Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të nxjerrim dobi nga vlerat që mëson Bibla

Të nxjerrim dobi nga vlerat që mëson Bibla

Të nxjerrim dobi nga vlerat që mëson Bibla

«Ai që do argjendin nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë me të ardhura.»​—Predikuesi 5:10, BR.

PUNA e tepërt mund të çojë në stres dhe stresi mund të shkaktojë probleme shëndetësore, që disa herë përfundojnë me vdekje. Në shumë vende, divorci po shkatërron familjet. Shumë shpesh, pas këtyre tragjedive gjendet interesimi i tepërt për gjërat materiale. Në vend që të gëzojë atë që ka, individi që synon vetëm të ketë gjëra materiale mund të përfundojë duke dëshiruar gjithnjë e më shumë, pavarësisht sa dëm mund t’i sjellë kjo mirëqenies së tij. Në një libër thuhet: «Me sa duket, në të gjithë kombin asnjeri nuk dëshiron të bjerë më poshtë se fqinjët, edhe sikur këta fqinjë të jenë të mbytur në punë dhe të jenë nën rrezikun e infarktit që në moshën 43-vjeçare.»

Dëshira për të pasur më shumë mund të bëhet e pangopshme, duke i hequr individit çfarëdo gëzimi që do të provonte, po të mos e kishte këtë dëshirë. Shpesh, dobësitë tona në këtë drejtim i shfrytëzon një forcë shumë e fuqishme: reklamat! Programet televizive janë plot me reklama që të nxitin të blesh gjëra që me siguri nuk të duhen ose që nuk i blen dot. E gjithë kjo mund të sjellë mjaft dëme.

Dëshira për t’u kënaqur me çdo kusht mund të ketë te ne një efekt shkatërrues, si fizikisht, ashtu edhe moralisht, megjithëse ky efekt nuk është shumë i dukshëm. Për shembull mbreti i mençur Solomon shkroi: «Një zemër e shëndoshë [e qetë, BR] është jetë për trupin.» (Fjalët e urta 14:30) Nga ana tjetër, puna e tepërt, ankthi dhe presioni që vjen kur grumbullojmë pasuri, mund të na e shkatërrojnë shëndetin dhe lumturinë. Kur në jetën tonë sundojnë synimet materialiste, kjo ndikon për keq edhe në marrëdhëniet me të tjerët. Pastaj, kur jeta familjare dhe shoqërore e dikujt keqësohet, po kështu ndodh me jetën e tij në përgjithësi.

Epërsia e vlerave që mëson Bibla

«Mjaft u formuat sipas këtij sistemi»,​—këshilloi apostulli Pavël shekuj më parë. (Romakëve 12:2) Bota tregohet e përzemërt me ata që jetojnë sipas vlerave që u dikton ajo. (Gjoni 15:19) Me anë të shqisave të të parit, të të prekurit, të shijes, të nuhatjes dhe të dëgjimit, bota dëshiron të të tërheqë që të kesh stilin e saj materialist të jetës. Vihet theksi mbi ‘dëshirën e syve’, me qëllim që ti dhe të tjerët të dëshironi të keni gjëra materiale.​—1 Gjonit 2:15-17.

Por, ekzistojnë gjëra që kanë shumë më tepër vlerë se paratë, fama dhe pasuria. Shekuj më parë, mbreti Solomon grumbulloi gjithçka që mund t’i ofronte bota nga ana materiale. Ndërtoi shtëpi dhe kishte parqe, kopshte, shërbëtorë, bagëti, këngëtarë dhe këngëtare, si edhe shumë ar e argjend. Pasuritë e tij ua kalonin të gjithë atyre që kishin qenë para tij. Është pak të thuash se ishte i pasur. Solomoni kishte pothuajse gjithçka që njeriu mund të dëshirojë. E megjithatë, kur mendonte për ato gjëra që kishte arritur, tha: «Të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën.»​—Predikuesi 2:1-11.

Me mençurinë e veçantë që i kishte dhënë Jehovai, Solomoni e kuptonte se ke më shumë kënaqësi duke ndjekur gjërat që kanë vlerë frymore. Ai shkroi: «Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: ‘Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut.’»​—Predikuesi 12:13.

