Një trashëgimi që mund t’i besoni
Një trashëgimi që mund t’i besoni
«NË QOFTË se ju vjen me postë një njoftim nga dikush që ju thotë se keni një trashëgimi që po ju pret, kini kujdes. Mund të jeni shënjestër e ndonjë mashtruesi profesionist.»
Këtë paralajmërim e vuri Shërbimi i Inspektimit Postar i Shteteve të Bashkuara në faqen e saj të Internetit. Përse? Sepse me mijëra njerëz kishin marrë me postë një letër ku thuhej: ‘Një i afërmi juaj ka vdekur dhe ju ka lënë trashëgiminë.’ Si pasojë, shumë veta kishin dërguar po me postë një shumë prej 30 dollarësh, e cila duhej për një ‘raport trashëgimie’ që gjoja do të shpjegonte ku ndodhej trashëgimia dhe si mund ta merrnin. Që të gjithë u zhgënjyen keq, pasi morën të njëjtin ‘raport’ dhe mundësia që ndonjëri prej tyre të trashëgonte diçka ishte zero.
Mashtrime të tilla bëhen duke shfrytëzuar dëshirën e natyrshme që kanë njerëzit për të marrë një trashëgimi. Gjithsesi, Bibla flet mirë për ata që u lënë trashëgimi të tjerëve, duke thënë: «Njeriu i mirë i lë një trashëgimi bijve të bijve të tij.» (Fjalët e urta 13:22) Madje vetë Jezu Krishti, në Predikimin e tij në Mal, bëri këtë pohim që njihet shumë mirë dhe që shumë veta e kanë për zemër: «Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën.»—Mateu 5:5, DSF.
Fjalët e Jezuit na sjellin ndër mend fjalët e mbretit David të Izraelit të lashtë, që i shkroi nën frymëzim shumë shekuj më parë: «Të butët do ta trashëgojnë tokën e do të kënaqen në paqe me një mijë të mirat.»—Psalmi 37:11, DSF.
«Do ta trashëgojnë tokën.» Sa shpresë e mrekullueshme! Por, a mund të jemi të sigurt që ky s’është veçse një mashtrim tjetër prej profesionisti për t’u zhvatur diçka njerëzve? Po, mund të jemi të sigurt. Toka është pjesë e krijimit të mrekullueshëm të Jehovait, prandaj, duke qenë Krijuesi dhe Pronari i saj, ai ka të drejtën ligjore t’ia japë si trashëgimi kujt të dojë. Nëpërmjet mbretit David, Jehovai i bëri këtë premtim profetik Birit të Tij të dashur, Jezu Krishtit: «Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërimin tënd.» (Psalmi 2:8) Prandaj apostulli Pavël e quajti Jezuin atë «të cilin [Perëndia] e emëroi trashëgimtar të të gjitha gjërave». (Hebrenjve 1:2) Kështu që mund të jemi plotësisht të sigurt se kur Jezui tha që të butët «do ta trashëgojnë tokën», e tha këtë me sinqeritet dhe ka autoritetin e duhur për ta përmbushur këtë premtim.—Mateu 28:18.
Atëherë, pyetja kryesore është: Si do të përmbushet ky premtim? Ngado të hedhim sytë sot, duket sikur ata që janë agresivë dhe
krenarë kanë më shumë sukses dhe arrijnë të kenë gjithçka që duan. Kur do t’u vijë radha njerëzve të butë? Veç kësaj, tokën sot e kërcënojnë probleme të rënda për shkak të ndotjes dhe rezervat e saj po shfrytëzohen nga njerëzit lakmitarë e dritëshkurtër. A do të jetë toka diçka me vlerë për ta pasur si trashëgimi? Ju ftojmë të lexoni artikullin vijues, për të gjetur përgjigjen e këtyre pyetjeve, si edhe të pyetjeve të tjera të rëndësishme.[Figura në faqen 3]
A do të marrësh vërtet një trashëgimi?