Jo vetëm një lojë
Jo vetëm një lojë
FËMIJËVE u pëlqen shumë të luajnë. Mirëpo, siç shpjegon libri Zhvillimi i fëmijës (anglisht), «këto lojëra nuk janë kot ose pa ndonjë kuptim. Ato janë baza mbi të cilën, me sa duket, ndërtohet një pjesë e mirë e zhvillimit të ndjenjës së perceptimit te fëmija». Kur luajnë, fëmijët mësojnë të përdorin shqisat, të kuptojnë mjedisin që i rrethon dhe të bashkëveprojnë me të tjerët.
Që në moshën katër ose pesë vjeç, fëmijët normalisht fillojnë të luajnë me lojëra ku bëjnë si të rritur. Një herë Jezui foli për lojërat e fëmijëve. Disa prej tyre donin të luanin «dasmash», të tjerë donin të luanin sikur ishin në «funeral» dhe, siç bëjnë shpesh fëmijët, u zunë me njëri-tjetrin sepse disa nuk kishin dëshirë të luanin. (Mateu 11:16, 17) Këto lojëra mund të shërbejnë për t’i ngulitur në mendje disa role domethënëse fëmijës që është në zhvillim e sipër.
Në këto figura, fëmijët po luajnë rolin e një mësuesi të Biblës dhe të studentit. Nuk po bëjnë vërtet studim biblik, por duket qartë se ajo që kanë në mendje është të flasin për mesazhin e Biblës. Ky është një mësim i rëndësishëm, sepse Jezui i urdhëroi të gjithë ithtarët e tij të bëjnë dishepuj dhe t’u mësojnë të zbatojnë të gjitha gjërat që ai vetë u mësoi.—Mateu 28:19, 20.
Kur fëmijëve u pëlqen të luajnë sikur drejtojnë studime biblike, sikur mbajnë fjalime ose sikur predikojnë shtëpi më shtëpi, prindërit e tyre me të drejtë mund të ndihen krenarë për veten e tyre. Normalisht fëmijët imitojnë atë që shohin të bëjnë të rriturit përreth tyre. Lojërat biblike që bëjnë janë shenjë se po rriten ‘duke u edukuar në disiplinë dhe në këshillë të Zotit’.—Efesianëve 6:4, Diodati i Ri.
Jehovai dëshiron që fëmijët të marrin pjesë në adhurimin e vërtetë. Ai i tha Moisiut që, kur të lexohej Ligji, të ishin të pranishëm edhe ‘fëmijët’. (Ligji i përtërirë 31:12) Në qoftë se fëmijët e vegjël ndihen pjesë e asaj që ndodh, me siguri do ta tregojnë këtë në lojërat e tyre. Për më tepër, fëmija që luan sikur është shërbëtor i Perëndisë po bën hapin e parë për të qenë vërtet i tillë.