Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një jetë e kënaqshme dhe e lumtur me sakrifica nga zemra

Një jetë e kënaqshme dhe e lumtur me sakrifica nga zemra

Jetëshkrim

Një jetë e kënaqshme dhe e lumtur me sakrifica nga zemra

TREGUAR NGA MARIAN DHE ROZA ZUMIGA

«Me gjithë zemër do të ofroj flijime»,​—thotë Psalmi 54:6. Kjo thënie ka qenë motoja e jetës së Marian Zumigës dhe gruas së tij, Rozës, që jetojnë në Francë. Kohët e fundit ata treguan disa ngjarje kryesore nga jeta e tyre e gjatë dhe e kënaqshme në shërbim të Jehovait.

MARIANI: Prindërit e mi ishin emigrantë nga Polonia dhe i përkitnin kishës katolike të Romës. Babai ishte njeri i thjeshtë. Nuk e kishte ndjekur dot shkollën kur ishte i vogël. Por, gjatë Luftës I Botërore, mësoi të lexonte e të shkruante ndërsa rrinte nëpër llogore. Im atë besonte te Perëndia, por shpesh kisha e kishte zhgënjyer.

I kishte mbetur në mendje sidomos një ngjarje. Gjatë luftës, një klerik vizitoi një ditë njësinë ushtarake të tim eti. Kur aty pranë shpërtheu një bombë, kleriku ia mbathi i frikësuar, duke i qëlluar kalit me kryq për ta nxitur të vraponte. Babai u trondit kur pa se «një përfaqësues» i Perëndisë përdori një objekt «të shenjtë» për të shpejtuar ikjen. Po, pavarësisht nga përvoja të tilla dhe nga tmerret e luftës që pa me sytë e tij, babait nuk iu dobësua besimi te Perëndia. Shpesh thoshte se Perëndia e kishte ndihmuar të kthehej gjallë nga lufta.

«Polonia e vogël»

Në vitin 1911, babai u martua me Ana Cisovskin, një vajzë nga një fshat fqinj. Pak kohë pas luftës, në vitin 1919, babai dhe mamaja emigruan në Francë, ku babai gjeti punë si minator. Unë linda në mars të vitit 1926 në Kanjak-le-Min, në jugperëndim të Francës. Më pas prindërit u vendosën me banim në një komunitet polak në Loz-on-Goel, pranë Lensit, në veri të Francës. Furrtari ishte polak, kasapi ishte polak, prifti i famullisë ishte polak. Prandaj, s’ishte çudi që kjo zonë quhej «Polonia e vogël». Prindërit u përfshinë në veprimtari të ndryshme të komunitetit. Babai shpesh organizonte shfaqje ku përfshihej një dramë, muzikë dhe këngë. Gjithashtu bënte vazhdimisht biseda me priftin, por nuk kënaqej kur ky zakonisht i përgjigjej: «Eh, ka plot mistere!»

Një ditë, në vitin 1930, në derë trokitën dy gra. Ishin Studente të Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Babai mori prej tyre një Bibël, libër që kishte dashur ta lexonte prej shumë vitesh. Ai dhe mamaja lexuan me zell edhe botimet biblike që lanë ato. Ajo që lexuan në këto botime i preku thellë. Ndonëse kishin një jetë të ngjeshur me punë, filluan të ndiqnin mbledhjet e Studentëve të Biblës. Bisedat me priftin sa vinin e bëheshin më polemike, derisa një ditë ky i kërcënoi prindërit se po të vazhdonin të shoqëroheshin me Studentët e Biblës, ime motër, Stefania, do të përjashtohej nga katekizmi. Atëherë, im atë ia ktheu: «Mos u mundo fare. Që tani e tutje, ime bijë, si edhe fëmijët e tjerë, do të vijnë me ne në mbledhjet e Studentëve të Biblës.» Babai u tërhoq nga kisha dhe u pagëzua në fillim të vitit 1932 bashkë me nënën. Në atë kohë, në Francë kishte vetëm 800 lajmëtarë të Mbretërisë.

Roza: Prindërit e mi ishin nga Hungaria dhe, ashtu si familja e Marianit, ishin vendosur në veri të Francës për të punuar në miniera. Unë linda në vitin 1925. Në vitin 1937, një Dëshmitar i Jehovait me emrin Ogyst Bogë, ose xhaxha Ogysti siç e quanim ne, filloi t’u sillte prindërve revistën Kulla e Rojës në gjuhën hungareze. Atyre u pëlqenin revistat, por nuk u bënë Dëshmitarë të Jehovait.

