Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e ke provuar lumturinë që vjen kur jep?

A e ke provuar lumturinë që vjen kur jep?

A e ke provuar lumturinë që vjen kur jep?

PËR afro 50 vjet ajo kishte qenë e zellshme në shërbimin e krishterë. Ndonëse fuqitë e kishin lënë për shkak të moshës së thyer, ishte e vendosur të vizitonte Sallën e Mbretërisë, që sapo ishte ndërtuar. Duke u mbajtur në krahun e një vëllai të krishterë që po e ndihmonte, hyri në sallë, dhe ngadalë, por me vendosmëri, shkoi drejt e te kutia e kontributeve. Atje hodhi ato pak para që kishte kursyer për këtë qëllim. Megjithëse nuk punonte dot vetë në ndërtimin e sallës, prapëseprapë donte të bënte diçka.

Kjo grua e krishterë mund t’ju sjellë ndër mend një tjetër grua besnike, ‘vejushën e varfër’, të cilën Jezui e vërejti ndërsa ajo hidhte dy monedha të vogla në thesarin e tempullit. Nuk na thuhet gjë për rrethanat e saj, por në atë kohë, një grua që nuk e kishte më burrin, mund të ishte në një gjendje ekonomike të vështirë. Sigurisht, Jezuit iu dhimbs në zemër, sepse ai e kuptoi plotësisht gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej. Duke ua treguar dishepujve si shembull, ai vuri në dukje se dhurata e saj e vogël, ishte «gjithë sa kishte, tërë atë që kishte për të jetuar».​—Marku 12:41-44.

Pse një grua nevojtare, siç ishte kjo vejushë, po bënte një sakrificë të tillë? Pa dyshim, vepronte kështu sepse ishte thellësisht e përkushtuar ndaj Perëndisë Jehova, qendra e adhurimit të të cilit ndodhej në tempullin e Jerusalemit. Ndonëse ishte e kufizuar në atë që mund të bënte, ajo donte të përkrahte shërbimin e shenjtë. Dhe, duhet të ketë ndier gëzim të vërtetë që dha aq sa mundi.

Të japim për të mbështetur veprën e Jehovait

Dhënia e kontributeve në mall dhe në para ka qenë gjithnjë pjesë e nevojshme e adhurimit të pastër, e njëkohësisht ka qenë burim i madh gëzimi. (1 Kronikave 29:9) Në kohët e lashta, kontributet e izraelitëve nuk përdoreshin vetëm për të zbukuruar tempullin, por edhe për të kryer të gjitha shërbimet e përditshme që lidheshin me adhurimin e Jehovait. Ligji kërkonte në mënyrë specifike që bijtë e Izraelit të jepnin një të dhjetën e prodhimit të tyre për të mbështetur levitët, të cilët kryenin shërbimet e tempullit. Por, edhe levitët duhej t’i jepnin Jehovait një të dhjetën e prodhimeve që merrnin.​—Numrat 18:21-29.

Të krishterët nuk janë nën detyrimin për të përmbushur kërkesat e besëlidhjes së Ligjit. (Galatasve 5:1) Megjithatë, parimi që shërbëtorët e Perëndisë të japin kontribute materiale për të mbështetur adhurimin e vërtetë, nuk ka ndryshuar. Veç kësaj, të krishterët e shekullit të parë, ndienin gëzim kur bënin kontribute për të plotësuar nevojat e vëllezërve të tyre. (Veprat 2:45, 46) Apostulli Pavël u kujtoi të krishterëve se ashtu si Perëndia u kishte siguruar gjëra të mira me bujari, po kështu edhe ata duhej të tregoheshin bujarë me të tjerët. Ai shkroi: «Atyre që janë të pasur në sistemin e tanishëm jepu urdhër të mos jenë kryelartë e të mos e varin shpresën në pasurinë e pasigurt, por te Perëndia, që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë; të punojnë për të mirën, të jenë të pasur në vepra të shkëlqyera, të jenë dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët, duke mbledhur për vete si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rrokin jetën e vërtetë.» (1 Timoteut 6:17-19; 2 Korintasve 9:11) Në fakt Pavli, duke u nisur nga përvoja e tij, mund të vërtetonte fjalët e Jezuit: «‘Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.’»​—Veprat 20:35.

