Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cilët po i japin lavdi Perëndisë sot?

Cilët po i japin lavdi Perëndisë sot?

Cilët po i japin lavdi Perëndisë sot?

«Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë.»​—ZBULESA 4:11.

1, 2. (a) Cilët shembuj e ilustrojnë fushën e shkencës që quhet biomimetikë? (b) Ç’pyetje lind dhe cila është përgjigjja?

NË VITET 40 të shekullit të kaluar, inxhinieri zviceran Zhorzh de Mestral doli një ditë shëtitje me qenin e tij. Kur u kthye në shtëpi, vuri re se rrobat e tij dhe gëzofi i qenit ishin plot me rrodhe. Kjo i zgjoi kureshtjen, prandaj i vëzhgoi me mikroskop rrodhet dhe u mahnit nga gjembat e tyre si gremça, që kapeshin pas çdo gjëje që kishte ndonjë nyjë. Pas njëfarë kohe ai shpiku një ngjitës prej cope që funksionon njësoj si rrodhet. De Mestrali nuk ka qenë i vetmi që ka kopjuar natyrën. Në Shtetet e Bashkuara, vëllezërit Rait projektuan aeroplanin pasi studiuan fluturimin e zogjve të mëdhenj. Inxhinieri francez Aleksandër-Gustav Eifel projektoi kullën në Paris, që mban emrin e tij, duke përdorur parimet bazë që i japin mundësi kockës së kofshës të mbajë peshën e trupit të njeriut.

2 Këta shembuj ilustrojnë më së miri një fushë të shkencës të quajtur biomimetikë, e cila përpiqet të kopjojë projektet që gjenden në natyrë. * Por, lind me të drejtë një pyetje: Sa herë ndodh që këta shpikës t’ia japin meritën Atij që ka projektuar rrodhet e vogla, zogjtë e mëdhenj, kockën e kofshës së njeriut dhe gjithë veprat origjinale madhështore mbi të cilat bazohen shumë shpikje? Është për të ardhur keq, por në botën e sotme rrallëherë njerëzit ia japin Perëndisë meritën ose lavdinë që i takon.

3, 4. Ç’domethënie ka fjala hebraike e përkthyer «lavdi» dhe për çfarë duhet të bëjë fjalë kur përdoret për Jehovain?

3 Disa mund të pyesin: ‘Pse është e nevojshme t’i japim lavdi Perëndisë? A nuk është ai tashmë i lavdishëm?’ Po, vërtet, Jehovai është Personi më i lavdishëm në univers, por kjo s’do të thotë se është i tillë në sytë e të gjithë njerëzve. Në Bibël, fjala hebraike e përkthyer «lavdi» ka të bëjë me çdo gjë që e bën dikë të duket me peshë ose i rëndësishëm para të tjerëve. Kur përdoret për Perëndinë, kjo fjalë ka të bëjë me ato gjëra që e bëjnë Perëndinë madhështor para njerëzve.

4 Sot janë të paktë ata që i vënë re gjërat të cilat e bëjnë madhështor Perëndinë. (Psalmi 10:4; 14:1) Madje figurat e shquara të shoqërisë, edhe sikur të besojnë te Perëndia, shpesh kanë ndikuar te njerëzit e tjerë që ta trajtojnë pa respekt Krijuesin e lavdishëm të universit. Si e kanë bërë këtë?

«Ata janë të pajustifikueshëm»

5. Si përpiqen t’i shpjegojnë shumë shkencëtarë mrekullitë e krijimit?

5 Shumë shkencëtarë ngulin këmbë se nuk ka Perëndi. Po atëherë si i shpjegojnë mrekullitë e krijimit, përfshirë këtu edhe njeriun? Thonë se janë produkt i evolucionit, pra i një force të verbër që bazohet te rastësia. Për shembull, evolucionisti Stiven Xhei Guldi shkroi: «Jemi këtu, ngaqë një grup i çuditshëm peshqish kishin një anatomi krejt të veçantë pendësh që arritën të shndërroheshin në këmbët e krijesave tokësore . . . Ne mund të dëshirojmë me zjarr një përgjigje ‘më të lartë’, por nuk ka asnjë të tillë.» Po ashtu, evolucionistët Riçard E. Liki dhe Roxher Ljuini shkruan: «Ndoshta raca njerëzore është thjesht një gabim shumë i madh biologjik.» Edhe disa shkencëtarë, që e lavdërojnë bukurinë dhe projektin që gjendet në natyrë, nuk ia japin meritën Perëndisë.

