Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë»

«Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë»

«Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë»

«Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore.»​—ROMAKËVE 12:10.

1, 2. Ç’marrëdhënie kishte një misionar i ditëve tona, si edhe apostulli Pavël, me vëllezërit e tyre?

DONIN, i cili kishte kaluar 43 vjet si misionar në Lindjen e Largët, e njihnin të gjithë, sepse ishte shumë i përzemërt me ata të cilëve u shërbente. Tani, ndërsa dergjej në shtrat me një sëmundje të pashërueshme, disa veta me të cilët ai kishte studiuar Biblën bënë me mijëra kilometra për ta takuar e për t’i thënë «Kamsahamnida, kamsahamnida!»​—që në gjuhën koreane do të thotë: «Faleminderit, faleminderit!» Përzemërsia e butë që kishte treguar Doni u kishte prekur zemrën.

2 Shembulli i Donit nuk është i vetmi i këtij lloji. Në shekullin e parë, edhe apostulli Pavël shfaqte përzemërsi të thellë për ata të cilëve u shërbente. Nuk kursehej për ta. Ndonëse ishte njeri me bindje të forta, ishte edhe i butë e i kujdesshëm, ‘si nëna që mend e që përkujdeset për fëmijët e saj’. Kongregacionit në Selanik i shkroi: «Duke pasur përzemërsi të butë për ju, ne patëm kënaqësinë t’ju jepnim jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtrat tanë, sepse na u bëtë të dashur.» (1 Selanikasve 2:7, 8) Më vonë, kur Pavli u tha vëllezërve të tij efesianë se nuk do ta shihnin më, «shumë lot u derdhën mes tyre, iu hodhën Pavlit në qafë dhe e puthën me butësi». (Veprat 20:25, 37) Duket qartë se lidhja që kishte Pavli me vëllezërit e tij ishte shumë më e thellë se vetëm fakti që kishin të njëjtin besim. Ata kishin përzemërsi të butë për njëri-tjetrin.

Përzemërsia e butë dhe dashuria

3. Si lidhen me njëra-tjetrën fjalët biblike për përzemërsinë dhe dashurinë?

3 Në Shkrime përzemërsia e butë, ndjenjat e përbashkëta dhe dhembshuria lidhen ngushtë me cilësinë më të lartë të krishterë, me dashurinë. (1 Selanikasve 2:8; 2 Pjetrit 1:7) Ashtu si faqet e një diamanti të bukur, të gjitha këto cilësi të krishtere ekuilibrojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën. Ato i afrojnë të krishterët jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me Atin e tyre qiellor. Prandaj, apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët: «Dashuria juaj le të jetë pa hipokrizi. . . . Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore.»​—Romakëve 12:9, 10.

4. Çfarë kuptimi ka shprehja «përzemërsi e butë»?

4 Fjala greke që përdori Pavli për «përzemërsi të butë» është e përbërë nga dy pjesë, njëra ka kuptimin miqësi, tjetra ka kuptimin përzemërsi natyrore. Siç e shpjegon një studiues biblik, kjo do të thotë se të krishterët «duhet të karakterizohen nga një përkushtim që është tipik për një familje të dashur, shumë të lidhur, ku pjesëtarët mbështetin njëri-tjetrin». A ndihesh kështu për vëllezërit dhe për motrat e tua të krishtere? Kongregacionin e krishterë duhet ta përshkojë një atmosferë e ngrohtë, një ndjenjë familjariteti. (Galatasve 6:10) Prandaj, një përkthim i Biblës, e përkthen Romakëve 12:10 kështu: «Le të kemi përzemërsi të vërtetë për njëri-tjetrin, si mes vëllezërve.» (The New Testament in Modern English, nga Xh. B. Filipsi) Kurse te një përkthim tjetër lexojmë: «Duajeni njëri-tjetrin aq sa ç’duhet të duhen vëllezërit.» (The Jerusalem Bible) Po, të krishterët nuk e shfaqin dashurinë vetëm sepse kjo është logjike dhe sepse janë nën detyrimin për ta bërë këtë. Ne duhet ‘ta duam njëri-tjetrin nga zemra, duke pasur një përzemërsi vëllazërore pa hipokrizi’.​—1 Pjetrit 1:22.

‘Të mësuar nga Perëndia që të duam njëri-tjetrin’

5, 6. (a) Si i ka përdorur Jehovai kongreset ndërkombëtare për t’u mësuar shërbëtorëve të tij përzemërsinë e krishterë? (b) Si bëhet më e fortë lidhja ndërmjet vëllezërve me kalimin e kohës?

