Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinj: Lërini prindërit t’ju ndihmojnë ta ruani zemrën!

Të rinj: Lërini prindërit t’ju ndihmojnë ta ruani zemrën!

Të rinj: Lërini prindërit t’ju ndihmojnë ta ruani zemrën!

SI MENDON, cila është vështirësia më e madhe për një kapiten anijeje? Të kalojë shëndoshë e mirë përmes oqeanit të paanë? Në përgjithësi jo. Shumica e anijeve fundosen afër bregut, jo në det të hapur. Madje, të ankorosh anijen në port, mund të jetë më e rrezikshme se të ulësh një aeroplan. Përse?

Para se ta ankorojë anijen, kapiteni duhet të shmangë të gjitha rreziqet që mund të paraqesë porti. Duhet të mbajë parasysh rrymat e nënujshme, e ndërkohë të ketë kujdes që të mos përplaset me anijet e tjera. Veç kësaj, duhet t’u ruhet brigjeve ranore, shkëmbinjve ose anijeve të mbytura, të fshehura nën ujë. Nganjëherë, si për t’i keqësuar gjërat, për kapitenin kjo mund të jetë hera e parë që hyn në këtë port.

Një kapiten i mençur mund të marrë në punë një pilot anijeje për ta ndihmuar të kapërcejë këto probleme, një pilot që i njeh mirë ujërat e atij vendi. Piloti qëndron përkrah kapitenit në urën e komandimit dhe jep udhëzime prej specialisti. Së bashku shqyrtojnë rreziqet dhe e drejtojnë anijen nëpër ngushticat ose kanalet për të hyrë në port.

Mjeshtëria e pazëvendësueshme e pilotit ilustron ndihmën e çmuar që kanë në dispozicion të rinjtë e krishterë, të cilëve u duhet të planifikojnë drejtimin e tyre nëpër ujërat e vështira të jetës. Ç’është kjo ndihmë? Pse adoleshentët kanë nevojë për të?

Le ta vazhdojmë ilustrimin me anijen. Në qoftë se je adoleshent, ti je pak a shumë si kapiteni i një anijeje, në kuptimin që herët a vonë do ta marrësh vetë përgjegjësinë për jetën tënde. Kurse prindërit e tu kanë një rol të ngjashëm me pilotin e anijes, pasi përpiqen të të drejtojnë në disa nga situatat më të vështira që do të të duhet të hasësh në jetë. Mirëpo, gjatë viteve të adoleshencës, ti mund ta kesh të vështirë të pranosh këshillat që të japin prindërit. Përse ndodh kjo?

Problemi shpesh është zemra. Zemra jote mund të të shtyjë të dëshirosh atë që është e ndaluar ose të kundërshtosh sa herë që të duket sikur po të mohojnë lirinë. Bibla thotë: «Synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij.» (Zanafilla 8:21) Jehovai e thotë qartë se para teje ke një sprovë mjaft të madhe. Ai paralajmëron: «Zemra është më mashtruese se çdo gjë tjetër dhe është një rebele e rrezikshme.» (Jeremia 17:9, Rotherham) Përveçse të ushqejë dëshira të gabuara, zemra mund ta mashtrojë një të ri që të mendojë se di më shumë nga prindërit e tij, ndonëse këta kanë shumë më tepër përvojë. Megjithatë, ka arsye të forta pse duhet të kërkosh ndihmën e prindërve, ndërsa manovron gjatë viteve të vështira të adoleshencës.

Pse duhet t’u bindesh prindërve?

Para së gjithash, Jehovai, Nismëtari i familjes, të thotë se duhet ta dëgjosh drejtimin që të japin prindërit. (Efesianëve 3:15) Meqë Perëndia u ka dhënë atyre detyrën që të kujdesen për ty, ai të jep këtë këshillë: «Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në unitet me Zotërinë, sepse kjo është e drejtë.» (Efesianëve 6:1-3; Psalmi 78:5) Edhe pse tani ndoshta je në vitet e adoleshencës, prindërit kanë ende përgjegjësinë që të të drejtojnë, kurse ti ke detyrimin t’i dëgjosh. Kur shkroi se fëmijët duhet t’iu binden prindërve, apostulli Pavël përdori një fjalë greke që mund të zbatohet për fëmijët e çdo moshe. Për shembull, siç lexojmë te Mateu 23:37, Jezui foli për banorët e Jerusalemit si të ishin «fëmijët» e atij qyteti, edhe pse shumica prej tyre ishin të rritur.