6. Çfarë i bind shumë njerëz për të mos ia dhënë Perëndisë meritën që i takon si Krijues?

6 Kur njerëzit e arsimuar pohojnë se evolucioni është një fakt, me fjalë të tjera duan të thonë se vetëm të paditurit nuk e besojnë këtë gjë. Si reagojnë shumë veta ndaj një pohimi të tillë? Disa vjet më parë një njeri, që e njihte shumë mirë evolucionin, intervistoi njerëzit që e pranonin këtë teori. Ai tha: «Zbulova se shumica e atyre që e besojnë evolucionin, e kanë këtë bindje vetëm ngaqë u është thënë se të gjithë njerëzit inteligjentë e besojnë këtë teori.» Po, kur njerëzit e arsimuar shprehin pikëpamjet e tyre ateiste, të tjerët binden për të mos ia dhënë Perëndisë meritën që i takon si Krijues.​—Fjalët e urta (Proverbat) 14:15, 18.

7. Çfarë mund të dallohet qartë nga veprat e krijimit që shohim, sipas Romakëve 1:20, dhe përse?

7 Mos vallë shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se gjërat kanë ardhur me evolucion ngaqë faktet dhe provat tregojnë kështu? Aspak! Kudo përreth nesh ka prova se ekziston një Krijues. Apostulli Pavël shkroi për Të: «Cilësitë e tij të padukshme shihen qartë qysh prej krijimit të botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, kështu që ata [jobesimtarët] janë të pajustifikueshëm.» (Romakëve 1:20) Krijuesi ka lënë gjurmën e tij në kryeveprën që ka bërë. Pra, Pavli po thotë se njerëzimi, që nga fillimi i ekzistencës së tij, ka pasur mundësi të ‘dallojë’ provat e ekzistencës së Perëndisë nga veprat e krijimit, që i ka parë me sytë e veta. Ku janë këto prova?

8. (a) Si japin dëshmi qiejtë për fuqinë dhe mençurinë e Perëndisë? (b) Çfarë provash ka se universi ka pasur një Shkak të Parë?

8 Prova të ekzistencës së Perëndisë shohim në qiejt plot yje. «Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë»,​—thotë Psalmi 19:1. «Qiejtë», pra dielli, hëna dhe yjet, japin dëshmi për fuqinë dhe për mençurinë e Perëndisë. Edhe vetë numri marramendës i yjeve na lë gojëhapur. Mendo, gjithë këta trupa qiellorë nuk lëvizin kuturu nëpër hapësirë, por sipas ligjeve të sakta fizike. * (Isaia 40:26) A është e arsyeshme t’ia lëmë rastësisë së verbër këtë rregullsi? Domethënës është fakti se shumë shkencëtarë thonë që universi ka pasur një fillim të papritur. Duke shpjeguar çfarë pasojash do të kishte kjo, një profesor shkroi: «Për ata që kanë [pikëpamje] ateiste ose agnosticiste do të ishte shumë më e pranueshme ideja se universi ka ekzistuar gjithnjë. Për të njëjtën arsye, një univers që ka pasur një fillim duket se kërkon një shkak të parë, pasi kush do të mund ta imagjinonte një pasojë të tillë [universin] pa një shkak të mjaftueshëm?»