5 Ndonëse në këtë botë «dashuria e shumicës» po ftohet, Jehovai po i mëson popullit të tij ‘ta duan njëri-tjetrin’. (Mateu 24:12; 1 Selanikasve 4:9) Kongreset ndërkombëtare që mbajnë Dëshmitarët e Jehovait janë raste të veçanta për të marrë këtë stërvitje. Në këto kongrese, Dëshmitarët vendës takohen me vëllezër nga vende të largëta dhe shumë prej tyre kanë hapur shtëpitë për të mikpritur delegatët e huaj. Në një kongres të mbajtur kohët e fundit, disa delegatë erdhën nga vende ku njerëzit në përgjithësi janë të mbyllur dhe nuk i shprehin ndjenjat. Një i krishterë që ndihmoi me strehimin thotë: «Kur erdhën në fillim, këta delegatë ishin shumë të ndrojtur e të mbyllur. Por vetëm gjashtë ditë më pas, kur ikën, ata dhe vëllezërit që i mikpritën në shtëpi ishin me lot në sy dhe përqafonin njëri-tjetrin. Kishin provuar një lloj dashurie të krishterë që nuk do ta harrojnë kurrë.» Kur u tregojmë mikpritje vëllezërve tanë, pavarësisht nga prejardhja e tyre, krijojmë mundësinë që të dalin në pah cilësitë më të mira si te mikpritësit, ashtu edhe te mysafirët.​—Romakëve 12:13.

6 Sado që këto përvoja nëpër kongrese janë mallëngjyese, ka një lidhje shumë më të ngushtë që zhvillohet kur të krishterët i shërbejnë së bashku Jehovait për një periudhë kohe. Kur i njohim mirë vëllezërit, i admirojmë më shumë cilësitë e tyre tërheqëse, siç janë: vërtetësia, besueshmëria, besnikëria, dashamirësia, bujaria, kujdesi, dhembshuria dhe altruizmi që shfaqin. (Psalmi 15:3-5; Fjalët e urta [Proverbat] 19:22) Marku, që ka shërbyer si misionar në Afrikën Lindore, tha: «Kur shërbejmë krah për krah me vëllezërit, krijojmë një lidhje të pathyeshme.»

7. Çfarë kërkohet nga ne që të ndiejmë përzemërsinë e krishterë në kongregacion?

7 Për të arritur dhe për të mbajtur një lidhje të tillë brenda kongregacionit, pjesëtarët e tij duhet të afrohen me njëri-tjetrin. Kur i ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere, e forcojmë lidhjen që kemi me vëllezërit dhe me motrat. Me praninë tonë, me pjesëmarrjen me komente dhe me bisedat para e pas mbledhjeve, inkurajojmë dhe nxitim njëri-tjetrin «për dashuri dhe vepra të shkëlqyera». (Hebrenjve 10:24, 25) Një plak në Shtetet e Bashkuara tregon: «Kujtoj me kënaqësi se, kur isha fëmijë, familja ime ishte ndër të fundit që iknin nga Salla e Mbretërisë, sepse rrinin e bënin biseda miqësore dhe ndërtuese, sa më gjatë të mundeshin.»

A ke nevojë ‘të zgjerohesh’?

8. (a) Çfarë donte të thoshte Pavli kur i nxiti korintasit që ‘të zgjeroheshin’? (b) Ç’mund të bëjmë që të ketë më shumë përzemërsi brenda kongregacionit?

8 Për ta treguar plotësisht këtë përzemërsi, mund të na duhet ‘të zgjerohemi’ në zemrën tonë. Apostulli Pavël i shkroi kongregacionit në Korint: «Zemra jonë është zgjeruar. Ju nuk jeni ngushtë brenda nesh.» Pavli i nxiti edhe ata që ‘të zgjeroheshin’. (2 Korintasve 6:11-13) A mund ‘të zgjerohesh’ edhe ti në përzemërsinë tënde? Nuk ke pse pret që të vijnë të tjerët te ti. Në letrën drejtuar romakëve, Pavli e lidhi nevojën për të pasur përzemërsi të butë me këtë këshillë: «Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Romakëve 12:10) Për t’u treguar nderim të tjerëve, mund të bësh ti hapin i pari dhe të shkosh t’i përshëndesësh në mbledhje. Gjithashtu mund t’i ftosh të dilni bashkë në shërbim ose të përgatiteni për një mbledhje. Kjo ndihmon që të ketë më shumë përzemërsi të butë.