Thesari që gjendet në faqet e Fjalës së Perëndisë, në Bibël, ka shumë më tepër vlerë se ari e argjendi. (Fjalët e urta 16:16) Aty ka të vërteta të thella që janë si xhevahire, të cilat të presin që t’i zbulosh. A do të kërkosh dhe do të gërmosh për t’i gjetur? (Fjalët e urta 2:1-6) Krijuesi ynë, që është Burimi i vlerave të vërteta, të nxit që të veprosh kështu dhe të thotë se do të të ndihmojë. Si do ta bëjë ai këtë?

Jehovai siguron të vërteta të çmuara me anë të Fjalës, të frymës dhe të organizatës së tij. (Psalmi 1:1-3; Isaia 48:17, 18; Mateu 24:45-47; 1 Korintasve 2:10) Në qoftë se i shqyrton këto të vërteta me vlerë të pallogaritshme, do të kesh mundësi që me mençuri të zgjedhësh mënyrën më të mirë dhe më shpërblyese për të jetuar. Kjo s’do të jetë e vështirë, sepse Jehovai, Krijuesi ynë, e di se çfarë na duhet për të qenë vërtet të lumtur.

Bibla nxit vlerat më të larta

Këshillat e dobishme që gjejmë në Bibël janë më të mirat, e veç kësaj janë edhe praktike. Normat morale që nxit Bibla janë të pakrahasueshme. Këshillat e saj janë gjithnjë të vlefshme dhe i kanë qëndruar kohës. Për shembull, ndër këshillat e mençura të Biblës janë: të punosh me zell, të jesh i ndershëm, t’i përdorësh paratë me mençuri dhe të mos jesh i përtuar.​—Fjalët e urta 6:6-8; 20:23; 31:16.

Në përputhje me këtë, Jezui tha: «Mos grumbulloni më për vete thesare mbi tokë, ku brejnë mola dhe ndryshku dhe ku hajdutët shpërthejnë e vjedhin. Më mirë, grumbulloni për vete thesare në qiell, ku nuk bren as mola, as ndryshku dhe ku hajdutët nuk shpërthejnë e nuk vjedhin.»​—Mateu 6:19, 20.

Kjo këshillë shumë e përshtatshme zbatohet sot po aq sa zbatohej 2.000 vjet më parë. Në vend që të zhytemi në kërkimin e pasurive materiale, mund të nxjerrim dobi që tani duke ndjekur një mënyrë më të lartë jetese. Çelësi është të grumbullojmë thesare frymore, të cilat çojnë në një jetë me lumturi e me kënaqësi të vërtetë. Si mund ta bëjmë këtë? Duke lexuar Fjalën e Perëndisë, Biblën, dhe duke zbatuar mësimet e saj.

Vlerat që mëson Bibla sjellin shpërblime

Kur i përdorim siç duhet, vlerat që mëson Bibla na sjellin dobi në kuptimin fizik, emocional dhe fetar. Ashtu si shtresa e ozonit sipër tokës na mbron nga rrezet e dëmshme të diellit, parimet e larta morale na mbrojnë duke na bërë të qarta pasojat e rrezikshme të materializmit. Apostulli i krishterë Pavël shkroi: «Ata që janë të vendosur për të qenë të pasur bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim. Sepse dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.»​—1 Timoteut 6:9, 10.

Dashuria për para i shtyn njerëzit që të kërkojnë më shumë pasuri, famë dhe pushtet. Shumë shpesh përdorin mjete mashtruese dhe të pandershme për të arritur këto synime. Rendja pas gjërave materiale mund t’i grabitë një njeriu kohën, forcat dhe aftësitë. Madje mund t’i heqë edhe gjumin e natës. (Predikuesi 5:12) Dëshira për të pasur më shumë e pengon me siguri përparimin frymor. Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, Jezu Krishti, tregoi me qartësi cila ishte rruga më e mirë: «Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore.» (Mateu 5:3) Ai e dinte se pasuritë që grumbullojmë pranë Perëndisë të sjellin shpërblime të përhershme dhe kanë shumë më tepër rëndësi se pasuria materiale që është kalimtare.​—Luka 12:13-31.

