Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai, ‘fortesa jonë në kohë vuajtjesh’

Jehovai, ‘fortesa jonë në kohë vuajtjesh’

Jehovai, ‘fortesa jonë në kohë vuajtjesh’

«Shpëtimi i të drejtëve vjen nga Jehovai; ai është fortesa e tyre në kohë vuajtjesh.»​—PSALMI 37:39, BR.

1, 2. (a) Për çfarë u lut Jezui në lidhje me dishepujt e tij? (b) Cili është vullneti i Perëndisë për popullin e tij?

JEHOVAI është i plotfuqishëm. Ai ka fuqi t’i mbrojë adhuruesit e tij besnikë në çfarëdo mënyre të dojë. Madje mund ta ndante popullin e tij fizikisht nga bota dhe ta vinte në një mjedis të sigurt e paqësor. Megjithatë, Jezui iu lut Atit të tij qiellor për dishepujt: «Të kërkoj, jo t’i heqësh nga bota, por t’i ruash për shkak të të ligut.»​—Gjoni 17:15.

2 Jehovai ka vendosur të mos ‘na heqë nga bota’. Vullneti i tij është të jetojmë mes njerëzve të tjerë në këtë botë që t’u predikojmë atyre mesazhin e tij të shpresës e të ngushëllimit. (Romakëve 10:13-15) Por, siç e tregoi Jezui në lutjen e tij, duke jetuar në këtë botë jemi nën ndikimin e ‘të ligut’. Njerëzit e pabindur dhe forcat e liga frymore u shkaktojnë të tjerëve shumë dhembje e hidhërime, e të krishterët nuk janë të përjashtuar nga vuajtjet.​—1 Pjetrit 5:9.

3. Cilin realitet duhet të përballojnë adhuruesit besnikë të Jehovait, por çfarë ngushëllimi gjejmë në Fjalën e Perëndisë?

3 Kur kemi sprova të tilla, është e natyrshme të kalojmë periudha shkurajimi. (Fjalët e urta [Proverbat] 24:10) Në Bibël ka shumë tregime për njerëz besnikë që përjetuan vuajtje. «Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha»,​—tha psalmisti. (Psalmi 34:19) Po, edhe «njeriut të drejtë» i ndodhin gjëra të këqija. Ashtu si psalmisti David, nganjëherë edhe mund ‘të ndihemi të sfilitur e të vrarë’ tej mase. (Psalmi 38:8) Gjithsesi, është ngushëlluese të dimë se Jehovai «qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar».​—Psalmi 34:18; 94:19.

4, 5. (a) Çfarë duhet të bëjmë për të marrë mbrojtjen e Perëndisë sipas Fjalëve të urta 18:10? (b) Cilat janë tre hapat specifikë që duhet të bëjmë për të marrë ndihmën e Perëndisë?

4 Në harmoni me lutjen e Jezuit, Jehovai po vigjilon mbi ne për të na ruajtur. Ai është ‘fortesa jonë në kohë vuajtjesh’. (Psalmi 37:39, BR) Libri i Fjalëve të urta përdor fjalë të ngjashme kur thotë: «Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri.» (Fjalët e urta 18:10) Ky shkrim zbulon një të vërtetë themelore për interesimin e dashur të Jehovait për krijesat e tij. Perëndia u ofron mbrojtje sidomos të drejtëve që e kërkojnë në mënyrë aktive, sikur të ishin duke u turrur me vrap te një kala e fortë për t’u strehuar.

5 Si mund të vrapojmë te Jehovai për mbrojtje kur hasim probleme që na bëjnë të vuajmë? Le të shqyrtojmë tre hapa jetësorë që mund të bëjmë për të marrë ndihmën e Jehovait. Së pari, duhet t’i drejtohemi në lutje Atit tonë qiellor. Së dyti, duhet të veprojmë në harmoni me frymën e tij të shenjtë. E së treti, duhet t’u nënshtrohemi masave që ka marrë Jehovai, duke kërkuar shoqërinë e të bashkëkrishterëve që mund të na i lehtësojnë vuajtjet.