9. Çfarë kanë bërë disa për t’u miqësuar më shumë me të krishterët e tjerë? (Përfshini ndonjë shembull për zonën tuaj.)

9 Familjet dhe individët në kongregacion mund ‘të zgjerohen’ duke vizituar njëri-tjetrin, ndoshta duke ngrënë diçka së bashku dhe duke zhvilluar veprimtari të shëndetshme së bashku. (Luka 10:42; 14:12-14) Herë pas here Hakopi organizon piknikë për grupe të vogla. Ai thotë: «Në këta piknikë kemi njerëz të çdo moshe, përfshirë edhe prindër të vetëm. Të gjithë kthehen me kujtime të bukura dhe ndihen më pranë njëri-tjetrit.» Si të krishterë, duhet të përpiqemi që të mos jemi vetëm bashkëbesimtarë, por edhe miq të vërtetë.​—3 Gjonit 14.

10. Ç’mund të bëjmë kur kemi marrëdhënie të tendosura?

10 Por nganjëherë papërsosmëritë mund të bëhen pengesë për të zhvilluar miqësi dhe për të shfaqur përzemërsi. Ç’të bëjmë në këtë rast? Së pari, mund të lutemi që të kemi marrëdhënie të mira me vëllezërit tanë. Është vullneti i Perëndisë që shërbëtorët e tij të shkojnë mirë me njëri-tjetrin, prandaj ai do t’u përgjigjet këtyre lutjeve të sinqerta. (1 Gjonit 4:20, 21; 5:14, 15) Gjithashtu duhet të veprojmë në përputhje me lutjet që bëjmë. Riku, një mbikëqyrës udhëtues në Afrikën Lindore, tregon për një vëlla me personalitet të ashpër, me të cilin s’ishte e lehtë të shkoje mirë. Riku shpjegon: «Në vend që ta shmangia vëllanë, vendosa ta njihja më mirë. Nga sa doli, babai i tij kishte qenë i rreptë dhe tepër autoritar. Kur e kuptova se çfarë lufte kishte bërë ai vëlla për të kapërcyer përvojat e fëmijërisë dhe sa shumë përparim kishte bërë, fillova ta admiroja. U bëmë miq të mirë.»​—1 Pjetrit 4:8.

Hapua zemrën të tjerëve!

11. (a) Çfarë nevojitet që në kongregacion të ketë edhe më shumë përzemërsi? (b) Pse mund të jetë e dëmshme nga ana frymore të mbyllemi në vetvete emocionalisht?

11 Shumë njerëz sot e kalojnë gjithë jetën e tyre pa pasur asnjëherë miqësi të ngushtë me dikë. Sa gjë e trishtueshme! Kjo s’ka pse të ndodhë dhe s’duhet të ndodhë në kongregacionin e krishterë. Dashuria e vërtetë vëllazërore nuk do të thotë vetëm të bisedosh me mirësjellje dhe të sillesh me edukatë, as nuk do të thotë t’i mbulosh të tjerët me shfaqje të tepruara emocionale. Duhet të jemi të gatshëm t’u hapim zemrën të tjerëve, siç bëri Pavli me korintasit, dhe t’u tregojmë bashkëbesimtarëve se interesohemi vërtet për mirëqenien e tyre. Qartë, nga natyra s’janë të gjithë të shoqërueshëm ose të hapur me të tjerët, por të jesh tepër i mbyllur në vetvete mund të të dëmtojë. Bibla paralajmëron: «Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.»​—Fjalët e urta 18:1.

12. Pse komunikimi i mirë është thelbësor për të pasur lidhje të ngushta në kongregacion?

12 Komunikimi i sinqertë është thelbësor për miqësinë e vërtetë. (Gjoni 15:15) Të gjithë kemi nevojë për miq të cilëve mund t’u hapim zemrën e t’u shprehim mendimet dhe ndjenjat tona më të thella. Veç kësaj, sa më mirë ta njohim njëri-tjetrin, aq më të lehtë do ta kemi të plotësojmë nevojat e njëri-tjetrit. Kur tregojmë interes për tjetrin në këtë mënyrë, ndihmojmë që të ketë më shumë përzemërsi të butë në kongregacion, dhe do të provojmë sa të vërteta janë fjalët e Jezuit: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»​—Veprat 20:35; Filipianëve 2:1-4.

13. Ç’mund të bëjmë për të treguar se kemi përzemërsi të vërtetë për vëllezërit tanë?