Edhe pse isha e vogël, ajo që lexova në Kullën e Rojës më preku zemrën. Suzana Bogë, nusja e djalit të xhaxha Ogystit, më mbajti shumë afër. Prindërit e lanë që të më merrte në mbledhje. Më vonë, kur fillova punë, babai filloi të mërzitej ngaqë ndiqja mbledhjet të dielën. Në përgjithësi ai ishte me natyrë të qetë, por filloi të ankohej: «Gjatë javës nuk je në shtëpi, të dielën shkon tek ato mbledhjet e tua!» Por, unë vazhdova të shkoja. Atëherë, një ditë im atë më tha: «Mblidh plaçkat dhe ik nga shtëpia!» Ishte mbrëmje vonë, isha vetëm 17 vjeçe dhe s’kisha asnjë ide se ku të shkoja. Përfundova te shtëpia e Suzanës duke qarë me dënesë. Qëndrova te Suzana rreth një javë, pastaj babai dërgoi motrën time që të më merrte prapë në shtëpi. Isha e ndrojtur nga natyra, por fjalët e 1 Gjonit 4:18 më ndihmuan të qëndroja e palëkundur. Ky shkrim thotë se «dashuria e përsosur e hedh tej frikën». U pagëzova në vitin 1942.

Një trashëgimi e çmuar frymore

Mariani: Unë u pagëzova në vitin 1942, bashkë me motrat, Stefaninë dhe Melaninë, si edhe me vëllanë, Stefanin. Në shtëpi, jeta familjare ishte e përqendruar rreth Fjalës së Perëndisë. Uleshim të gjithë rreth tryezës dhe babai na lexonte Biblën në gjuhën polake. Mbrëmjet shpesh i kalonim duke dëgjuar prindërit, që na tregonin përvojat e tyre në veprën e predikimit të Mbretërisë. Këto çaste të këndshme frymore na mësuan ta duam Jehovain dhe t’i besojmë atij gjithnjë e më shumë. Për shkak të shëndetit të dobët, babait iu desh ta linte punën, por vazhdoi të kujdesej për ne frymësisht dhe materialisht.

Meqë tani babai kishte kohë të lirë, një herë në javë drejtonte një studim biblik në gjuhën polake me të rinjtë e kongregacionit. Aty mësova të lexoja në gjuhën polake. Babai i inkurajonte të rinjtë edhe në mënyra të tjera. Një herë, kur kongregacionin tonë e vizitoi vëlla Gystav Zoferi, që atëherë mbikëqyrte veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në Francë, babai organizoi një kor dhe një dramë biblike me veshje të asaj kohe që bazohej në gostinë e mbretit Belshazar dhe shkrimin në mur. (Danieli 5:1-31) Rolin e Danielit e luajti Lui Piéhota, i cili më vonë mbajti qëndrim të palëkundur përballë nazistëve. * Në këtë lloj mjedisi u rritëm ne fëmijët. E shikonim që prindërit tanë ishin gjithnjë të zënë me gjëra frymore. Sot e kuptoj çfarë trashëgimie të çmuar na lanë.

Kur shpërtheu Lufta II Botërore në vitin 1939, vepra e predikimit e Dëshmitarëve të Jehovait në Francë u ndalua. Në një rast, në gjithë fshatin tonë u bënë kontrolle nga ushtarët gjermanë. Të gjitha shtëpitë u rrethuan. Babai kishte bërë në dollapin e rrobave një fund të rremë dhe aty fshehëm disa botime biblike. Por disa kopje të broshurës Fashizëm ose liri ishin në një sirtar të bufesë. Shpejt e shpejt babai i fshehu në xhepin e një xhakete që ishte varur në korridor. Dy ushtarë dhe një polic francez kontrolluan shtëpinë. Të gjithë prisnim me gjak të ngrirë. Njëri nga ushtarët filloi të kontrollonte te rrobat që ishin varur në korridor e pak më pas hyri në kuzhinë, ku ishim ne, me broshurat në dorë. Na vështroi, i vuri broshurat në tavolinë dhe vazhdoi të kontrollonte gjetkë. Menjëherë i mora broshurat dhe i futa në një sirtar ku ushtarët tashmë kishin kontrolluar. Ushtari nuk i kërkoi më broshurat, madje dukej sikur i kishte harruar fare!