Fuqia e lutjes

6. Si e shohin lutjen të krishterët e vërtetë?

6 Disa specialistë të shëndetit e rekomandojnë lutjen si një trajtim për depresionin dhe stresin. Ndonëse mund të jetë e vërtetë që disa çaste të qeta meditimi, sikur të ishim duke u lutur, e lehtësojnë stresin, pak a shumë të njëjtën gjë mund të bëjnë disa tinguj në natyrë ose edhe masazhet çlodhëse. Të krishterët e vërtetë nuk ia ulin vlerën lutjes duke e parë vetëm si një terapi që të bën të ndihesh mirë. Ne e shohim lutjen si një komunikim me Krijuesin tonë që duhet bërë me nderim të thellë. Lutja ka të bëjë me përkushtimin tonë ndaj Perëndisë dhe me sigurinë që kemi tek ai, prandaj është pjesë e adhurimit tonë.

7. Çfarë do të thotë të lutemi me një ndjenjë sigurie dhe si na ndihmojnë këto lutje që të përballojmë vuajtjet?

7 Lutjet duhet t’i shoqërojmë me një ndjenjë besimi ose sigurie te Jehovai. Apostulli Gjon shkroi: «Kjo është siguria që kemi ndaj tij: çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.» (1 Gjonit 5:14) Jehovai, Qenia Më e Lartë, i vetmi Perëndi i vërtetë dhe i plotfuqishëm, u kushton vëmendje të veçantë lutjeve të zjarrta të adhuruesve të tij. Mjafton të dimë se Perëndia ynë i dashur na dëgjon kur ia themi atij ankthet dhe problemet tona dhe kjo na ngushëllon shumë.​—Filipianëve 4:6.

8. Pse të krishterët besnikë nuk duhet të druhen kurrë ose të ndihen të padenjë kur i afrohen në lutje Jehovait?

8 Të krishterët besnikë asnjëherë nuk duhet të druhen, të ndihen të padenjë ose t’u mungojë siguria, kur i afrohen në lutje Jehovait. Është e vërtetë se kur jemi të zhgënjyer nga vetja ose jemi të mbytur deri në grykë me problemet tona, jo gjithnjë mund të jemi të prirur t’i afrohemi në lutje Jehovait. Në raste të tilla duhet të mbajmë parasysh se Jehovait «i vjen keq për të pikëlluarit» dhe ‘i ngushëllon të përvuajturit’. (Isaia 49:13; 2 Korintasve 7:6) Sidomos në kohë ankthi e vuajtjesh duhet t’i drejtohemi të sigurt Atit tonë qiellor si fortesës sonë.

9. Çfarë roli luan besimi në lutjet që i bëjmë Perëndisë?

9 Për të nxjerrë plotësisht dobi nga privilegji i lutjes, duhet të kemi besim të vërtetë. Bibla thotë se «ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebrenjve 11:6) Besim nuk do të thotë thjesht të pranosh se Perëndia ekziston, se «ai është». Besimi i vërtetë përfshin bindjen e fortë se Perëndia ka aftësinë dhe dëshirën për të na shpërblyer për bindjen që tregojmë në jetë. «Sytë e Jehovait janë mbi të drejtët dhe veshët e tij te përgjërimi i tyre.» (1 Pjetrit 3:12) Kur jemi gjithnjë të vetëdijshëm se Jehovai interesohet me dashuri për ne, kjo u jep domethënie të veçantë lutjeve tona.