13 Përzemërsinë duhet ta shprehim, që të na sjellë vërtet dobi. (Fjalët e urta 27:5) Kur është e sinqertë, me siguri përzemërsia duket që në fytyrë, dhe kjo mund t’u prekë zemrën të tjerëve e t’i shtyjë të veprojnë po njësoj. «Drita e syve gëzon zemrën»,​—shkroi njeriu i mençur. (Fjalët e urta 15:30) Edhe veprimet që tregojnë se mendojmë për të tjerët e shtojnë përzemërsinë e butë. Ndonëse askush s’mund ta blejë përzemërsinë e butë, prapëseprapë një dhuratë e dhënë me gjithë zemër mund të jetë shumë domethënëse. Një kartolinë, një letër dhe «fjala e thënë në kohën e duhur», që të gjitha këto mund të tregojnë përzemërsinë e thellë që kemi. (Fjalët e urta 25:11; 27:9) Pasi të kemi arritur miqësinë me të tjerë, duhet ta mbajmë këtë miqësi, duke vazhduar të tregojmë përzemërsi altruiste. Duhet t’u qëndrojmë afër miqve tanë, sidomos kur ata kanë nevojë. Bibla thotë: «Kush është mik ai do në çdo kohë dhe në ditë të ngushtë ai bëhet vëlla.»​—Fjalët e urta 17:17, DSF.

14. Ç’mund të bëjmë nëse na duket se dikush nuk i përgjigjet përzemërsisë sonë?

14 Duhet të jemi realistë, s’mund të presim që të jemi miq të ngushtë me të gjithë në kongregacion. Është e natyrshme që me disa do të ndihemi më afër se me disa të tjerë. Prandaj, në qoftë se të duket se dikush nuk tregohet me ty aq i përzemërt sa do të doje, mos nxirr menjëherë përfundimin se diçka nuk shkon te ti ose tek ai. Gjithashtu, mos u përpiq ta bësh mik me zor dikë. Në qoftë se thjesht tregon përzemërsi për aq sa të lejon ai njeri, do ta mbash derën hapur për të krijuar një lidhje më të ngushtë në të ardhmen.

«Unë të kam miratuar»

15. Si ndikojnë te njerëzit lavdërimet ose mungesa e tyre?

15 Sa duhet të jetë kënaqur Jezui kur, pas pagëzimit, dëgjoi këto fjalë nga qielli: «Unë të kam miratuar.» (Marku 1:11) Kjo shprehje duhet t’ia ketë thelluar bindjen Jezuit se Ati e kishte për zemër. (Gjoni 5:20) Mjerisht, disa njerëz nuk dëgjojnë kurrë lavdërime nga ata që respektojnë dhe duan. Ana thotë: «Shumë të rinj si unë nuk kanë familjarë që të kenë të njëjtat bindje të krishtere. Në shtëpi dëgjojmë vetëm kritika. Kjo na trishton shumë.» Por, ama, kur këta bëhen pjesë e kongregacionit, ndiejnë përzemërsinë e një familjeje frymore me baballarë, nëna, vëllezër e motra në besim, që i mbështetin dhe kujdesen për ta.​—Marku 10:29, 30; Galatasve 6:10.

16. Pse nuk është mirë të shfaqim qëndrim kritik ndaj të tjerëve?

16 Në disa kultura, rrallë ndodh që prindërit, të rriturit dhe mësuesit të shprehin me gjithë zemër miratimin e tyre për të rinjtë. Mendojnë që po t’i lavdërojnë, të rinjtë do të bëhen arrogantë ose krenarë. Kjo mënyrë të menduari mund të ndikojë edhe te familjet e krishtere e në kongregacion. Në komentet e tyre për një fjalim ose për një punë tjetër, të rriturit mund të thonë: «Mirë e bëre, po ti mund të bësh edhe më mirë!» Ose në ndonjë mënyrë tjetër mund të tregojnë se janë të pakënaqur me një të ri. Shumë besojnë se duke vepruar kështu po i nxitin të rinjtë që të bëjnë më të mirën e tyre. Por shpesh kjo mënyrë të vepruari ka efekt të kundërt, sepse të rinjtë mund të mbyllen në vetvete ose të ndihen të paaftë.

17. Pse duhet të kërkojmë mundësi për t’i lavdëruar të tjerët?

17 Nga ana tjetër, lavdërimi nuk duhet të jepet vetëm sa për të thënë një fjalë të mirë, para se të japësh këshilla. Lavdërimi i sinqertë nxit përzemërsinë e butë në familje e në kongregacion, duke i nxitur të rinjtë që të shkojnë te vëllezërit e motrat me përvojë për t’u kërkuar këshilla. Prandaj, mos lejo që kultura të të tregojë se si duhet t’i trajtosh të tjerët, por ‘vish personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’. Lavdëroji të tjerët siç bën Jehovai.​—Efesianëve 4:24.

