Një njeri i guximshëm, «endacak për hir të ungjillit»
Një njeri i guximshëm, «endacak për hir të ungjillit»
THUHET se në moshën 18-vjeçare, Xhorxh Borou dinte 12 gjuhë. Dy vjet më vonë arrinte të përkthente «me lehtësi e me hijeshi» në 20 gjuhë.
Në vitin 1833, ky njeri jashtëzakonisht i talentuar mori ftesën për një intervistë nga Shoqëria Biblike për në Angli dhe Jashtë, e cila ndodhej në Londër, Angli. Para për udhëtimin s’kishte, por ishte i vendosur të përfitonte nga kjo mundësi, prandaj 30-vjeçari Borou bëri 180 kilometra në këmbë që nga shtëpia e tij në Noruiç vetëm për 28 orë.
Shoqëria Biblike i vuri përpara një detyrë të vështirë: të mësonte brenda gjashtë muajve gjuhën mançuriane, që përdorej në disa pjesë të Kinës. Ai u kërkoi një libër gramatike, por gjithçka që i dhanë ishte një kopje e ungjillit sipas Mateut në gjuhën mançuriane dhe një fjalor mançurisht-frëngjisht. Megjithatë, pas 19 javësh, Borou i shkroi kësaj Shoqërie në Londër: «E mësova gjuhën mançuriane.» Pastaj tha se këtë e kishte arritur me «ndihmën e Perëndisë». Kjo arritje ishte edhe më e jashtëzakonshme, po të kemi parasysh se në të njëjtën kohë, sipas të dhënave, ai po korrigjonte ungjillin sipas Lukës në gjuhën nahuatl, një nga gjuhët e banorëve vendës të Meksikës.
Bibla në gjuhën mançuriane
Në shekullin e 17-të, kur gjuha mançuriane doli për herë të parë në formë të shkruar, me shkronjat e alfabetit mongol uigur, u bë gjuha që përdorej në qarqet zyrtare kineze. Ndonëse me kalimin e kohës përdorimi i kësaj gjuhe ra, anëtarët e Shoqërisë Biblike për në Angli dhe Jashtë dëshironin shumë të botonin e të shpërndanin Bibla në gjuhën mançuriane. Deri në vitin 1822 kishin financuar një botim të 550 kopjeve të ungjillit sipas Mateut, përkthim i Stjepan V. Lipoftsofit që punonte në Ministrinë e Jashtme të Rusisë dhe kishte jetuar 20 vjet në Kinë. Botimi u shtyp në Shën-Pjetërburg, por, pasi ishin shpërndarë vetëm disa kopje, një përmbytje shkatërroi pjesën tjetër të librave.
Më pas u bë një përkthim i gjithë Shkrimeve të Krishtere Greke. Në vitin 1834, zbulimi i një dorëshkrimi të lashtë të pjesës më të madhe të Shkrimeve Hebraike e rriti interesin për Biblën. Kush mund të bënte njëkohësisht një rishikim të Biblës ekzistuese në mançurisht dhe të përfundonte pjesën tjetër të përkthimit? Shoqëria Biblike për në Angli dhe Jashtë dërgoi në emrin e saj Xhorxh Boroun për këtë detyrë.
Në Rusi
Pasi mbërriti në Shën-Pjetërburg, Borou iu përvesh punës për ta studiuar më thellë
mançurishten, që të redaktonte e të nxirrte një tekst biblik më të saktë. Gjithsesi puna ishte shumë e vështirë dhe ai punonte deri 13 orë në ditë për të ndihmuar me radhitjen e shkronjave për Besëlidhjen e Re, e cila pastaj u përshkrua si «një vepër e bukur orientale». Në vitin 1835 u shtypën një mijë kopje. Por aspiratat e Borout për t’i çuar ato në Kinë dhe për t’i shpërndarë nuk u plotësuan. Qeveria ruse, nga frika se mos kjo shihej si një përpjekje misionare që mund të rrezikonte marrëdhëniet miqësore me fqinjën e tyre, nuk i dha Borout lejen për të shkuar në kufirin kinez po të kishte me vete «sikur edhe një Bibël të vetme në mançurisht».Disa kopje u shpërndanë rreth dhjetë vjet më vonë dhe përkthime të ungjijve të Mateut e të Markut, me kolona paralele në mançurisht e në gjuhën kineze, dolën në vitin 1859. Mirëpo, tashmë në këtë kohë shumë njerëz që lexonin mançurisht pëlqenin më shumë të lexonin gjuhën kineze, prandaj ëndrra për një Bibël të plotë në mançurisht filloi të zbehej. Faktikisht mançurishtja ishte një gjuhë që po vdiste dhe së shpejti do të zëvendësohej me gjuhën kineze. Ky zëvendësim u bë i plotë në vitin 1912, kur Kina u bë republikë.
Në Gadishullin Iberik
Xhorxh Borou u kthye me entuziazëm në Londër nga përvojat që pati. Në vitin 1835 e caktuan në Portugali e në Spanjë, «për t’u siguruar sa ishin gati mendërisht njerëzit për të pranuar të vërtetat e krishterimit», siç u shpreh ai vetë më vonë. Në atë kohë, këto dy vende në përgjithësi s’ishin prekur nga Shoqëria Biblike për në Angli dhe Jashtë, për shkak të trazirave të mëdha politike dhe shoqërore. Borout i pëlqente shumë të hynte në biseda për Biblën me njerëzit në zonat fshatare portugeze, por shumë shpejt, indiferenca fetare që hasi atje e nxiti të kalonte në Spanjë.