9. Si është e dukshme mençuria e Jehovait te gjallesat që ka krijuar?

9 Edhe në tokë shohim prova të ekzistencës së Perëndisë. Psalmisti tha: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.» (Psalmi 104:24) «Pasuritë» ose gjërat që ka bërë Jehovai, përfshirë këtu edhe kafshët, janë dëshmi e mençurisë së tij. Siç e përmendëm në fillim të artikullit, projekti i gjërave të gjalla është kaq i mrekullueshëm, saqë shpesh shkencëtarët përpiqen ta imitojnë. Le të shqyrtojmë disa shembuj të tjerë. Shkencëtarët po studiojnë brirët e drerit, me synimin që të ndërtojnë helmeta më të forta; po analizojnë një lloj mize që ka dëgjim shumë të mprehtë, me synimin që të përmirësojnë aparatet e dëgjimit për të shurdhërit; po shqyrtojnë pendët e krahëve të bufit, me synimin që të përmirësojnë projektin e atyre aeroplanëve që nuk kapen nga radarët. Por, sado të përpiqen, njerëzit nuk i imitojnë dot deri në imtësi veprat origjinale e të përsosura që gjenden në natyrë. Në librin Biomimetika: shpikje të frymëzuara nga natyra (anglisht), thuhet: «Gjërat e gjalla kanë bërë gjithçka që duam të bëjmë ne njerëzit, por pa shpërdoruar rezervat e karburantit, pa ndotur planetin dhe pa vënë në rrezik të ardhmen.» Çfarë mençurie!

10. Pse është e paarsyeshme të mohosh ekzistencën e një Projektuesi të Madh? Ilustrojeni.

10 Provat e ekzistencës së një Krijuesi janë të qarta ngado që t’i hedhim sytë, lart në qiej apo te krijesat këtu në tokë. (Jeremia 10:12) Duhet ta pranojmë pa pikë dyshimi atë që thonë krijesat qiellore: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» (Zbulesa 4:11) E megjithatë, shumë shkencëtarë nuk i shohin këto prova me «sytë e zemrës», ndonëse mund të mrekullohen nga projekti i gjërave që shohin me sytë fizikë. (Efesianëve 1:18) Mund ta ilustrojmë kështu: të admirosh bukurinë dhe projektet që gjenden në natyrë e të mohosh ekzistencën e një Projektuesi të Madh është po aq e paarsyeshme sa të admirosh një pikturë të mrekullueshme dhe të mohosh ekzistencën e artistit që e ktheu një copë beze në një kryevepër. Nuk habitemi pse konsiderohen «të pajustifikueshëm» ata që s’duan të besojnë te Perëndia.

«Udhërrëfyes të verbër» mashtrojnë shumë veta

11, 12. Në çfarë ideje mbështetet doktrina e paracaktimit të fatit? Pse kjo doktrinë nuk i jep lavdi Perëndisë?

11 Shumë njerëz fetarë besojnë sinqerisht se forma e tyre e adhurimit i jep lavdi Perëndisë. (Romakëve 10:2, 3) Mirëpo, feja në përgjithësi përbën një element tjetër të shoqërisë njerëzore që në të vërtetë i ka penguar miliona njerëz t’i japin lavdi Perëndisë. Si ka mundësi? Le të shqyrtojmë dy mënyra si e bën këtë.

12 Së pari, fetë ia zbehin lavdinë Perëndisë me anë të mësimeve të rreme. Të marrim si shembull mësimin e paracaktimit të fatit. Kjo doktrinë bazohet në idenë se meqë Perëndia ka aftësinë për të njohur të ardhmen, ai duhet ta dijë që më përpara se si do të përfundojë gjithçka. Prandaj, sipas kësaj doktrine, shumë kohë më parë Perëndia ka paracaktuar të ardhmen e çdo njeriu, e mirë ose e keqe qoftë ajo. Sipas këtij koncepti, për të gjitha vuajtjet dhe ligësitë që ndodhin sot në botë, fajin duhet ta ketë Perëndia. Vështirë se Perëndia merr lavdi kur ia hedhin atij fajin që me të drejtë i takon Kundërshtarit të tij kryesor, Satanait, të cilin Bibla e quan «sundimtari i kësaj bote»!​—Gjoni 14:30; 1 Gjonit 5:19.

13. Pse nuk është logjike të mendojmë se Perëndia nuk e kontrollon dot aftësinë e tij për të njohur të ardhmen? Ilustrojeni.

