Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Pasuritë e bollshme të deteve»

«Pasuritë e bollshme të deteve»

Madhështia e krijimit të Jehovait

«Pasuritë e bollshme të deteve»

DIELLI po perëndon dhe një puhizë e lehtë trazon paksa sipërfaqen e detit, duke ngritur valë të lehta që përplasen me ëmbëlsi në breg. Tingulli qetësues i këtyre valëve është aq tërheqës, saqë njerëzit dynden në breg të detit për t’u çlodhur e për t’u qetësuar. *

Anembanë tokës ka rripa të gjatë bregdeti që vazhdojnë për kilometra të tëra. Kjo vijë, që ndan tokën e thatë nga uji e që është gjithnjë në ndryshim, shënon kufijtë e pushtetit të deteve. Kështu e projektoi Krijuesi. Duke folur për veten e tij, Perëndia shpall se e ka «vënë rërën si kufi të detit». Pastaj shton: «Valët e tij ngrihen, por nuk fitojnë, bëjnë zhurmë, por nuk e kapërcejnë.»​—Jeremia 5:22; Jobi 38:8; Psalmi 33:7.

Planeti ynë është vërtet plot me ujë, ndryshe nga çdo planet tjetër në sistemin diellor. Në fakt, më shumë se 70 për qind e rruzullit është e mbuluar nga uji. Kur po përgatiste tokën si banesë për njerëzit, Jehovai shpalli: «‘Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera.’ Dhe kështu u bë.» Pastaj tregimi vazhdon: «Perëndia e quajti terën ‘tokë’ dhe grumbullimin e ujërave ‘det’. Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë.» (Zanafilla 1:9, 10) Çfarë dobish sjellin oqeanet?

Uji i oqeaneve është projektuar që të mbështetë jetën në shumë mënyra të mahnitshme. Për shembull, uji ka aftësinë që ta depozitojë nxehtësinë. Kështu, oqeanet veprojnë si një rezervuar gjigant nxehtësie, duke zbutur të ftohtin e hidhur të dimrit.

Uji ka edhe një aftësi tjetër që mbështet jetën. Ai mund t’i tretë substancat e tjera më me lehtësi se çdo lëng tjetër. Meqë proceset e jetës bëhen të mundura nëpërmjet reaksioneve kimike, prania e ujit është e nevojshme për të tretur substancat vepruese dhe për t’i bashkuar me njëra-tjetrën molekulat e tyre. Shumë përbërje kimike që gjenden në indet e gjalla, përmbajnë ujë. Në një libër thuhet: «Të gjitha format e jetës kanë nevojë për ujë, i cili në fund të fundit vjen nga oqeanet, madje edhe për bimët e për kafshët që jetojnë në tokë të thatë.»​—The Sea.

Oqeanet luajnë gjithashtu një rol kryesor në pastrimin e atmosferës. Planktoni që gjendet në oqeane thith dyoksidin e karbonit dhe çliron oksigjen. Sipas një studiuesi, «70 për qind e oksigjenit që i shtohet atmosferës çdo vit vjen nga planktoni i deteve».

Oqeanet mund të sigurojnë edhe ilaçe natyrore për të kuruar sëmundjet. Për shekuj me radhë janë përdorur si ilaçe, ekstrakte të marra nga peshqit. Po kështu, vaji i mëlçisë së merlucit ka shumë kohë që përdoret. Kohët e fundit, lëndë kimike të marra nga peshqit dhe nga gjallesa të tjera ujore janë përdorur për të kuruar astmën, e për të luftuar viruset dhe kancerin.

Janë bërë disa përpjekje për të llogaritur vlerën ekonomike të shërbimeve që i bëjnë oqeanet njerëzimit. Ndonëse nuk është e mundur të arrihet një përfundim i saktë, kërkuesit kanë llogaritur se pothuajse dy të tretat e vlerës ekonomike të shërbimeve që siguron ekosistemi botëror vjen nga oqeanet. Kjo vërteton se detet u krijuan me një qëllim, domethënë për të mbështetur jetën. Sa mirë përputhet kjo me atë që Bibla e quan «pasuritë e bollshme të deteve»!​—Ligji i përtërirë 33:19, BR.

Jehovai merr lavdi si Projektuesi i Madh dhe Krijuesi i kësaj pasurie. Nehemia u nxit t’i jepte lavdi atij me fjalët vijuese: «Vetëm ti je Zoti! Ti ke bërë qiejt, . . . detet dhe gjithçka që është në ta. Ti i mban gjallë tërë këto gjëra.»​—Nehemia 9:6.

[Shënimi]

^ par. 3 Shih Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2004, shtator/tetor.

[Kutia dhe figurat në faqen 9]

Uji, era dhe dallgët

Uji dhe era krijojnë dallgë të fuqishme, që përplasen me një zhurmë shurdhuese nëpër shkëmbinj, si këto në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara. Dallgët kanë qenë gjithnjë një aspekt mahnitës i oqeanit, duke bërë të dukshëm pushtetin e tij mbresëlënës. Gjithashtu, ato na kujtojnë edhe fuqinë madhështore që ka Krijuesi. Jehovai «ecën mbi valët e larta të detit». «Me fuqinë e tij ka trazuar detin dhe me kuptueshmërinë e tij e ka bërë copë-copë atë që bën si i tërbuar.» (Jobi 9:8; 26:12, BR) Vërtet, «Zoti në vendet shumë të larta është më i fuqishëm se zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit».​—Psalmi 93:4.

Skulptura prej rëre

Nganjëherë bregu i detit kthehet në një sfond të bukur me skulptura mbresëlënëse prej rëre, siç janë dunat që shihen këtu, në bregun e Namibisë, në jug të Afrikës. Forca kryesore që i jep formën e veçantë rërës është era. Disa duna mund të duken thjesht si pirgje të vogla, por ka të tjera që arrijnë lartësinë 400 metra. Sasi të tilla shumë të mëdha rëre na ndihmojnë të kuptojmë shprehjen biblike «rëra që ndodhet në brigjet e detit». Kjo shprehje përdoret për të treguar diçka të panumërueshme, që është e vështirë të llogaritet. (Zanafilla 22:17) Ndiejmë nderim të thellë për Krijuesin, i cili projektoi këtë pengesë natyrore prej rëre për të ndalur sulmet e detit të stuhishëm.

[Figura në faqen 9]

Perëndim dielli në bregdet, Gjiri i Biafras, Kamerun