Kush është «i vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme»?
Kush është «i vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme»?
PERËNDIA i vërtetë është Jehovai, Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht. Jehovai është Krijuesi, ai që u jep jetën e përjetshme atyre që tregojnë dashuri për të. Shumë veta që e lexojnë dhe e besojnë Biblën do t’i përgjigjeshin kështu pyetjes në titullin e mësipërm. Madje vetë Jezui tha: «Kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.»—Gjoni 17:3, Dio.
Megjithatë, shumë nga ata që shkojnë në kishë i japin tjetër kuptim kësaj shprehjeje. Fjalët e titullit vijnë nga 1 Gjonit 5:20, Dio, e cila pjesërisht thotë: «Ne jemi në të Vërtetin, në Birin e tij Jezu Krisht; ky është i vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme.»
Ata që besojnë doktrinën e trinitetit thonë se përemri dëftor «ky» (houtos) i referohet emrit që e paraprin menjëherë, domethënë Jezu Krishtit. Thonë që «i vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme» është Jezui. Mirëpo, ky interpretim bie në kundërshtim me pjesën tjetër të Shkrimeve. Veç kësaj, shumë studiues që janë autoritete në këtë fushë nuk e pranojnë këtë pikëpamje trinitare. Studiuesi B. F. Ueskot, i cili punon në Universitetin e Kembrixhit, shkroi: «Referimi më i natyrshëm [i përemrit houtos] nuk është emri që ndodhet më afër tij në fjali, por ai që mbizotëron në mendjen e apostullit.» Pra, apostulli Gjon kishte në mendje Atin e Jezuit. Teologu gjerman Erik Haupt shkroi: «Duhet përcaktuar nëse [houtos] i pjesës vijuese i referohet emrit që në fjali ndodhet menjëherë përpara tij . . . ose emrit Perëndi që ndodhet më larg në fjali. . . . Ta kuptojmë vargun si një dëshmi për të vetmin Perëndi të vërtetë duket më shumë në harmoni me paralajmërimin përfundimtar kundër idhujve, sesa një provë se Krishti është me natyrë hyjnore.»
Edhe një botim (A Grammatical Analysis of the Greek New Testament), i botuar nga Instituti Papnor Biblik i Romës, thotë: «[Houtos]: si pikë kulmore për [vargjet] 18-20 ref[erimi] është pothuajse qartësisht për Perëndinë real, të vërtetë, [në] kund[ërshtim me] paganizmin (v. 21).»
Shpesh përemri houtos, që në përgjithësi përkthehet «ky», nuk i referohet emrit që ndodhet menjëherë para tij në një fjali. Këtë pikë e ilustrojnë edhe shkrime të tjera. Te 2 Gjonit 7, Dio, i njëjti apostull dhe shkrimtar i letrës së parë shkroi: «Në botë kanë dalë shumë mashtrues, të cilët nuk rrëfejnë se Jezu Krishti ka ardhur në mish; ky [houtos] është mashtruesi dhe antikrishti.» Këtu përemri s’mund t’i referohet emrit më të afërt që e paraprin, domethënë Jezuit. Duket qartë se «ky» u referohet atyre që mohonin Jezuin. Si një grup, këta quhen «mashtruesi dhe antikrishti».
Edhe në ungjillin e tij, apostulli Gjon shkroi: «Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte një nga ata të dy që e kishin dëgjuar këtë nga Gjoni dhe kishin ndjekur Jezusin. Ky [houtos] gjeti më parë vëllanë e vet, Simonin.» (Gjoni 1:40, 41, Dio) Është më se e qartë se «ky» nuk i referohet individit të fundit që u përmend, por Andreas. Te 1 Gjonit 2:22, apostulli e përdor të njëjtin përemër në mënyrë të ngjashme.
Luka e përdor po njësoj përemrin houtos, siç e shohim te Veprat 4:10, 11, Dio: «Kjo u bë në emër të Jezu Krishtit Nazareas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri; me anë të tij ky njeri del para jush i shëruar plotësisht. Ky [houtos] është guri që ju, ndërtuesit, e hodhët poshtë dhe që u bë guri i qoshes.» Është e qartë se përemri «ky» nuk i referohet njeriut që u shërua, edhe pse ai përmendet menjëherë para përemrit houtos. Pa dyshim, përemri «ky» në vargun 11 i referohet Jezu Krishtit, nazareasit, që është ‘guri i qoshes’ mbi të cilin është themeluar kongregacioni i krishterë.—Efesianëve 2:20; 1 Pjetrit 2:4-8.
Edhe Veprat 7:18, 19, Dio, e ilustron këtë pikë: «Doli në Egjipt një mbret tjetër që nuk e kishte njohur Jozefin. Ky [houʹtos], duke vepruar me ligësi kundër skotës sonë, i keqtrajtoi etërit tanë.» «Ky» që keqtrajtoi judenjtë nuk ishte Jozefi, por faraoni i Egjiptit.
Shkrime të tilla vërtetojnë komentin e studiuesit grek Daniel Uollas, i cili thotë se kur përdoren përemrat dëftorë grekë, «emri paraprijës që mund të jetë më afër me të në fjali mund të mos jetë ai që ka në mendje autori».
«I vërteti»
Siç shkroi apostulli Gjon, «i vërteti» është Jehovai, Ati i Jezu Krishtit. Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë, Krijuesi. Apostulli Pavël tha: «Faktikisht për ne ka një Perëndi të vetëm, Ati, prej të cilit janë të gjitha gjërat.» (1 Korintasve 8:6; Isaia 42:8) Një arsye tjetër pse Jehovai është ai që quhet «i vërteti» te 1 Gjonit 5:20 është se Jehovai është Burimi i së vërtetës. Psalmisti e quajti Jehovain «Perëndi e së vërtetës», sepse Ai është besnik në gjithçka që bën dhe s’mund të gënjejë. (Psalmi 31:5; Eksodi 34:6; Titit 1:2) Duke folur për Atin e tij qiellor, Biri tha: «Fjala jote është e vërteta.» Kurse për mësimin e vet Jezui tha: «Ajo që mësoj nuk është e imja, por i përket atij që më dërgoi.»—Gjonit 7:16; 17:17.
Jehovai është edhe «jeta e përjetshme». Ai është Burimi i jetës, që e jep jetën si dhuratë të pamerituar nëpërmjet Krishtit. (Psalmi 36:9; Romakëve 6:23) Janë domethënëse fjalët e apostullit Pavël se Perëndia është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebrenjve 11:6) Perëndia e shpërbleu Birin e tij duke e ringjallur, dhe do t’u japë shpërblimin e jetës së përjetshme atyre që i shërbejnë me gjithë zemër.—Veprat 26:23; 2 Korintasve 1:9.
Prandaj, çfarë përfundimi duhet të nxjerrim? Që vetëm Jehovai është «i vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme». Vetëm ai meriton të marrë adhurimin e plotë të atyre që krijoi.—Zbulesa 4:11.