Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A kemi nevojë për këshilla të mira?

A kemi nevojë për këshilla të mira?

A kemi nevojë për këshilla të mira?

SHUMË veta sot mendojnë se e kanë aftësinë për të dalluar të mirën nga e keqja dhe se kanë të drejtë të bëjnë ç’të duan. Të tjerë thonë se çdo gjë është e mirë, nëse të bën të ndihesh mirë. Martesa dhe jeta familjare, të cilat prej shumë kohësh konsideroheshin themelet e shoqërisë njerëzore, po ndikohen tmerrësisht nga këto pikëpamje.​—Zanafilla 3:5.

Shikoni ç’ndodhi me Veronikën, * që jeton në Meksikë. Ajo thotë: «Pak para përvjetorit të 15-të të martesës, im shoq më tha se kishte lidhje me një grua tjetër. Më tha se do të më linte e do të shkonte me atë, meqë ishte më e re dhe e bënte të ndihej më mirë. Mendimi që im shoq, të cilin e konsideroja shokun tim më të mirë, nuk do të ishte më përkrah meje më tronditi thellë. Gjithnjë kisha menduar se gjëja më e dhembshme do të ishte vdekja e njerëzve të dashur. Por, për mua tradhtia bashkëshortore ishte edhe më e dhembshme, sepse jo vetëm humba atë që doja shumë, por ai vazhdonte të bënte gjëra që më lëndonin.»

Një situatë tjetër është ajo e një 22-vjeçari, i cili tashmë është divorcuar dhe ka një djalë, por nuk dëshiron të pranojë përgjegjësitë që ka si baba. Pret që nëna e tij të kujdeset për të dhe për nipin e vogël. Nëse ajo nuk është dakord me të gjitha kërkesat e tij, ai zemërohet dhe e sulmon me fjalë, si një fëmijë tekanjoz. E ëma ndihet e pashpresë përballë kësaj sjelljeje ofenduese.

Këto nuk janë raste të rralla. Ndarja ligjore dhe divorci po shtohen kudo. Shumë fëmijë e kanë provuar ç’do të thotë që njëri nga prindërit ikën nga shtëpia për të filluar një jetë të re. Disa të rinj e kanë humbur plotësisht respektin për të tjerët, qoftë edhe për prindërit e tyre, dhe sillen në mënyra që në të kaluarën as do t’i kishim marrë me mend. Eksperimentet seksuale, abuzimi me drogën, të rinj që kryejnë sulme dhe fëmijë që vrasin mësuesit a prindërit janë bërë gjëra të zakonshme në shumë vende. E ndoshta e keni vënë re se rritja e fëmijëve dhe martesa nuk janë të vetmet fusha ku ka vështirësi në botën e sotme.

Kur shohim këto gjëra që po ndodhin, mund të pyesim veten çfarë i ka ndodhur shoqërisë sonë. Nëse njerëzit vërtet e dallojnë të mirën nga e keqja, pse ka kaq shumë probleme që nuk po zgjidhen? A kemi nevojë për këshilla të mira? A ka ndonjë burim ku të marrim këshilla të tilla të mira, një burim që të ketë treguar se është i besueshëm? Ndonëse shumë thonë se besojnë te Perëndia dhe te Fjala e tij e shkruar, nuk duket se kjo ndikon në vendimet që marrin. Por, çfarë dobie mund të nxjerrim kur kërkojmë dhe marrim këshilla nga Perëndia? Le ta shohim këtë në artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 3 Emri është ndryshuar.