Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Kur Jezui i udhëzoi ithtarët e tij ‘të jepnin hua pa interes, duke mos shpresuar që t’u kthehej gjë’, a donte të thoshte se nuk duhej të kërkonin as atë që kishin dhënë hua?
Fjalët e Jezuit që i gjejmë te Luka 6:35 kuptohen më mirë në kontekstin e Ligjit të Moisiut. Në këtë ligj, Perëndia i urdhëroi izraelitët që t’u jepnin hua pa interes izraelitëve të tjerë që ishin rrënuar nga ana financiare dhe kishin nevojë për ndihmë. (Eksodi 22:25; Levitiku 25:35-37; Mateu 5:42) Këto hua nuk jepeshin për qëllime tregtie, dhe as për përfitim. Përkundrazi, këto hua pa interes duhej të lehtësonin varfërinë ose rrethanat e këqija. Në fund të fundit, nuk është e dashur të përfitosh nga vështirësitë ekonomike të tjetrit. Por, gjithsesi, ai që jepte huanë kishte të drejtën ta merrte prapë atë që kishte dhënë hua, në disa raste duke marrë një peng (si siguri për huanë).—Ligji i përtërirë 15:7, 8.
Jezui e mbështeti Ligjin, por e zbatoi më gjerësisht atë, duke thënë se ai që jepte ndihmën nuk duhej të shpresonte ‘t’i kthehej gjë’. Ashtu si izraelitët, disa herë të krishterët kalojnë vështirësi ekonomike ose përjetojnë rrethana të tjera që mund t’i lënë të varfër, pa asgjë fare. Nëse një vëlla i krishterë, që ndodhet në këtë situatë tepër të vështirë, kërkon ndihmë financiare, a nuk do të ishte e dashur ta ndihmonim? Po, dashuria e vërtetë do ta shtyjë një të bashkëkrishterë ta ndihmojë një vëlla që po kalon vështirësi të mëdha financiare, ndonëse jo për faj të tij. (Fjalët e urta 3:27) Ndoshta këtij vëllai nevojtar mund t’i bëhet një dhuratë, edhe pse sasia e parave është më e vogël sesa ajo që dikush mund të jepte si hua.—Psalmi 37:21.
Në shekullin e parë të erës sonë, apostulli Pavël dhe Barnaba u ngarkuan t’u çonin vëllezërve në Jude dhurata nga të krishterët në Azinë e Vogël, për shkak të një zie buke. (Veprat 11:28-30) Po kështu edhe sot, kur ndodhin katastrofa, të krishterët shpesh u dërgojnë dhurata vëllezërve të tyre që janë në nevojë. Duke vepruar kështu, japin një dëshmi të shkëlqyer edhe për të tjerët. (Mateu 5:16) Sigurisht, në raste të tilla duhet marrë parasysh gjithnjë qëndrimi dhe situata e atij që po kërkon ndihmë. Përse gjendet në nevojë? Vlejnë të mbahen parasysh fjalët e Pavlit: «Nëse ndokush nuk dëshiron të punojë, as të mos hajë!»—2 Selanikasve 3:10.
Në qoftë se një vëlla që po kërkon hua, nuk ka ndonjë nevojë urgjente, por dëshiron ndihmë përkohësisht sa të mëkëmbet prapë, pasi ka pasur ndonjë vështirësi financiare, mund të jetë e përshtatshme t’i jepet një hua pa interes. Në rrethana të tilla, të japësh një hua me qëllimin për të marrë përsëri atë sasi parash që ke dhënë, nuk do të ishte në kundërshtim me fjalët e Jezuit që gjejmë te Luka 6:35. Duhet bërë një kontratë me shkrim dhe ai që merr huanë duhet të bëjë çdo përpjekje për ta kthyer atë sipas kushteve për të cilat janë marrë vesh. Pra, dashuria e krishterë duhet ta shtyjë huamarrësin ta paguajë huanë, po ashtu siç e shtyu huadhënësin që të jepte huanë.
Ai që po mendon të japë hua (ose të japë një dhuratë) duhet të shqyrtojë më parë edhe situatën e tij familjare. Për shembull, mos kjo hua do t’i vinte në rrezik mundësinë për t’u kujdesur për nevojat e familjes së vet, një detyrim biblik që ka përparësi? (2 Korintasve 8:12; 1 Timoteut 5:8) Po gjithsesi, të krishterët kërkojnë mundësi për t’i treguar dashuri njëri-tjetrit, duke e shprehur këtë dashuri në mënyra praktike që janë në harmoni me parimet e Biblës.—Jakovi 1:27; 1 Gjonit 3:18; 4:7-11.