10. Si duhet të jenë lutjet tona, me qëllim që të kemi mbështetjen frymore të Jehovait?

10 Jehovai i dëgjon lutjet tona kur këto bëhen me zemër të plotë. Psalmisti shkroi: «Unë bërtas me gjithë zemër, përgjigjmu, o Zot.» (Psalmi 119:145) Ndryshe nga lutjet në shumë fe që janë thjesht si një rit, lutjet tona nuk janë mekanike ose me gjysmë zemre. Kur i lutemi Jehovait me «gjithë zemër», fjalët që i themi janë me kuptim e me një qëllim. Pasi kemi bërë këto lutje të zjarrta, fillojmë të provojmë lehtësimin që vjen kur e hedhim ‘mbi Zotin barrën tonë’. Siç premton Bibla, ‘ai do të na mbajë’.​—Psalmi 55:22; 1 Pjetrit 5:6, 7.

Fryma e Perëndisë është ndihmësi ynë

11. Në cilën mënyrë na përgjigjet Jehovai kur ‘vazhdojmë t’i kërkojmë’ ndihmë?

11 Jehovai nuk mjaftohet duke i dëgjuar lutjet, por edhe u përgjigjet atyre. (Psalmi 65:2) Davidi shkroi: «Unë të kërkoj në ditën e fatkeqësisë sime, sepse ti do të më përgjigjesh.» (Psalmi 86:7) Po kështu, Jezui i nxiti dishepujt e tij që ‘të vazhdojnë të kërkojnë’ ndihmën e Jehovait, sepse «Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». (Luka 11:9-13) Po, forca vepruese e Perëndisë vepron si një ndihmës ose ngushëllues për popullin e tij.​—Gjoni 14:16.

12. Si na ndihmon fryma e Perëndisë kur problemet na duken mbytëse?

12 Edhe atëherë kur hasim sprova, fryma e Perëndisë mund të na mbushë me ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Korintasve 4:7) Apostulli Pavël, i cili duroi shumë situata të vështira, tha i sigurt: «Për çdo gjë kam forcë në saje të atij që më jep fuqi.» (Filipianëve 4:13) Po kështu, shumë të krishterë sot kanë ndier ripërtëritjen e forcave të tyre frymore dhe emocionale si përgjigje ndaj përgjërimeve që kanë bërë. Shpesh, pasi marrim ndihmë nga fryma e Perëndisë, problemet që na shkaktojnë vuajtje nuk na duken më kaq mbytëse. Ngaqë Perëndia na jep këtë forcë, mund të themi si apostulli: «Jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por jo aq ngushtë sa të mos lëvizim; jemi ndërdyshas, por jo fare pa rrugëdalje; jemi të persekutuar, por jo të lënë në baltë; jemi të hedhur poshtë, por jo të shkatërruar.»​—2 Korintasve 4:8, 9.

13, 14. (a) Si ka treguar Jehovai se është fortesa jonë nëpërmjet Fjalës së tij të shkruar? (b) Si të ka ndihmuar personalisht zbatimi i parimeve biblike?

13 Perëndia me frymën e tij të shenjtë po ashtu ka frymëzuar dhe ka ruajtur për dobinë tonë Fjalën e tij të shkruar. Si ka treguar Jehovai se është fortesë në kohë vuajtjesh me anë të faqeve të Fjalës së tij? Një mënyrë është duke na dhënë mençuri praktike dhe aftësi për të menduar. (Fjalët e urta 3:21-24) Bibla na i stërvit aftësitë mendore dhe na e përmirëson fuqinë për të arsyetuar. (Romakëve 12:1) Nëpërmjet leximit dhe studimit të rregullt të Fjalës së Perëndisë, si edhe nëpërmjet përdorimit të saj, mund ‘t’i stërvitim aftësitë perceptuese për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’. (Hebrenjve 5:14) Ndoshta ju vetë e keni provuar se si ju kanë ndihmuar parimet biblike për të marrë vendime të mençura kur keni hasur vështirësi. Bibla na jep mendjehollësinë që mund të na ndihmojë të gjejmë zgjidhje praktike për problemet që na sjellin vuajtje.​—Fjalët e urta 1:4.

