Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Të butët do ta trashëgojnë tokën»: Si?

«Të butët do ta trashëgojnë tokën»: Si?

«Të butët do ta trashëgojnë tokën»: Si?

«NDOSHTA i keni dëgjuar fjalët e bukura të Jezuit ‘të butët do ta trashëgojnë tokën’. Por, çfarë mendoni se do t’u ngelet të butëve për ta marrë si trashëgimi, duke parë atë që po i bëjnë njerëzit njëri-tjetrit dhe tokës?»​—Mateu 5:5; Psalmi 37:11, DSF.

Miriami që është Dëshmitare e Jehovait e përdori këtë pyetje për të filluar një bisedë biblike. Burri me të cilin po fliste iu përgjigj se, në qoftë se këtë premtim e kishte bërë Jezui, duhej të ishte një trashëgimi që ia vlente, jo një grumbull rrënojash të pabanueshme ose të shkreta.

Patjetër që kjo përgjigje ishte optimiste. Por, a kemi arsye për të pasur një pikëpamje të tillë optimiste? Po, kemi, sepse Bibla na jep arsye të forta për të besuar se ky premtim do të përmbushet. Faktikisht përmbushja e këtij premtimi lidhet ngushtësisht me qëllimin e Perëndisë për njerëzimin dhe për tokën. E jemi të sigurt se atë që ka si qëllim Perëndia, do ta përmbushë. (Isaia 55:11) Atëherë, cili ishte fillimisht qëllimi i Perëndisë për njerëzimin dhe si do të plotësohet?

Qëllimi i përjetshëm i Perëndisë për tokën

Perëndia Jehova e krijoi tokën me një qëllim specifik. «Kështu thotë Zoti që ka krijuar qiejtë, ai, Perëndia që ka formuar tokën dhe e ka bërë; ai e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej: ‘Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër.’» (Isaia 45:18) Pra toka u krijua në mënyrë specifike që të banohej nga njerëzit. Për më tepër, qëllimi i Perëndisë është që toka të jetë banesë e përhershme për njerëzit. «Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.»​—Psalmi 104:5; 119:90.

Qëllimi i Perëndisë për tokën bëhet i qartë edhe në punën që i dha çiftit të parë njerëzor. Jehovai i tha Adamit dhe Evës: «Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.» (Zanafilla 1:28) Toka, të cilën Perëndia ua besoi Adamit dhe Evës, do të ishte shtëpia e përhershme e tyre dhe e pasardhësve të tyre. Shumë shekuj më vonë, psalmisti tha: «Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.»​—Psalmi 115:16.

Për të përmbushur këtë synim të mrekullueshëm, Adami, Eva dhe pasardhësit e tyre duhej ta pranonin si Sovranin e tyre Perëndinë Jehova, që është Krijuesi dhe Jetëdhënësi, e t’i bindeshin atij me dëshirë. Jehovai ishte shumë i qartë për këtë, kur i dha këtë urdhër njeriut: «Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri.» (Zanafilla 2:16, 17) Që të vazhdonin të jetonin në kopshtin e Edenit, Adami dhe Eva duhej t’i bindeshin këtij urdhri të thjeshtë e të qartë. Kjo do të ishte shprehje e mirënjohjes së tyre për gjithçka që kishte bërë Ati qiellor për ta.

Kur Adami dhe Eva me dashje nuk iu bindën Perëndisë dhe shkelën urdhrin që u kishte dhënë, në të vërtetë ata i kthyen shpinën atij që u dha gjithçka që zotëronin. (Zanafilla 3:6) Meqë vepruan kështu, humbën shtëpinë e bukur parajsore jo vetëm për vete, por edhe për pasardhësit e tyre. (Romakëve 5:12) Mos ndoshta kjo mosbindje e çiftit të parë bëri që të dështonte qëllimi për të cilin Perëndia e krijoi tokën?

Një Perëndi që nuk ka ndryshuar

Perëndia tha nëpërmjet Malakisë, profetit të tij: «Unë jam Zoti, nuk ndryshoj.» (Malakia 3:6) Në komentet e tij për këtë varg, studiuesi biblik francez L. Fijon tha se kjo thënie lidhet ngushtë me përmbushjen e premtimeve të Perëndisë. «Jehovai mund ta kishte shfarosur popullin e tij rebel,​—shkroi Fijoni,​—por meqë nuk i ndryshon premtimet e tij, ai do t’u qëndrojë besnik premtimeve që ka bërë në të kaluarën, të ndodhë ç’të ndodhë.» Perëndia nuk do t’i harrojë premtimet që i ka bërë qoftë një njeriu, një kombi ose gjithë njerëzimit, por do t’i plotësojë në kohën e duhur sipas tij. «Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij.»​—Psalmi 105:8.