13 Doktrina e paracaktimit të fatit është një mësim jobiblik, një shpifje për Perëndinë. Kjo doktrinë e ngatërron atë që Perëndia mund të bëjë me atë që bën në të vërtetë. Që Perëndia mund t’i dijë që më parë ngjarjet shprehet qartë në Bibël. (Isaia 46:9, 10) Por, nuk është logjike të mendojmë se ai nuk e kontrollon dot aftësinë e tij për të njohur të ardhmen ose që është përgjegjës për çdo gjë që ndodh. Sa për ta ilustruar: ta zëmë se do të kishe shumë forcë fizike. A do të të bënte kjo të dëshiroje që të ngrije nga vendi çdo peshë të rëndë që të zinin sytë? Sigurisht që jo! Po kështu, aftësia për të njohur të ardhmen nuk e detyron Perëndinë të dijë që më përpara ose të paracaktojë çdo gjë. Ai e përdor këtë aftësi me maturi e në mënyrë përzgjedhëse. * Është e qartë se mësimet e rreme, ku përfshihet edhe doktrina e paracaktimit të fatit, nuk i japin lavdi Perëndisë.

14. Si i kanë sjellë sharje fetë Perëndisë?

14 Së dyti, fetë i kanë sjellë sharje Perëndisë me sjelljen e besimtarëve të tyre. Prej të krishterëve pritet që të ndjekin mësimet e Jezuit. Ndër të tjera, Jezui i mësoi ithtarët e tij që ‘ta duan njëri-tjetrin’ dhe ‘të mos jenë pjesë e botës’. (Gjoni 15:12; 17:14-16) A i kanë ndjekur këto mësime pjesëtarët e klerit të të ashtuquajturit krishterim?

15. (a) Çfarë sjelljeje ka pasur kleri në luftërat e kombeve? (b) Si ka ndikuar sjellja e klerit te miliona veta?

15 Të shqyrtojmë sjelljen e klerit për sa u përket luftërave. Ata kanë mbështetur, toleruar, e madje kanë marrë drejtimin në shumë luftëra të kombeve. Kanë bekuar ushtarët dhe kanë justifikuar vrasjet e kryera. Është e pamundur të mos lindë pyetja: ‘A u ka shkuar ndonjëherë nëpër mend këtyre klerikëve se kolegët e tyre në palën kundërshtare po bëjnë të njëjtën gjë?’ (Shih kutinë «Me kë është Perëndia?») Kur thonë se kanë mbështetjen e Perëndisë në luftërat gjakatare, klerikët nuk i japin lavdi atij. Nuk i japin lavdi as kur thonë se normat e Biblës janë vjetëruar dhe tolerojnë imoralitetin seksual, i çfarëdo lloji qoftë. Sa ngjajnë këta klerikë me ata udhëheqës fetarë për të cilët Jezui tha se ‘bënin paligjshmëri’ dhe ishin «udhërrëfyes të verbër»! (Mateu 7:15-23; 15:14) Sjellja e klerit ka bërë që miliona njerëzve t’u ftohet dashuria për Perëndinë.​—Mateu 24:12.

Cilët po i japin vërtet lavdi Perëndisë sot?

16. Pse duhet t’i drejtohemi Biblës për të gjetur përgjigjen e pyetjes se cilët po i japin vërtet lavdi Perëndisë sot?

16 Po atëherë, kush po i jep vërtet lavdi Perëndisë, në qoftë se njerëzit e shquar dhe të pushtetshëm të botës në përgjithësi nuk e kanë bërë këtë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet t’i drejtohemi Biblës. Fundja, është Perëndia ai që ka të drejtën të thotë se si duhet ta lavdërojnë njerëzit dhe normat për këtë i ka vendosur në Fjalën e tij, në Bibël. (Isaia 42:8) Le të shqyrtojmë tri mënyra si t’i japim lavdi Perëndisë, duke iu përgjigjur në secilin rast pyetjes se cilët po veprojnë vërtet kështu sot.

17. Si e tregoi vetë Jehovai se një aspekt thelbësor i vullnetit të tij është t’i lavdërohet emri? Cilët janë ata që po e lavdërojnë emrin e Perëndisë në mbarë tokën?

