A do të kemi ndonjëherë siguri të vërtetë?
A do të kemi ndonjëherë siguri të vërtetë?
TË SHOHËSH fëmijë që luajnë të lumtur me prindërit e tyre të dashur është një skenë vërtet e bukur. Fëmijët ndihen krejt të sigurt kur kanë pranë prindërit që kujdesen për ta. Megjithatë, për shumë fëmijë, çaste të tilla lumturie s’ekzistojnë. Jo vetëm kaq, por shqetësimi i përditshëm për disa fëmijë është ku të gjejnë një vend për të kaluar natën. A ka ndonjë shpresë për këta fëmijë të pastrehë e për të tjerë që jetojnë në pasiguri?
Ndonëse e ardhmja mund të duket e zymtë, Fjala e Perëndisë jep shpresë. Profeti Isaia paratha se do të vijë dita kur të gjithë do të jetojnë në siguri të plotë. Ai shkroi: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër.»—Isaia 65:21, 22.
Por, a kemi një bazë të fortë për këtë shpresë? E themi këtë sepse fjala «shpresë» jo gjithnjë tregon siguri. Për shembull, një shprehje që përdorin njerëzit është «shpresa vdes e fundit», që nënkupton se shumë vazhdojnë të shpresojnë, edhe kur nuk kanë më bazë për shpresë. Megjithatë, shpresa që na jep Perëndia i gjallë është e ndryshme. Apostulli Pavël shkroi: «Kushdo që e mbështet besimin e vet tek [Perëndia] nuk do të zhgënjehet.» (Romakëve 10:11) Profecitë biblike që tashmë janë përmbushur na japin sigurinë se edhe gjithë premtimet e tjera që ka bërë Perëndia Jehova do të dalin të vërteta. Kur këto premtime të bëhen realitet, kushtet që i detyrojnë fëmijët të jetojnë rrugëve, do t’i përkasin së kaluarës.
Këshillat praktike që gjenden në Bibël mund t’i ndihmojnë që sot njerëzit e pashpresë që të përmirësojnë jetën dhe të gjejnë siguri të vërtetë. Si është e mundur kjo? Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj do t’ju ndihmojnë me kënaqësi të gjeni përgjigjen e kësaj pyetjeje.