Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse burrave izraelitë u lejohej të martoheshin me gra të huaja që ishin robinja, kur Ligji i Moisiut urdhëronte që të mos bëhej asnjë martesë me të huaj nga disa kombe të caktuara?​—Ligji i përtërirë 7:1-3; 21:10, 11.

Arsyeja pse ishte lejuar kjo kishte të bënte me rrethana të veçanta. Jehovai i kishte urdhëruar izraelitët të shkatërronin qytetet në shtatë kombe të vendit të Kanaanit dhe t’i vritnin të gjithë banorët. (Ligji i përtërirë 20:15-18) Kurse për kombet e tjera, të vetmit të rritur që mund të mbijetonin ishin vajzat e virgjëra që merreshin robinja. (Numrat 31:17, 18; Ligji i përtërirë 20:14) Një izraelit mund të martohej me një grua të tillë, por me kusht që ajo të bënte disa gjëra.

Bibla thotë se këto gra të huaja duhej të bënin këto veprime: «Ajo do të rruajë kokën dhe do të presë thonjtë, do të heqë rrobat e robinjës, do të banojë në shtëpinë tënde dhe do të mbajë zi një muaj të tërë për të atin dhe për të ëmën, pastaj ti do të hysh te ajo dhe do të jesh bashkëshorti i saj dhe ajo do të jetë bashkëshortja jote.»​—Ligji i përtërirë 21:12, 13.

Robinja e virgjër që një izraelit donte ta merrte për grua duhej të rruante kokën. Prerja e flokëve ishte shprehje e zisë ose e hidhërimit. (Isaia 3:24) Për shembull, kur humbi gjithë fëmijët dhe pasuritë e tij, patriarku Job rroi kokën në shenjë zie. (Jobi 1:20) Gjithashtu, gruaja e huaj duhej të priste thonjtë, ndoshta shumë shkurt, në mënyrë që edhe po t’i lyente, duart nuk do t’i dukeshin tërheqëse. (Ligji i përtërirë 21:12) Po «rrobat e robinjës» që duhej t’i hiqte ajo grua çfarë ishin? Gratë në qytetet pagane që rrezikonin të pushtoheshin e kishin zakon të vishnin rrobat e tyre më të mira. Vepronin kështu me shpresën për të tërhequr burrat që do të pushtonin qytetin. Kjo veshje duhej shkatërruar nga një grua robinjë që ishte në zi.

Robinja që do të bëhej grua e një izraeliti duhej të vajtonte një muaj hënor për familjarët e vdekur. Shkatërrimi i qyteteve të mundura duhej të ishte kaq i plotë, saqë për këtë grua nuk do të ekzistonte më asnjë lidhje familjare ose shoqërore. Meqë ushtarët izraelitë do t’i kishin shkatërruar shëmbëlltyrat e perëndive të kananitëve, objektet me të cilat adhuronte ajo nuk do të ekzistonin më. Muaji i zisë shërbente edhe si periudhë pastrimi, gjatë së cilës një grua robinjë do të pastrohej nga të gjitha aspektet e adhurimit të saj të mëparshëm.

Por me gratë e huaja në përgjithësi puna ishte ndryshe. Në këtë rast, Jehovai urdhëroi: «Nuk do të lidhësh martesë me ta. Nuk do t’u japësh bijat e tua bijve të tyre dhe nuk do të marrësh bijat e tyre për bijtë e tu.» (Ligji i përtërirë 7:3) Pse ky kufizim? Ligji i përtërirë 7:4 thotë: «Sepse do t’i largonin bijtë e tu nga unë për t’u shërbyer perëndive të tjera.» Prandaj, ky ndalim bëhej me qëllim për të mbrojtur izraelitët nga ndotja fetare. Kurse një grua e huaj, e cila ishte në rrethanat e përshkruara te Ligji i përtërirë 21:10-13, nuk përbënte një kërcënim të tillë. Të gjithë të afërmit e saj kishin vdekur dhe shëmbëlltyrat që paraqitnin perënditë e saj ishin shkatërruar. Ajo s’kishte më lidhje me ata që praktikonin fenë e rreme. Në rrethana të tilla, një izraelit lejohej të martohej me një grua të huaj.