Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lutja «Ati ynë»: Ç’kuptim ka për ty?

Lutja «Ati ynë»: Ç’kuptim ka për ty?

Lutja «Ati ynë»: Ç’kuptim ka për ty?

LUTJA «Ati ynë», të cilën e tha Jezu Krishti në Predikimin në Mal, gjendet në Bibël në kapitullin e gjashtë të Mateut, në vargjet 9 deri 13. Pak para se të thoshte këtë lutje, Jezui shpjegoi: «Kur lutesh, mos thuaj të njëjtat gjëra herë pas here, ashtu siç bëjnë njerëzit e kombeve, sepse kujtojnë se do të dëgjohen ngaqë përdorin shumë fjalë.»​—Mateu 6:7.

Pra, është e qartë se Jezui s’kishte ndër mend që lutja «Ati ynë» të recitohej përmendësh fjalë për fjalë. Është e vërtetë që më vonë ai e përsëriti këtë lutje para një auditori tjetër. (Luka 11:2-4) Por, fjalët e përdorura në lutjen që gjejmë në ungjillin sipas Mateut ndryshojnë disi nga ai i Lukës. Për më tepër, lutjet e tjera që tha më vonë Jezui dhe dishepujt e tij nuk u përmbaheshin ngushtësisht fjalëve specifike të lutjes model.

Pse është shkruar në Bibël lutja «Ati ynë»? Me anë të këtij modeli, Jezui na mëson se si t’i bëjmë të pranueshme lutjet tona para Perëndisë. Gjithashtu, në këtë lutje gjejmë përgjigje për disa pyetje themelore të jetës. Prandaj, le ta shqyrtojmë një për një lutjen «Ati ynë».

Cili është emri i Perëndisë?

«Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Këto fjalë të para të lutjes model na ndihmojnë t’i afrohemi Perëndisë duke iu drejtuar si «Ati ynë». Ashtu siç është e natyrshme që një fëmijë ta dojë shumë prindin që i tregon dashuri dhe e kupton, edhe ne mund t’i afrohemi Atit tonë qiellor të bindur se ai dëshiron të na dëgjojë. Mbreti David këndoi: «O Dëgjues i lutjes, te ti do të vijë çdo njeri.»​—Psalmi 65:2, BR.

Jezui na udhëzon të lutemi që të shenjtërohet ose të konsiderohet i shenjtë emri i Perëndisë. Por, cili është emri i Perëndisë? Bibla përgjigjet me këto fjalë: «Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova.» (Marku 12:29) A e ke lexuar ndonjëherë emrin Jehova në Bibël?

Faktikisht, emri Jehova, emri i Perëndisë, del afro 7.000 herë në dorëshkrimet e lashta të Biblës. Mirëpo, disa përkthyes kanë shkuar deri aty sa e kanë hequr këtë emër nga përkthimet e Biblës. Prandaj, me të drejtë lutemi që Krijuesi ynë ta shenjtërojë emrin e tij. (Ezekieli 36:23) Një mënyrë për të vepruar në përputhje me këtë lutje është ta përdorim emrin Jehova kur i lutemi Perëndisë.

Një grua me emrin Patrisha u rrit si katolike dhe e njihte shumë mirë lutjen «Ati ynë». Si reagoi ajo, kur një Dëshmitare e Jehovait ia tregoi emrin e Perëndisë në Bibël? «S’e besoja dot!​—tha.​—Prandaj shkova të merrja versionin e Biblës që kisha unë, por emri ishte edhe aty. Atëherë Dëshmitarja më tregoi Mateun 6:9, 10 dhe më shpjegoi se emri i Perëndisë përmendet edhe në lutjen ‘Ati ynë’. Kjo më entuziazmoi dhe i kërkova që të studionte Biblën me mua.»

Të bëhet vullneti i Perëndisë në tokë

«Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» (Mateu 6:10) Si do të përmbushet kjo pjesë e lutjes model të Jezuit? Shumica e njerëzve e përfytyrojnë qiellin si një vend me paqe e qetësi. Shkrimet thonë se qielli është ‘banesa e shenjtë dhe e lavdishme’ e Jehovait. (Isaia 63:15) Ja pse lutemi që të bëhet vullneti i Perëndisë në tokë «si në qiell». Por, a do të ndodhë ndonjëherë kjo?