Filloj shërbimin e plotkohor

Në vitin 1948 vendosa të filloja shërbimin si pionier, pra të paraqitja veten për t’i shërbyer në kohë të plotë Jehovait. Disa ditë më vonë mora një letër nga zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Francë. Në letër më caktonin të shërbeja si pionier në kongregacionin e Sedanit, pranë Belgjikës. Prindërit u kënaqën shumë që fillova këtë formë të shërbimit të Jehovait. Po gjithsesi, babai më theksoi se shërbimi i pionierit nuk ishte si të shkoje me pushime. Kërkonte shumë punë. Megjithatë, më tha se shtëpia ishte gjithnjë e hapur për mua dhe se mund të mbështetesha tek ai, nëse kisha ndonjë problem. Ndonëse prindërit s’kishin shumë para, më blenë një biçikletë të re. E mbaj akoma faturën e blerjes së biçikletës dhe sa herë që e shoh më mbushen sytë me lot. Babai dhe mamaja vdiqën në vitin 1961, por fjalët e mençura të babait i kam ende në mendje, sepse më kanë inkurajuar dhe më kanë ngushëlluar gjatë gjithë viteve të shërbimit.

Një burim tjetër inkurajimi ishte një motër e krishterë 75-vjeçare në kongregacionin e Sedanit. E quanin Eliz Mot. Në verë shkonim në fshatrat përreth për të predikuar, unë me biçikletë, kurse Eliza merrte trenin. Por një ditë makinistët e trenave ishin në grevë, kështu që Eliza s’kthehej dot në shtëpi. E vetmja zgjidhje që më erdhi në mendje ishte ta merrja me vete pas biçikletës dhe ta çoja në shtëpi, edhe pse kjo s’ishte mënyrë shumë e rehatshme për të udhëtuar. Mëngjesin tjetër mora me vete një jastëk dhe shkova te shtëpia e Elizës për ta marrë. Kështu, që nga ajo ditë nuk e merrte më trenin dhe me paratë e biletës blinte në drekë nga një pije të ngrohtë për veten e për mua. E kush do ta kishte menduar se biçikleta ime do të shërbente si mjet për transportin publik?!

Përgjegjësi të tjera

Në vitin 1950 më ftuan të shërbeja si mbikëqyrës qarkor për gjithë veriun e Francës. Isha vetëm 23 vjeç, prandaj ndjenja e parë që provova ishte frika. Mendova se mos zyra e degës kishte bërë ndonjë gabim. Nëpër mendje më kalonin shumë pyetje: ‘A jam i përshtatshëm për këtë punë si frymësisht, edhe fizikisht? Si do t’ia dal mbanë të jetoj në shtëpi të ndryshme çdo javë?’ Për më tepër, që kur isha gjashtë vjeç, kisha pasur një problem me sytë që quhet strabizëm divergjent. Për shkak të kësaj sëmundjeje, njëri sy më shkon anash. Gjithnjë jam ndier në siklet nga kjo, pasi mendoja se kushedi si do të reagonin të tjerët. Lumturisht, në këtë rast më ndihmoi shumë Stefan Behuniku, i diplomuar në shkollën misionare të Galaadit. Vëlla Behunikun e kishin dëbuar nga Polonia për shkak të veprimtarisë së tij të predikimit, kështu që e caktuan në Francë. Guximi i tij më bënte vërtet përshtypje. Kishte respekt të thellë për Jehovain dhe për të vërtetën. Disa mendonin se ishte shumë i rreptë me mua, por unë mësova vërtet shumë nga ai. Guximi i tij më ndihmoi të fitoja më shumë siguri.

Në veprën e qarkut m’u dha mundësia të kaloja përvoja të mrekullueshme gjatë predikimit. Në vitin 1953 më kërkuan të shkoja të vizitoja njëfarë zoti Paoli, i cili jetonte në jug të Parisit dhe ishte pajtuar në revistën Kulla e Rojës. Kur u takuam, mësova se kishte dhënë dorëheqjen nga ushtria. Mësova edhe se Kulla e Rojës i dukej e mrekullueshme. Më tha se pasi kishte lexuar një artikull për Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, që kishte dalë ato kohë, e kishte mbajtur vetë Përkujtimin dhe e kishte kaluar pjesën tjetër të mbrëmjes duke lexuar Psalmet. Biseduam një pjesë të mirë të pasdites. Para se të ikja, folëm shkurtimisht edhe për pagëzimin. Më vonë i dërgova një ftesë për të ndjekur asamblenë tonë qarkore, që do të mbahej në fillim të vitit 1954. Erdhi në asamble dhe madje u pagëzua, bashkë me 25 të tjerë. Përvoja të tilla më sjellin ende gëzim kur i mendoj.