Në lashtësi, shumë burra besnikë vazhduan t’u bindeshin prindërve edhe shumë kohë pasi ishin rritur. Jakobi, ndonëse ishte bërë burrë, e kuptoi se duhej t’i bindej urdhrit të të atit për të mos u martuar me një grua që s’ishte adhuruese e Jehovait. (Zanafilla 28:1, 2) Me siguri që Jakobi e kishte vënë re se vendimi i vëllait të tij për t’u martuar me gra pagane kananite u kishte shkaktuar shumë dhembje prindërve.​—Zanafilla 27:46.

Përveç faktit që Perëndia u ka dhënë si detyrë prindërve të krishterë të të drejtojnë, me siguri ata janë njerëzit më të kualifikuar për të qenë këshilltarët e tu. Kjo vjen në radhë të parë sepse ata të njohin shumë mirë dhe pa dyshim e kanë treguar për vite të tëra se të duan pa ndonjë interes. Ashtu si piloti i anijes, ata flasin nga përvoja. I kanë provuar vetë «dëshirat karakteristike rinore». Gjithashtu, si të krishterë të vërtetë, e kanë provuar vetë sa e vlefshme është të ndiqen parimet e Biblës.​—2 Timoteut 2:22.

Duke pasur përkrah teje këta ndihmës me përvojë, mund të përballosh me sukses edhe situatat më të vështira. Le të marrim, për shembull, marrëdhëniet që duhet të kesh me njerëzit e seksit tjetër. Si mund të të udhëheqin prindërit e krishterë në këtë çështje delikate?

Tërheqja ndaj seksit tjetër

Pilotët i këshillojnë kapitenët e anijeve që të rrinë sa më larg të jetë e mundur nga brigjet ranore të nënujshme. Këto brigje ranore janë të buta, por mashtruese, sepse ndryshojnë vend vazhdimisht. Në mënyrë të ngjashme, prindërit duan që ti t’u qëndrosh larg situatave që mund të të futin në kurth emocionalisht. Për shembull, prindërit e dinë se ndjenjat për njerëzit e seksit tjetër janë shumë të forta dhe të vështira për t’u përshkruar. Por, kur zgjohen, këto ndjenja mund të të fundosin.

Shembulli i Dinës ilustron sa e dëmshme është t’i afrohesh shumë rrezikut. Ndoshta kureshtja ose dëshira për t’u argëtuar e shtyu Dinën të shoqërohej me vajzat kananite, morali i të cilave ishte pa dyshim i shthurur. Kjo shoqëri, që fillimisht dukej e këndshme dhe e padëmshme, shumë shpejt përfundoi në një përvojë tragjike. Dinën e përdhunoi djali «më i nderuar» në qytet.​—Zanafilla 34:1, 2, 19.

Në kohët që jetojmë i vihet theksi gjithnjë seksit, prandaj këto situata të rrezikshme shtohen gjithnjë e më shumë. (Hozea 5:4) Shumica e të rinjve mund të të lënë përshtypjen se, të bësh qejf me dikë të seksit tjetër është gjëja më e bukur në botë. Ndoshta zemra të rreh fort, kur mendon se mund të jesh vetëm për vetëm me dikë që të tërheq fizikisht. Por, prindërit e dashur do të përpiqen të të mbrojnë nga shoqërimi me të rinj që nuk i respektojnë normat e Perëndisë.

Laura pranon se kureshtja mund t’i verbojë adoleshentët aq sa të mos e shohin rrezikun. «Kur vajzat në klasë më thonë se kanë kërcyer me djem tërheqës deri natën vonë, e tregojnë sikur ka qenë një përvojë që s’kanë për ta harruar kurrë. E kuptoj se shpesh i zmadhojnë gjërat, por prapë bëhem kureshtare dhe mendoj që ndoshta po e humbas këtë kënaqësi. Edhe pse e di se prindërit kanë të drejtë që s’më lënë të shkoj në këto vende, prapë e ndiej tundimin.»

