Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse Dëshmitarët e Jehovait thonë se numri 144.000 që përmendet në librin e Zbulesës është numër i mirëfilltë dhe jo simbolik?

Apostulli Gjon shkroi: «Dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur, njëqind e dyzet e katër mijë.» (Zbulesa 7:4) Në Bibël, shprehja ‘ata që ishin vulosur’ bën fjalë për një grup individësh që zgjidhen nga njerëzimi për të sunduar në qiell me Krishtin mbi tokën parajsore që do të vijë. (2 Korintasve 1:21, 22; Zbulesa 5:9, 10; 20:6) Numri i tyre, pra 144.000, kuptohet si numër i mirëfilltë për disa arsye. Një prej tyre gjendet tamam në kontekstin e Zbulesës 7:4.

Në vegim, pasi iu tregua për këtë grup prej 144.000 individësh, apostulli Gjon pa një grup tjetër. Këtë grup të dytë Gjoni e përshkruan si ‘një shumicë të madhe, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte, nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët’. Kjo shumicë e madhe bën fjalë për ata që do të mbijetojnë në ‘shtrëngimin e madh’ që po vjen, ku do të shkatërrohet bota e sotme e ligë.​—Zbulesa 7:9, 14.

Por vini re kontrastin që bën Gjoni midis vargut 4 dhe vargut 9 të kapitullit të shtatë të Zbulesës. Ai thotë se grupi i parë, ‘ata që u vulosën’, ka numër të përcaktuar. Kurse grupi i dytë, ‘shumica e madhe’, nuk ka numër të përcaktuar. Duke pasur parasysh këtë, është logjike të themi se numri 144.000 është numër i mirëfilltë. Nëse numri 144.000 do të ishte simbolik dhe do të bënte fjalë për një grup që në të vërtetë s’është i përcaktuar, kontrasti midis këtyre dy vargjeve do të humbiste. Prandaj konteksti e tregon qartësisht që numri 144.000 duhet marrë si numër i mirëfilltë.

Si në të kaluarën, edhe tani, shumë studiues të Biblës kanë arritur të njëjtin përfundim, domethënë që numri është i mirëfilltë. Për shembull, duke komentuar për Zbulesën 7:4, 9, leksikografi britanik dr. Ethelbert U. Bullingeri tha rreth 100 vjet më parë: «Është një e vërtetë shumë e thjeshtë: një numër i përcaktuar në kontrast me numrin e papërcaktuar në po të njëjtin kapitull.» (Apokalipsi ose «Dita e Zotërisë», faqja 282, anglisht) Kohët e fundit, Robert L. Tomas i Riu, profesor i Besëlidhjes së Re në Seminarin e Zotërisë, në Shtetet e Bashkuara, shkroi: «Hipoteza se ky numër është simbolik ka një bazë shumë të dobët.» Pastaj shtoi: «Ky është një numër i përcaktuar [te 7:4] në kontrast me numrin e papërcaktuar te 7:9. Po të merret ky numër në kuptim simbolik, atëherë asnjë numër në këtë libër s’mund të merret në kuptimin e mirëfilltë.»​—Zbulesa: Libër komentues shpjegues, vëllimi 1, faqja 474, anglisht.

Disa argumentojnë se meqë libri i Zbulesës ka gjuhë shumë simbolike, të gjithë numrat që gjenden në këtë libër, përfshirë edhe numrin 144.000, duhet të jenë simbolikë. (Zbulesa 1:1, 4; 2:10) Mirëpo, ky përfundim duket qartë se nuk është i saktë. Vërtet që Zbulesa ka shumë numra simbolikë, por ka edhe numra të mirëfilltë. Për shembull, Gjoni flet për «dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit». (Zbulesa 21:14) Është e qartë se numri 12 i përmendur në këtë varg nuk është simbolik, por i mirëfilltë. Më tej, apostulli Gjon shkruan për «një mijë vjetët» e sundimit të Krishtit. Edhe ky numër duhet marrë si numër i mirëfilltë, siç e tregon një shqyrtim i kujdesshëm i Biblës. * (Zbulesa 20:3, 5-7) Prandaj, nëse një numër i librit të Zbulesës duhet marrë si numër simbolik apo i mirëfilltë, kjo varet nga konteksti.

Ideja që numri 144.000 është numër i mirëfilltë dhe ka të bëjë me një grup të kufizuar individësh, një grup pak a shumë i vogël në krahasim me ‘shumicën e madhe’, është në harmoni edhe me pjesë të tjera të Biblës. Për shembull, pak më vonë në vegimin që merr apostulli Gjon, këta 144.000 përshkruhen si ata që «u blenë nga mesi i njerëzimit si fryte të para». (Zbulesa 14:1, 4) Shprehja «fryte të para» ka të bëjë me një pjesë të vogël të zgjedhur. Gjithashtu, kur ishte në tokë, Jezui foli për ata që do të sundojnë me të në Mbretërinë e tij qiellore duke i quajtur «kope e vogël». (Luka 12:32; 22:29) Pra, ata që janë zgjedhur nga mesi i njerëzimit dhe që do të sundojnë në qiell janë pak në krahasim me njerëzit që do të banojnë në tokën parajsore që po vjen.

Kështu, konteksti i Zbulesës 7:4 dhe pohimet që lidhen me të e që i gjejmë në pjesë të tjera të Biblës tregojnë se numri 144.000 duhet marrë si numër i mirëfilltë. Ky numër ka të bëjë me ata që do të sundojnë në qiell me Krishtin mbi një tokë parajsore, e cila do të mbushet nga një numër i madh e i papërcaktuar njerëzish të lumtur që adhurojnë Perëndinë Jehova.​—Psalmi 37:29.

[Shënimi]

^ par. 7 Për më shumë informacion rreth Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, shih librin Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!, faqet 289, 290, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.

[Diçitura në faqen 31]

Numri i trashëgimtarëve qiellorë është i kufizuar në 144.000

[Figura në faqen 31]

‘Shumica e madhe’ është e papërcaktuar si numër

[Burimi i figurës në faqen 31]

Yje: Me mirësjelljen e observatorit anglo-australian, fotografi nga David Malin