A sjellin vërtet dobi?

Gregu sjell ndër mend: «Prindërit u përpoqën shumë të më bindnin se vlerat e Biblës nuk janë praktike. Megjithatë, duke ndjekur synimet frymore, kam fituar një paqe shumë të madhe mendore, sepse nuk kam stresin e atyre që konkurrojnë për t’u pasuruar.»

Vlerat që mëson Bibla ndihmojnë edhe për krijimin e marrëdhënieve më të mira me të tjerët. Miqtë e vërtetë tërhiqen drejt teje në saje të njeriut që je, jo në saje të gjërave që ke. Bibla rekomandon: «Ecë me të urtët, edhe do të jesh i urtë.» (Fjalët e urta 13:20, Shoqata Biblike për n’Angli dhe jashtë) Për më tepër, një familje e suksesshme ndërtohet me mençuri e me dashuri, jo me gjëra materiale.​—Efesianëve 5:22–6:4.

Ne nuk lindim me parime për sa u përket gjërave që kanë vërtet vlerë. Duhet t’i mësojmë këto nga shokët tanë ose nga ndonjë burim më i lartë. Prandaj arsimimi biblik mund të na transformojë plotësisht pikëpamjen për gjërat materiale. Doni, që më parë ishte bankier, thotë: «Bibla më ndihmoi të ndryshoja mendim për gjërat që kanë më shumë vlerë për mua, dhe mësova të isha i kënaqur me gjërat e domosdoshme.»

Ndiq pasuritë frymore që zgjatin më shumë

Vlerat e Biblës nxjerrin në pah shpërblimet afatgjata, jo kënaqjen e përkohshme. Pavli shkroi: «Gjërat që shihen [materiale] janë të përkohshme, por gjërat që nuk shihen [frymore] janë të përhershme.» (2 Korintasve 4:18) Është e vërtetë se gjërat materiale mund të shërbejnë për të kënaqur dëshirat e çastit, por lakmia është pa të ardhme. Vlerat që mëson Bibla janë të përhershme.​—Fjalët e urta 11:4; 1 Korintasve 6:9, 10.

Bibla e dënon përqendrimin te materializmi, që është kaq i theksuar në kohën tonë. Ajo na mëson si t’u vëmë fre dëshirave egoiste, duke e mbajtur syrin të thjeshtë e të përqendruar te gjërat më të rëndësishme, te pasuritë frymore. (Filipianëve 1:10) Bibla i çjerr maskën lakmisë duke nxjerrë në shesh çfarë është në të vërtetë, pra adhurim i vetvetes. Kur zbatojmë atë që mësojmë nga Fjala e Perëndisë, provojmë më shumë lumturi. Mendimet tona nuk janë më të përqendruara si të marrim, por si të japim. Sa nxitje e fuqishme për ta zëvendësuar egoizmin me vlerat e Biblës!

Qartë, paratë mund të jenë një mbrojtje në njëfarë mase. (Predikuesi 7:12) Por është realiste ajo që thotë Bibla: «Paratë mund të të ikin sa hap e mbyll sytë, sikur të kishin vënë krahë e të fluturonin si shqiponja.» (Fjalët e urta 23:5, TEV) Njerëzit kanë sakrifikuar shumë gjëra në altarin e materializmit, si shëndetin, familjen, e madje edhe ndërgjegjen e tyre, me pasoja shkatërrimtare. Nga ana tjetër, gjendja e mirë frymore na plotëson nevojat më të rëndësishme: nevojën për dashuri, nevojën për të pasur një qëllim në jetë dhe nevojën për të adhuruar Perëndinë e dashur, Jehovain. Ajo gjithashtu na tregon rrugën drejt jetës së përhershme në përsosmëri në një tokë parajsore, shpresë që Perëndia na e ofron të gjithëve.

