Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Kur apostulli Gjon shkroi se «dashuria e përsosur e hedh tej frikën», çfarë donte të thoshte me shprehjen ‘dashuri e përsosur’ dhe cilën ‘frikë’ hedh tej ajo?

Apostulli Gjon shkroi: «Nuk ka frikë në dashuri, përkundrazi dashuria e përsosur e hedh tej frikën, sepse frika vepron si fre. Vërtet, ai që ka frikë nuk është bërë i përsosur në dashuri.»​—1 Gjonit 4:18.

Konteksti tregon se Gjoni po fliste për çiltërsinë e fjalës ose për ndjenjën e lirshmërisë në të folur, sidomos për lidhjen që ka mes dashurisë për Perëndinë dhe kësaj ndjenje lirshmërie që kemi ndaj Tij. Këtë e shohim nga vargu 17: «Në këtë mënyrë, dashuria është bërë e përsosur te ne, që të kemi çiltërsi fjale në ditën e gjykimit.» Se sa i lirshëm ndihet një i krishterë në të folur kur i afrohet në lutje Perëndisë varet drejtpërdrejt nga sa shumë e do Perëndinë dhe sa e ndien dashurinë që ka Perëndia për të.

Shprehja ‘dashuri e përsosur’ është me shumë kuptim. Në Bibël fjala ‘i përsosur’ nuk do të thotë gjithmonë përsosmëri në kuptimin absolut, domethënë, në shkallën më të lartë, por shpesh përdoret në kuptimin relativ. Për shembull, në Predikimin në Mal, Jezui tha: «Ju, pra, duhet të jeni të përsosur, sikurse është i përsosur Ati juaj qiellor.» Ai po u thoshte dishepujve se po të donin vetëm ata që u tregonin dashuri, dashuria e tyre nuk do të ishte e plotë, por e mangët, gjysmake. Ata duhej të ishin të përsosur ose ta shfaqnin në masën e plotë dashurinë e tyre, duke shfaqur dashuri edhe ndaj armiqve. Po kështu, kur Gjoni shkroi për ‘dashurinë e përsosur’, po fliste për dashurinë ndaj Perëndisë, një dashuri me gjithë zemër, e plotë dhe që prek të gjitha fushat e jetës.​—Mateu 5:46-48; 19:20, 21.

Kur i drejtohet në lutje Perëndisë, një i krishterë e ka parasysh fare mirë se është mëkatar dhe i papërsosur. Megjithatë, në qoftë se ka dashuri të thellë për Perëndinë dhe e ndjen se Perëndia e do, nuk ngurron nga frika se mos Perëndia do ta dënojë ose nuk do ta pranojë. Përkundrazi, ndihet i lirshëm për të shprehur çfarë ka në zemër dhe për të kërkuar falje në bazë të flijimit shpërblyes, të cilin Perëndia ka siguruar me dashuri nëpërmjet Jezu Krishtit. Ndihet i sigurt se Perëndia i dëgjon dhe i miraton lutjet e tij.

Si mund ‘të përsoset në dashuri’ një njeri dhe ‘të hedhë tej’ frikën e dënimit ose të mospranimit? «Kushdo që zbaton fjalën e tij [të Perëndisë], me të vërtetë dashuria e Perëndisë është bërë e përsosur në të»,​—tha apostulli Gjon. (1 Gjonit 2:5) Mendo pak: në qoftë se Perëndia na deshi kur ishim ende mëkatarë, a nuk do të na dojë edhe më shumë në qoftë se jemi vërtet të penduar dhe ‘zbatojmë fjalën e tij’ me zell? (Romakëve 5:8; 1 Gjonit 4:10) Pra, për sa kohë që jemi besnikë, mund të kemi të njëjtën siguri që kishte apostulli Pavël kur tha për Perëndinë: «Ai që nuk kurseu as Birin e vet, por e dorëzoi për ne të gjithë, përse bashkë me atë të mos na japë me mirësi edhe të gjitha gjërat e tjera?»​—Romakëve 8:32.