Si japin të krishterët sot?

Edhe sot, shërbëtorët e Jehovait i përdorin pasuritë materiale për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të mbështetur veprën e Perëndisë. Madje edhe ata me të ardhura të kufizuara japin aq sa kanë mundësi. «Skllavi i besueshëm dhe i matur» ndihet përgjegjës para Jehovait që t’i përdorë në mënyrën më të mirë të gjitha këto fonde që mblidhen nga kontributet. (Mateu 24:45) Fondet përdoren për të mbajtur në punë zyrat e degëve, për t’u përkthyer e prodhuar Bibla e literaturë biblike, për t’u organizuar grumbullime të krishtere të mëdha, për të stërvitur dhe për të dërguar jashtë mbikëqyrës udhëtues e misionarë, për të dhënë ndihma në raste katastrofash, si dhe për shumë qëllime të tjera me rëndësi të madhe. Le të përqendrohemi tani në njërin nga këto qëllime: ndihma për të siguruar vende për adhurim.

Dëshmitarët e Jehovait mblidhen disa herë në javë në Sallat e Mbretërisë, që të nxjerrin dobi nga arsimimi frymor dhe shoqëria e shëndetshme. Megjithatë, në shumë vende, gjendja ekonomike nuk i lejon Dëshmitarët që të financojnë ndërtimin e Sallave të Mbretërisë pa marrë më parë njëfarë ndihme. Prandaj, në vitin 1999, Dëshmitarët e Jehovait filluan një program, sipas të cilit fondet e mbledhura në vendet më të pasura të përdoreshin për të ndërtuar Salla Mbretërie në vende më të varfra. Përveç kësaj, mijëra vullnetarë kanë dhënë nga koha dhe nga aftësitë e tyre, shpesh duke punuar në zona të thella të këtyre vendeve. Gjatë ndërtimit, Dëshmitarët vendës aftësohen në ndërtim dhe në mirëmbajtje, kurse Fondi për Sallat e Mbretërisë bën të mundur të blihen pajisjet dhe materialet e nevojshme. Dëshmitarët që po përdorin tani këto salla, u janë jashtë mase mirënjohës bashkëbesimtarëve të tyre, të cilët me gjithë zemër harxhuan kohë e para për ta. Që të mirëmbahet Salla e re e Mbretërisë dhe të mbulohen shpenzimet e ndërtimit, vetë Dëshmitarët vendas japin kontribute çdo muaj, duke ndihmuar kështu të ndërtohen Salla Mbretërie të tjera.

Sallat e Mbretërisë ndërtohen duke përdorur metoda dhe materiale vendëse. Ndonëse këto salla janë shumë të thjeshta, ato janë të këndshme, praktike dhe të rehatshme. Kur filloi programi i ndërtimeve, në vitin 1999, në të u përfshinë gati 40 vende me të ardhura të kufizuara. Që nga ajo kohë, programi i ndërtimit është shtrirë në 116 vende të tilla, duke përfshirë më shumë se gjysmën e kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait në botë. Gjatë pesë viteve të kaluara, me ndihmën e këtij programi, janë ndërtuar më shumë se 9.000 Salla Mbretërie, mesatarisht mbi 5 salla të reja çdo ditë. Megjithatë, në këto 116 vende nevojiten edhe 14.500 Salla Mbretërie të tjera. Shpresojmë që falë bekimit të Jehovait dhe falë gatishmërisë e bujarisë së Dëshmitarëve përreth botës, të mblidhen fondet e mjaftueshme për t’i plotësuar këto nevoja!​—Psalmi 127:1.

Sallat e Mbretërisë nxitin rritjen

Ç’ndikim kanë pasur te Dëshmitarët vendës dhe te vepra e predikimit këto përpjekje të mëdha? Në shumë zona, pasi është ndërtuar një Sallë e re Mbretërie, ka pasur rritje të madhe në pjesëmarrjen në mbledhje. Një shembull tipik gjendet në këtë raport që na vjen nga Burundi: «Sapo përfundon së ndërtuari, Salla e Mbretërisë mbushet plot. Për shembull, u ndërtua një Sallë Mbretërie për një kongregacion ku kishte mesatarisht 100 veta që merrnin pjesë në mbledhje. Në Sallën e re të Mbretërisë mund të rrinë lirshëm 150 veta. Kur salla përfundoi së ndërtuari, në mbledhje po vinin 250 veta.»