14 Fjala e Perëndisë na jep edhe një burim tjetër force, domethënë shpresën e shpëtimit. (Romakëve 15:4) Bibla na thotë se gjërat e këqija nuk do të vazhdojnë të ndodhin pambarimisht. Çfarëdo shtrëngimi që po hasim është i përkohshëm. (2 Korintasve 4:16-18) Kemi ‘shpresën e jetës së përhershme që Perëndia, i cili nuk mund të gënjejë, e premtoi përpara kohëve shumë të hershme’. (Titit 1:2) Në qoftë se gëzohemi me këtë shpresë, duke pasur gjithnjë parasysh të ardhmen e bukur që premton Jehovai, mund të qëndrojmë në shtrëngime.​—Romakëve 12:12; 1 Selanikasve 1:3.

Kongregacioni​—Shprehje e dashurisë së Perëndisë

15. Si mund të jenë të krishterët bekim për njëri-tjetrin?

15 Një masë tjetër që ka marrë Jehovai për të na ndihmuar në kohë vuajtjesh është shoqëria që kemi në kongregacionin e krishterë. Bibla thotë: «Kush është mik ai do në çdo kohë dhe në ditë të ngushtë ai bëhet vëlla.» (Fjalët e urta 17:17, DSF) Fjala e Perëndisë i nxit të gjithë pjesëtarët e kongregacionit ta nderojnë dhe ta duan njëri-tjetrin. (Romakëve 12:10) «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit»,​—shkroi apostulli Pavël. (1 Korintasve 10:24) Ky qëndrim mendor mund të na ndihmojë të mos përqendrohemi shumë te sprovat tona, por te nevojat e të tjerëve. Kur bëjmë gjëra për të tjerët, jo vetëm që i ndihmojmë, por edhe vetë ndiejmë lumturi e kënaqësi që na i bën më të lehta barrët tona.​—Veprat 20:35.

16. Si mund t’i inkurajojë të tjerët çdo i krishterë?

16 Burrat dhe gratë që janë të pjekur frymësisht mund të luajnë një rol të rëndësishëm për të forcuar të tjerët. Për të arritur këtë, ata bëjnë përpjekje që të jenë të afrueshëm dhe të jenë gjithnjë të gatshëm kur të tjerët të kenë nevojë. (2 Korintasve 6:11-13) Kongregacioni është vërtet i bekuar kur të gjithë programojmë kohë për të lavdëruar të rinjtë, për të inkurajuar besimtarët e rinj dhe për t’u dhënë zemër atyre që janë të dëshpëruar. (Romakëve 15:7) Po ashtu, dashuria vëllazërore do të na ndihmojë të shmangim frymën e dyshimit ndaj njëri-tjetrit. Nuk duhet të nxjerrim menjëherë përfundimin se vështirësitë që po has dikush janë shenjë dobësie frymore. Në mënyrë të përshtatshme, Pavli i nxit të krishterët ‘t’u flasin në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të ligështuar’. (1 Selanikasve 5:14) Bibla tregon se edhe të krishterët besnikë kalojnë vuajtje.​—Veprat 14:15.

17. Çfarë mundësish kemi për të forcuar lidhjen e vëllazërisë së krishterë?

17 Mbledhjet e krishtere na sigurojnë një mundësi shumë të mirë për të ngushëlluar e për të inkurajuar njëri-tjetrin. (Hebrenjve 10:24, 25) Por kjo shoqëri e dashur nuk kufizohet vetëm në mbledhjet e kongregacionit. Përkundrazi, shërbëtorët e Perëndisë kërkojnë mundësi që të gëzojnë shoqërinë e shëndetshme të njëri-tjetrit edhe në aktivitete të kohës së lirë. Kur të lindin situata të vështira do ta ndihmojmë menjëherë njëri-tjetrin, sepse tashmë kemi krijuar lidhje të ngushta miqësie. Apostulli Pavël shkroi: «Në trup të mos ketë ndarje, por . . . gjymtyrët e tij të kenë . . . kujdes për njëra-tjetrën. Dhe sikur të vuajë një gjymtyrë, gjithë gjymtyrët e tjera vuajnë bashkë me të; ose, sikur të marrë lavdi një gjymtyrë, gjithë gjymtyrët e tjera gëzojnë bashkë me të.»​—1 Korintasve 12:25, 26.

