Të gjejmë këshillat më të dobishme
Të gjejmë këshillat më të dobishme
TË GJITHË e dëshirojnë një jetë të suksesshme. Këshillat e mira dhe dëshira për të vepruar në harmoni me to janë thelbësore për të arritur një jetë të tillë në këtë botë të ndërlikuar. Megjithatë, njerëzit nuk kanë qenë gjithnjë të gatshëm t’i dëgjojnë këshillat e dobishme. Shumë kanë thënë se çdo njeri duhet ta jetojë jetën si t’i pëlqejë. Në fakt, Bibla tregon se Satanai, armiku i parë i sovranitetit hyjnor, u ofroi pavarësi njerëzve të parë. Te Zanafilla 3:5 kemi pohimin që ai i bëri Evës: «Perëndia e di që ditën që do t’i hani [frytet nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes], sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen.»
A e arritën këtë Adami dhe Eva, pra të jetonin me sukses, pa pasur pasoja të rënda, të udhëhequr vetëm nga ajo që u dukej më mirë? Aspak. Ata menjëherë u zhgënjyen nga rezultatet që erdhën kur deshën të njihnin të mirën dhe të keqen. Me të drejtë patën mosmiratimin e Perëndisë dhe filluan një jetë të vështirë me papërsosmëri e në fund me vdekje. (Zanafilla 3:16-19, 23) Prandaj tani të gjithë jemi të vdekshëm. Bibla thotë: «Nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit] mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»—Romakëve 5:12.
Edhe pse zgjedhja që bënë Adami dhe Eva pati pasoja të rënda, shumë veta ende nuk janë të bindur se është më e mençur të zbatojmë këshillat që jep Krijuesi i njeriut. Megjithatë Bibla pohon se ‘është e frymëzuar nga Perëndia dhe e dobishme’ e mund të na ndihmojë ‘të jemi krejtësisht të zotët, plotësisht të pajisur për çdo vepër të mirë’. (2 Timoteut 3:16, 17) Patjetër që do të jemi më të lumtur po të ndjekim këshillat e Biblës. Një ndër aspektet kryesore ku zbatohet kjo gjë është jeta familjare.
Besnikëria në martesë
Sipas Biblës, Perëndia kishte si qëllim që martesa të zgjaste gjithë jetën. (Zanafilla 2:22-24; Mateu 19:6) Për më tepër, Shkrimet thonë se «shtrati martesor [duhet] të jetë pa ndyrësi», domethënë që kjo lidhje nuk duhet ndotur nga marrëdhëniet seksuale jashtë martese. (Hebrenjve 13:4) Por ndoshta ju e dini se shumë martesa sot nuk e plotësojnë këtë standard. Disa njerëz e kanë zakon që të flirtojnë në punë me të tjerë që nuk janë bashkëshorti ose bashkëshortja. Të tjerë gënjejnë familjen, që të kalojnë kohë me dikë ndaj të cilit kanë interes romantik, dhe jo me bashkëshorten. Disa madje braktisin bashkëshorten a bashkëshortin për të jetuar me dikë që është më e re ose më i ri, duke argumentuar se kështu ndihen më të rinj e më të lumtur, siç ndodhi në rastin e Veronikës, të cilën e përmendëm në artikullin e parë.
Megjithatë, vendosmëria për t’u kënaqur me çdo kusht nuk sjell lumturi të qëndrueshme. Ronaldi e ka provuar vetë këtë. Ai la të shoqen për të formuar familje të re me një grua që e kishte pasur të dashur për gjashtë vjet dhe me të cilën kishte tashmë dy fëmijë, i bindur se kjo do t’ia përmirësonte jetën. Mirëpo, ca kohë pasi i kishte dhënë fund martesës së tij, e dashura e braktisi. Ronaldi së fundi shkoi të jetonte me prindërit e vet. Gjendjen e tij ai e përshkroi si «degjeneruese». Ky s’është veçse një shembull. Një sjellje e tillë, e diktuar nga dëshirat egoiste, ka shkaktuar një valë të paparë divorcesh dhe ndarjesh nëpër familje, duke sjellë vuajtje për sa e sa individë, qoftë të rritur, qoftë fëmijë.
Nga ana tjetër, zbatimi i këshillave të Biblës sjell lumturi të vërtetë. Kështu ndodhi me Roberton, i cili thotë: «Falë këshillave të Biblës shpëtova dhe nuk e humba time shoqe. Lumturinë e vërtetë nuk e arrijmë duke iu dorëzuar tundimit me dikë që nuk është bashkëshortja jonë, edhe sikur ky njeri të duket shumë tërheqës. Arsimimi biblik më ka ndihmuar ta vlerësoj gruan time, e cila më ka qëndruar përkrah për kaq shumë vjet.» Këshilla e Biblës, «askush të mos sillet me pabesi me bashkëshorten e rinisë së vet», luajti një rol të rëndësishëm në jetën e Robertos. (Malakia 2:15) Në cilat aspekte të tjera mund të nxjerrim dobi nga këshillat hyjnore?