Pse ndodh kjo rritje? Një arsye është se nganjëherë shihen me dyshim ato grupe lajmëtarësh që nuk kanë asnjë vend ku të mblidhen zyrtarisht, por u duhet t’i bëjnë mbledhjet nën një pemë ose në fushë. Në një vend, mendohet se grupet e vogla fetare ushtrojnë dhunë etnike, prandaj ligji kërkon që të gjitha mbledhjet fetare të mbahen brenda një ndërtese për adhurim.

Kur kanë sallat e veta, Dëshmitarët e Jehovait i tregojnë bashkësisë ku jetojnë se ata nuk janë dishepuj të ndonjë njeriu. Zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Zimbabve shkroi: «Në të kaluarën, vëllezërit në këtë zonë i bënin mbledhjet në shtëpi private, dhe njerëzit e identifikonin kongregacionin me të zotin e shtëpisë ku mblidheshin. Ata u drejtoheshin vëllezërve si të bënin pjesë te kisha e ‘Filan Fistekut’. Kurse tani ndryshon puna, pasi njerëzit shohin tabela që e identifikojnë qartë secilën sallë si ‘Salla e Mbretërisë e Dëshmitarëve të Jehovait’».

Dhënës të gëzuar

«Perëndia do një dhënës të gëzuar»,​—shkroi apostulli Pavël. (2 Korintasve 9:7) Sigurisht që dhuratat me vlerë të madhe janë shumë të dobishme. Por pjesa më e madhe e fondeve që jepen për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait, vjen nga kutitë e kontributeve në Sallat e Mbretërisë. Të mëdha a të vogla qofshin, të gjitha kontributet janë të rëndësishme dhe nuk nënvlerësohen. Mbani parasysh se Jezui qëndroi në një vend ku mund ta shihte vejushën e varfër që hidhte dy monedhat e vogla. Gjithashtu e panë engjëjt dhe Jehovai. Nuk e dimë emrin e vejushës, por Jehovai bëri që gjesti i saj vetëmohues të dokumentohej në Bibël për të gjitha kohët.

Përveç ndërtimit të Sallave, kontributet tona mbështetin të gjitha aspektet e tjera të veprës jetësore të predikimit të Mbretërisë. Nëse bashkëpunojmë duke dhënë kontribute, kjo na jep shkak për t’u gëzuar dhe ‘për t’u pasuruar me shumë shprehje falënderimi drejtuar Perëndisë’. (2 Korintasve 9:12) Vëllezërit tanë të krishterë në Benin raportojnë: «Çdo ditë i drejtojmë Jehovait shumë lutje falënderimi për ndihmën financiare që morëm nga vëllazëria ndërkombëtare.» Nga ana tjetër, të gjithë ne që bëjmë diçka për ta mbështetur financiarisht veprën e Mbretërisë, përjetojmë lumturinë që vjen kur japim.

[Kutia dhe figura në faqet 22, 23]

Mënyra që zgjedhin disa për të dhënë

KONTRIBUTE PËR VEPRËN MBARËBOTËRORE

Shumë veta lënë mënjanë ose grumbullojnë një sasi parash, të cilën e hedhin në kuti kontributesh me etiketën «Kontribute për veprën mbarëbotërore​—Mateu 24:14».

Çdo muaj, kongregacionet ia dërgojnë këtë sasi parash zyrës së Dëshmitarëve të Jehovait që shërben në vendet e tyre. Gjithashtu dhuratat vullnetare në para mund të dërgohen drejtpërdrejt në adresën: Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, c/o Office of the Secretary and Treasurer, 25 Columbia Heights, Brooklyn, New York 11201-2483, ose në zyrën e degës që shërben në vendin tuaj. Çeqet duhet t’i bëhen të pagueshme Shoqatës Watch Tower. Mund të dhurohen, gjithashtu, bizhuteri ose gjëra të tjera të çmuara. Këto kontribute duhet të shoqërohen me një letër të shkurtër ku thuhet se këto janë dhurata pa kusht.

