Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta përballojmë shkurajimin?

Si ta përballojmë shkurajimin?

Si ta përballojmë shkurajimin?

A NDIHESH i shkurajuar? Në këtë epokë plot pasiguri e trazira, shumë njerëz ndihen kështu. Disa shkurajohen sepse s’kanë punë. Të tjerë po vuajnë pasojat e ndonjë aksidenti. Të tjerë akoma po luftojnë me probleme familjare, me ndonjë sëmundje të rëndë ose me ndjenjat e vetmisë.

Ku mund të drejtohesh për ndihmë, në qoftë se je i shkurajuar? Në mbarë botën, miliona veta kanë gjetur ngushëllim duke lexuar Fjalën e Perëndisë, Biblën. Qetësohen kur lexojnë fjalët e apostullit Pavël, i cili tha: «I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht, Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona.» (2 Korintasve 1:3, 4) Pse të mos i lexosh në Biblën tënde vargje të tilla, si edhe vargje të tjera biblike? Leximi i Biblës ‘do të të ngushëllojë zemrën dhe do të të bëjë të patundur’.​—2 Selanikasve 2:17.

Ndihmën për të përballuar shkurajimin mund ta gjesh edhe duke u shoqëruar me ata që i shërbejnë Jehovait. Te Fjalët e urta 12:25 thuhet: «Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë.» Kur ndjekim mbledhjet e krishtere, dëgjojmë «fjalët e ëmbla» që janë «ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat». (Fjalët e urta 16:24) Pse të mos provosh të ndjekësh një mbledhje në Sallën e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait, për ta provuar vetë sa mund të të forcojë kjo shoqëri?

Mund të nxjerrësh dobi edhe nga fuqia e lutjes. Në qoftë se të duket sikur ankthet e jetës po të mbytin, shprehja ndjenjat e tua më të thella ‘Atij që plotëson lutjen’. (Psalmi 65:2) Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, na kupton më mirë se ç’e kuptojmë ne veten. Mund të mbështetemi në ndihmën e tij. Në Fjalën e tij gjejmë premtimin: «Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.» (Psalmi 55:22) Po, «ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja».​—Isaia 40:31.

Perëndia Jehova na ka dhënë mjete të fuqishme që mund të na ndihmojnë për ta përballuar me sukses shkurajimin. A do t’i përdorësh?