Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Çfarë donte t’u thoshte dishepujve Jezui me fjalët: «Nisa ta shikoja Satanain tashmë të rënë si vetëtimë nga qielli.»

Jezui sapo i kishte zgjedhur 70 dishepujt dhe «i dërgoi përpara vetes dy e nga dy në çdo qytet dhe vend ku do të shkonte vetë». Kur këta 70 dishepuj u kthyen, po gëzonin për suksesin e veprës së tyre. «Zotëri, edhe demonët na janë nënshtruar duke përdorur emrin tënd»,​—i thanë ata. Në këtë pikë, Jezui u tha: «Nisa ta shikoja Satanain tashmë të rënë si vetëtimë nga qielli.»​—Luka 10:1, 17, 18.

Fillimisht mund të duket sikur Jezui po fliste për një ngjarje që tashmë kishte ndodhur. Megjithatë, 60 vjet pasi Jezui i tha këto fjalë, apostulli i moshuar Gjon përdori një gjuhë të ngjashme kur shkroi: «Dragoi i madh u hodh poshtë, gjarpri i hershëm, ai që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar; u hodh poshtë në tokë ai dhe engjëjt e tij bashkë me të.»​—Zbulesa 12:9.

Kur Gjoni shkroi këto fjalë, Satanai banonte ende në qiell. Si e dimë këtë? Sepse Zbulesa është libër profetik, jo libër historie. (Zbulesa 1:1) Prandaj, në kohën e Gjonit, Satanai s’ishte hedhur ende në tokë. Në fakt, provat tregojnë se kjo ndodhi vetëm pak kohë pasi Jezui u vendos në fron si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë, në vitin 1914. *​—Zbulesa 12:1-10.

Atëherë, pse Jezui foli për hedhjen e Satanait nga qielli sikur kjo tashmë të kishte ndodhur? Disa studiues sugjerojnë se Jezui po i qortonte dishepujt e tij sepse po shfaqnin krenari të papërshtatshme. Këta studiues besojnë se me fjalë të tjera Jezui po thoshte: ‘Ju fituat mbi demonët, por mos u mburrni. Edhe Satanai u bë krenar dhe kjo çoi në rënien e tij të shpejtë.’

Për këtë çështje s’mund të jemi dogmatikë. Megjithatë, ka më shumë mundësi që Jezui po gëzonte bashkë me dishepujt dhe po fliste për rënien e ardhshme të Satanait. Jezui, më shumë se çdo dishepull i tij, ishte mjaft i vetëdijshëm për armiqësinë e ligë të Djallit. Përfytyroni gëzimin e Jezuit kur dëgjoi që demonë të fuqishëm po u nënshtroheshin dishepujve të tij që ishin njerëz të papërsosur! Ky nënshtrim i demonëve ishte thjesht një pamje paraprake e kohës së ardhme kur Jezui, në rolin e kryeengjëllit Mikael, të luftonte kundër Satanait dhe ta hidhte nga qielli në tokë.

Kur Jezui tha se kishte parë Satanain «tashmë të rënë», me sa duket po theksonte se sa e sigurt është rënia e Satanait. Kjo ngjan me profeci të tjera biblike që flasin për ngjarje të ardhme në kohën e shkuar. Për shembull, vini re si përzihet koha e ardhme dhe koha e shkuar në profecinë për Mesinë tek Isaia 52:13–53:12. Me sa duket, Jezui po shprehte sigurinë që hedhja e Satanait nga qielli do të ndodhte sipas qëllimit të Atit të Tij. Po ashtu, Jezui ishte i sigurt se në kohën e duhur sipas Perëndisë, Satanai dhe demonët e tij do të mbylleshin në humnerë e më vonë do të shkatërroheshin një herë e mirë.​—Romakëve 16:20; Hebrenjve 2:14; Zbulesa 20:1-3, 7-10.

[Shënimi]