Anijet nuk kanë frena, prandaj u duhet shumë kohë për të ndaluar. Prindërit e dinë se pasioni është po njësoj. Libri i Fjalëve të urta e krahason një burrë që vepron i shtyrë nga pasioni i shfrenuar me një ka që e çojnë në thertore. (Fjalët e urta 7:21-23) Patjetër që ti nuk dëshiron të të ndodhë kjo gjë, e cila do të të bëjë të fundosesh emocionalisht dhe frymësisht. Prindërit mund ta kuptojnë qartë se zemra ka filluar të të mashtrojë në këtë aspekt dhe mund të të japin këshilla. A do të jesh aq i mençur sa t’i dëgjosh ata dhe ta shmangësh katastrofën?​—Fjalët e urta 1:8; 27:12.

Ndihma e prindërve të nevojitet edhe kur ke të bësh me presionin e bashkëmoshatarëve. Si mund të të ndihmojnë ata?

Fuqia bindëse e bashkëmoshatarëve

Një rrymë e fortë mund ta shmangë anijen nga drejtimi i duhur. Për t’iu kundërpërgjigjur kësaj force, anija duhet spostuar në një drejtim tjetër. Po kështu, ndikimi bindës i të rinjve të tjerë mund të të shtyjë larg drejtimit të duhur frymor, po të mos marrësh masa.

Siç e ilustron përvoja e Dinës, «po të bësh miqësi me budallenjtë, do të rrënosh veten». (Fjalët e urta 13:20, Today’s English Version) Ki parasysh se në përdorimin biblik, «budalla» është një njeri që nuk e njeh Jehovain ose që vendos të mos ecë në rrugët e tij.

Mirëpo, mund të mos jetë e lehtë t’i hedhësh poshtë pikëpamjet ose veprimet e shokëve të klasës. Maria-Hoze shpjegon: «Kisha dëshirë që të rinjtë e tjerë të më pranonin në shoqëri. Meqë s’doja të mendonin se isha ndryshe, i imitoja sa më shumë që të mundja.» Pa e kuptuar, mund të ndikohesh nga bashkëmoshatarët në muzikën që zgjedh, në atë që dëshiron të veshësh ose edhe në mënyrën se si flet. Ndoshta ndihesh rehat me ata të moshës sate. Kjo është e natyrshme, por të lë të pambrojtur ndaj ndikimit të tyre të fortë, që mund të jetë shkatërrimtar.​—Fjalët e urta 1:10-16.

Karolinës i kujtohen vështirësitë që hasi disa vjet më parë: «Që kur isha 13 vjeçe, shumica e vajzave me të cilat rrija kishin nga një të dashur, kështu që për vite me radhë më bënin presion të kisha edhe unë një. Por mamaja më qëndroi afër, duke më udhëhequr gjatë kësaj periudhe të vështirë. Ajo kaloi orë të tëra duke më dëgjuar, duke arsyetuar me mua dhe duke më ndihmuar të kuptoja nevojën për t’i lënë për më vonë lidhje të tilla, kur të isha më e pjekur.»

Ashtu si mamaja e Karolinës, prindërit e tu mund të ndiejnë përgjegjësinë të të paralajmërojnë për presionin e bashkëmoshatarëve ose edhe të t’i kufizojnë disa aktivitete a miqësi. Natanit i kujtohen disa përplasje që pati me prindërit për këto çështje. «Shokët më ftonin shpesh të dilja me ta,​—shpjegon ai,​—por prindërit s’donin që unë të rrija rrugëve në grupe të mëdha ose të shkoja në festa të mëdha ku s’kishte mbikëqyrje. Në atë kohë nuk e kuptoja pse prindërit e tjerë ishin më tolerantë se të mitë.»

Po, gjithsesi, më vonë Natani e kuptoi. Ai pranon: «E di se në rastin tim ishte e vërtet thënia, ‘marrëzia është e lidhur me zemrën e fëmijës’. Kjo marrëzi duket se del fare lehtë në pah kur djemtë rrinë vërdallë në grupe. Njëri fillon të bëjë diçka të keqe, tjetri shkon një hap më tutje dhe i treti shkon akoma më larg. S’kalon shumë dhe hyjnë në lojë gjithë të tjerët. Edhe të rinj që thonë se i shërbejnë Jehovait mund të bien në këtë kurth.»​—Fjalët e urta 22:15.

