Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Vazhdoni të merrni fuqi në Zotërinë»

«Vazhdoni të merrni fuqi në Zotërinë»

«Vazhdoni të merrni fuqi në Zotërinë»

«Vazhdoni të merrni fuqi në Zotërinë dhe në fuqinë e forcës së tij.»​—EFESIANËVE 6:10.

1. (a) Cili dyluftim i veçantë ndodhi rreth 3.000 vjet më parë? (b) Pse fitoi Davidi?

RRETH 3.000 vjet më parë, dy luftëtarë qëndronin përballë njëri-tjetrit në mes të dy ushtrive kundërshtare në fushën e betejës. Luftëtari më i ri ishte një bari dhe quhej David. Para tij qëndronte Goliadi, një burrë me shtat dhe forcë të pazakontë. Parzmorja i peshonte rreth 57 kilogramë e në dorë kishte një heshtë të rëndë dhe një shpatë të madhe. Davidi s’kishte veshur fare armaturë dhe e vetmja armë që kishte në dorë ishte një hobé. Gjiganti filistin, Goliadi, u ndie i fyer që në këtë duel kundërshtari i tij izraelit ishte veçse një djalosh. (1 Samuelit 17:42-44) Për ata që po shikonin, nga të dyja palët luftuese, përfundimi i duelit duhet të ketë qenë i qartë që në fillim. Mirëpo jo gjithnjë të fortët e fitojnë betejën. (Predikuesi 9:11) Davidi fitoi sepse luftonte me forcën e Jehovait. Ai tha: «Beteja i përket Jehovait.» Bibla tregon se «Davidi, me një hobe e një gur doli më i fortë se filistini».​—1 Samuelit 17:47, 50, BR.

2. Në ç’lloj lufte marrin pjesë të krishterët?

2 Të krishterët nuk marrin pjesë në luftëra të mirëfillta. Ata janë paqësorë me të gjithë njerëzit, por kanë një luftë frymore me kundërshtarë shumë të fuqishëm. (Romakëve 12:18) Në kapitullin e fundit të letrës drejtuar efesianëve, Pavli përshkroi një luftë në të cilën është i përfshirë çdo i krishterë. Ai shkroi: «Kemi një përleshje, jo kundër gjakut e mishit, por kundër qeverive, kundër autoriteteve, kundër sundimtarëve botërorë të kësaj errësire, kundër forcave të liga frymore në vendet qiellore.»​—Efesianëve 6:12.

3. Çfarë na nevojitet që ta kemi të sigurt suksesin, sipas Efesianëve 6:10?

3 Këto ‘forca të liga frymore’ janë Satanai dhe demonët, të cilët duan të na prishin marrëdhënien që kemi me Perëndinë Jehova. Meqë janë shumë më të fortë se ne, gjendemi në një situatë të ngjashme me Davidin. Nuk mund të fitojmë në qoftë se nuk mbështetemi te Perëndia për të marrë forcë. Prandaj Pavli na nxit ‘të vazhdojmë të marrim fuqi në Zotërinë dhe në fuqinë e forcës së tij’. (Efesianëve 6:10) Pasi jep këtë këshillë, apostulli përshkruan masat frymore dhe cilësitë e krishtere që na ndihmojnë të dalim fitimtarë.​—Efesianëve 6:11-17.

4. Cilat janë dy pikat kryesore që do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Le të shqyrtojmë tani atë që thonë Shkrimet për pikat e forta dhe për taktikat e armikut tonë. Më pas do të shqyrtojmë strategjinë që duhet të përdorim për t’u mbrojtur. Në qoftë se ndjekim udhëzimet e Jehovait, mund të jemi të sigurt se armiqtë nuk do të fitojnë kundër nesh.