17 Së pari, mund t’i japim lavdi Perëndisë duke lavdëruar emrin e tij. Nga ajo që Jehovai i tha Jezuit kuptojmë se ky është një aspekt thelbësor i vullnetit të Tij. Disa ditë para se të vdiste, Jezui u lut: «Jepi lavdi, o Atë, emrit tënd.» Atëherë, një zë u përgjigj: «Unë i dhashë lavdi dhe do t’i jap lavdi përsëri.» (Gjoni 12:28) Pa dyshim, ai që po fliste ishte vetë Jehovai. Nga përgjigjja që dha është fare e qartë se për të është e rëndësishme që të lavdërohet emri i tij. Atëherë, cilët janë ata që po e lavdërojnë sot Jehovain, duke bërë të njohur emrin e tij dhe duke i dhënë lavdi në mbarë tokën? Janë Dëshmitarët e Jehovait, të cilët po veprojnë kështu në 235 vende.​—Psalmi 86:11, 12.

18. Si t’i identifikojmë ata që po e adhurojnë Perëndinë me «të vërtetë» dhe cili grup ka më shumë se një shekull që po ua mëson njerëzve të vërtetën biblike?

18 Së dyti, mund t’i japim lavdi Perëndisë duke u mësuar të tjerëve të vërtetën rreth tij. Jezui tha se adhuruesit e vërtetë «duhet ta adhurojnë [Perëndinë] me . . . të vërtetë». (Gjoni 4:24) Si t’i identifikojmë ata që po e adhurojnë Perëndinë me «të vërtetë»? Këta individë duhet të hedhin poshtë doktrinat që nuk bazohen në Bibël e që nuk thonë të vërtetën për Perëndinë dhe për vullnetin e tij. Nga ana tjetër, duhet t’u mësojnë të tjerëve të vërtetat e pastra të Fjalës së Perëndisë, ku përfshihen: Jehovai është Shumë i Larti Perëndi dhe lavdia për këtë pozitë i takon vetëm atij (Psalmi 83:18); Jezui është Biri i Perëndisë dhe Mbreti që Perëndia ka caktuar për Mbretërinë Mesianike (1 Korintasve 15:27, 28); Mbretëria e Perëndisë do të shenjtërojë emrin e Jehovait dhe do të plotësojë qëllimin e tij për tokën e për njerëzit që banojnë në të (Mateu 6:9, 10); lajmi i mirë për këtë Mbretëri duhet predikuar në gjithë tokën. (Mateu 24:14) Për më shumë se një shekull, këto të vërteta të çmuara ua ka mësuar të tjerëve me besnikëri vetëm një grup: Dëshmitarët e Jehovait.

19, 20. (a) Pse sjellja e shkëlqyer e një të krishteri i jep lavdi Perëndisë? (b) Cilat pyetje na ndihmojnë për të përcaktuar se cilët po i japin lavdi Perëndisë sot, duke pasur një sjellje të shkëlqyer?

19 Së treti, mund t’i japim lavdi Perëndisë duke jetuar në përputhje me normat e tij. Apostulli Pjetër shkroi: «Mbajeni të shkëlqyer sjelljen tuaj mes kombeve, me qëllim që, për atë që thonë kundër jush si keqbërës, ata t’i japin lavdi Perëndisë ditën e hetimit prej tij, si rrjedhojë e veprave tuaja të shkëlqyera, për të cilat janë dëshmitarë okularë.» (1 Pjetrit 2:12) Sjellja e një të krishteri tregon shumë për besimin e tij. Kur njerëzit bëjnë këtë lidhje, pra kur kuptojnë se sjellja e mirë e të krishterit është rezultat i besimit të tij, kjo i sjell lavdi Perëndisë.

20 Cilët janë ata që po i japin sot lavdi Perëndisë, duke pasur një sjellje të shkëlqyer? Po mirë, cilin grup e kanë lavdëruar shumë qeveri, duke thënë se janë shtetas paqësorë që u binden ligjeve dhe që i paguajnë taksat? (Romakëve 13:1, 3, 6, 7) Cili popull njihet në mbarë botën për unitetin që ka midis bashkëbesimtarëve, një unitet që i kalon dallimet raciale, kombëtare dhe etnike? (Psalmi 133:1; Veprat 10:34, 35) Cili grup njihet në mbarë botën për veprën e arsimimit biblik që nxit respektin për ligjin, për vlerat në familje dhe për pastërtinë morale sipas Biblës? Ka vetëm një grup njerëzish, sjellja e shkëlqyer e të cilëve në këto aspekte e në të tjera, flet vetë. Janë Dëshmitarët e Jehovait.

