njerëzve, të cilat i kapërcejnë kufijtë kombëtarë, kulturorë dhe gjuhësorë. (Veprat 10:34, 35) A nuk do ta pranonit edhe ju se një qeveri duhet të jetë e efektshme, e qëndrueshme dhe reale që të jetë e aftë të bashkojë në paqe e harmoni qindra grupe etnike?

Mbretëria e Perëndisë dhe arsimimi

Çdo qeveri ka kërkesat e saj që nënshtetasit duhet t’i plotësojnë dhe kushdo që dëshiron të jetojë nën atë qeveri duhet t’i plotësojë këto kërkesa. Në mënyrë të ngjashme, Mbretëria e Perëndisë ka kërkesa të cilat duhet t’i plotësojnë të gjithë ata që duan të bëhen nënshtetas të saj. Megjithatë, të arrish që kaq shumë njerëz me prejardhje mjaft të ndryshme të pranojnë e të përputhen me të njëjtat kërkesa është një punë e jashtëzakonshme. Prandaj, ja ku kemi një faktor tjetër që dëshmon se Mbretëria e Perëndisë është një realitet. Ky faktor është programi i saj i efektshëm i arsimimit, i cili arrin dhe transformon jo vetëm mendjen, por edhe zemrën.

Si e kryen qeveria e Mbretërisë së Perëndisë këtë detyrë të vështirë? Me anë të metodës së predikimit që përdornin apostujt, pra duke predikuar «nga shtëpia në shtëpi» dhe duke u mësuar të tjerëve individualisht Fjalën e Perëndisë. (Veprat 5:42; 20:20) Sa e efektshme është kjo metodë arsimimi? Zhak Xhonsoni, një prift katolik, shkroi në një gazetë të përjavshme kanadeze për përpjekjet që bëri për ta bindur një grua që të mos studionte më me Dëshmitarët e Jehovait. Ai thotë: «Mbeta krejt i hutuar dhe kuptova se i kisha hyrë një beteje që nuk mund ta fitoja. Fillova të kuptoja se gjatë disa muajve këto gra Dëshmitare kishin krijuar marrëdhënie të forta me këtë nënë të re që nuk ishte në gjendje të dilte nga shtëpia. Ato u lidhën me të duke e ndihmuar, duke e bërë mike, duke vendosur lidhje të forta e të përzemërta. Shumë shpejt ajo u bë pjesëtare aktive e fesë së tyre dhe unë nuk mund të bëja asgjë për ta ndalur.» Ashtu si zemra e kësaj gruaje ish-katolike u prek nga mesazhi i Biblës që i mësuan Dëshmitarët e Jehovait dhe nga sjellja e tyre e krishterë, po kështu po preken zemrat e miliona njerëzve anembanë botës.

Kjo formë arsimimi, pra arsimimi i Mbretërisë, përqendrohet te Bibla dhe përkrah vlerat dhe normat e saj për moralin. Me anë të këtij arsimimi u mësohet njerëzve që të duan dhe të nderojnë njëri-tjetrin pavarësisht nga prejardhja e tyre. (Gjoni 13:34, 35) Gjithashtu ky arsimim i ndihmon njerëzit që të reagojnë ndaj këshillës: «Mjaft u formuat sipas këtij sistemi, por transformohuni duke përtërirë mendjen tuaj, që të provoni për veten tuaj vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë.» (Romakëve 12:2) Miliona njerëz që e kanë braktisur mënyrën e mëparshme të jetesës dhe që me gëzim po e përputhin atë me ligjet dhe parimet e qeverisë së Mbretërisë, kanë gjetur paqe e lumturi tani dhe një shpresë të shkëlqyer për të ardhmen.​—Kolosianëve 3:9-11.

Një mjet ndihmës i jashtëzakonshëm që po përdoret për të arritur këtë unitet mbarëbotëror është kjo revistë, Kulla e Rojës. Nëpërmjet metodave të bashkërenduara të përkthimit dhe të pajisjeve për botimin shumëgjuhësh, artikujt kryesorë të Kullës së Rojës po botohen njëkohësisht në 135 gjuhë dhe më tepër se 95 për qind e lexuesve të saj në mbarë botën mund ta studiojnë materialin në gjuhën e tyre në të njëjtën kohë.

Një shkrimtar mormon bëri një listë të rezultateve misionare më të jashtëzakonshme që s’i përkitnin kishës së tij. Ai i renditi revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, të botuara nga Dëshmitarët e Jehovait, si revistat më të mira për të predikuar ungjillin dhe tha: «Askush nuk mund t’i akuzojë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! se ushqejnë një ndjenjë vetëkënaqësie te njerëzit, përkundrazi, ato ngjallin një ndjenjë vigjilence që rrallë e kam hasur në botime të tjera fetare. Revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! të freskojnë me përmbajtjen e tyre të bazuar në fakte e në kërkime të sakta dhe që ka lidhje me realitetin.»

Janë të shumta dëshmitë që tregojnë se Mbretëria e Perëndisë është një realitet dhe është në funksionim të plotë. Me gëzim dhe me zell Dëshmitarët e Jehovait u japin të tjerëve ‘këtë lajm të mirë të mbretërisë’, duke i ftuar ata të bëhen nënshtetas të saj. (Mateu 24:14) A ju tërheq edhe juve kjo gjë? Mund të gëzoni bekimet që vijnë duke u shoqëruar me ata që po mësojnë kërkesat e Mbretërisë dhe po përpiqen të jetojnë sipas tyre. E gjithashtu do të keni shpresën që të jetoni nën sundimin e Mbretërisë në botën e re të premtuar, në të cilën «ka për të banuar drejtësia».​—2 Pjetrit 3:13.

[Shënimi]

^ par. 5 Për një trajtim më të hollësishëm, shih kapitullin 10 me temë «Mbretëria e Perëndisë sundon», në librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, faqet 90-97.

[Figura në faqet 4, 5]

Në vitin 1914 kombet u përfshinë në një luftë botërore

[Figurat në faqen 6]

Vepra vullnetare e dhënies së ndihmave është dëshmi e dashurisë së krishterë në veprim

[Figura në faqen 7]

Dëshmitarët e Jehovait në të gjithë botën përfitojnë nga i njëjti program arsimimi