Përleshje kundër forcave të liga frymore

5. Si na ndihmon fjala «përleshje», e përdorur tek Efesianëve 6:12, që të kuptojmë strategjinë e Satanait?

5 Pavli shpjegon se «kemi një përleshje . . . kundër forcave të liga frymore në vendet qiellore». Sigurisht që fryma e ligë kryesore është Satana Djalli, ‘sundimtari i demonëve’. (Mateu 12:24-26) Luftën që kemi, Bibla e përshkruan si «një përleshje» ose një mundje trup me trup. Në Greqinë e lashtë, në garat e mundjes secili lojtar përpiqej ta bënte kundërshtarin që të humbiste ekuilibrin dhe ta hidhte përtokë. Po kështu, Djalli dëshiron që ne të humbasim ekuilibrin frymor. Si mund të na shtyjë që ta bëjmë këtë?

6. Tregoni me anë të Shkrimeve se si Djalli mund të përdorë taktika të ndryshme për të na dobësuar besimin.

6 Djalli mund të veprojë si një gjarpër, si luan vrumbullitës ose edhe si engjëll drite. (2 Korintasve 11:3, 14; 1 Pjetrit 5:8) Mund të përdorë njerëzit për të na përndjekur e për të na shkurajuar. (Zbulesa 2:10) Meqë e ka gjithë botën në dorën e tij, për të na futur në kurth, Satanai mund të shfrytëzojë dëshirat dhe tërheqjet që ofron bota. (2 Timoteut 2:26; 1 Gjonit 2:16; 5:19) Mund të përdorë filozofinë njerëzore ose apostate për të na mashtruar, ashtu siç mashtroi Evën.​—1 Timoteut 2:14.

7. Ç’kufizime kanë demonët dhe çfarë përparësish kemi ne?

7 Ndonëse armët dhe fuqia e Satanait dhe e demonëve mund të duken tepër të mëdha, ata kanë edhe kufizime. Këto frymëra të liga nuk mund të na detyrojnë të bëjmë gjëra të këqija që i shkaktojnë pakënaqësi Atit tonë qiellor. Ne kemi vullnet të lirë dhe mund t’i kontrollojmë mendimet e veprimet tona. Për më tepër, nuk luftojmë vetëm. Ajo që ndodhi në kohën e Eliseut vlen edhe për kohën tonë: «Ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta.» (2 Mbretërve 6:16) Bibla na siguron se po t’i nënshtrohemi Perëndisë dhe t’i kundërvihemi Djallit, ai do të ikë nga ne.​—Jakovi 4:7.

I dimë intrigat e Satanait

8, 9. Çfarë sprovash i shkaktoi Satanai Jobit për t’i thyer integritetin? Çfarë rreziqesh frymore hasim sot?

8 Ne nuk jemi në padije të intrigave të Satanait, sepse Shkrimet na zbulojnë taktikat bazë që përdor ai. (2 Korintasve 2:11) Kundër Jobit të drejtë, Djalli përdori problemet e rënda ekonomike, vdekjen e familjarëve, kundërshtimin nga familja, vuajtjet fizike dhe kritikat e pabazuara nga miqtë e rremë. Jobi u dëshpërua dhe mendoi se Perëndia e kishte braktisur. (Jobi 10:1, 2) Ndonëse sot Satanai mund të mos i shkaktojë drejtpërdrejt këto probleme, vështirësi të tilla prekin shumë të krishterë dhe Djalli mund t’i shfrytëzojë për qëllimet e tij.

9 Në këtë kohë të fundit, rreziqet frymore janë shtuar shumë. Jetojmë në një botë ku synimet materialiste konkurrojnë për t’u zënë vendin synimeve frymore. Pothuajse gjithnjë, mjetet e informacionit i paraqesin marrëdhëniet seksuale të paligjshme si burim lumturie, jo si diçka që shkakton shumë dhembje. Gjithashtu, shumica e njerëzve janë bërë «kënaqësidashës në vend se perëndidashës». (2 Timoteut 3:1-5) Kjo mënyrë të menduari mund të na e kërcënojë ekuilibrin frymor, në qoftë se nuk ‘luftojmë me të gjitha forcat për besimin’.​—Juda 3.