Rritja e fëmijëve
Disa dhjetëvjeçarë më parë, u përhap ideja se prindërit s’duhet t’u vënë shumë kufizime fëmijëve gjatë rritjes. Atëherë u duk e arsyeshme t’i linin fëmijët që të vendosnin vetë si
të mendonin e të silleshin. Synimi ishte që të mos u pengonin zhvillimin. Në disa vende u ngritën madje edhe sisteme arsimore më pak të organizuara ku, ndër të tjera, nxënësit mund të vendosnin nëse do t’i ndiqnin apo jo orët e mësimit, sa të zbaviteshin dhe sa arsim të merrnin. Motoja e një shkolle të këtij tipi ishte «t’i lëmë fëmijët që të përjetojnë të gjitha ndjenjat pa qenë të gjykuar e pa ndërhyrjen e të rriturve». Edhe sot disa këshillues të sjelljes njerëzore ende nuk janë dakord për dobitë që sjellin disa forma disipline, edhe në rastet kur prindërit vetë e konsiderojnë të nevojshme që, me dashuri, t’i disiplinojnë fëmijët.Cilat kanë qenë pasojat? Ka shumë njerëz që mendojnë se metodat tolerante të rritjes së fëmijëve u kanë dhënë këtyre tepër liri. Kjo, sipas tyre, ka çuar në rritjen e krimeve dhe të përdorimit të drogës. Një anketë e bërë në Shtetet e Bashkuara zbuloi se afro 70 për qind e të anketuarve mendonin që fëmijët dhe të rinjtë nuk marrin sa duhet drejtim nga prindërit. Kur duan të gjejnë ndonjë arsye përse bëhen vrasje nëpër shkolla dhe për krime të tjera të tmerrshme të kryera nga adoleshentët, shumë veta ia vënë fajin «mungesës së kontrollit nga prindërit». Madje edhe atje ku nuk ndodhin gjëra kaq tragjike, prindërit dhe fëmijët korrin frytet e hidhura të rritjes jo të mirë të fëmijëve.
Çfarë thotë Bibla për këtë aspekt? Këshilla e Biblës është që autoriteti prindëror duhet ushtruar me dashuri, si edhe me vendosmëri. Bibla thotë: «Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.» (Fjalët e urta 22:15) Patjetër, çfarëdo disipline që japin prindërit duhet të jetë e përshtatshme me rrethanat. Butësia, vetëkontrolli dhe konsiderata duhet të kontrollojnë çfarëdo disipline që jepet. E dhënë në këtë mënyrë, disiplina është shenjë dashurie. Ushtrimi i autoritetit prindëror me dashuri, dhe jo me egërsi e me ashpërsi, e shton shumë mundësinë për të pasur sukses.
Kur zbatohet kjo këshillë, mund të shihen rezultate të mira. Arturoja, një 30-vjeçar nga Meksika, i cili është martuar kohët e fundit, thotë: «Im atë na e bënte të qartë mua dhe vëllezërve të mi se në shtëpi autoriteti ishin ai dhe mamaja. Nuk ngurronin kurrë të na disiplinonin. Megjithatë kishin gjithnjë kohë për të folur me ne. Tani që jam i rritur e vlerësoj jetën e ekuilibruar që kam dhe e di se kryesisht është rezultat i udhëheqjes së mirë që kam marrë.»
Përfitoni nga këshillat më të dobishme
Fjala e Perëndisë, Bibla, përmban këshillat më të dobishme që mund të marrin njerëzit. Udhëheqja e saj nuk kufizohet vetëm në rrethin familjar. Ajo na ndihmon e na përgatit në shumë drejtime, sepse na mëson si të veprojmë në një botë ku shumë veta nuk duan ta pranojnë që një Burim më i lartë mençurie t’u drejtojë jetën për të mirën e tyre.
Perëndia Jehova, Krijuesi i njerëzimit, dha këtë siguri nëpërmjet psalmistit David: «Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.» (Psalmi 32:8) A e përfytyroni dot çfarë do të thotë që Krijuesi ta mbajë syrin mbi ne për të na mbrojtur nga rreziqet? Gjithsesi, pyetja që secili duhet t’i bëjë vetes është: ‘A do ta pranoj me përulësi udhëheqjen mbrojtëse të Jehovait?’ Me dashuri Fjala e tij na thotë: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.»—Fjalët e urta 3:5, 6.
Kërkohen përpjekje dhe përkushtim që ta njohim Jehovain, por me anë të Biblës kjo gjë mund të arrihet. Mënyra e jetesës që ai këshillon «mban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë». Kjo mënyrë jetese është vërtet një fitim i madh, duke pasur parasysh dobitë që të ofron.—1 Timoteut 4:8; 6:6.
Në qoftë se ju tërheq kuptueshmëria e thellë që na ofron Bibla dhe bekimet që vijnë duke jetuar në harmoni me të, jepini përparësi në jetën tuaj leximit të Fjalës së Perëndisë dhe meditimit rreth saj. Kjo do t’ju ndihmojë t’i përballoni me sukses vështirësitë e sotme dhe ato që ende mund të vijnë. Përveç kësaj, do të gjeni shpresën për të jetuar në botën e re të Perëndisë, ku të gjithë do të mësohen nga Jehovai dhe ku paqja do të jetë e madhe.—Isaia 54:13.
[Figura në faqen 5]
Këshillat e Biblës e forcojnë lidhjen martesore
[Figurat në faqen 6]
Këshillat e Biblës janë baza për një drejtim të shkëlqyer, por edhe të lejojnë ta gëzosh jetën
[Figurat në faqen 7]
Ata që zbatojnë këshillat e Biblës mund të kenë një jetë të ekuilibruar