Danieli, një profet i Jehovait, paratha: «Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri [tokësore] dhe do të ekzistojë përjetë.» (Danieli 2:44) Kjo Mbretëri ose qeveri qiellore së shpejti do të hyjë në veprim për të sjellë paqe në mbarë botën, duke sunduar me drejtësi.​—2 Pjetrit 3:13.

Të lutemi që të vijë Mbretëria e Perëndisë dhe të bëhet vullneti i tij në tokë është shprehje e besimit që nuk çon në zhgënjim. Apostulli i krishterë Gjon shkroi: «Dëgjova një zë të fortë nga froni të thoshte: ‘Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzimin dhe ai do të banojë me ta, ndërsa ata do të jenë popujt e tij. Dhe vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.’» Pastaj, Gjoni shtoi: «Dhe Ai që rri ulur në fron tha: . . . ‘Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.’»​—Zbulesa 21:3-5.

Lutja dhe nevojat tona fizike

Me fjalët që tha në lutjen model, Jezui tregoi se interesimi ynë kryesor kur lutemi duhet të jetë për emrin dhe për vullnetin e Perëndisë. Pastaj, lutja model vazhdon me kërkesa personale që i drejtohen siç duhet Jehovait.

E para prej tyre është: «Na jep sot bukën tonë për këtë ditë.» (Mateu 6:11) Kjo nuk është një kërkesë për t’u pasuruar. Jezui na nxiti të lutemi për «bukën tonë për këtë ditë, sipas nevojës së ditës». (Luka 11:3) Në përputhje me lutjen «Ati ynë», mund të lutemi me besim se Perëndia do të na sigurojë nevojat e përditshme, në qoftë se e duam dhe i bindemi atij.

Ankthi i tepërt për problemet ekonomike mund të na bëjë të lëmë pas dore nevojat frymore dhe të mos bëjmë atë që pret Perëndia prej nesh. Por në qoftë se e vëmë në vend të parë në jetën tonë adhurimin e Perëndisë, mund të jemi të sigurt se lutjet tona për nevojat materiale, siç janë ushqimi dhe veshja, do të dëgjohen e do të plotësohen. Jezui tha: «Vazhdoni . . . të kërkoni më parë mbretërinë [e Perëndisë] dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mateu 6:26-33) Por, meqë jemi që të gjithë mëkatarë dhe kemi nevojë për falje, nuk e kemi të lehtë të kërkojmë drejtësinë e Perëndisë. (Romakëve 5:12) Lutja «Ati ynë» trajton edhe këtë çështje.

Lutjet tona dhe falja

«Na i fal borxhet tona, sikurse edhe ne i kemi falur borxhlinjtë tanë.» (Mateu 6:12) Në dokumentimin që i bën Luka lutjes «Ati ynë», thuhet se këto «borxhe» janë «mëkatet». (Luka 11:4) A do të na i falë vërtet Perëndia Jehova mëkatet?

Mbreti David i Izraelit të lashtë, ndonëse kishte kryer mëkate të rënda, u pendua dhe u lut i bindur: «Ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh dhe tregon mirësi të madhe ndaj gjithë atyre që të kërkojnë.» (Psalmi 86:5) Sa mendim ngushëllues! Ati ynë qiellor është ‘i gatshëm të falë’ mëkatet e atyre që pendohen dhe i luten atij. Pikërisht ashtu si një borxh mund të anulohet krejtësisht, po kështu Perëndia Jehova mund të na i falë krejtësisht mëkatet.

Megjithatë, Jezui përmendi një kusht: që të na falë Perëndia, ne duhet të falim të tjerët. (Mateu 6:14, 15) Ndonëse tre shokët e tij e keqtrajtuan Jobin e drejtë, ai i fali, e madje u lut për ta. (Jobi 42:10) Në qoftë se i falim ata që mëkatojnë kundër nesh, do t’i pëlqejmë Perëndisë dhe do të trajtohemi me mëshirë prej tij.