Roza: Fillova si pioniere në tetor të vitit 1948. Pasi shërbeva në Anor, pranë Belgjikës, më caktuan në Paris, bashkë me një pioniere tjetër, Irenë Kolanskin (tani Lërua). Jetonim në një dhomë të vogël në lagjen Sen-Zhermen-de-Pre, në qendër të qytetit. Meqë isha rritur në provincë, parizienët më frikësonin. I mendoja të gjithë shumë të kulturuar e inteligjentë. Por nga predikimi mësova shpejt se ishin njësoj si gjithë njerëzit e tjerë. Shpesh portierët na dëbonin dhe e kishim të vështirë të fillonim studime biblike. Megjithatë, disa njerëz e pranuan mesazhin.

Në një asamble qarkore në vitin 1951, mua dhe Irenën na intervistuan për shërbimin e pionierit. E gjeni dot kush ishte intervistuesi? Një mbikëqyrës qarkor i ri në moshë me emrin Marian Zumiga. Ishim takuar edhe një herë më parë, por pas kësaj asambleje filluam t’i shkruanim njëri-tjetrit. Unë dhe Mariani kishim shumë gjëra të përbashkëta, si për shembull faktin që ishim pagëzuar në të njëjtin vit dhe kishim filluar si pionierë po në të njëjtin vit. Por, më e rëndësishmja, që të dy donim të vazhdonim në shërbimin e plotkohor. Prandaj, pasi e shqyrtuam këtë çështje në lutje, u martuam më 31 korrik 1956. Tani, për mua filloi një jetë krejt e re. Jo vetëm që duhej të mësohesha me faktin që isha një grua, por edhe do ta shoqëroja Marianin në veprën qarkore, që do të thoshte se do të ndryshonim shtëpi çdo javë. Në fillim s’ishte fare e lehtë, por na prisnin gëzime të mëdha.

Një jetë e kënaqshme

Mariani: Gjatë viteve kemi pasur privilegjin të ndihmojmë në përgatitjen e disa kongreseve. Kam kujtime të bukura sidomos nga një kongres i mbajtur në Bordo, në vitin 1966. Në atë kohë, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Portugali ishte e ndaluar. Kështu që programi i kongresit u mbajt edhe në gjuhën portugeze, për dobinë e atyre Dëshmitarëve që do të arrinin të vinin në Francë. Erdhën qindra vëllezër e motra nga Portugalia, por problemi ishte ku t’i strehonim. Meqë Dëshmitarët në Bordo s’kishin mjaft vend në shtëpitë e tyre, morëm me qira një teatër bosh, që ta përdornim si fjetore. I hoqëm të gjitha karriget dhe përdorëm një perde të skenës për ta ndarë sallën në dy kapanone, një për vëllezërit, një për motrat. Instaluam edhe dushe, si edhe lavamanë, vumë kashtë në dyshemenë prej betoni dhe e mbuluam me beze. Të gjithë ishin të kënaqur nga ky rregullim.

Pas sesioneve të kongresit shkonim të takonim vëllezërit dhe motrat në fjetore. Atmosfera ishte e mrekullueshme. Sa u inkurajuam nga përvojat që kishin pasur, ndonëse kishin vite që duronin kundërshtimin! Kur ikën, pasi mbaroi kongresi, të gjithë ne i kishim sytë me lot.

Një privilegj tjetër na ishte dhënë dy vjet më parë, në vitin 1964, kur më kishin ftuar të shërbeja si mbikëqyrës krahinor. Përsëri pyeta veten a isha i kualifikuar për këtë punë. Por pastaj thashë me vete që, nëse vëllezërit përgjegjës më kishin kërkuar ta pranoja caktimin, me siguri mendonin se isha i aftë ta kryeja atë. Për mua ishte një përvojë shumë e bukur të shërbeja krah për krah me mbikëqyrësit e tjerë udhëtues. Mësova shumë prej tyre. Shumica janë shembull i vërtetë durimi dhe qëndrueshmërie, cilësi këto që janë jetësore në sytë e Jehovait. Kam arritur të kuptoj se po të mësojmë të presim, Jehovai di se ku të na gjejë.

Në vitin 1982, zyra e degës na kërkoi të kujdeseshim edhe për një grup të vogël me 12 lajmëtarë polakë në Bulonj-Bilankur, në periferi të Parisit. Kjo ishte ftesë e papritur. Dija disa terma teokratikë në gjuhën polake, por kisha vështirësi për të formuluar fjali. Megjithatë, këta vëllezër polakë më ndihmuan shumë me dashamirësinë dhe me bashkëpunimin e tyre të gatshëm. Sot në këtë kongregacion ka rreth 170 lajmëtarë, përfshirë rreth 60 pionierë. Më vonë, së bashku me Rozën vizituam edhe grupe e kongregacione polake në Austri, Danimarkë dhe Gjermani.