10-12. (a) Cilin paralajmërim dha Jezui në ilustrimin me mbjellësin? (b) Ilustroni se si mund t’u zihet fryma aktiviteteve frymore.

10 Një nga taktikat më të suksesshme të Satanait është që të na shtyjë të zhytemi kokë e këmbë në këtë botë me synimet e saj materialiste. Në ilustrimin për mbjellësin, Jezui paralajmëroi se, në disa raste, «ankthi i këtij sistemi dhe fuqia mashtruese e pasurisë e mbytin fjalën [e Mbretërisë]». (Mateu 13:18, 22) Fjala greke që këtu është përkthyer ‘mbyt’ do të thotë «t’i marrësh frymën krejtësisht».

11 Në pyjet tropikale gjendet një bimë e quajtur fiku mbytës. Kjo bimë kacavarëse rritet dalëngadalë duke u përdredhur rreth trungut të një peme mikpritëse. Pak nga pak, rrënjët e saj, që sa vijnë e bëhen më të forta, e mbështjellin pemën mikpritëse. Së fundi, rrënjët e shumta të fikut mbytës thithin shumicën e lëndëve ushqyese në dheun që ndodhet përreth pemës, kurse hija që bën me gjethet i zë dritën pemës mikpritëse. S’kalon shumë dhe pema thahet.

12 Në mënyrë të ngjashme, ankthet e këtij sistemi dhe dëshira për t’u pasuruar e për të bërë një jetë të rehatshme dalëngadalë mund të na marrin gjithnjë e më shumë kohë dhe energji. Pasi e kemi drejtuar vëmendjen te gjërat e botës, fare lehtë mund ta lëmë pas dore studimin personal të Biblës e ta bëjmë zakon të humbasim mbledhjet e krishtere, duke u shkëputur nga burimi i ushqimit frymor. Pastaj synimet materialiste ua zënë vendin synimeve frymore, dhe së fundi bëhemi pre e lehtë e Satanait.

Duhet të qëndrojmë të patundur

13, 14. Ç’qëndrim duhet të mbajmë kur hasim kundërshtime nga Satanai?

13 Pavli i nxiti bashkëbesimtarët që ‘të qëndronin të patundur kundër intrigave të Djallit’. (Efesianëve 6:11) Sigurisht ne nuk mund ta shfarosim Djallin dhe demonët e tij. Këtë detyrë Perëndia ia ka caktuar Jezu Krishtit. (Zbulesa 20:1, 2) Por, derisa të shkatërrohet Satanai, duhet ‘të qëndrojmë të patundur’, në mënyrë që sulmet e tij të mos na thyejnë.

14 Edhe apostulli Pjetër e theksoi nevojën që të qëndrojmë të patundur kundër Satanait. Ai shkroi: «Ruani gjykimin, jini vigjilentë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që vrumbullit, duke kërkuar të përpijë dikë. Por ju kundërvijuni, të fortë në besim, duke e ditur se të njëjtat gjëra për sa u përket vuajtjeve po ndodhin në gjithë vëllazërinë tuaj nëpër botë.» (1 Pjetrit 5:8, 9) Faktikisht, mbështetja e vëllezërve frymorë dhe motrave frymore është thelbësore që të qëndrojmë të patundur kur Djalli sulmon si një luan vrumbullitës.

15, 16. Jepni një shembull biblik për të treguar se si mbështetja e bashkëbesimtarëve mund të na ndihmojë të qëndrojmë të patundur.