Gatishmëria e Perëndisë për të na i dëgjuar lutjet duhet të na nxitë të kërkojmë miratimin e tij. Këtë mund ta bëjmë, ndonëse jemi të papërsosur. (Mateu 26:41) Edhe në këtë rast, Jehovai mund të na ndihmojë, siç e tregoi Jezui duke e mbyllur lutjen model me një kërkesë shumë të rëndësishme.

Ndihmë për të ndjekur rrugën e drejtë

«Mos na ço në tundim, por na çliro nga i ligu.» (Mateu 6:13) Jehovai nuk na braktis kur jemi në tundim e nuk na bën të biem në mëkat. Në Fjalën e tij thuhet: «Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» (Jakovi 1:13) Vërtet që Perëndia lejon të tundohemi, por mund të na çlirojë nga Tunduesi i Madh, nga «i ligu», që njihet si Satana Djalli.

Apostulli Pjetër i nxiti të bashkëkrishterët: «Ruani gjykimin, jini vigjilentë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që vrumbullit, duke kërkuar të përpijë dikë.» (1 Pjetrit 5:8) Mendoni, Satanai tundoi edhe njeriun e përsosur Jezu Krisht! Me cilin synim? Ta largonte Jezuin nga adhurimi i pastër i Perëndisë Jehova. (Mateu 4:1-11) Në qoftë se po përpiqesh t’i shërbesh Perëndisë, synimi i Satanait është të të largojë edhe ty nga adhurimi i pastër!

Nëpërmjet botës që është nën kontrollin e tij, Djalli mund të na tundojë të përfshihemi në praktika që Perëndia nuk i miraton. (1 Gjonit 5:19) Prandaj është jetësore që t’i drejtohemi rregullisht Perëndisë për ndihmë, sidomos kur hasim një tundim që po vazhdon. E nëse e adhurojmë Jehovain sipas Fjalës së tij të frymëzuar, Biblës, ai do të na çlirojë duke na ndihmuar t’i kundërvihemi Djallit. Bibla na thotë: «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani.»​—1 Korintasve 10:13.

Duhet të kemi besim te Perëndia

Sa na ngrohet zemra kur kuptojmë se Ati ynë qiellor interesohet për secilin prej nesh! Madje, ai bëri të mundur që Biri i tij, Jezu Krishti, të na mësonte se si të lutemi. Patjetër që kjo na nxit t’i pëlqejmë Perëndisë Jehova. Si mund ta bëjmë këtë?

Bibla thotë: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.» (Hebrenjve 11:6) Si mund ta fitojmë këtë besim? «Besimi . . . vjen pas asaj që është dëgjuar»,​—thotë Bibla. (Romakëve 10:17) Dëshmitarët e Jehovait flasin me kënaqësi për çështjet biblike me të gjithë ata që dëshirojnë t’i shërbejnë Perëndisë duke pasur besim të vërtetë.

Shpresojmë që ky trajtim i lutjes «Ati ynë» të ta ketë thelluar kuptueshmërinë për domethënien e kësaj lutjeje. Duke marrë më shumë njohuri për Jehovain e për shpërblimet që ai u jep «atyre që e kërkojnë me ngulm», mund ta forcosh besimin te Perëndia. Urojmë që të mësosh sa më shumë për të e për qëllimet e tij, që të kesh përgjithmonë një marrëdhënie të ngushtë me Atin tonë qiellor!​—Gjoni 17:3.

[Diçitura në faqen 5]

«Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë. Na jep sot bukën tonë për këtë ditë; dhe na i fal borxhet tona, sikurse edhe ne i kemi falur borxhlinjtë tanë. E mos na ço në tundim, por na çliro nga i ligu.»​—Mateu 6:9-13

[Figura në faqen 7]

Jehovai kujdeset për nevojat e atyre që e duan

[Figura në faqen 7]

Perëndia na ndihmon edhe t’i kundërvihemi Djallit

[Figura në faqen 7]

Nëse i falim ata që mëkatojnë kundër nesh, ashtu si bëri Jobi, Perëndia mund të na tregojë mëshirë