Por, si mund të jemi të sigurt se Jehovai nuk e ka ndryshuar qëllimin e tij fillestar për tokën? Mund të jemi të sigurt, sepse në gjithë Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, në Bibël, gjejmë raste kur përmendet qëllimi i tij për t’ua dhënë tokën njerëzve të bindur. (Psalmi 25:13; 37:9, 22, 29, 34) Për më tepër, ata që Jehovai i bekon, Shkrimet i përshkruajnë si njerëz që banojnë të sigurt, secili i ulur «nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet» dhe «askush nuk do t’i trembë». (Mikea 4:4; Ezekieli 34:28) Ata që zgjedh Jehovai «do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin». Do të kenë paqe edhe me bishat e fushës.​—Isaia 11:6-9; 65:21, 25.

Bibla e tregon edhe në një mënyrë tjetër se si do të jetë koha kur të përmbushet premtimi i Perëndisë. Gjatë mbretërimit të mbretit Solomon, kombi i Izraelit pati paqe dhe begati. Gjatë këtij mbretërimi, «Juda dhe Izraeli, nga Dani deri në Beer-Sheba, jetuan të sigurtë, secili nën pjergullën dhe fikun e tij, tërë kohën që mbretëroi Salomoni». (1 Mbretërve 4:25) Bibla thotë se Jezui është «më shumë se Solomoni», e, duke folur për mbretërimin e Jezuit psalmisti tha në mënyrë profetike: «Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.» Në atë kohë, «do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve».​—Luka 11:31; Psalmi 72:7, 16.

Perëndia Jehova do ta mbajë fjalën dhe do të sigurohet që kjo trashëgimi e premtuar jo vetëm të ekzistojë, por edhe të rivendoset me gjithë bukurinë e saj. Te Zbulesa 21:4, Fjala e Perëndisë na thotë se në botën e re të premtuar, ai «do të thajë çdo lot nga sytë [e njerëzve] dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më». Pra, ajo që premtohet do të jetë vërtet parajsa.​—Luka 23:43.

Si të kemi edhe ne pjesë në këtë trashëgimi të premtuar?

Kthimi i tokës në parajsë do të ndodhë kur të ketë një qeveri që të sundojë nga qielli, një Mbretëri me Mbret Jezu Krishtin. (Mateu 6:9, 10) Si gjë të parë, kjo Mbretëri ‘do të shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’. (Zbulesa 11:18; Danieli 2:44) Pastaj, si «Princ i Paqes», Jezu Krishti do të përmbushë këto fjalë profetike: «Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja.» (Isaia 9:5, 6) Nën këtë Mbretëri, miliona njerëz, duke përfshirë këtu edhe ata që do të kthehen në jetë me anë të ringjalljes, do të kenë mundësi të trashëgojnë tokën.​—Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15.

Kush do ta marrë këtë trashëgimi të mrekullueshme? Shqyrto fjalët e Jezuit: «Lum ata që janë me natyrë të butë, pasi ata do ta trashëgojnë tokën.» (Mateu 5:5) Çfarë do të thotë të jesh i butë? Në përgjithësi fjalorët e përkufizojnë fjalën «i butë» si: i urtë, dashamirës, i bindur e i shtruar. Mirëpo, fjala origjinale greke e përdorur këtu ka një kuptim më të thellë. Uilliam Barkleji në librin e tij Fjalor i Besëlidhjes së Re (anglisht) thotë se në këtë fjalë «përfshihet urtësia dhe dashamirësia, por pas kësaj urtësie ka forcë çeliku». Kjo cilësi tregon një prirje mendore që i jep mundësi njeriut ta durojë fyerjen pa u zemëruar ose pa e menduar hakmarrjen, e gjithë kjo si rrjedhojë e marrëdhënies së mirë që ka me Perëndinë, marrëdhënie kjo që bëhet burim force për të.​—Isaia 12:2; Filipianëve 4:13.

Një njeri i butë i pranon me përulësi normat e Perëndisë në të gjitha fushat e jetës dhe nuk ngul këmbë në pikëpamjet e veta ose që të ndjekë mendimet e njerëzve të tjerë. Veç kësaj, dëshiron të mësojë nga Jehovai dhe është i gatshëm për këtë. Psalmisti David shkroi: «[Jehovai] do t’i udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij.»​—Psalmi 25:9; Fjalët e urta 3:5, 6.

A do të jeni ndër «të butët» që do të trashëgojnë tokën? Duke njohur Jehovain dhe vullnetin e tij me anë të një studimi të zellshëm të Fjalës së tij, si edhe duke vënë në zbatim atë që mësoni, edhe ju mund të keni shpresën që të trashëgoni një parajsë tokësore dhe të jetoni përgjithmonë aty.​—Gjoni 17:3.

[Figura në faqen 5]

Qëllimi i Perëndisë për tokën shfaqet qartë në punën që i dha Adamit dhe Evës

[Figura në faqet 6, 7]

Paqja dhe siguria e mbretërimit të Solomonit ishin një pamje paraprake e trashëgimisë së premtuar

[Burimet]

Delet dhe kodra në sfond: Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.; antilopa: Hai-Bar, Yotvata, Israel; bujk duke lëruar arën: Garo Nalbandian

[Figura në faqen 7]

Para nesh shtrihet një botë e re dhe e drejtë: a do të jesh atje?