18. Cilën prirje duhet të shmangim kur na lëshon zemra?

18 Nganjëherë mund të ndihemi kaq zemërlëshuar, saqë nuk i gëzohemi dot shoqërisë me të bashkëkrishterët. Duhet t’i luftojmë këto ndjenja që të mos ia privojmë vetes ngushëllimin dhe ndihmën që mund të na japin bashkëbesimtarët. Bibla na paralajmëron: «Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.» (Fjalët e urta 18:1) Vëllezërit dhe motrat janë shprehje e kujdesit që ka Perëndia për ne. Në qoftë se e dallojmë këtë masë të dashur, do të gjejmë lehtësim në kohë vuajtjesh.

Të mbajmë një qëndrim pozitiv

19, 20. Si na ndihmojnë Shkrimet që t’i hedhim poshtë mendimet negative?

19 Kur jemi të shkurajuar e të trishtuar, është e lehtë të rrimë e të përqendrohemi në mendime negative. Për shembull, kur hasin vështirësi, disa mund të fillojnë të dyshojnë për gjendjen e tyre frymore, duke nxjerrë si përfundim se kjo vështirësi është shenjë që Perëndia nuk po i miraton. Por mos harroni se Jehovai nuk sprovon asnjeri me «gjëra të liga». (Jakovi 1:13) «[Perëndia] nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve»,​—thotë Bibla. (Vajtimet 3:33) Përkundrazi, Jehovai hidhërohet thellësisht kur shërbëtorët e tij vuajnë.​—Isaia 63:8, 9; Zakaria 2:8.

20 Jehovai është «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi». (2 Korintasve 1:3) Ai interesohet për ne dhe do të na lartësojë në kohën e duhur. (1 Pjetrit 5:6, 7) Në qoftë se vazhdimisht jemi të vetëdijshëm për dashurinë që ka Perëndia për ne, kjo do të na ndihmojë të mbajmë një qëndrim pozitiv, madje të gëzojmë. Jakovi shkroi: «Konsiderojeni veçse gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme.» (Jakovi 1:2) Përse? Ai përgjigjet: «Sepse kur të miratohet, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Jehovai ua premtoi atyre që vazhdojnë ta duan.»​—Jakovi 1:12.

21. Çfarë sigurie u jep Perëndia atyre që i qëndrojnë besnikë, pavarësisht nga vështirësitë që hasin?

21 Siç na paralajmëroi Jezui, në botë do të kemi shtrëngime. (Gjoni 16:33) Por Bibla premton se asnjë ‘shtrëngim, vuajtje, persekutim, uri, të zhveshurit ose rrezik’ nuk do të na ndajë nga dashuria e Jehovait dhe nga dashuria e Birit të tij. (Romakëve 8:35, 39) Sa ngushëlluese është të dimë se çfarëdo vuajtjeje që hasim tani është e përkohshme! Ndërsa presim fundin e vuajtjeve njerëzore, Ati ynë i dashur Jehova vigjilon mbi ne për të na ruajtur. Në qoftë se vrapojmë tek ai për mbrojtje, Jehovai do të jetë «strehim i papushtueshëm për të shtypurin, një strehim i papushtueshëm në kohë ngushtice».​—Psalmi 9:9.

Çfarë kemi mësuar?

• Çfarë duhet të presin të krishterët ndërsa jetojnë në këtë botë të ligë?

• Si mund të na forcojnë lutjet e zjarrta kur hasim sprova?

• Si na ndihmon fryma e Perëndisë?

• Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar njëri-tjetrin?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

Duhet ta kërkojmë Jehovain si të ishim duke vrapuar për te një kala e fortë

[Figurat në faqen 20]

Njerëzit e pjekur frymësisht përdorin çdo mundësi për të lavdëruar e për të inkurajuar të tjerët