A po i jep ti lavdi Perëndisë?

21. Pse duhet të pyesim veten nëse si individë po i japim lavdi Jehovait?

21 Secili nga ne duhet të pyesë veten: ‘A po i jap lavdi Jehovait unë si individ?’ Sipas Psalmit 148, pjesa më e madhe e krijimit i jep lavdi Perëndisë. Engjëjt, qiejt, toka dhe krijesat shtazore në të, i japin lavdi Jehovait. (Vargjet 1-10) Por, sa e trishtueshme është që shumica e njerëzve sot nuk veprojnë kështu! Duke jetuar në një mënyrë që i jep lavdi Perëndisë, secili nga ne bashkohet me pjesën tjetër të krijimit që po i jep lavdi Jehovait. (Vargjet 11-13) S’ka mënyrë më të mirë për ta përdorur jetën.

22. Çfarë bekimesh kemi, duke i dhënë lavdi Jehovait, dhe çfarë vendosmërie duhet të kemi?

22 Duke i dhënë lavdi Jehovait, kemi shumë bekime. Kur tregojmë besim në flijimin shpërblyes të Krishtit, pajtohemi me Perëndinë dhe kemi një marrëdhënie paqësore e të bukur me Atin qiellor. (Romakëve 5:10) Kur kërkojmë arsye për t’i dhënë lavdi Perëndisë, bëhemi gjithnjë e më optimistë dhe mirënjohës. (Jeremia 31:12) Më pas, kemi mundësi t’i ndihmojmë të tjerët që të bëjnë një jetë të lumtur e të kënaqshme, duke gjetur më shumë lumturi edhe ne vetë. (Veprat 20:35) Qofshim ndër ata që jemi plotësisht të vendosur t’i japin lavdi Perëndisë, tani e përgjithmonë!

[Shënimet]

^ par. 2 Fjala «biomimetikë» vjen nga greqishtja bios, që do të thotë «jetë» dhe mimesis, që do të thotë «imitim».

^ par. 8 Për më shumë hollësi se si e pasqyrojnë qiejtë mençurinë dhe fuqinë e Perëndisë, shih kapitujt 5 dhe 17 të librit T’i afrohemi Jehovait, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 13 Shih Mendjehollësi mbi Shkrimet, vëllimi 1, faqja 853, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

A ju kujtohet?

• Pse mund të themi se shkencëtarët në përgjithësi nuk i kanë ndihmuar njerëzit që t’i japin lavdi Perëndisë?

• Cilat janë dy mënyrat se si fetë i kanë penguar njerëzit që t’i japin lavdi Perëndisë?

• Në cilat mënyra mund t’i japim lavdi Perëndisë?

• Pse secili nga ne duhet të pyesë veten a po i jep lavdi si individ Jehovait?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 12]

«Me kë është Perëndia?»

Një burrë që gjatë Luftës II Botërore ishte në forcat ajrore gjermane, por që më vonë u bë Dëshmitar i Jehovait, tregon:

«Ajo që më shqetësonte gjatë viteve të luftës . . . ishte fakti që shihja klerikë nga pothuajse çdo fe​—katolikë, luteranë, episkopalë e kështu me radhë​—të bekonin avionët dhe pilotët para se të niseshin me misione për të bombarduar ndonjë vend. Shpesh mendoja: ‘Me kë është Perëndia?’

Ushtarët gjermanë mbanin një rrip mesi në tokëzën e të cilit ishin shkruar fjalët Gott mit uns (Perëndia është me ne). Po pyetja ime ishte: ‘E pse Perëndia s’duhet të jetë me ata të palës tjetër, që kanë të njëjtën fe dhe po i luten të njëjtit Perëndi?’»

[Figura në faqen 10]

Anembanë tokës, Dëshmitarët e Jehovait po i japin vërtet lavdi Perëndisë