RREGULLIMI PËR PARATË E LËNA NË MIRËBESIM ME KUSHT

Paratë mund t’i lihen në mirëbesim Shoqatës Watch Tower. Megjithatë, me kërkesë të dhuruesit, fondet do t’i kthehen atij. Për më shumë informacion, ju lutemi të kontaktoni Zyrën e Sekretarit dhe të Thesarit në adresën e treguar më sipër.

DHËNIE E PLANIFIKUAR

Përveç dhurimeve pa kusht në para, ka edhe metoda të tjera dhënieje për ta çuar përpara shërbimin e Mbretërisë në të gjithë botën. Këto përfshijnë:

Sigurimet: Shoqata Watch Tower mund të emërohet si përfituesja e një police sigurimi për jetën ose i një plan pensioni.

Llogaritë bankare: Llogaritë bankare, certifikatat e depozitave ose llogaritë individuale të pensioneve, mund t’i lihen në mirëbesim ose t’i bëhen të pagueshme pas vdekjes Shoqatës Watch Tower, sipas kërkesave bankare vendëse.

Aksionet dhe obligacionet: Aksionet dhe obligacionet mund t’i dhurohen Shoqatës Watch Tower si një dhuratë pa kusht.

Pronat e paluajtshme: Pronat e paluajtshme që mund të shiten, mund të dhurohen ose duke bërë një dhuratë pa kusht, ose në rastin e një prone banimi, duke i rezervuar një pronë dhuruesit, i cili mund të vazhdojë të jetojë aty gjatë jetës së tij ose të saj. Kontaktoni zyrën e degës në vendin tuaj, para se të kaloni një pronë të paluajtshme.

Dhurimi i të ardhurave duke pasur një pagesë vjetore: Dhurimi të ardhurave duke pasur një pagesë vjetore është një rregullim ku dikush i transferon para ose sigurime një korporate Watchtower. Si shkëmbim, dhuruesi ose dikush i caktuar nga dhuruesi, merr një pagesë vjetore të përcaktuar, për çdo vit të jetës. Që nga viti në të cilin është bërë dhurimi i të ardhurave, dhuruesi ka lehtësime në tatimin mbi të ardhurat.

Testamente dhe lënie në mirëbesim: Pronat ose paratë mund t’i lihen në trashëgimi Shoqatës Watch Tower me anë të një testamenti të bërë ligjërisht ose Shoqata Watch Tower mund të emërohet si përfituesja e një marrëveshjeje mirëbesimi. Një marrëveshje mirëbesimi në dobi të një organizate fetare mund të sjellë disa lehtësime nga taksat.

Siç nënkuptohet nga termi «dhënie e planifikuar», këto lloj dhurimesh kërkojnë në mënyrë të veçantë disa planifikime nga ana e dhuruesit. Për t’i ndihmuar individët që dëshirojnë të përkrahin veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait me anë të ndonjë forme të dhënies së planifikuar, është përgatitur në gjuhën angleze dhe spanjolle një broshurë e titulluar Dhënie e planifikuar në dobi të shërbimit të Mbretërisë në mbarë botën. Broshura u shkrua për të dhënë informacione për disa mënyra dhurimesh, që mund të bëhen tani ose që mund të lihen në trashëgimi pas vdekjes. Pas leximit të broshurës dhe këshillimit me këshilltarët e tyre ligjorë a fiskalë, shumë veta kanë mundur të mbështetin veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në të gjithë botën e ndërkohë të kenë më shumë lehtësime nga taksat. Kjo broshurë mund të merret duke i kërkuar një kopje drejtpërdrejt Zyrës së Dhënies së Planifikuar.

Për më tepër informacione mund të kontaktoni Zyrën e Dhënies së Planifikuar, qoftë me shkrim, qoftë me telefon, në adresën e treguar më poshtë ose në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në vendin tuaj.

Charitable Planning Office

Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania

100 Watchtower Drive,

Patterson, New York 12563-9204

Telefon: (845) 306-0707

[Figurat në faqet 20, 21]

Vendet e vjetra dhe të reja për mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait

Zambie

Republika e Afrikës Qendrore