Rrethanat ndryshojnë

Vizitat në kongregacione ishin gjithë jeta jonë, por pastaj keqësimi i shëndetit tim na detyroi ta ndërpritnim shërbimin në veprën udhëtuese në vitin 2001. Gjetëm një apartament në qytetin e Pitivjerit, ku jeton Rutha, motra ime e vogël. Me dashamirësi zyra e degës na emëroi pionierë specialë me një kuotë orësh të përshtatur për rrethanat tona.

Roza: Vitin e parë që ndërpremë veprën qarkore e kisha shumë të vështirë. Ndryshimi ishte kaq i madh, saqë u ndjeva e pavlerë. Pastaj i thashë vetes: «Mund ta përdorësh njësoj kohën dhe fuqinë që të ka mbetur duke shërbyer si pioniere.» Sot jam e lumtur që punoj përkrah pionierëve të tjerë të kongregacionit tonë.

Jehovai është kujdesur gjithnjë për ne

Mariani: E falënderoj shumë Jehovain që kam pasur Rozën si shoqe për këta 48 vjet. Gjatë gjithë këtyre viteve në veprën udhëtuese ajo më ka mbështetur shumë. Asnjëherë s’më tha: «Ah, sikur të rehatoheshim e të kishim shtëpinë tonë!»

Roza: Nganjëherë dikush më thoshte: «Kjo që po bën s’është jetë normale. Gjithnjë jeton bashkë me të tjerë.» Por, çfarë është në të vërtetë ‘një jetë normale’? Shpesh grumbullojmë tërë ato gjëra materiale që na bëhen pengesë për të kryer veprimtaritë frymore. Gjithçka që na nevojitet vërtet është një krevat i rehatshëm, një tryezë dhe ca gjëra të tjera të vogla. Si pionierë kishim shumë pak nga ana materiale, por ama kishim gjithçka që na nevojitej për të bërë vullnetin e Jehovait. Ndonjëherë më pyesnin: «Çfarë do të bësh kur të plakesh e të mos kesh as shtëpi, as pension?» Atëherë u thosha fjalët e Psalmit 34:10, BR: «Sa për ata që kërkojnë Jehovain, nuk do t’u mungojë asgjë e mirë.» Jehovai është kujdesur gjithnjë për ne.

Mariani: Kjo është e vërtetë. Madje, Jehovai na ka dhënë shumë më tepër nga sa kishim nevojë. Për shembull, në vitin 1958 më zgjodhën të përfaqësoja qarkun tonë në kongresin ndërkombëtar që do të mbahej në Nju-Jork. Mirëpo, s’kishim para që të blinim biletë edhe për Rozën. Një mbrëmje, një vëlla na dha një zarf ku ishte shkruar «Nju-Jork». Brenda kishte një dhuratë në para, që i dha mundësi Rozës të vinte me mua.

As unë, as Roza s’ndiejmë kurrfarë keqardhjeje për vitet që kemi kaluar në shërbim të Jehovait. S’kemi humbur asgjë, po përkundrazi kemi fituar gjithçka: një jetë të kënaqshme dhe të lumtur në shërbimin e plotkohor. Jehovai është vërtet Perëndi i mrekullueshëm. Kemi mësuar t’i besojmë plotësisht atij dhe na është thelluar dashuria që ndiejmë për të. Disa nga vëllezërit tanë të krishterë e kanë paguar me jetën e tyre besnikërinë. Por, mendoj se gjatë viteve, një njeri mund ta flijojë ose ta sakrifikojë edhe pak nga pak jetën e tij. Këtë jemi përpjekur të bëjmë deri tani unë dhe Roza, dhe këtë jemi të vendosur të bëjmë edhe në të ardhmen.

[Shënimi]

^ par. 14 Jetëshkrimi i Lui Piéhotës, «Mbijetova në ‘marshimin e vdekjes’», u botua në Kullën e Rojës të 15 gushtit 1980, anglisht.

[Figura në faqen 20]

Fransua dhe Ana Zumiga me fëmijët e tyre: Stefaninë, Stefanin, Melaninë dhe Marianin, rreth vitit 1930. Mariani është mbi stol

[Figura në faqen 22]

Sipër: Prezantojmë literaturë biblike në një tezgë në Armentjer, në veri të Francës, viti 1950

[Figura në faqen 22]

Majtas: Stefan Behuniku me Marianin në vitin 1950

[Figura në faqen 23]

Mariani dhe Roza ditën para dasmës

[Figura në faqen 23]

Roza (në cep majtas) dhe shoqja e saj pioniere, Irena (e katërta majtas), duke lajmëruar për asamblenë në vitin 1951

[Figura në faqen 23]

Transporti në vizitat e qarkut bëhej kryesisht me biçikletë