Spanja paraqiste një sfidë tjetër, sidomos ciganët e atjeshëm, me të cilët Borou u miqësua shumë shpejt, sepse fliste gjuhën e tyre. Pak kohë pasi mbërriti atje, filloi të përkthente «Besëlidhjen e re» në gjuhën rome të ciganëve spanjollë. Ai ftoi dy cigane që ta ndihmonin për një pjesë të kësaj pune. U lexonte versionin spanjisht të Biblës dhe u kërkonte t’ia përkthenin. Në këtë mënyrë mësoi përdorimin e saktë të shprehjeve frazeologjike në gjuhën e ciganëve. Rezultati i kësaj përpjekjeje ishte ungjilli sipas Lukës që u botua në pranverën e vitit 1838, gjë që nxiti një peshkop të thoshte: «Do ta kthejë gjithë Spanjën në besim me anë të gjuhës së ciganëve.»
Xhorxh Borou kishte marrë autorizimin për të gjetur «një njeri të aftë që të përkthente Shkrimet në gjuhën baske». Kjo detyrë iu besua një mjeku, zotit Oteiza, «që e njeh mirë këtë dialekt, për të cilin edhe vetë kam ca njohuri»,—shkroi Borou. Në vitin 1838, ungjilli sipas Lukës u bë libri i parë biblik në gjuhën baske të Spanjës.
Me një dëshirë të zjarrtë për të mësuar njerëzit e thjeshtë, Borou bënte udhëtime të gjata
e shpesh të rrezikshme për të shpërndarë librat e Biblës te njerëzit e varfër në zonat fshatare. Ai donte t’i çlironte nga padija fetare dhe nga besëtytnitë. Për shembull, duke treguar sa të kota ishin indulgjencat që po blinin ata, arsyetonte: «A është e mundur që Perëndia, i cili është i mirë, të miratojë shitjen e mëkatit?» Por Shoqëria Biblike, nga frika se mos një sulm i tillë ndaj bindjeve tradicionale çonte në ndalimin e aktiviteteve të tyre, i tha Borout të kufizohej vetëm në shpërndarjen e Shkrimeve.Borou mori gojarisht një leje për të shtypur El Nuevo Testamento, një botim të Besëlidhjes së Re në spanjisht pa shënimet doktrinale katolike. Kjo u bë pavarësisht nga kundërshtimi fillestar i kryeministrit, i cili e kishte përshkruar përkthimin si «një libër të papërshtatshëm» dhe të rrezikshëm. Më pas Borou hapi një magazinë në Madrid për të shitur Besëlidhjen e Re në spanjisht, një hap që e vuri në konflikt me udhëheqësit fetarë dhe me autoritetet qeveritare. E futën në burg për 12 ditë. Kur protestoi, i kërkuan të largohej nga vendi pa bujë. Duke e ditur fare mirë se burgosja e tij ishte e paligjshme, ai përmendi shembullin e apostullit Pavël dhe vendosi të qëndronte derisa ta shfajësonin siç duhej, që emri i tij të mos pësonte një çnderim të tillë.—Veprat 16:37.
Në kohën kur i dërguari i tyre i zellshëm u largua nga Spanja në vitin 1840, Shoqëria Biblike mund të raportonte: «Në pesë vitet e fundit, në Spanjë janë vënë në qarkullim rreth 14.000 kopje të Shkrimeve.» Borou, i cili kishte luajtur një rol të rëndësishëm në këtë arritje, i përmblodhi përvojat e tij në Spanjë me fjalët: «Vitet më të lumtura të jetës sime.»
Libri Bibla në Spanjë (anglisht), botuar fillimisht në vitin 1842 dhe ende në qarkullim, flet për udhëtimet dhe aventurat e Xhorxh Borout, treguar nga vetë ai me një gjuhë të gjallë. Në këtë libër, i cili pati sukses të menjëhershëm, ai e quajti veten «endacak për hir të ungjillit». Në të ai shkruan: «Kisha ndër mend të shkoja në vendet e fshehta dhe të veçuara të kodrave dhe maleve të thepisura e të flitja me njerëzit për Krishtin, sipas mënyrës sime.»
Duke i shpërndarë dhe duke i përkthyer Shkrimet me këtë entuziazëm, Xhorxh Borou hodhi themelin për të tjerët që do ta pasonin, një privilegj ky vërtet i çmuar.
[Harta në faqen 29]
(Për tekstin e formatuar, shih botimin)
Përpjekjet e Xhorxh Borout për të përkthyer e për të shpërndarë Biblën e çuan nga (1) Anglia në (2) Rusi, (3) Portugali dhe në (4) Spanjë
[Burimi]
Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.
[Figura në faqen 28]
Fjalët hyrëse të ungjillit sipas Gjonit në mançurisht, botuar në vitin 1835; leximi bëhet nga lart poshtë dhe nga e majta në të djathtë
[Burimi]
Nga libri The Bible of Every Land, 1860
[Burimi i figurës në faqen 27]
Nga libri The Life of George Borrow nga Klement K. Shorter, 1919