Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë trashëgimie duhet t’u lësh fëmijëve?

Çfarë trashëgimie duhet t’u lësh fëmijëve?

Çfarë trashëgimie duhet t’u lësh fëmijëve?

PAVLOSI, një baba nga Evropa Jugore, rrallëherë është në shtëpi që të rrijë me gruan dhe me fëmijët: dy vajza, me moshë 13 dhe 11 vjeçe, e një djalë 7 vjeç. Ai punon shtatë ditë në javë, shumë orë në ditë, për të fituar aq para sa të plotësojë ëndrrën e tij. Kjo ëndërr është që t’u blejë nga një shtëpi secilës prej vajzave dhe të hapë një biznes të vogël për të birin. E shoqja, Sofia, mundohet shumë të grumbullojë rroba dhe çarçafë, enë kuzhine, enë porcelani dhe enë argjendi për shtëpitë e tjera që duhen blerë. Kur i pyesin pse mundohen kaq shumë, që të dy përgjigjen me një gojë: «Për hir të fëmijëve.»

Ashtu si Pavlosi dhe Sofia, shumë prindër në gjithë botën bëjnë çmos që t’u japin fëmijëve të tyre një fillim të mirë në jetë. Disa kursejnë para që t’ua lënë fëmijëve kur të rriten. Të tjerë sigurohen që fëmijët e tyre të arsimohen siç duhet dhe të mësojnë zanate që do t’u duhen më vonë në jetë. Ndonëse shumica e prindërve mendon se këto dhurata janë shprehje të dashurisë së tyre për fëmijët, sigurimi i tyre shpesh i vë prindërit në një presion të madh për të qenë në lartësinë e duhur sipas të afërmve, miqve dhe njerëzve në zonën ku banojnë. Prandaj, prindërit e shqetësuar pyesin me të drejtë: ‘Sa u detyrohemi fëmijëve tanë?’

T’u sigurojnë të ardhmen

Që prindërit t’u sigurojnë gjëra materiale fëmijëve të tyre është jo vetëm e natyrshme, por edhe në përputhje me Shkrimet. Apostulli Pavël u tha të krishterëve në kohën e tij: «Prindërit duhet t’u sigurojnë fëmijëve, jo fëmijët prindërve.» (2 Korintasve 12:14, The New English Bible) Pastaj Pavli tha se kujdesi i prindërve për fëmijët është një detyrim serioz. Ai shkroi: «Pa dyshim, nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët e sidomos për ata që janë anëtarë të shtëpisë së tij, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një njeri pa besim.» (1 Timoteut 5:8) Ka shumë tregime biblike që ilustrojnë se çështjet e trashëgimisë ishin të rëndësishme për shërbëtorët e Perëndisë në kohët biblike.​—Rutha 2:19, 20; 3:9-13; 4:1-22; Jobi 42:15.

Mirëpo, nganjëherë prindërit e vrasin tepër mendjen për t’u siguruar një trashëgimi të madhe fëmijëve. Pse? Manolisi, një baba që u zhvendos nga Evropa Jugore në Shtetet e Bashkuara, tregon një nga arsyet: «Prindërit që vuajtën pasojat e Luftës II Botërore, që provuan urinë dhe varfërinë, duan medoemos që fëmijët e tyre të kenë një të ardhme më të mirë.» Ai shton: «Për shkak të kësaj ndjenje të tepruar përgjegjësie, si edhe të dëshirës për t’i nxjerrë në jetë sa më mirë fëmijët, nganjëherë prindërit dëmtojnë veten.» Vërtet, disa prindër i privojnë vetes gjërat e domosdoshme të jetës ose bëjnë jetë asketi për të grumbulluar gjëra materiale për fëmijët. Por, a është e mençur që prindërit të veprojnë kështu?

«Kotësi dhe një e keqe e madhe»

Mbreti Solomon i Izraelit të lashtë dha një këshillë për sa i përket trashëgimisë. Ai shkroi: «Kështu kam urryer çdo mundim që kam kryer nën diell, sepse duhet t’i lë të gjitha atij që do të vijë pas meje. Dhe kush e di nëse do të jetë i urtë ose budalla? Sidoqoftë ai do të jetë zot i gjithë punës që kam kryer me mund dhe për të cilën kam përdorur diturinë nën diell. Edhe kjo është kotësi. . . . Sepse këtu ka një njeri që ka punuar me dituri, me zgjuarsi dhe me sukses, por që duhet t’ia lërë trashëgiminë e tij një tjetri, që nuk është munduar fare! Edhe kjo është një kotësi dhe një e keqe e madhe.»​—Predikuesi 2:18-21.

Siç e shpjegon Solomoni, ata që marrin trashëgiminë mund të mos e vlerësojnë siç duhet, sepse nuk u lodhën vetë për ta grumbulluar. Si pasojë, trashëgimtarët mund ta përdorin me mendjelehtësi atë që prindërit e tyre u rropatën për ta mbledhur. Madje mund t’i bëjnë rrush e kumbulla këto pasuri që mezi i fituan prindërit. (Luka 15:11-16) Sa «kotësi dhe një e keqe e madhe» do të ishte kjo!