15 Në savanën afrikane, kur dëgjohet vrumbullitja e një luani aty afër, antilopat përgjigjen duke vrapuar me sa u hanë këmbët, derisa të jenë jashtë rrezikut. Kurse elefantët na japin një shembull të mbështetjes reciproke. Në librin Elefantët, gjigantë të butë të Afrikës dhe të Azisë (anglisht) shpjegohet: «Një taktikë mbrojtjeje që përdor zakonisht tufa e elefantëve është kjo: formojnë një rreth me trupat e tyre, elefantët e rritur në anën e jashtme, andej nga vjen rreziku, kurse të vegjlit të mbrojtur brenda këtij rrethi.» Përballë kësaj shfaqjeje të fuqisë dhe të bashkëpunimit, luanët rrallëherë i sulmojnë elefantët, qofshin këta edhe të vegjël.

16 Edhe ne, kur na kërcënojnë Satanai dhe demonët e tij, duhet të qëndrojmë së bashku, sup më sup me vëllezërit tanë që janë të fortë në besim. Pavli e pranoi se disa të bashkëkrishterë kishin qenë për të «një ndihmë fuqizuese» kur ishte i burgosur në Romë. (Kolosianëve 4:10, 11) Fjala greke e përkthyer «ndihmë fuqizuese» del vetëm një herë në Shkrimet e Krishtere Greke. Sipas Fjalorit shpjegues të fjalëve të Besëlidhjes së Re (anglisht), nga Vajni, «një formë foljore e kësaj fjale ka kuptimin ilaçe që qetësojnë ndonjë acarim në trup». Ashtu si një melhem qetësues, mbështetja që na japin adhuruesit e pjekur të Jehovait mund ta lehtësojë dhembjen që na shkaktojnë vuajtjet emocionale ose fizike.

17. Çfarë mund të na ndihmojë t’i qëndrojmë besnikë Perëndisë?

17 Inkurajimi që na japin sot të bashkëkrishterët mund të na e forcojë vendosmërinë për t’i shërbyer me besnikëri Perëndisë. Sidomos pleqtë e krishterë janë të zellshëm për të dhënë ndihmë frymore. (Jakovi 5:13-15) Disa gjëra të tjera që na ndihmojnë të qëndrojmë besnikë janë studimi i rregullt i Biblës dhe prania në mbledhjet, asambletë dhe kongreset e krishtere. Edhe vetë marrëdhënia e ngushtë që kemi me Perëndinë na ndihmon t’i qëndrojmë besnikë atij. Po, nëse hamë, nëse pimë ose nëse bëjmë ndonjë gjë tjetër, dëshira jonë duhet të jetë që gjithçka ta bëjmë për lavdi të Perëndisë. (1 Korintasve 10:31) Qartë, mbështetja te Jehovai me anë të lutjes është thelbësore që të vazhdojmë të ecim në rrugën që i pëlqen atij.​—Psalmi 37:5.

18. Pse nuk duhet të dorëzohemi, edhe sikur rrethanat e vështira të na i dobësojnë forcat?

18 Nganjëherë sulmet e Satanait vijnë atëherë kur nuk ndihemi të fortë frymësisht. Luani sulmon kafshët që, për ndonjë arsye, janë të dobëta. Kështu, problemet familjare, vështirësitë ekonomike ose sëmundjet mund të na e dobësojnë forcën frymore. Por, le të mos dorëzohemi kurrë duke bërë atë që i pëlqen Perëndisë, sepse Pavli tha: «Kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.» (2 Korintasve 12:10; Galatasve 6:9; 2 Selanikasve 3:13) Çfarë donte të thoshte me këtë? Donte të thoshte se fuqia e Perëndisë mund të kompensojë dobësitë tona njerëzore, me kusht që t’i drejtohemi Jehovait për të marrë forcë. Fitorja e Davidit kundër Goliadit tregon se Perëndia mund t’i forcojë shërbëtorët e tij, dhe e bën vërtet këtë. Dëshmitarët e Jehovait në ditët tona mund ta thonë me gojën e tyre se në kohë vështirësish të skajshme, kanë ndier dorën e Perëndisë që u ka dhënë forcë.​—Danieli 10:19.

