Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Në kërkim të një qeverie të mirë

Në kërkim të një qeverie të mirë

Në kërkim të një qeverie të mirë

«Ngaqë shtetet po bëhen gjithnjë e më të varura nga njëra-tjetra, kjo ka bërë që të lindin një sërë problemesh globale që shtetet nuk i zgjidhin dot më secili më vete. Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit mbarëbotëror mund t’u bëjmë ballë rreziqeve në rritje dhe vështirësive që has njerëzimi.»​—Gulam Umari, analist politik pakistanez.

BOTA e sotme është plot me paradokse. Në mes të një bollëku material, shumë veta mezi e sigurojnë jetesën. Brezi i epokës së sotme, me pajisje të ndërlikuara elektronike, mund të jetë vërtet brezi më i arsimuar e më i informuar, e megjithatë, gjithnjë e më shumë njerëz e kanë të vështirë të gjejnë një punë të qëndrueshme. Ndonëse njerëzit duket se kanë më shumë liri se kurrë më parë, miliona prej tyre jetojnë në një atmosferë frike dhe pasigurie. Mund të jemi të rrethuar nga mundësi tërheqëse në jetë, por korrupsioni dhe paligjshmëria në të gjitha nivelet e shoqërisë ka bërë që shumë veta të ndihen të pashpresë.

Problemet që po has sot njerëzimi janë kaq të shumta, saqë nuk i zgjidh dot një komb i vetëm ose edhe një grup kombesh. Për këtë arsye shumë ekspertë kanë arritur në këtë përfundim: të gjitha kombet duhet të bashkohen nën një qeveri të vetme, që paqja dhe siguria të bëhen realitet. Për shembull, Albert Ajnshtajni e mbronte prej kohësh një ide të tillë. Në vitin 1946 ai tha: «Jam plotësisht i bindur se shumica e popujve të botës do të parapëlqenin të jetonin në paqe dhe siguri . . . Dëshira e njerëzimit për paqe mund të realizohet vetëm duke krijuar një qeveri botërore.»

Edhe pse kanë kaluar më shumë se pesëdhjetë vjet, kjo nevojë e domosdoshme e njerëzimit ende nuk është plotësuar. Duke renditur problemet e shekullit të 21-të, një artikull në gazetën Le Monde të Parisit, Francë, vërente: «Është e domosdoshme të ndërtohen themelet gjyqësore, administrative dhe kushtetuese të një qeverie ndërkombëtare, e cila të jetë e aftë të ndërhyjë menjëherë në çdo vend të botës, në raste masakrash etnike. Po ashtu është e domosdoshme të pranohet ideja se, që tani e tutje, Toka është një vend i vetëm.» Kush ose çfarë ka fuqinë dhe aftësinë për ta bërë këtë, në mënyrë që t’i sigurojë njerëzimit një të ardhme paqësore?

A janë Kombet e Bashkuara zgjidhja?

Shumë veta e kanë vënë shpresën për paqe tek Organizata e Kombeve të Bashkuara. A është OKB-ja ajo qeveri që mund të sjellë paqe të vërtetë dhe siguri në botë? Pa dyshim nuk mungojnë fjalimet bindëse politike që duken frymëzuese dhe premtuese. Për shembull, në vitin 2000, në «Deklaratën e Mijëvjeçarit», Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mori këtë vendim solemn: «Do të bëjmë të pamundurën për t’i çliruar popujt tanë nga plaga e luftës, qoftë kjo brenda shteteve, qoftë midis shteteve. Dhjetëvjeçarin e kaluar kjo plagë u ka marrë jetën më shumë se 5 milionë njerëzve.» Deklarata të tilla kanë bërë që shumë njerëz ta lavdërojnë dhe ta admirojnë OKB-në, madje në vitin 2001 kjo organizatë ka fituar çmimin Nobel për Paqen. Duke e nderuar OKB-në në këtë mënyrë, Komiteti Norvegjez për Çmimin Nobel pohoi se «udha e vetme e suksesshme drejt paqes dhe bashkëpunimit mbarëbotëror është me anë të Kombeve të Bashkuara».

Pavarësisht nga e gjithë kjo, a ka treguar Organizata e Kombeve të Bashkuara, e themeluar më 1945, se është një qeveri që mund të sjellë paqe botërore të vërtetë dhe të qëndrueshme? Jo, sepse ambiciet egoiste dhe nacionaliste të kombeve të saj anëtare kanë bërë që të dështojnë shumë prej përpjekjeve të saj. Përshtypja e njerëzve në përgjithësi është ajo që shprehet në fjalët e botuesit të një gazete, se OKB-ja s’është gjë tjetër veçse «një lloj barometri për vlerësimin e opinionit mbarëbotëror» dhe që «programi i saj është plot me çështje që janë debatuar prej vitesh, por për zgjidhjen e të cilave është bërë pak ose aspak përparim». Mbetet për t’i dhënë përgjigje pyetjes: A do të jenë kombet e botës vërtet të bashkuara ndonjë ditë?

Bibla zbulon se ky unitet do të realizohet së shpejti. Si do të ndodhë kjo? Cila qeveri do ta sjellë këtë unitet? Për të gjetur përgjigje, ju lutemi lexoni artikullin vijues.

[Figura në faqen 3]

Ajnshtajni mbronte idenë se kemi nevojë për një qeveri mbarëbotërore

[Burimi]

Ajnshtajni: Fotografi e U.S. National Archives