Natani dhe Maria-Hozeja kishin një luftë me zemrën e tyre, kur prindërit nuk i lejonin të bënin gjërat që u thoshin bashkëmoshatarët. Megjithatë, i dëgjuan prindërit dhe më pas ishin të kënaqur që vepruan kështu. «Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve dhe jepja zemrën dijes sime»,​—thuhet te Fjalët e urta 22:17.

Meritojnë respekt

Një anije që anon nga njëri krah është e vështirë për t’u manovruar dhe, në qoftë se anon tepër, mund të përmbyset kollaj. Për shkak të natyrës së papërsosur, të gjithë ne anojmë nga egoizmi dhe nga gjërat e ndaluara. Me gjithë këto prirje, të rinjtë mund të arrijnë në port, pra të kenë sukses, në qoftë se ndjekin me kujdes drejtimin e prindërve.

Për shembull, prindërit mund të të ndihmojnë të kuptosh sa e gabuar është të mendosh se ka një rrugë të mesme, ndërmjet rrugës së ngushtë që të çon në jetë dhe rrugës së gjerë që të çon në shkatërrim. (Mateu 7:13, 14) Është jorealiste të mendosh se mund t’i provosh nga pak gjërat e gabuara, por jo t’u shkosh deri në fund, se mund «të shijosh», por pa gëlltitur. Ata që përpiqen të ndjekin një drejtim të tillë ‘po lëkunden midis dy mendimeve’, pra i shërbejnë deri në njëfarë mase Jehovait, por duan edhe botën me gjërat që janë në të. Të tillë njerëz mund të përmbysen lehtë frymësisht. (1 Mbretërve 18:21; 1 Gjonit 2:15) Pse ndodh kjo? Për shkak të prirjeve tona mëkatare.

Po t’u lëshojmë pe dëshirave të trupit të papërsosur, ato bëhen më të forta. ‘Zemra jonë tradhtare’ nuk do të kënaqej vetëm me një kafshatë. Do të kërkonte më shumë. (Jeremia 17:9) Kur fillojmë të shmangemi nga drejtimi i duhur frymësisht, bota do të ushtrojë gjithnjë e më shumë ndikim te ne. (Hebrenjve 2:1) Ndoshta ti nuk do ta vësh re se frymësisht je duke u anuar, por me siguri prindërit e krishterë do ta vënë re. Vërtet, mbase nuk janë kaq të zotë sa ty për të mësuar kompjuterin, por dinë shumë më tepër se ti për sa i përket zemrës rebele. Ata duan të të ndihmojnë që ‘ta drejtosh zemrën në rrugën e drejtë’, e cila mund të të çojë në jetë.​—Fjalët e urta 23:19.

Natyrisht, mos prit që prindërit t’i gjykojnë gjërat në mënyrë të përsosur, kur duhet të të japin udhëzime për çështje të vështira, siç janë muzika, zbavitja dhe veshja. Prindërit mund të mos kenë mençurinë e Solomonit ose durimin e Jobit. Ashtu si piloti i një anijeje, edhe ata mund të gabojnë ndonjëherë duke qenë tepër mbrojtës. Megjithatë do ta shikosh sa i çmuar është drejtimi i tyre, nëse i kushton vëmendje ‘mësimeve të atit tënd dhe nuk i lë pas dore mësimet e nënës sate’.​—Fjalët e urta 1:8, 9.

Të rinjtë e tjerë mund të flasin me përbuzje për prindërit e tyre. Megjithatë, në qoftë se prindërit e tu po përpiqen të zbatojnë Shkrimet, ata do të jenë pranë teje në çdo lloj moti, në çdo lloj kohe, përballë çdo lloj vështirësie. Ashtu si kapiteni i anijes, i cili merr këshilla nga një pilot me përvojë, ti ke nevojë që prindërit të të drejtojnë në udhën e mençurisë. Shpërblimet mund të jenë të pallogaritshme.

«Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd, të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë, për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija, nga ata që braktisin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ. . . . Sepse njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty.»​—Fjalët e urta 2:10-13, 21.

[Figura në faqen 22]

Ndikimi i të rinjve të tjerë mund të të largojë nga drejtimi i duhur frymor

[Figura në faqen 23]

Mos e harro rastin e Dinës

[Figura në faqen 24]

Ashtu si kapiteni i anijes merr këshilla nga një pilot me përvojë, të rinjtë duhet të kërkojnë drejtim nga prindërit e tyre

[Burimi i figurës në faqen 24]

Fotografi: www.comstock.com