Shumë shpejt ëndrra e njerëzve për të pasur begati do të plotësohet krejtësisht, në botën e re të Perëndisë. (Psalmi 145:16) Në atë kohë, e gjithë toka «do të mbushet me njohurinë e Zotit». (Isaia 11:9) Vlerat frymore do të mbizotërojnë. Materializmi dhe vragat që lë ai, do të jenë zhdukur krejtësisht. (2 Pjetrit 3:13) Atëherë, gjërat që e bëjnë jetën shumë më të vlefshme për ta jetuar, siç janë shëndeti i përsosur, një punë e kënaqshme, zbavitje të shëndetshme, lidhje të përzemërta familjare dhe miqësia e përhershme me Perëndinë, do t’i sjellin njerëzimit lumturi të vërtetë përgjithmonë.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Përdori me mençuri paratë!

Kupto cilat janë nevojat e tua. Jezui na mësoi të lutemi: «Na jep bukën tonë për këtë ditë, sipas nevojës së ditës.» (Luka 11:3) Mos lejo që dëshirat të kthehen në nevoja. Mos harro se jeta nuk vjen nga gjërat që ke.​—Luka 12:16-21.

Planifiko. Mos u shty nga dëshirat e çastit kur del për të blerë. Bibla thotë: «Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri.» (Fjalët e urta 21:5) Jezui i këshilloi dëgjuesit e tij që të llogaritnin koston para se të ndërmerrnin ndonjë projekt që kërkonte shpenzime financiare.​—Luka 14:28-30.

Shmang borxhet e panevojshme. Për aq sa ke mundësi, mos bli me kredi, por kurse para për të blerë atë që do. Ja se ç’thotë një fjalë e urtë: «Huamarrësi është skllav i huadhënësit.» (Fjalët e urta 22:7) Po të kesh vetëpërmbajtje dhe po të qëndrosh brenda mundësive të tua, mund të planifikosh e të arrish të blesh edhe gjëra të mëdha.

Shmang harxhimet e kota. Zgjatua jetën gjërave që ke, duke u kujdesur për to, në mënyrë që të mos harxhosh kot. Jezui tregoi qëndrimin e duhur duke i ruajtur gjërat që kishte.​—Gjoni 6:10-13.

Jepu përparësi gjërave të rëndësishme. Një njeri i mençur ‘blen kohë’ për të ndjekur synime më të rëndësishme.​—Efesianëve 5:15, 16.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

Të mësosh nga përvoja: Ka një mënyrë më të mirë

Përvojat që na ndodhin, të mira ose të këqija, na ndihmojnë të nxjerrim mësime të vlefshme. Por, a është e vërtetë kur thonë se përvoja është mësuesi më i mirë? Jo, ka një burim më të mirë nga i cili mund të mësojmë. Psalmisti e tregoi këtë burim kur tha në lutje: «Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.»​—Psalmi 119:105.

Pse është më mirë të mësosh nga udhëzimet e Perëndisë, sesa nga përvojat që të ndodhin? Pikë së pari, të mësosh vetëm nga përvojat, domethënë të eksperimentosh, mund të të kushtojë shtrenjtë dhe të sjellë dhembje. Veç kësaj, është e panevojshme. Perëndia i tha popullit të lashtë izraelit: «Ah, sikur t’u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.»​—Isaia 48:18.

Një arsye pse Fjala e Perëndisë është burimi më i mirë prej të cilit mund të mësojmë është se ajo përmban tregimin më të vjetër e më të saktë të përvojave njerëzore. Ndoshta e ke parë edhe vetë se të mësosh nga suksesi ose dështimi i të tjerëve në një mënyrë që s’të shkakton dëme është më mirë sesa të bësh gabimet e tyre. (1 Korintasve 10:6-11) Ç’është më e rëndësishmja, në Bibël Perëndia na jep ligje të shkëlqyera dhe parime drejtuese që janë më të besueshme se çdo gjë tjetër. «Ligji i Jehovait është i përsosur . . . Përkujtuesi i Jehovait është i denjë për t’u besuar, e bën të mençur njeriun pa përvojë.» (Psalmi 19:7, BR) Sigurisht, pra, mënyra më e mirë është të mësojmë nga mençuria e Krijuesit tonë të dashur.

[Figurat në faqen 4]

Bota do që ti të kesh stilin e saj materialist të jetës

[Figura në faqen 5]

Thesari që gjejmë në Bibël ka shumë më tepër vlerë se ari e argjendi