Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Në kërkim të lumturisë

Në kërkim të lumturisë

Në kërkim të lumturisë

DISA vjet më parë, njerëzve në Francë, në Gjermani, në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara iu bë kjo pyetje: «Çfarë duhet për të qenë të lumtur?» Nga të intervistuarit, 89 për qind thanë se duhet të kesh shëndet të mirë; 79 për qind përmendën të kesh një martesë ose një lidhje të suksesshme; 62 për qind përmendën shpërblimet që ke kur je prind dhe 51 për qind mendonin se për të qenë të lumtur duhet një karrierë e suksesshme. E ndonëse në përgjithësi njerëzit besojnë se paratë nuk të sigurojnë lumturinë, 47 për qind ishin të bindur për të kundërtën. Çfarë tregojnë faktet?

Të shqyrtojmë në fillim lidhjen që mendohet se kanë paratë me lumturinë. Një anketë e bërë me njëqind njerëzit më të pasur në Shtetet e Bashkuara tregoi se nuk ishin më të lumtur sesa njerëzit e tjerë në përgjithësi. Për më tepër, ndonëse shumë veta në Shtetet e Bashkuara i kanë dyfishuar zotërimet e tyre materiale në tridhjetë vitet e fundit, sipas specialistëve të shëndetit mendor ata nuk janë më të lumtur se më parë. Madje në një artikull thuhet: «Në të njëjtën periudhë, përqindja e njerëzve me depresion është rritur shumë. Vetëvrasjet tek adoleshentët janë trefishuar. Rastet e divorceve janë dyfishuar.» Në rreth 50 vende, kërkuesit që studiuan lidhjen ndërmjet parave dhe lumturisë arritën në përfundimin se lumturia nuk blihet dot me para.

Veç kësaj, sa të rëndësishëm janë për lumturinë faktorë të tillë, si: shëndeti i mirë, një martesë e lumtur dhe një karrierë e suksesshme? Pika është: në qoftë se për të qenë të lumtur nevojiten medoemos këta faktorë, ç’të themi atëherë për ata miliona njerëz që nuk kanë shëndet të mirë e për të gjithë ata që nuk kanë një martesë të lumtur? Po për ato çifte që s’kanë fëmijë e për gjithë burrat e gratë që s’kanë një karrierë të suksesshme? A janë të dënuar gjithë këta individë që të mos kenë një jetë të lumtur? Gjithashtu të marrim ata që thonë se e kanë arritur lumturinë, sepse tani kanë shëndet të mirë e një martesë të lumtur. A do të zhdukej kjo lumturi, po qe se situata e tyre do të ndryshonte?

A po kërkojmë në vendin e duhur?

Të gjithë duan të jenë të lumtur. Kjo nuk na habit, sepse Krijuesi i njerëzve përshkruhet si ‘Perëndia i lumtur’ dhe njerëzit u bënë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. (1 Timoteut 1:11; Zanafilla 1:26, 27) Prandaj është më se e natyrshme që njerëzit ta kërkojnë lumturinë. Mirëpo, shumë veta zbulojnë se të kapen pas lumturisë është si të kapen pas rërës, që të dyja të rrëshqasin lehtë nga duart.

Por, a mund të ndodhë që disa ta teprojnë duke kërkuar lumturinë? Filozofi shoqëror Erik Hofer mendonte se po. Ai komentoi: «Rendja pas lumturisë është një nga arsyet kryesore pse njerëzit s’janë të lumtur.» Patjetër që kjo është e vërtetë, nëse lumturinë e kërkojmë në vendin e gabuar. Në rast të tillë, me siguri do të hasim zhgënjim dhe mërzitje. Lumturinë nuk e sjell as përpjekja për t’u bërë të pasur, as rendja pas famës ose pushtetit, as ndjekja e synimeve politike, shoqërore ose ekonomike dhe as jetesa thjesht për kënaqësitë e çastit. Prandaj kuptohet pse disa veta kanë të njëjtën pikëpamje paradoksale që shprehu një shkrimtar, i cili tha: «Sikur të mos përpiqeshim aq shumë për të qenë të lumtur, mund t’ia kalonim mirë në jetë!»

Është për t’u vënë re se nga anketa e përmendur në fillim të këtij artikulli, doli edhe se në çdo 10 veta, 4 mendonin që lumturia vjen duke bërë mirë e duke ndihmuar të tjerët. Po ashtu, 1 në 4 veta theksuan se besimi dhe bindjet fetare luajnë rol kryesor për të qenë të lumtur. Siç e kuptojmë qartë, na duhet të shqyrtojmë më nga afër se çfarë duhet për të qenë vërtet të lumtur. Artikulli vijues do të na ndihmojë për këtë.

[Figurat në faqen 3]

Shumë veta mendojnë se çelësi i lumturisë janë paratë, një jetë e lumtur familjare ose një karrierë e suksesshme. A mendoni edhe ju kështu?