Trashëgimia dhe lakmia

Ka edhe diçka tjetër që prindërit duhet ta mbajnë parasysh. Në ato kultura ku i vihet shumë theksi zotërimeve që lihen si trashëgimi dhe pajës për martesë, fëmijët mund të bëhen lakmitarë duke kërkuar një pronë ose një pajë përtej asaj që prindërit mund t’u sigurojnë në mënyrë të logjikshme. «Mjerë ai baba që ka dy ose tri vajza»,​—thotë me qesëndi Lukasi, një baba nga Greqia. Ai vazhdon: «Vajzat e krahasojnë atë që mund t’u japë i ati me gjërat që prindërit e tjerë grumbullojnë ‘me bujari’ për fëmijët e tyre. Ndoshta i thonë babait se nuk do të kenë shumë raste për martesë po të mos kenë një pajë mjaft të madhe.»

Manolisi, të cilin e përmendëm më parë, thotë: «Një djalë i ri mund ta zgjatë periudhën e njohjes derisa babai i nuses t’i premtojë se do të japë diçka për të, që zakonisht është një pronë e paluajtshme ose një sasi mjaft e madhe parash. Ky mund të jetë si një lloj shantazhi.»

Bibla paralajmëron ndaj të gjitha formave të lakmisë. Solomoni shkroi: «Trashëgimia e fituar me nxitim [lakmi, BR] në fillim, nuk do të bekohet në fund.» (Fjalët e urta 20:21) Apostulli Pavël theksoi: «Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme.»​—1 Timoteut 6:10; Efesianëve 5:5.

«Mençuria bashkë me trashëgiminë»

Kuptohet që trashëgimia ka vlerën e vet, por mençuria ka shumë më tepër vlerë se gjërat materiale. Mbreti Solomon shkroi: «Mençuria bashkë me trashëgiminë është e mirë dhe dobiprurëse . . . Sepse mençuria është mbrojtje njëlloj siç është edhe paraja, por përparësia e njohurisë është se bashkë me mençurinë i ruan gjallë ata që e zotërojnë.» (Predikuesi 7:11, 12, BR; Fjalët e urta 2:7; 3:21) Edhe pse paratë janë njëfarë mbrojtjeje, sepse të japin mundësi të blesh gjërat që të duhen, gjithsesi ato mund të humbasin. Nga ana tjetër, mençuria, domethënë aftësia për ta përdorur njohurinë për të zgjidhur problemet ose për të arritur disa synime, mund ta mbrojë një njeri që të mos rrezikojë veten në mënyrë të pamend. Kur bazohet në frikën e duhur ndaj Perëndisë, kjo mençuri mund ta ndihmojë që të fitojë jetën e përhershme në botën e re të Perëndisë, e cila do të vijë së shpejti. Kjo është një trashëgimi vërtet e çmuar.​—2 Pjetrit 3:13.

Prindërit e krishterë e përdorin këtë mençuri kur vendosin përparësitë e duhura për vete e për fëmijët e tyre. (Filipianëve 1:10) Gjërat materiale që mbledhin për fëmijët nuk duhet të kenë përparësi më shumë se gjërat frymore. Jezui i inkurajoi ithtarët e tij: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë [e Perëndisë] dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mateu 6:33) Prindërit që vendosin synime frymore për familjen e tyre të krishterë mund të presin shpërblime të bollshme. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë do t’ia ndiejë gëzimin. Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur.»​—Fjalët e urta 23:24, 25.

Një trashëgimi e përhershme

Për izraelitët e lashtë çështjet e trashëgimisë ishin shumë të rëndësishme. (1 Mbretërve 21:2-6) Por, gjithsesi, Jehovai i këshilloi: «Këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Po kështu, prindërve të krishterë u thuhet: «Vazhdoni t’i rritni [fëmijët tuaj] në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.»​—Efesianëve 6:4.

Prindërit që kanë një pikëpamje frymore e kuptojnë se sigurimi për familjen përfshin edhe t’u mësojnë fjalët e Biblës. Andreasi, baba i tre fëmijëve, komenton: «Në qoftë se fëmijët mësojnë të zbatojnë parimet hyjnore në jetë, do të jenë më të përgatitur për të ardhmen.» Kjo trashëgimi përqendrohet edhe në ndihmën që u japin prindërit fëmijëve për të krijuar e për të zhvilluar një marrëdhënie personale me Krijuesin e tyre.​—1 Timoteut 6:19.

A ke menduar çfarë po u siguron fëmijëve për të ardhmen e tyre frymore? Për shembull, çfarë mund të bëjnë prindërit nëse fëmija i tyre është në shërbim të plotkohor? Ndonëse një shërbëtor i plotkohor nuk duhet të kërkojë dhe as nuk duhet të presë mbështetje financiare, prindërit e dashur mund të vendosin ‘të ndajnë me të sipas nevojave të tij’ që ta ndihmojnë të qëndrojë në shërbimin e plotkohor. (Romakëve 12:13; 1 Samuelit 2:18, 19; Filipianëve 4:14-18) Kjo përkrahje me siguri do t’i pëlqejë Jehovait.

Atëherë, çfarë detyrimi kanë prindërit ndaj fëmijëve? Përveçse t’u sigurojnë nevojat materiale, prindërit e krishterë duhet të sigurohen që fëmijët e tyre të marrin një trashëgimi të pasur frymore që do t’u duhet përgjithmonë. Në këtë mënyrë do të plotësohen fjalët e Psalmit 37:18: «Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë.»

[Figurat në faqet 26, 27]

Ç’të ardhme ke ndër mend për fëmijët e tu?