18. (a) Si duhet t’i shikoni ju të rinj këshillat e të rriturve? (b) Pse të rriturit bëjnë kujdes për mënyrën se si i japin këshillat?

18 Nga ana tjetër, ju të rinj mos mendoni se të rriturit nuk ju duan, kur ju japin këshilla ose ju qortojnë. (Predikuesi [Eklisiastiu] 7:9) Është krejt e kundërta! Me siguri ata nxiten nga interesimi dhe nga përzemërsia e thellë që kanë për ju. Përndryshe, pse do ta merrnin mundimin t’ju flitnin për këtë çështje? Duke e ditur sa shumë mund të ndikojnë fjalët, të rriturit e sidomos pleqtë e kongregacionit, shpesh kalojnë shumë kohë duke menduar e duke u lutur para se të japin këshilla, sepse duan vetëm t’u bëjnë mirë të tjerëve.​—1 Pjetrit 5:5.

«Jehovai është shumë i butë në përzemërsi»

19. Pse ata që kanë përjetuar zhgënjime mund të mbështeten te Jehovai?

19 Përvojat e pakëndshme mund t’u kenë shkaktuar disave ndjenjën se po të tregojnë përzemërsi të butë, vetëm sa do të zhgënjehen përsëri. Këtyre u duhet guxim dhe besim i fortë që t’u hapin përsëri zemrën të tjerëve. Por nuk duhet të harrojnë kurrë se Jehovai «nuk është larg nga secili prej nesh». Ai na fton që t’i afrohemi. (Veprat 17:27; Jakovi 4:8) Jehovai e kupton edhe frikën tonë se mos lëndohemi përsëri dhe na premton se do të na qëndrojë pranë dhe do të na ndihmojë. Psalmisti David na siguron: «Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»​—Psalmi 34:18.

20, 21. (a) Si e dimë se mund të kemi një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain? (b) Çfarë kërkohet për të pasur një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain?

20 Miqësia e ngushtë me Jehovain është lidhja më e rëndësishme që mund të krijojmë. Por, a është e mundur kjo lidhje? Po. Bibla tregon se sa afër Atit tonë qiellor u ndien burrat besnikë dhe gratë besnike. Shprehjet e tyre të përzemërta janë ruajtur për të na dhënë sigurinë se edhe ne mund t’i afrohemi Jehovait.​—Psalmet 23, 34, 139; Gjoni 16:27; Romakëve 15:4.

21 Kërkesat e Jehovait për të pasur një marrëdhënie të ngushtë me të mund t’i plotësojë kushdo. «O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde?​—pyeti Davidi.​—Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër.» (Psalmi 15:1, 2; 25:14) Ndërsa shohim se shërbimi ndaj Perëndisë sjell rezultate të mira dhe na bën të kemi udhëheqjen dhe mbrojtjen e tij, do të kuptojmë se «Jehovai është shumë i butë në përzemërsi».​—Jakovi 5:11.

22. Ç’lloj lidhjeje dëshiron Jehovai që të kenë shërbëtorët e tij?

22 Sa të bekuar jemi që Jehovai dëshiron të ketë një marrëdhënie të tillë personale me njerëzit e papërsosur! A nuk duhet edhe ne atëherë të shfaqim përzemërsi të butë për njëri-tjetrin? Me ndihmën e Jehovait, secili prej nesh mund të bëjë pjesën e tij dhe të gëzojë përzemërsinë e butë që është tipike e vëllazërisë sonë të krishterë. Nën Mbretërinë e Perëndisë, gjithsecili në tokë do ta ndiejë këtë përzemërsi përgjithmonë!

A mund të shpjegoni?

• Ç’atmosferë duhet të ekzistojë në kongregacionin e krishterë?

• Si mund të bëjë secili pjesën e vet që në kongregacion të ketë përzemërsi të butë?

• Si ndihmon lavdërimi i sinqertë që të shfaqim më shumë përzemërsi të krishterë?

• Si na mban e si na mbështet përzemërsia e butë e Jehovait?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Dashuria midis të krishterëve nuk pasqyron vetëm ndjenjën e detyrës

[Figurat në faqet 16, 17]

A mund ‘të zgjerohesh’ në përzemërsi?

[Figura në faqen 18]

A i kritikon apo i inkurajon të tjerët?