19. Jepni një shembull për të treguar se si mund t’i forcojë Jehovai shërbëtorët e tij.

19 Një çift i martuar shkroi për mbështetjen që u kishte dhënë Perëndia: «Gjatë viteve, i kemi shërbyer Jehovait si burrë e grua dhe kemi pasur shumë bekime, si edhe jemi njohur me shumë njerëz të mrekullueshëm. Gjithashtu Jehovai na ka stërvitur dhe na ka forcuar që t’i përballojmë me sukses vështirësitë. Ashtu si Jobi, jo gjithnjë e kuptonim pse gjërat ndodhnin në njëfarë mënyre, por ama e dinim se Jehovai ishte gjithnjë pranë nesh për të na ndihmuar.»

20. Cilat prova biblike tregojnë se Jehovai i mbështet gjithnjë shërbëtorët e tij?

20 Dora e Jehovait nuk është tepër e shkurtër që të mos i mbështetë e të mos i forcojë shërbëtorët e tij besnikë. (Isaia 59:1) Psalmisti David këndoi: «Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.» (Psalmi 145:14) Po, Ati ynë qiellor «përditë mbart barrat tona» dhe na siguron ato gjëra që na nevojiten vërtet.​—Psalmi 68:19.

Kemi nevojë për «armaturën e plotë të Perëndisë»

21. Si e theksoi Pavli nevojën për armaturën frymore?

21 Kemi shqyrtuar disa taktika të Satanait dhe kemi parë se duhet të qëndrojmë të patundur përballë sulmeve të tij. Tani duhet të shqyrtojmë një ndihmë tjetër thelbësore për ta mbrojtur më së miri besimin tonë. Në letrën drejtuar efesianëve, apostulli Pavël e përmendi dy herë një faktor të rëndësishëm për të qëndruar të patundur ndaj intrigave të Satanait dhe për të dalë fitimtarë në përleshjen me forcat e liga frymore. Pavli shkroi: «Vishni armaturën e plotë të Perëndisë, që të jeni në gjendje të qëndroni të patundur kundër intrigave të Djallit . . . Merrni armaturën e plotë të Perëndisë, që të jeni në gjendje të rezistoni në ditë të ligë dhe pasi të keni bërë në mënyrë të plotë gjithçka, të qëndroni të patundur.»​—Efesianëve 6:11, 13.

22, 23. (a) Çfarë përfshin armatura jonë frymore? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

22 Po, duhet të veshim «armaturën e plotë Perëndisë». Kur u shkroi letrën efesianëve, Pavli ruhej nga një ushtar romak, që nganjëherë mund të kishte veshur gjithë armaturën e tij. Por gjithsesi ishte Perëndia që e frymëzoi apostullin të shpjegonte armaturën frymore që duhet ta ketë medoemos çdo shërbëtor i Jehovait.

23 Kjo armaturë që vjen nga Perëndia përfshin cilësi që një i krishterë duhet të ketë, si edhe masat frymore që ka siguruar Jehovai. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë një për një çdo pjesë të armaturës frymore. Kjo do të na ndihmojë të përcaktojmë deri në ç’masë jemi të pajisur për luftën frymore që kemi. Në të njëjtën kohë, do të shohim se si na ndihmon shembulli i mrekullueshëm i Jezu Krishtit që t’i kundërvihemi me sukses Satana Djallit.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë lufte kanë të gjithë të krishterët?

• Përshkruani disa taktika të Satanait.

• Si na jep forcë mbështetja e bashkëbesimtarëve?

• Te forca e kujt duhet të varemi dhe përse?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 11]

Të krishterët ‘kanë një përleshje kundër forcave të liga frymore’

[Figura në faqen 12]

Ankthet e këtij sistemi mund ta mbytin fjalën e Mbretërisë

[Figura në faqen 13]

Të bashkëkrishterët mund të jenë «ndihmë fuqizuese»

[Figura në faqen 14]

A i lutesh Perëndisë për të marrë forcë?